Buthroti
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Buthroti

Teatri i Buthrotit (Butrintit), kryeqendrës së Koinonit Prasaib, është pjesë përbërëse e agorasë së njësuar me temenosin e hyut Asklep të mjekësisë. Qendra ndodhet në jug të shkëmbit të thiktë të akropolit, e ndrydhur mes tij dhe murit rrethues. Elementet e saj përbërëse: tempulli i Asklepit, stoa kurative, pusi i shenjtë dhe teatri janë trajtuar me vëllime të mbyllura të gurta, në jehonë të shkëmbit të ashpër të akropolit.

Teatri, i cili gjendet ndërmjet tempullit dhe stoas, u ndërtua nëpërmjet shkurtimit të një seksioni të stoas. Mbishkrimi “(u ndërtua) me të ardhurat e hyut [Asklep]”, tregon se teatri u financua me të ardhurat e tempullit të Asklepit, me të cilin lidhet organikisht. Korridori i hyrjes perëndimore të teatrit, është njëkohësisht edhe hyrje e tempullit.

Teatri përbëhet nga shkallarja origjinare, orkestra e shtruar me pllaka në periudhën romake, por gjithnjë brenda kontureve të para dhe skena e transformuar rrënjësisht në mesin e shek. II e.s.

Shkallarja orientohet detyrimisht drejt jugut (157°). Ndërtimi i saj në terren të ulët, nuk u lejon spektatorëve të rreshtave të parë vështrimin e peizazhit. Por nga rreshtat e sipërm shpaloset kanali i Vivarit që lidh liqenin Pelodes me detin dhe Kestrina (fusha e Vurgut) deri tek koni i Çukës së Ajtoit.

Shkallarja i brendashkruhet një strukture mbajtëse me planimetri të çrregullt trapeze (31.5 x 15 x 41 x 33 m), 12 m të lartë. Struktura nga para dhe anët qarkohet me mure, ndërsa nga pas konturohet nga shkëmbi i thiktë i akropolit. Shkallarja mbështetet pak në shkëmb dhe kryesisht në mbushjen e përshkuar nga dy mure paralele. Në anën lindore muret vijojnë tej konturit si kontraforte, ndërsa në anën perëndimore këtë rol e luante tempulli.

Shkallarja ndahet prej një korridori (1,54 m) në dy sektorë (zona): i poshtmi me 15 rreshta dhe i sipërmi, vetëm në gjysmën lindore, me 13 rreshta. Sektori i poshtëm përshkohet nga 6 shkallë (0.65 m), që e ndajnë atë në 5 pyka.

Ndenjëset e rreshtit të parë, të dinjitarëve (proedria, 0.48 x 0.74 m), janë të profiluara për mbledhjen e gjurit. Në vendet ku ky rresht përshkohet nga shkallët, kalimi zbukurohet me putra pantere, të kafshës shoqëruese të perëndisë së shfaqjeve teatrale, Dionisit. Në rreshtin e parë mund të uleshin 50 persona, çka tregon se ky ka qenë dhe numri i nëpunësve eponimë.

Blloqet e rreshtave të tjerë  janë të tipit të zakonshëm (Eretria),me seksion drejtkëndësh (0.42 x 0.74 m) . Syprina e blloqeve të pesë rreshtave të parë, është e profilizuar lehtë për vendosjen e këmbëve të rreshtit të sipërm, ndërsa e të tjerëve jo. Një sërë blloqesh mbartin simbolin apotropeik A, të “ndalimit të syrit të lig.” Përmasat dhe struktura tregojnë se teatri i Buthrotit kishte një kapacitet për 1700-2000 spektatorë.

Korridoret e hyrjes (1.40 m), vijojnë paralel me diametrin e orkestrës, midis ballinave të shkallares dhe ndërtesës skenike. Ballina perëndimore, e cila mund të merret dhe si zgjatim i ballit të tempullit të Asklepit, mbart tre nishe kuadratike për dekrete. Krahas tyre, në 31 blloqe të tjera janë gdhendur aktet e lirimit të skllevërve dhe dy dekrete të Koinonit Prasaib. Nëse në mbishkrimet e tjera të Butrintit si nëpunës eponimë përmenden strategu, prytani dhe prifti i Asklepit, në mbishkrimet e teatrit i vetmi eponim është prifti i Asklepit, çka e rendit teatrin në kategorinë e “teatrove tempuj”.

Orkestra. Ballinat e shkallares shtyhen 1.3 m para qendrës së orkestrës, duke i dhënë asaj formën e shkronjës U.

Diametri i rreshtit të parë është 11.4 m dhe diametri i buzës së brendshme të kanalit të ujërave, që në këtë rast përkon me diametrin e orkestrës, 9.50 m. Kanali është krejt i veçantë: i cekët, i gjerë dhe i sheshtë (75x13cm), ai vijonte i hapur deri në ballinat e shkallares dhe pastaj futej nën tokë. Në thuaj çdo bllok të tijin është gdhendur A apotropeike kundër syrit të keq. Nga orkestra ruhet altari (thymele), një trung kolone ku janë gdhendur primitivisht një kanthar vere dhe dy maska. Fillimisht tabani i orkestrës ka qenë prej dheu të ngjeshur, por në periudhën romake ai shtrua me pllaka drejtkëndshe guri.

Rindërtimi romak në mesin e shek. II e.s. e mbuloj skenën origjinare, përjashtuar pak gjurmë nga balli dhe ana e djathtë e skenës. Nisur nga to, skenën e supozojmë dykatëshe, me palk skenik 21 m, më të gjerë se skena, po të tipit Priena, si Nikaia.

Tipologjia dhe datinai. Korridori horizontal dhe i kontrafortuar i hyrjeve, e afron Buthrotin me teatrot në Nikaia dhe Morgantina (14 3. shek. IV p.e.s.). Brendashkrimin e shkallares në një katërkëndësh të përzgjatur, e hasim në Aipiou (Arkadi) dhe Thera (Ciklade). Me këtë të fundit Buthroti përkon dhe nga përmasat, këndi i pjerrësisë dhe forma e ndenjëseve.

Datimi i Therës në harkun kohor 478-420 p.e.s., flet në të mirë të një datimi të hershëm të Buthrotit. Kjo mbështetet edhe nga kanali i sheshtë dhe i gjerë, i cili nuk haset kund më vonë se shek. IV p.e.s.

Kufirin e sipërm të kohës së ndërtimit, fundin e shek. V p.e.s., e cakton stoa kurative, së cilës teatri i preu një seksion. Nisur nga ngjasitë tipologjike, teatrin e Buthrotit do ta datonim në shek. IV p.e.s., më tepër nga çereku i tretë i këtij shekulli.

Në mesin e shek. II e.s. skena u rindërtua rrënjësisht duke u veshur me mermer dhe pajisur me shtatore, origjinale (Agripa, Augusti) ose kopje të periudhës helenistike (Koka e Apollonit/ Dea e Butrintit, Herkolanea e Madhe), të cilat shquajnë për punimin e përsosur.

info@balkancultureheritage.com