Zona që zënë monumentet arkeologjike,shtrihet prej maleve Akrokeraune (Qafa e Llogarasë), maleve të Labërisë e deri në kufirin shtetëror të Shqipërisë në Jug. Kufirin lindor të kësaj zone e formojnë Mali i Gjerë, Qafa e Muzinës dhe vargu i maleve në jug të saj, deri në Stugare. Pjesë përbërëse të saj janë krahina bregdetare (bregdeti shqiptar i Jonit), pellgu i Delvinës dhe lugina e lumit Pavël.
E gjithë kjo zonë bën pjesë në Shqipërinë e lartë bregdetare. Ajo përbëhet prej një sërë vargmalesh gëlqerorë me drejtim dinarik, të veçuara prej luginash fushore dhe aluviale, që ndjekin të njejtin drejtim. Kjo ndryshon nga pjesa tjetër e Shqipërisë bregdetare dhe është e ngjashme me zonën e Shqipërisë së brendshme. Këtu zotërojnë malet, kurse luginat gjenden gjatë disa rrjedhjeve të lumenjve të rrethuara prej maleve. Malet e Shqipërisë së lartë bregdetare janë malet më të zhveshura të vendit tonë. Pyjet e larta janë shumë të pakta, kurse kullotat verore, me bar të bollshëm e të shumëllojshëm, gjenden kudo.
Ndërmjet lumit të vogël të Dukatit dhe detit Jon ngrihen madhështorë vargmali i Llogarasë (Akrokeraunet) me majën më të lartë, atë të Çikës (2050 m.). Pastaj vjen lugina e ngushtë e Shën Vasilit, që ndan në pjesën verilindore vargun malor të Sarandës nga vargu malor i Fterrës. Vargu malor i Sarandës shtrihet në pjesën perëndimore, gjatë bregut të detit Jon, i cili fillon prej fshatit të Hundecovës dhe vazhdon në drejtim të juglindjes, me majën e Shëndëllisë (801,6 m.), ku mbas një uljeje që bën në qafën e Gjashtës (150 m) vazhdon me një varg kodrash të gadishullit të Kasimilit (300-400 m. lartësi), që mbarojnë në kufi me Butrintin. Në krahun tjetër të luginës shtrihet vargu malor i Fterrës, i cili vazhdon në drejtim Jug-Lindje, me majën e Picohes (766 m) dhe pastaj vjen duke u ulur deri në fushën e Vurgut. Në anën lindore të vargut të Fterrës shtrihet pellgu i Delvinës me malet për rreth tij. Në veri dhe verilindje të saj ngrihet vargu i Malit të Gjerë - Stugarë; në jug të Delvinës ndodhet mali Kartaur, mali Kazanje - Karitje, afër lumit të Leshnicës, kurse përkundrejt ngrihet mali i Shëndenikut (1600 m). Në pjesën jugore të këtij pellgu lartësohet mali i Milesë, i rrethuar nga Jug-Lindje dhe Jug prej lumit Pavël; në vazhdim të malit Mile gjendet vargu Saraqin - Mile që pritet prej lumit Pavel. Si vazhdim i këtij vargu më në Veri gjendet vargu i Sarandës, që është përmendur më lart.
Në verilindje ngrihet vargu i Malit të Gjerë dhe i Sopotit, i cili ndan luginën e Drinosit nga Pellgu i Delvinës, pas majës së Nakriginës (1601,9 m) bën një ulje në qafën e Muzinës (rreth 500 m), pastaj ngrihet përsëri dhe kurorëzohet me majën e Muzinës (rreth 1555,4 m), që vazhdon në drejtim të juglindjes. Mbas luginës së ngushtë të Bistricës vjen Hilina-Shën Demio, që ndodhet në jug të hidrocentralit të Bistricës, pastaj vjen vargu malor i Dhëvirit që është mjaft i thepisur dhe më tutje shtrihen malet e Shën-dëllisë, mali Lemo dhe vargjet e maleve të Këlcyrës, me shpate shumë të thepisura, nga ana e lumit Pavël.
Përveç vargmaleve këtu shtrihen edhe një sërë fushash dhe luginash të ngushta. Më të përmendura janë: fusha e Vurgut, që ndodhet në rrjedhjen e poshtme të lumit të Kalasë dhe Bistricës, fusha e Mursisë, dhe një sërë luginash të tjera të ngushta që ndodhen përreth lumenjve dhe përrenjve të ndryshëm, si ajo e Lukovës - Shën-Vasilit, lugina e ngushtë e Navaricës dhe ajo e Bistricë-Vrisit etj.
Këtë krahinë e përshkojnë dhe një numër lumenjsh dhe përrenjsh. Më të përmendurit janë: Lumi i Kalasë, Bistrica dhe Pavlli me degët e tyre. Në verilindje të Butrintit shtrihet liqeni i Butrintit (Pelodes), i cili lidhet me detin Jon me anë të një kanali natyral.
Kjo zonë ka një klimë mesdhetare atlantike jugore, klimë që karakterizohet me verë të nxehtë, e të thatë, të qëndrueshme, rallëherë shumë të nxehtë e të thatë, dhe me dimër jo shumë të ftohtë. Rreshjet janë të paqendrueshme, sasia mesatare vjetore arrin 1.700 mm. Maksimumi i rreshjeve është në muajt Nëntor-Dhjetor, kur mesatarja e rreshjeve arrinë 300-350 mm., kurse minimale më pak se 50 mm u përket muajve Korrik-Gusht.
Bimësia nuk është e njëjtë dhe në përgjithësi e rallë, sidomos në vendet malore. Kurse në bregdetin e detit bimësia është më e dendur; kodrat janë veshur kryesisht me agrume, pemë dhe ullishta. Vendi është i mbushur me kullota të mira dimërore, dhe ka sasi të madhe bari të nevojshëm për bagëtinë.
Burimet e autorëve antikë na flasin për një bujqësi e blegtori shumë të zhvilluar. Fusha e Kestrinës (sot fusha e Vrinës) në kohën e lashtë gëzonte një emër të mirë për bujqësi e blegtori. Përveç kultivimit të tokës, këtu lulëzonte sidomos rritja e gjesë së gjallë, në radhë të parë e dhenve, dhive, kuajve dhe kafshëve të tjera shtëpiake; të përmendura ishin lopët e Kestrinës për qumështin e mishin e tyre të bollshëm. Të begatshme ishin edhe tokat e tjera të Kaonisë, si fusha e Dropullit, e Vurgut dhe ajo e Delvinës.
Oriku ndodhet në skajin jugperëndimor të gjirit të Vlorës, rrëzë Maleve të Karaburunit (Akrokerauneve). Qyteti është mëse i përshtatshëm si bazë detare, çka kuptohet nga luftimet e Cezarit me Pompeun, më tej nga kthimi në kantier anijesh dhe kryeurë prej Sulltan Sulejmanit në tentativën për të zbarkuar në Pulje dhe së fundi nga dislokimi në të i flotës nëndetëse sovjetike të Mesdheut në vitet 50 të shekullit të shkuar.
Trualli ku ndodhet kodra që mbart qytetin është një gadishull i lidhur me tokën me një rrip të ngushtë e të gjatë ranor, 2,2 km të gjatë. Në veri të tij ndodhet deti dhe në jug ujërat e lagunës së Dukatit e cila bashkohet me detin me dy kanale.
Gjiri i Grammatas (ose i Gramës, siç thirret nga vendasit), ndodhet në rrëzë të shpatit perëndimor, shumë të thiktë, të Karaburunit (Malet Akrokeraune), në një zonë të pabanuar.
Që nga Dhërmiu, duke ardhur nga jugu, dhe përtej grykës së derdhjes të përroit të Palasës (Palasa ishte vendi i zbarkimit të trupave të Cezarit në dimrin e viteve 49-48), bregdeti është i shkretë, i përbërë më shpesh nga shtresëzime gëlqerore me pjerrësi shumë të madhe, që zbresin që nga kreshta me lartësi afër 1500 m (Mali i Shëmilliut me 1 498 m) deri në nivelin e detit; bimësia aty është e rrallë, shumë pak pemë vetëm në disa nga luginat e vogla, një bar i rrallë dhe shpesh një erë e vrullshme. Bregdeti është pothuajse drejtvizor, pa asnjë thyerje, deri në lartësi të Gramës, që përbën me të vërtetë një vend strehimi për anijet që ndodhen në vështi-rësi përgjatë këtij bregdeti të rrezikshëm në kohë të keqe. Faleza ndërpritet paksa për të krijuar një gji të vogël plot me shkëmbinj nënujorë të rrezikshëm për anijet që nuk bëjnë kujdes, shkëmbinj që janë sot nën sipërfaqe, por që duhet të kenë qenë dukur qartë mbi det kur niveli i tij ishte më i ulët nga ai i sotmi, sikurse ishte në antikitet. Një plazh me gurë zalli, shumë i pjerrët, me gjerësi rreth 50 m, lejon të shkohet në thellësi të gjirit, ndërsa mbrapa tij një grykë e ngushtë bën që të rrjedhin, në kohë shiu, ujrat e një përroi që zbret me vrull nga mali.
Kështjella e Himarës ndodhet 3 km në veri të qytetit Himarë, në një shkrep shkëmbor 140 m të lartë. Nga perëndimi shkrepi rrëzohet mbi një gji detar, ndërsa në verilindje dhe juglindje bie me shkëmbinj masivë mbi përrenjtë stinorë. Vetëm në lindje shkrepi bashkohet butë me terrenin përreth. Ky është i vetmi vend ku mund të kalojë rruga e Akrokerauneve e cila të nxirrte gjatë litoralit nga Buthroti në Orik dhe Aulonë.
“Himeri është liman”. Sipas Plini-t Maior (NH 4 1, v. 65- 79) “Në bregdet të Epirit, mbi malet e Akrokeraunit, ndodhet kështjella e Himerës. Nën të burimi i Ujit Mbretëror”. Ky burim, një lumë nëntokësor me ujë të ëmbël, del dhe derdhet në det 2 km në jugë të Himarës. Lumi mund t’i fumizonte mirë me ujë anijet dhe banorët ndërkohë që përreth ka toka të punueshme, rrallësi kjo për brezin e ashpër bregdetar. Krahas kësaj klima paraqitet mjaft e përshtatshme për zhvillimin e vreshtarisë dhe ullishta
Kalaja e Sopotit ndodhet në fshatin Borsh, 2 km larg bregut të detit, në një kurriz të lartë malor. Para saj hapet fusha aluvionale e Borshit, e qarkuar prej një amfiteatri malesh të lartë. Në perëndim fusha përfundon me një plazh të lagur prej ujërave të Jonit ndërsa në veri dhe jug malet vazhdojnë deri në det duke krijuar një gji të mbrojtur. Mbrojtja nga erërat, prania e burimeve të shumtë dhe klima e butë krijojnë kushte optimale për bujqësi dhe kultivimin e agrumeve dhe ullirit.
Këtu kalon Rruga e Akrokerauneve (Llogorasë) e cila të nxjerr në Orik dhe Aulonë. Prej saj, nëpërmjet luginës së Përroit të Picakut dhe më tej Lumit të Vlorës të nxjerrin në Amantie, Kaninë dhe sërishmi në Aulonë. Kjo rrugë, më pak e vës-htirë se e Akrokerauneve, në antikitet ka qenë më e rrahur se rruga e fundit.
Dimali ndodhet në afersi të fshatit Krotinë, 20 km larg Apolonisë, në një zonë të valëzuar kodrinore pararendëse të malit të Shpiragut (fig.l). Krahina përmendet në mesjetë për blegtorinë e zhvilluar ndërsa para qytetit ndodhet dhe një fushë e gjerë e cila lejonte edhe zhvillimin e bujqësisë. Kodra ku ngrihet qyteti ka një fushëpamje të gjerë nga Mali Shpirag në Gylakion Pedhion (Fushën e Myzeqesë). Këtu, në veri të Dimalit, kalonte rruga Apoloni - Antipatrea - Luginë e Osumit (Apsus) prej ku dilej në Pellgun e Korçës dhe Maqedoni.
Kodra në të cilën shtrihej qyteti (144 m) rrafshohet lart në një pllajë të valëzuar me konture të çrregullta. Brenda kësaj pllaje ndodhet një sukë dy hektarëshe, 40 m e lartë, ku janë gjetur gjurmë të fundit periudhës bronzit - fiilimit të asaj të hekurit.
Falë zhvillimit ekonomik dhe kushteve të përshtatshme Dimali në periudhën antike u kthye në qytet duke u pajisur me mure rrethuese të cilat e bënin atë, sipas Polybit, “një qytet që pandehej që s’e merrte dora e njeriut" (Polyb. 3 18 4-6). Gjurmë emplecton-i në skajet veriore dhe perëndimore të pllajës, ku terreni i rrafshët ja lë vendin shpateve të pjerrët, si dhe blloqe të rrëzuara në rrëzën jugore të kodrës tregojnë se muret rrethonin një sipërfaqe rreth 18 hektarëshe. Me rrethimin e ri suka e fortifikimit të periudhës së bronzit duket se u kthye në akropol dhe temenos të qytetit.
Blloqet e murit prej guri gëlqeror kanë formë drejtkëndëshe, çka tregon për një muraturë izodomike ose pseudoizodomike. Numri i kufizuar i blloqeve të gurtë, pavarësisht se jeta në shek e 3 merr fund përgjithmonë, si dhe gjetja e një sasie të madhe tullash dhe numri i madh i punishteve të qeramikës tregojnë se muri rrethues duhet të ketë qenë me qerpiç ose tulla mbi xokolin e gurtë.
Qyteti në Kaninë gjendet në fshatin e njëemërt, 3 km larg Gjirit të Vlorës, në një kodër 379 m të lartë. Në këtë zonë male të lartë i afrohen tepër bregut të detit, ndërsa lugina e Lumit të Vlorës, e cila shtyhet deri në rrëzë të kodrës, lehtëson lidhjen e bregut të detit me hinterlandin amantin. Uji i pijshëm, kripa e kriporeve bregdetare dhe kodrat përreth krijojnë kushte për blegtori, ndërsa trojet e gjera afër lumit krijojnë kushte të mira për zhvillimin e bujqësisë.
Ndonëse në buzë detit dhe në luginën e lumit të Vlorës ka një sërë kodrash që i plotësojnë më mirë kushtet e mësipërme, prej tyre nuk kryhet dot kontrolli i lidhjes midis Gjirit të Vlorës me hinterlandin amantin si nga kodra e Kaninës.
Rrënojat e qytetit antik, ende të paidentifikuar, gjenden në kodrën e Gurëve të Zes (508 m), përballë Margëlliçit, në krahun jugor të luginës së Gjanicës. Qyteti ishte ngritur mbi rrugën natyrore, e cila lidhte Apoloninë me Bylisin, duke kaluar nëpër kreshtat e kodrave që ndanin luginën e Gjanicës nga ajo e Vjosës. Gjithashtu, qyteti kontrollonte që lart luginën e mesme të Gjanicës, si dhe fushën pjellore të Cakranit.
Megjithëse nuk ka pasur gërmime arkeologjike, nga Gurëzeza vjen një numur i konsiderueshëm gjetjesh. Qeramika e shek. IV p.e.sonë vjen kryesisht nga Apolonia, ndërsa në shek. 111-11 p.e.sonë ajo i takon prodhimit vendës. Në këtë periudhë veprojnë edhe një numër i madh punishtesh për tjegulla, pronarët e të cilave identifikohen nga vulosja e prodhimeve.
Nga nekropoli i qytetit vijnë disa skulptura e relieve prej guri gëlqeror të Akrokerauneve. Tipike është stelja që paraqet vizitën në varreza (Muzeu Historik, Tiranë. Lartësi 0.61 m). Dy gra dhe një skllav paraqiten gjatë një ceremonie përkujtimore në varrezë, e cila kuptohet nga hermet e dy antarëve të vdekur të familjes.
Njëra prej grave merr një ushqim nga ena që mban skllavi, ndërsa tjetra mban një pëllumb gati për ta lëshuar. Relievi ka qenë realizuar nga një mjeshtër apoloniat, por ceremonia është lokale. Veshjet e grave dhe solemniteti dëshmojnë për një shtresë të lartë shoqërore.
Kështjella antike e Mashkjezës ka qenë vendosur mbi kodrën e quajtur Qytezë, në grykën e përroit të Mashkjezës, që e ndan atë nga kodra fqinjë, mbi të cilën ndodhet qyteti antik i Gurzezës. Vetë lugina e përroit përbënte një kalim të përshtatshëm natyror nga fusha pjellore e Cakranit për në luginën e mesme të Gjanicës. Kontrolli i kësaj rruge dhe i vetë fushës ka përcaktuar edhe ngritjen e një vëndbanimi të fortifikuar protourban në majën e kodrës.
Fortifikimi i njohur, me emrin Gradishta e Rabies, ngrihet mbi një kodër shkëmbore me lartësi 880 m në perëndim të fshatit Rabie, në rrethin e Tepelenës. Prej saj kontrollohet së afërmi rruga natyrore, e cila lidh luginën e mesme të Vjosës me atë të Osumit nëpërmjet qafës së Gllavës. Në këtë pozitë të favorshme Rabia ishte një kështjellë kufitare e bashkësisë byline, siç dëshmon një mbishkrim i gjetur atje.
Qyteti në Triport (Aulona), ndodhet në skajin verior të gjirit të Vlorës, ku një varg i ulët kodrinor që vazhdon prej veriut në jug shtyhet deri në buzë të detit. Në veri të tij gjendet laguna e Nartës, në perëndim dhe jug deti, ndërsa në lindje, ndërmjet tij dhe një vargu kodrinor paralel me të gjendet një truall i sheshtë (rreth 1 x 0, 6 km). Kodra më jugore e vargut, 85 m e lartë, në perëndim dhe jug rrëzohet thikë në det. Në lindje, ku gjenden burime uji të pijshëm, ajo bie me një shpat 30-35°, të përshtatshëm për ndërtimin e banesave, ndërsa në veri një qafë e bashkon me vargun në vazhdim.
Qyteti në Triport (Aulona), ndodhet në skajin verior të gjirit të Vlorës, ku një varg i ulët kodrinor që vazhdon prej veriut në jug shtyhet deri në buzë të detit. Në veri të tij gjendet laguna e Nartës, në perëndim dhe jug deti, ndërsa në lindje, ndërmjet tij dhe një vargu kodrinor paralel me të gjendet një truall i sheshtë (rreth 1 x 0, 6 km). Kodra më jugore e vargut, 85 m e lartë, në perëndim dhe jug rrëzohet thikë në det. Në lindje, ku gjenden burime uji të pijshëm, ajo bie me një shpat 30-35°, të përshtatshëm për ndërtimin e banesave, ndërsa në veri një qafë e bashkon me vargun në vazhdim.
Lumi i Kalasës buron afër fshatit të Tatzatit. Duke ndjekur drejtimin prej veriut në jug: ai përshkon pjesën më të mirë të krahinës së quajtur Rëzoma e Delvinës, deri sa zbret në fushën e Vurgut, ku bashkohet me lumin Bistricë. Krahina e Rëzomës, me të cilën është lidhur ky lumë, kufizohet në veri nga vargu i maleve Levan-Koniak-Golishsi dhe Mali i Gjërë që shënon kufirin midis kësaj zone dhe Labërisë së sipërme. Qafa e Skerficës që përshkon malin e Gjerë është e vetmja rrugë kalimi që lidh këtë zonë me luginën e Drinosit. Simbas burimeve të shkruara, kjo ka qenë i vetmi kalim i shkurtër i ushtrive ilire dhe romake në luftat iliro-epirote dhe maqedono-romake. Në anën perëndimore ky pellg veçohet prej detit nga mali i Shëndëllisë që ka drejtim veri-jug.
(Fshiati Vergo, rrethi Sarandë). Në vitin 1958, në vendin e quajtur Guri i Zi, në veri të fshatit Vergo, gjatë ndërtimit të një çezme, fshatarët gjetën një poç balte të pjekur në ngjyrë të kuqe me monedha brenda. Ena u thye nga goditja e kazmës, dhe nga monedhat që ndodheshin brenda saj vetëm një pjesë u mblodh. Prej tyre mundëm të gjejmë rreth 24 monedha bronzi. Simbas numizmatit Hasan Cekan pjesa më e madhe e tyre janë të Lidhjes Epirote, të prera në shek. III para erës sonë. Tani thesari ruhet në fondet e Muzeumit Arkeologjik të Tiranës.
(Fshati Vergo, rrethi Sarandë). Në juglindje të fshatit matanë përroi të Balies, duke gjurmë muresh të ruajtura keq, të ndërtuara me, bloqe gurësh të mëdbenj me përmasa: 1.50x0.60x0.32 m. Bloqet janë pak të punuara me forma paralelopipedi; janë të vendosura në të thatë. Muri ka një gjatësi prej rreth 5 m. Me sa duket, bloqet e punuara formojnë një farë ambienti mbi një kodër të vogël, e cila ndodhet në mes të fushës.
Rreth këtij ambienti, në një sipërfaqe prej 200 m2, takohen fragmente të shumta tjegullash helenistike dhe romake, parete pitosash masivë, me fund të sheshtë, fragmente enësh të ndryshme të lyera me serë nga brenda dhe fragmente mokrash. Ndoshta këtu kemi të bëjmë me një vendbanim të hapët të kohës helenistike.
(Fshati Bajkaj, rrethi Sarandë). Në perëndim të fshatit Bajkaj, rreth 3 km. larg tij, në vendin e quajtur Qafa e Breshit, ngrihen dy tuma me lartësi mesatare. Tumat kanë formën e një koni të ulët dhe ndodhen 3 m. larg njëra-tjetrës. Gjatë vitit 1970 u kryen gërmime arkeologjike në tumën më të madhe. Tuma e gërmuar ka këto përmasa: 3 m lartësi dhe diametër 17 m. Forma e saj është gjysmësferike. Studimi i profilit të tumës na lejon të kemi një paraqitje të qartë të ndërtimit të saj. Ajo është e ngritur nga shtresa dheu e guri.
Në tumë u zbuluan gjithësej 43 varre. Mënyra e zakonshme e varrit qe ajo e vendosjes së trupit në varre. Ndërtimi i tyre përbëhet nga katër rrasa prej guri gëlqeror të ngulura secila në dhe, duke marrë kështu formën e një sarkofagu. Mënyra tjetër e varrimit, e përdorur këtu, është varrimi me djegje të bërë në vend. Kjo u konstatua vetëm në katër raste. Në tumë u konstatua edhe një mënyrë tjetër varrimi, në një rast të vetëm, me vendosje kufome direkt në gropë, të mbuluar me tjegulla të tipit solene. Ky varr ndodhej pothuajse në sipërfaqe të tumës dhe nuk ka pasur lidhje me varret e tjera. Ky është një varr sekondar i futur më vonë, në periudhën e vonë antike.
Në planimetri varret qenë vendosur në formë rrethi, gjithësej në tre rrathë. Rrethi i bazës kishte diametrin më të madh se dy rrathët e tjerë. Në varret me sarkofag kufoma qe vendosur në pozicion fjetjeje, me këmbët e mbledhura galiç. Pjesa më e madhe e këtyre varreve kishte nga një skelet, në disa raste në to qenë vendosur edhe nga dy. Në përgjithësi inventari i varreve qe i vobektë. Në tre varre me arkëz guri u gjetën dy maja heshtash prej bronzi, të ngjashme me ato të zbuluara në Dropullin e sipërm dhe të Vajzës, dhe një amfore protogjeometrike.
Të gjitha varret me djegje dolën me inventar. Me inventar të pasur doli varri qendror që ishte gjithashtu me djegje. Ky qe hapur direkt në taban, jo shumë larg qendrës së tumës. Ajo kishte formën e një grope ovale 1 m. e thellë. Kufoma qe vendosur në gropë bashkë me inventarin dhe pastaj qe mbuluar me një shtresë gurësh të vegjël lumi. Djegja qe bërë me vend dhe ajo ishte aq e madhe, saqë enët qenë deformuar shumë. Në varrin qendror u gjetën 7 enë formash të ndryshme.
Përsa i përket datimit të kulturës së tumës, këtu na ndihmon qeramika, e cila si nga teknika e punimit, ashtu edhe nga forma kishte karakteristika të periudhës së fundit të bronzit dhe fillimit të hekurit. Për të përforcuar më tepër kohën, në të cilën ka qenë ngritur tuma, shërbejnë enët e varrit qendror, të cilat kanë shumë ngjashmëri me ato të zbuluara në tumat e Vajzës dhe të Dropullit.
(Fshati Metoq, rrethi Sarandë). Në qafën e Gjashtë, në krahun e djathtë të rrugës Sarandë-Delvinë, në një nga kodrat e fshatit Metoq, Ugolini kishte parë dy tempuj të kohës klasike. Gjatë vizitës që bëmë ne në këtë vend, mundëm të përcaktojmë njërin prej tyre. Mbi sipërfaqen e kodrës duken gjurmët e tempullit të ndërtuar me bloqe gurësh të mëdhenj’ të të punuar mirë nga të katër faqet e anëshme dhe të gufmuar nga faqja frontale. Bloqet e gurëve janë të vendosura në të thata dhe të puthitura mirë njëra me tjetrën.
Trashësia e murit është e berabartë me trashësinë e blokut të gurit 0.90 m; kurse lartësia e ruajtjes së tij arrin deri në 1.30 m. Tempulli ka një planimetri katërkëndëshe me përmasa 10x10 m. Gjurmë muresh duken edhe rreth tempullit, të cilat me sa duket kanë lidhje me të. Në sipërfaqen e kodrës takohen fragmente enësh të ndryshme si vegje dhe funde amforash helenistike dhe romake.
Qyteti antik i Olympes shtrihet mbi kodrën e Rrethunit (284 m), e okupuar pjesërisht nga shtëpitë e fshatit Mavrovë të rrethit të Vlorës. Prej saj kontrollohet një pjesë e luginës së mesme të Shushicës dhe degëzimi i rrugëve natyrore, që shkojnë nëpër atë luginë drejt Kaonisë, apo ngjiten në kurrizin e kodrës, ku gjendet Olympe, për të vazhduar drejt Amantias. Qyteti antik shtrihej midis dy majave të kodrës dhe në shpatin perëndimor të saj, ndërsa ana lindore pritet nga një rënie e pakalueshme shkëmbore.
Mbishkrimi në greqishte dorike “Më zbukuroi një mik i atdheut tim ndërsa atdheu Patrai më dhuroi, por unë zotëroj fushën e Gylakut” i shkon për shtat binomit Patrai/ Antipatrai (Berat/Kështjella e Goricës).
Antipatrea, e lokalizuar tradicionalisht në Berat, përmendet nga Polybi në vitin 216 p.e.sonë., si qytet dasaret (Polyb. 5 108 2). Sipas Livit në vitin 200 p.e.sonë. Legati Luc Apusti arriti në Antipatrea, “qytet që ndodhet në një grykë të ngushtë i cili nuk iu dorëzua romakëve, por luftoi me ta pasi qytetarët kishin besim tek madhësia e qytetit, muret dhe pozita e tij” dhe që pas pushtimit u dogj dhe u shkatërrua nga romakët.
Përcaktimi kohor i qytetit antik në Berat nuk mund të mbështetet thjesht në materialin arkeologjik, për shkak të vazhdimit të jetës pa ndërprerje. Nisur nga tiparet e arkitekturës së fortifikimit (hyrja ballore, kati i parë i zbrazët i kullave) Berati i përgjigjet gjysmës 2 të shek. IV p.e.sonë, ndërsa tiparet e fortifikimit në Goricë (kulla me katin e I të mbushur, me lidhje tërthore, hyrja tangenciale e mbrojtur me kullë të jashtme) përkojnë me fundin e shek. 4 - fillimin e shek. 3 p.e.sonë. Datimi i Antipatreas në gjysmën e dytë të shek. IV p.e.sonë, përputhet me supozimin se këtë emër qyteti e mori për hir të Antipatrit, mëkëmbësit të Aleksandrit të Maqedonisë.
Kalaja ndodhet në afërsi të fshatit Irmaj, 10 km në perëndim të qytetit të Gramshit dhe rrjedhjes së mesme të Devollit: Kalaja kurorëzon majën më të lartë (979 m) të krahinës kodrinore prej ku vështrimit i hapet një horizont i gjerë nga Apolonia në perëndim, në rrjedhjen e Devollit.
Para fortifikimit kalon korridori natyror, i cili nëpërmjet luginës së Përroit të Senicës del në lindje në Berat. Korridori përfundon në Devoll prej ku nëpërmjet rrugës së Kandavisë dilet në Pellgun e Korçës.
Burimet e shumta dhe shpatet e buta të kodrave dhe luginave të zonës përreth krijojnë kushte të përshtatshme për blegtori dhe bujqësi të kufizuar me parcela të vogla.
Qyteza e Dukajt ndodhet në Luginën e Vjosës (Aos-it), në fshatin e një-emërt të rrethit të Tepelenës. Këtu dy vargjet malore që ndjekin lumin hapen duke i lënë vend një trualli të rrafshët, të mirë për bujqësi. Qyteza gjendet në kodrat që pararendin vargun jugor, në një lartësi rreth 300 m lart rrugës Aulonë - Amantie - Epir.