Regjimi republikan filloi me një rënkim më shumë sesa me një shpërthim. Ka gjithfarëlloj përrallash të treguara nga historianët romakë mbi rendin e ri politik, mbi luftërat në shkallë madhore dhe mbi dekadat e para të shekullit të pestë p.e.s. si dhe të heronjve të fuqishëm e batakçinjve, të cilët janë bërë edhe bazë për legjenda moderne. Për shembull, Lucius Kuinktius Cincinatus, i cili dy mijëvjeçarë më vonë i dha emrin e tij qytetit amerikan Cincinatit, supozohet se u kthye nga një gjysmekzil në vitet 450 p.e.s. për t u bërë diktator dhe për të udhëhequr ushtritë romake në fitore kundër armiqve para se me fisnikëri të tërhiqej drejtpërsëdrejti sërish në fermën e tij pa kërkuar lavdi të mëtejshme politike. Në kontrast me këtë, Gaius Marcius Koriolanus, i cili frymëzoi Korionalusin e Shekspirit, ishte një hero lufte që u kthye në tradhtar rreth vitit 490 p.e.s., i cili bashkoi forcat me një armik me synimin për të sulmuar qytetin por u ndalua nga nëna dhe gruaja, të cilat ndërhynë për ta bindur të mos e bënte. Por realiteti ishte shumë i ndryshëm dhe në dimensione mjaft më modeste.
26. Bujku që shpëtoi shtetin. Kjo statujë e shekullit të njëzetë nga qyteti modem i Cincinatit tregon Cincinatusin duke dorëzuar simbolet e postit politik dhe duke u nisur për te parmenda e tij. Shumë rrëfenja romake e prezantonin atë si një patriot të madh, por kishte edhe një anë tjetër të Cincinatusit, atë të kundërshtarit të paepur të të drejtave të plebenjve dhe të varfërve në qytet.
Cilido qoftë organizimi politik i qytetit në kohën kur u rrëzuan Tarkuinët, arkeologjia bën të qartë se për shumicën e shekullit të pestë p.e.s., Roma nuk po lulëzonte fare. Një tempull i shekullit të gjashtë p.e.s., që në disa raste është lidhur me emrin e Servius Tulius ishte një nga ato ndërtesa që u dogj rreth vitit 500 p.e.s. dhe nuk u rindërtua edhe për shumë dekada. Dhe është e qartë se ka pasur edhe një rënie në importet e punimeve të baltës nga Greqia gjatë kësaj kohe, gjë që është një tregues i mirë për nivelin e mirëqenies. Thënë thjesht, nëse fundi i periudhës regale mund të cilësohet arsyeshëm si ‘La Grande Roma dei Tarquini’, vitet e para të Republikës ishin shumë më pak madhështore. Dhe pavarësisht luftërave heroike që shfaqen kaq shumë në kronikat romake, këto luftëra mund të kenë luajtur një rol më të madh se sa duhet në imagjinatën e Romës, por qenë shumë lokale, të luftuara në një rreze prej brenda pak kilometrash nga qyteti. Gjasat janë që këto qenë bastisje tradicionale mes bashkësive fqinje apo sulme guerilase, të cilat më vonë u shkruan në mënyrë anakronike si përplasje formale ushtarake. Pjesa më e madhe e këtyre përleshjeve, pa dyshim, qenë ende në bazë gjysmë private, të kryera nga kapedanë të pavarur. Së paku kjo është çfarë sugjerohet nga një incident legjendë nga fillimi i viteve 470 p.e.s., kur 306 romakë thuhet se u vranë në një kurth. Ata thuhet se i përkisnin që të gjithë një familjeje të vetme, familjes Fabii, plus shërbyesve, atyre që sorollateshin rreth tyre dhe klientëve: kjo ngjan më shumë me një bandë të madhe sesa me një ushtri.
Të Dymbëdhjetë Tabelat janë antidota më e mirë për narrativat heroizuese të mëvona. Tabelat origjinale prej bronzi nuk mbijetojnë më. Por një pjesë e përmbajtjes së tyre është ruajtur, për shkak se romakët e mëvonë e shikonin këtë përmbledhje lara-lara të rregulloreve si fillesat e traditës së spikatur të ligjit romak. Ajo që u gdhend fillimisht në bronz u vu shpejt në një formë pamfleti dhe vijoi të mësohej përmendësh, së paku kështu thotë Cicero, nga nxënësit e shekullit të parë p.e.s. Shumë kohë pasi këto rregulla kishin pushuar së pasuri ndonjë rol praktik, ato vijuan të ribotohen e riredaktohen dhe shumë komentarë shkollarësh të lashtësisë u hartuan mbi kuptimin e secilës prej klauzolave, rëndësinë e tyre ligjore dhe gjuhën - disa avokatë të shekullit të dytë të e.s. qenë shumë të irrituar, pasi ndienin se kolegët e tyre të fiksuar pas librave qenë tepër të interesuar në misteret gjuhësore të këshillave të vjetra romake. Asgjë nga kjo literaturë voluminoze nuk ka mbijetuar e paprekur. Por një pjesë e saj është cituar apo perifrazuar në shkrime që kanë mbijetuar, ndërsa duke gërmuar nëpër to, përfshirë edhe disa nga rrugët më të tërthorta të literaturës romake, shkollarët kanë gjurmuar tetëdhjetë klauzola pak a shumë nga ato të tabelave të shekullit të pestë p.e.s.
I gjithë procesi ka qenë jashtëzakonisht teknik me debate të ndërlikuara që vijojnë mbi fjalët e sakta të klauzolave, mbi diskutimet se sa përfaqësuese të origjinaleve janë seleksioni i klauzolave të përmbledhura dhe se sa të saktë qenë shkollarët e mëvonë romakë kur i cituan ato. Është e sigurt se mbi to është bërë përshtatje deri në një farë mase: latinishtja duket arkaike, por jo mjaftueshëm arkaike për shekullin e pestë p.e.s. dhe me raste perifrazimet kanë qenë përpjekje për të përshtatur kuptimin origjinal me procedurat e mëvona të ligjit romak. Në disa raste, edhe avokatët e ditur të Romës keqkuptonin atë që ata lexonin në Dymbëdhjetë Tabelat. Ideja se një borxhli i falimentuar që kishte shumë kreditorë mund të ekzekutohej, ndërsa trupi i tij duhej të ndahej mes tyre, në copa sipas sasisë së borxhit, duket më shumë si një keqkuptim (ose së paku kështu kanë shpresuar shumë kritikë modernë). Pavarësisht kësaj, këto citate ofrojnë rrugën më të drejtpërdrejtë për në shoqërinë e mesit të shekullit të pestë p.e.s., në shtëpitë dhe familjet e tyre, shqetësimet dhe horizontet intelektuale.
Kjo është një shoqëri shumë më e thjeshtë dhe horizontet e saj janë më të kufizuara nga sa nënkupton kronika e Livit. Kjo është e qartë si nga gjuha dhe format e shprehjes ashtu edhe nga përmbajtja. Megjithëse përkthimet moderne bëjnë aq sa mundin për ta bërë të gjithë këtë të tingëllojë disi më kthjehët, fjalët origjinale në latinisht janë shpesh shumë larg të qenët të tilla. Në veçanti, mungesa e emrave dhe e përemrave diferencues e bën pothuajse të pamundur të dish se kush po bën çfarë ndaj kujt. ‘Nëse ai thërret te ligji, duhet të iki. Nëse ai nuk ikën, duhet të thërrasë dëshmitarë dhe pastaj ta zërë atë’, kjo supozohet se nënkupton, siç përkthehet zakonisht, ‘Nëse një paditës thërret një të paditur para ligjit, i padituri duhet të paraqitet. Nëse nuk paraqitet, paditësi duhet të thërrasë dikë tjetër për dëshmitar, pastaj të konfiskojë të paditurin’. Por nuk e thotë saktësisht këtë. Të gjitha shenjat tregojnë se cilidoqoftë ai që e hartoi këtë dhe shumë klauzola të tjera, po vuante për të përdorur gjuhën e shkruar në hartimin e rregullave të qarta dhe se konvencionet e argumentit logjik dhe të shprehurit racional qenë në fillesat e tyre më modeste.
Megjithatë, thjesht përpjekja për të krijuar një rekord formal të kësaj natyre ishte një hap i rëndësishëm në atë që sot shpesh quhet shtetformimi. Një nga pikat kyçe të kthesës në shumë shoqëri të hershme është një kodifikim i ligjit, zakonisht rudimentar dhe shumë i pjesshëm. Për shembull në Athinën e lashtë, Drako ishte i famshëm për përpjekjen e parë për t’i hedhur në shkrim ato që qenë rregulla orale në shekullin e shtatë p.e.s, megjithëse ai tashmë është sinonim për masat më të ashpra (drakoniane’); një mijë vjet para kësaj, në Babiloni, kodi i Hamurabit bëri diçka të ngjashme. Të Dymbëdhjetë Tabelat janë pak a shumë të tilla. Ato janë shumë larg të qenët një kod ligjor tërësor dhe mund të mos kenë pasur kurrë synimin të jenë të tilla. Dhe nëse citimet e mbijetuara nuk janë keqinformuese, atëherë duhet të theksojmë se ato nuk përfshijnë pothuajse asgjë nga ligji publik apo kushtetues. Ajo që bëjnë është të nënkuptojnë angazhimin për procedura të rëna dakord, të përbashkëta dhe të pranuara publikisht për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve si dhe disa mendime mbi trajtimin e pengesave praktike e teorike për këtë gjë. Çfarë duhet të bëhet nëse i padituri është tepër i moshuar për t’u takuar me paditësin? Paditësi duhej të ofronte një kafshë transporti për të. Çfarë ndodh nëse pala fajtore ishte një fëmijë? Penaliteti në këtë rast mund të ishte rrahja dhe jo varja, një dallim që u paraprin edhe ideve tona mbi moshën e përgjegjësisë penale.
Temat e këtyre rregulloreve vënë në dukje një botë pabarazish të shumta. Kishte skllevër të llojeve të ndryshme, nga ata që kishin dështuar të shlyenin kreditë tek ata që kishin rënë në ndonjë formë skllavërie, për shkak të borxheve, si dhe tek ata që qenë tërësisht të skllavëruar, supozohet (megjithëse ky është vetëm një hamendësim) të rrëmbyer apo të kapur rob në luftë. Disavantazhi i tyre shprehet qartë: penaliteti për sulmin ndaj një skllavi vendoset në gjysmë të penalitetit të sulmit ndaj një njeriu të lirë, ndërsa skllavi mund të dënohej me vdekje për një shkelje, për të cilën një qytetar i lirë mund të shpëtonte vetëm me një rrahje. Por disa skllevër eventualisht liroheshin, siç është e qartë nga një referencë për ish-skllevërit ose libertus.
Kishte hierarki edhe brenda popullsisë së shtetasve të lirë. Një klauzolë nxjerr në pah dallimin mes patricëve dhe plebenjve, një tjetër mes assidui (burrave me pronë) dhe proletarii (ata pa pronë -kontributi i të cilëve në qytet ishte prodhimi i pasardhësve, proles). Një tjetër u referohet ‘patronëve’ e ‘klientëve’ dhe marrëdhënies së varësisë e detyrimit të ndërsjellë mes shtetasve të pasur dhe atyre të varfër, gjë që mbeti e rëndësishme përgjatë të gjithë historisë së Romës. Parimi bazë ishte që një klient varej nga patroni për mbrojtje dhe ndihmë financiare ose tjetër, në shkëmbim të një varieteti shërbimesh, përfshirë votim në zgjedhje. Shkrime të mëvona romake janë përplot me retorikë të stërholluar dhe të lartë nga klasa e patronëve mbi virtytet e kësaj marrëdhënieje, si dhe mbi ankesat mjerane nga ana e klientit për poshtërimet që ata duhej të duronin, që të gjitha vetëm për një vakt të dorës së dytë. Te të Dymbëdhjetë Tabelat, rregulli deklaron thjesht: ‘Nëse një patron i ka bërë dëm klientit të tij, ai duhet të mallkohet’, çfarëdo që kjo fjala e fundit të nënkuptojë.
Në pjesën më të madhe, Dymbëdhjetë Tabelat trajtojnë probleme të brendshme, me një përqendrim veçanërisht te jeta familjare, fqinjët problematikë, pronën private dhe vdekjen. Ato përcaktojnë procedurë për braktisjen apo vrasjen e foshnjave të deformuara (një praktikë e zakonshme përgjatë të gjithë antikitetit, në mënyrë më të butë të njohur nga shkollarët modernë si ekspozim’) për trashëgiminë dhe për kryerjen e rregullt të funeraleve. Klauzola të veçanta i ndalojnë gratë nga gërvishtja e mollëzave gjatë një funerali, ndalojnë ngritjen e turrave të druve për kremim tepër pranë shtëpisë së dikujt, si dhe për varrosjen e arit,- me përjashtim të arit dentar - bashkë me trupin. Dëmet kriminale apo aksidentale qenë një shqetësim tjetër i kuptueshëm. Kjo ishte një botë në të cilën njerëzit shqetësoheshin se si duhej të trajtonin rastin kur pema e komshiut varej mbi pronën e tyre (zgjidhja: ajo duhet të pritet te lartësia e përcaktuar) ose me kafshët e komshiut që binin në fusha (zgjidhja: dëmi duhej të shlyhej ose kafsha nuk kthehej). Ata shqetësoheshin për hajdutët gjatë natës, gjë që duhej të ndëshkohej më ashpër sesa vjedhja gjatë ditës, mbi vandalë që shkatërronin të mbjellat e tyre apo mbi armët që aksidentalisht vrisnin një të pafajshëm. Por, siç tingëllon kjo pak a shumë e njohur, ishte edhe një botë ku njerëzit kishin firikë nga magjia. Çfarë duhet të bësh kur armiku u bën magji bimëve apo të mallkon? Për fat të keq, përgjigjja për këtë ka humbur.
Nëse gjykon nga Dymbëdhjetë Tabelat, Roma e mesit të shekullit të pestë p.e.s. ishte një qytezë bujqësore, mjaftueshëm komplekse për të dalluar ndarjen bazë mes skllavit dhe të lirit, si dhe mes rangjeve të ndryshme të shtetasve, si dhe mjaftueshëm e sofistikuar për të hartuar disa procedura formale civile për të trajtuar mosmarrëveshjet, për të rregulluar marrëdhëniet shoqërore e familjare dhe për të imponuar disa rregulla bazë mbi aktivitete të tilla njerëzore si menaxhimi i të vdekurve. Por nuk ka prova se kjo ishte diçka më shumë sesa kaq. Tentativa për formulimin e rregulloreve, në disa raste të vështira e madje konfuzue, duhet të vërë në diskutim disa nga referencat që gjenden te Livi dhe shkrimtarë të tjerë të lashtësisë për ligje dhe traktate të komplikuara të kësaj periudhe. Dhe mungesa e, së paku në atë pjesë të klauzolave që kanë mbijetuar, të çdo reference ndaj një zyrtari publik specifik, me përjashtim të Virgjëreshës së Vestës (e cila si një priftëreshë duhej të çlirohej nga kontrolli i babait), natyrisht që nuk informon për ekzistencën e ndonjë aparati shtetëror dominues. Për më tepër, nuk ka thuajse asnjë përmendje të botës jashtë Romës - me përjashtim të referencave mbi disa rregulla të caktuara që aplikohen ndaj një hostis (një ‘i huaj’ apo një ‘armik’,- në latinishte janë e njëjta fjalë që nënkupton që të dy) dhe një referencë të mundshme mbi shitjen në skllavëri ‘në vend të huaj përtej Tiberit’, si një ndëshkim i shkallës së më të ashpër për borxhin. Ndoshta kjo përmbledhje ka pasur një fokusim qëllimisht të brendshëm dhe jo të huaj. Gjithsesi, nuk ka shenja në të Dymbëdhjetë Tabelat se kjo ishte bashkësia që u jepte një prioritet të lartë marrëdhënieve, qofshin ato të dominimit, pushtimit apo miqësisë, përtej lokalitetit të vet.
E gjitha kjo duket një botë larg epokës së Ciceros, e madje edhe epokës së Barbatusit dhe e Apius Klaudius Kaekus, të cilët jetuan vetëm njëqind vjet më vonë, me paradën e tyre të posteve publike, me atë rrugë të re që godet në jug drejt Kapuas dhe që mburret për pengjet nga Lukania. Pra çfarë ndryshoi dhe kur?