Varri monumental në Borsh, gjendet në mes të shpatit jugor të qytetit antik (Panormus?), rreth 30 m larg hyrjes kryesore (fig. 41).43 Para tij, i disiplinuar nëpërmjet një muri tarracimi, shtihet një nekropol i vogël i sheshtë, me varre arkë. Rruga drejt varrit monumental kalonte përmes këtij nekropoli, përgjatë murit të tarracimit.
Varri me përmasa 9.4 x 6 m është gërmuar në shpatin e gurtë, përjashtuar faqen e lirë jugore. Kjo faqe është ndërtuar me muraturë izodomike, me blloqe gëlqerori me faqe të rrafshëta, të pajisur skajeve me vijë peshimi. Varri përbëhet prej shkallës korridor (3.6 x 1.2 m) që të çonte drejt portës së dhomës së varrimit dhe vetë dhomës.
Porta e gurtë që mbyll dhomën, është njëkanatëshe, e pajisur me sistem kulisë që lejonte hapjen dhe mbylljen nga personat që njihnin mekanizmin. Në imitim të portave të drunjta, në të janë gdhendur traversat, gozhdët dhe trokitësja.
Dhoma kubike e varrimit (2.84 x 2.84 x 2.93 m), është e mbuluar me qemer cilindrik prej guri dhe suvatuar me llaç hidroizolues me pluhur tulle. Në muret përballë dhe anash hyrjes, ndodhen bankat për vendosjen e trupave. Si i tillë, ai nuk është varr individual, por varr familjar, a i një grupimi të caktuar shoqëror. Muret e dhomës janë pikturuar me panele drejtkëndësh pa ornamente, ngjyrë blu dhe kafe, ndërsa dyshemeja është mbuluar me një mozaik shumëngjyrësh pa motive, me zaje lumi dhe copëra tjegullash. Mozaiku, ashtu si muret, është lyer me blu dhe kafe dhe fërkuar deri në shkëlqim.
Për mbrojtjen e dhomës nga lagështia e shpatit dhe për drenazhimin e ujërave nëntokësorë, muret, me përjashtim të anës së lirë jugore, përçohen që nga mesi i lartësisë dhe deri në fillimet e qemerit prej një kanali të dyfishtë (1.90 x 0.6 m). Për ventilimin e dhomës dhe largimin e avujve, kanali është i pajisur me dritare (0.4 x 0.4 m).
Nga inventari i varrit ruhet vetëm brava e larnax-it, kutisë për hirin e personave të djegur, çka tregon se varrimi kryhej si me djegie ashtu dhe kallje. Muri i tarracimit të nekropolit të sheshtë, mbështetet mbi varrin monumental, çka e tregon atë të mëvonshëm se varri. Si i tillë, inventari i nekropolit, i çerekut dytë. të shek. III p.e.s., tregon se varri monumental u ndërtua para kësaj date.Pikturimi me vetëm dy ngjyra, sugjeron ndërtimin para mesit të shek. IV p.e.s., kohë pas së cilës kalohet në paletën shumë ngjyrëshe. Mungesa e skeleteve dhe inventarit në disa nga varret e nekropolit të sheshtë, do shpjegohej me kalimin e trupit pas dekompozimit në varrin monumental.