Duke nisur që nga lugina e ulët e Drinit, bregdeti këmben drejtim dhe brigjet marrin një tjetër pamje. Bregdeti zbret tanimë përafërsisht në drejtimin meridian, nga veriu në jug, deri në një pikë diku rrafsh me Vlorën. Prapa tij, pllajat dhe vargmalet gëlqerore zhduken pothuajse tërësisht. Shkëmbinjtë kryesorë këtu janë molaset, një lloj shkëmbi i përbërë që nuk përshkohet nga ujërat. Lartësitë mbeten mjaft të mëdha në brendësi të vendit dhe disnivelet janë të theksuara. Me të drejtë, këtyre maleve të thepisura u është vënë emri Alpet Shqiptare (2693 metra). Rijeti hidrografik këtu është mjaft më i pasur se në Karst, me lumenj të mëdhenj e me prurje të vazhdueshme, siç janë Drini, Shkumbini, Semani e Vjosa, të cilët mbledhin jo vetëm ujërat e tërë territorit shqiptar, por edhe ato të zonave të thella të Rrafshit të Dukagjinit (Metohisë), në Kosovë, të një pjese të republikës së Maqedonisë si dhe të Epirit grek. Këta lumenj janë shumë më të ngarkuar në lyme sesa ata të Karstit, për shkak të prurjes së shkëmbinjve thërrimorë të pellgut të tyre ujëmbledhës. Për këtë arsye, bregdeti shqiptar paraqet pamje krejt të kundërta me ato të bregdetit të Malit të Zi apo të Kroacisë. Ai përbëhet nga një varg kepesh e gjiresh. Kepet përkojnë me rrudha që vijnë prej relieveve të viseve të brendshme. Gjiret janë normalizuar nga prurjet lyshtërore të lumenjve. Shqipëria paraqet një varg fushash bregdetare, disa të kufizuara e disa të tjera shumë më të gjera, si Myzeqeja, ku derdhen tre lumenj, Shkumbini, Semani e Vjosa, dhe e cila përbën krahinën bujqësore më të begatë të Shqipërisë.
Këto fusha kanë qenë për shumë kohë pothuajse të shkreta. Kënetat shtriheshin aty në sipërfaqe shumë të mëdha ku sundonte malaria. Ajo u çrrënjos vetëm pas vitit 1960, falë përparimit të shërbimit të shëndetit publik dhe kullimit të tokave. Një rrjet i dendur kanalesh ujëmbledhës dhe një sistem kullimi me anë stacionesh pompimi (hidrovorësh) kanë mundur ta sigurojnë tharjen e tyre gjatë tri dekadave të fundit të shekullit XX.