Sipas njërës prej traditave romake, Tempulli i Jupiterit, ku Cicero sulmoi ashpër Katilinën më 8 nëntor 63 p.e.s., qe themeluar shtatë shekuj më herët nga Romuli, babai themelues i Romës. Romuli dhe shtetasit e rinj të bashkësisë së tij të vockël po luftonin fqinjët e tyre, një popull i njohur si sabinët, në vendin që më pas u bë Forumi; qendra politike e Romës së Ciceros.
Gjërat po ecnin keq për romakët dhe ata qenë në tërheqje. Si një përpjekje finale për të rrëmbyer një fitore, Romuli iu lut zotit Jupiter - jo thjesht Jupiterit, në fakt, por Jupiterit Stator, ‘Jupiteri që i mban burrat tëfortë'. Romuli i premtoi zotit se do të ndërtojë një tempull për ta falënderuar, në rast se romakët do t’i rezistonin tundimit për fia dhënë vrapit dhe do të mbanin terrenin përballë armikut. Ata ia dolën dhe Tempulli i Jupiterit Stator u ngrit në atë vend, i pari në një seri të gjatë kultesh dhe tempujsh në qytet të ndërtuara për të përkujtuar ndihmën hyjnore në sigurimin e fitores ushtarake për Romën.
Së paku kjo është historia që u tregua nga Livi dhe shumë shkrimtarë të tjerë romakë. Arkeologët nuk ia kanë dalë kurrë të identifikojnë bindshëm mbetjet e këtij tempulli, i cili gjithsesi duhet të jetë rindërtuar shumë deri në kohën e Ciceros, veçanërisht në rast se origjina e tempullit ishte me të vërtetë që nga fillesat e Romës. Por nuk mund të ketë dyshim se kur ai zgjodhi për të mbledhur senatin aty Cicero e dinte me saktësi se çfarë po bënte.
Ai kishte precedentin e Romulit në mendje dhe po e përdorte këtë vend për të dhënë një mesazh. Cicero dëshironte t’i mbante romakët të bashkuar (‘t’i mbante burrat fort’) përballë armikut të ri, Katilinës. Në fakt, ai tha pothuajse ekzaktësisht këtë në fond të fialimit të tij, kur - pa dyshim duke bërë me shenjë nga statuja e zotit - ai i bëri thirrje Jupiterit Stator dhe i rikujtoi audiencës themelimin e tempullit:
‘Ti, Jupiter, që u themelove nga Romuli në të njëjtin vit me vetë qytetin, zoti i cili ne me të drejtë themi mban të fortë qytetin dhe perandorinë - ti do ta mbash këtë njeri dhe bandën e tij larg tempullit tënd dhe tempujve të zotave të tjerë, nga shtëpitë e qytetit dhe nga muret e tij, nga jetët dhe pasuritë e të gjithë shtetasve të Romës...’
Nënkuptimi që Cicero po e vinte veten në rolin e Romulit nuk u kalua pa u vënë re në Romën e kohës së tij dhe me raste u përmbys: disa njerëz e përdorën atë si një rast tjetër për t’u tallur me origjinën e tij nga një qytezë e vogël duke e quajtur ‘Romuli nga Arpinumi’.
Kjo ishte një mënyrë klasike se si romakët flisnin për baballarët themelues dhe rikujtonin përrallat mbi fillesat e Romës e mbi çastin kur qyteti filloi të ekzistojë. Edhe sot, imazhi i ujkut që ushqen foshnjën Romul dhe vëllain e tij binjak Remus sinjalizon origjinën e Romës. Statuja e famshme e bronzit që paraqet këtë skenë është vepra më e kopjuar dhe më lehtësisht e identifikueshme e artit romak, ilustruar në mijëra suvenire, kartolina, peceta çaji, tavlla e magnete frigoriferi, duke u përhapur nëpër të gjithë qytetin modern edhe si emblema e klubit të fotbollit të Romës.
Për shkak se ky imazh është kaq familjar, është e lehtë ta marrësh historinë e Romulit dhe Remit - Remit dhe Romulit, për t’i dhënë renditjen e zakonshme romake - pak a shumë për të vërtetë dhe të harrosh se kjo është një nga ‘legjendat historike’ më të çuditshme që ekzistojnë për themelimin e një qyteti në çfarëdolloj periudhe dhe vendi të botës. Ajo është mit e legjendë dhe kjo është e sigurtë, edhe pse romakët supozonin se ishte, në terma të përgjithshme, fakt historik. Një ujk që ushqen binjakët është një episod kaq i çuditshëm në një përrallë të çuditshme, sa edhe shkrimtarët e lashtë në disa raste treguan një dozë të shëndetshme skepticizmi se si një kafshë lehonë shfaqet në një rastësi fatlume për të ushqyer me gji një çift foshnjash të braktisura në djep. Pjesa tjetër e narrativës është një përzierje e jashtëzakonshme detajesh enigmatike: nuk është vetëm ideja e pazakontë e të pasurit dy themelues (Romuli dhe Remi), por edhe një seri elementësh qartazi joheroikë, nga vrasja, përdhunimi dhe rrëmbimi, te të pasurit për shtetas themelues kriminelë e njerëz në arrati.
Këto aspekte të neveritshme u kanë bërë kaq shumë përshtypje historianëve modernë, sa ata kanë sygjeruar se e gjithë historia duhet të jetë sajuar si një formë antipropagande nga armiqtë dhe viktimat e Romës, të kërcënuar nga zgjerimi agresiv i saj. Kjo është një përpjekje plot fantazi, për të mos thënë e dëshpëruar, për të shpjeguar çuditë e përrallës dhe nuk shpjegon çështjen më të rëndësishme. Kurdo dhe kudo që ajo të ketë lindur, shkrimtarët romakë nuk ndaluan kurrë së treguari, ritreguari dhe debatuari intensivisht historinë e Romulit dhe Remit. Në lojë kishte më shumë gjëra sesa thjesht pyetja se si u themelua qyteti. Ndërsa ata u ngjeshën në tempullin e vjetër të Romulit për të dëgjuar të riun ‘Romul të Arpiumit’, senatorët duhet të kenë qenë shumë të vetëdijshëm se historia e themelimit ngrinte pyetje më të mëdha mbi atë se çfarë do të thoshte të ishe romak, çfarë karakteristikash speciale përkufizonin popullin romak - dhe, jo më pak e rëndësishme, çfarë defektesh e dështimesh patën trashëguar ata nga paraardhësit e tyre.
Nëse do të kuptosh romakët e lashtë është e nevojshme të kuptosh se nga se ata besonin se vinin dhe të mendosh mbi rëndësinë e historisë së Romulit e Remit dhe temave kryesore, hollësitë e ambiguitetet e alternativave të tjera mbi themelimin. Sepse binjakët nuk qenë kandidatët e vetëm për të qenë romakët e parë. Përgjatë pjesës më të madhe të historisë së Romës, shfaqet shpesh edhe heroi i Trojës, Enea, i cili u arratis për në Itali për të themeluar Romën si Trojën e re. Dhe jo më pak e rëndësishme është të përpiqemi të shohim se çfarë mund të gjendet pas këtyre historive. ‘Kur filloi Roma?’ - është një pyetje që ka rezultuar po aq joshëse dhe ngacmuese për studiuesit modernë, sa edhe për paraardhësit e tyre të lashtësisë. Arkeologjia ofron një skicë të Romës më të hershme, shumë të ndryshme nga ajo e miteve romake. Kjo skicë është mjaft surprizuese, shpesh çoroditëse dhe e debatuar. Edhe ujku i famshëm prej bronzi debatohet ashpër. A është kjo, siç është menduar zakonisht, një nga veprar më të hershme të artit romak që ka mbijetuar deri te ne? Apo. është, siç ka sugjeruar një analizë shkencore e kohëve të fundit, realisht një kryevepër e Mesjetës? Në çdo rast, gërmimet nën qytetin modern përgjatë njëqind viteve të fundit kanë zbuluar shumë pak gjurmë, të cilat shkojnë ndoshta deri në vitet 1 mijë p.e.s. të një fshati të vockël pranë lumit Tiber, që një ditë u bë Roma e Ciceros.
Nuk ka një histori të vetme të Romulit. Mbi këtë përrallë ka shumë versione të ndryshme, në disa raste të papajtueshme. Cicero, një dekadë pas përplasjes së tij me Katilinën, dha një variant të traktati Mbi Shtetin. Si shumë politikanë që nga ajo kohë, ai gjeti shpëtim te teoria politike (te teoria paksa e fryrë dhe vetëshenjtëruese) kur pushteti i tij ishte në rënie. Këtu, në kontekstin e diskutimeve shumë më të gjata filozofike mbi natyrën e qeverisjes së mirë, ai u mor me historinë e ‘kushtetutës’ romake që nga fillesat e saj. Por pas një fillese të ngjeshur të historisë - në të cilën me vështirësi shmangu çështjen nëse Romuli ishte me të vërtetë fëmija i zotit Mars, ndërsa vuri në dyshim elementet më magjepsëse të përrallës - ai nisi një diskutim më serioz mbi avantazhet gjeografike të vendit që Romuli zgjodhi për vendbanimin e tij të ri.
‘Si mundej që Romuli’, shkruan Cicero, ‘të shfrytëzonte në mënyrë kaq të shkëlqyer avantazhet e të qenit pranë detit, ndërkohë që shmangte disavantazhet duke e vendosur qytetin në brigjet e një lumi me nivel të qëndrueshëm i cili rrjedh në det me një rrymë të gjerë?’ Tiberi, shpjegon ai, e bëri të lehtë importimin e furnizimeve nga jashtë vendit dhe eksportimin e çdo teprice vendase; dhe kodrat në të cilat qyteti u ndërtua, ofronin jo vetëm mbrojtje ideale kundër sulmeve armike, por edhe një mjedis më të shëndetshëm për të jetuar në mes të një ‘rajoni moçalor’. Ishte sikur Romuli e dinte se ajo që ai themeloi një ditë do të bëhej qendra e një perandorie të madhe. Cicero tregon këtu të kuptuar të mirë të gjeografisë dhe shumë të tjerë që nga ajo kohë kanë theksuar pozicionin strategjiktë qytetit, i cili i dha një avantazh ndaj rivalëve të zonës. Por ai, në mënyrë patriotike nuk flet mbi faktin se përgjatë të gjithë antikitetit ‘lumi që nuk pakësohet kurrë’ e bëri Romën gjithashtu viktimë të shpeshtë të përmbytjeve shkatërrimtare dhe se, pavarësisht kodrave, ‘moçalishtja (apo malaria) ishte një nga vrasësit më të mëdhenj të banorëve të qytetit (dhe situata mbeti kështu deri në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë).
Ky i Ciceros nuk është versioni më i njohur i historisë së themelimit. Ajo që gjendet te shumica e tregimeve moderne i referohet në thelb Livit. Për një shkrimtar, puna e të cilit është ende shumë e rëndësishme për të kuptuarit tonë mbi Romën e hershme, është e habitshme sesa pak dihet për ‘Livin, njeriun: Ai erdhi nga Patavium (Padova), në veri të Italisë, filloi të shkruajë përmbledhjen e tij mbi historinë e Romës në vitet 20 p.e.s. dhe ishte mjaftueshëm pranë familjes perandorake romake sa pati mundësinë të nxiste perandorin e ardhshëm, Klaudiusin, të fillonte të shkruante histori. Në mënyrë të pashmangshme, Romuli dhe Remi shfaqen bollshëm në librin e tij të parë, me më pak gjeografi dhe me më shumë rrëfim shumëngjyrësh nga sa jep Cicero. Livi fillon me binjakët, pastaj shpejt vijon me përrallën përmes arritjeve të më vona të vetë Romulit, si themelues i Romës dhe mbreti i parë.
Fëmijët e vegjël, shpjegon Livi, patën lindur nga një priftëreshë e virgjër me emrin Rhea Silvia në qytezën italiane të Alba Longa, në kodrat Alban, pak në jug të vendit, ku më pas u ndërtua Roma. Ajo nuk e kishte marrë postin e saj si virgjëreshë me vullnet të lirë, por ishte detyruar pas një lufte vdekjeprurëse për pushtet, në të cilën xhaxhai i saj, Amuliusi, mori pushtetin si mbret i Alba Longa, pasi rrëzoi vëllain e tij, Numitorin, babanë e saj. Amuliusi pastaj përdori për alibi postin e priftëreshës, në dukje një nder, për të shmangur shfaqjen e mundshme të ndonjë trashëgimtari dhe rivali nga linja e vëllait të tij. Siç doli më vonë, kjo masë parandaluese dështoi, sepse Rhea Silva mbeti shpejt shtatzënë. Sipas Livit, ajo pretendoi se ishte përdhunuar nga zoti Mars. Livi tregohet dyshues mbi këtë po aq sa Cicero; Marsi, sugjeron ai, mund të ketë qenë një justifikim i vlefshëm për të mbuluar një lidhje tërësisht tokësore. Por të tjerë shkruan me vetëbesim për një falus të patrupëzuar që doli nga flakët e zjarrit të shenjtë për të cilin Rhea Silva supozohej se duhej të kujdesej.
Sapo ajo lindi binjakët, Amuliusi urdhëroi shërbyesit e tij t’i hidhnin foshnjat në lumin Tiber aty pranë që të mbyteshin. Por ata mbijetuan. Sepse, siç ndodh shpesh në histori si kjo në shumë kultura, burrat që patën këtë detyrë kaq të pakëndshme nuk e zbatuan (apo nuk mundën ta shtynin veten të zbatonin) urdhrin germë për germë. Ata i lanë binjakët në një kosh jo drejtpërsëdrejti në lum por - për shkak se lumi kishte dalë nga shtrati - pranë ujit. Para se foshnjat të merreshin nga lumi drejt vdekjes së tyre, ujku i famshëm ushqyes erdhi për t’i shpëtuar. Livi ishte një nga ata skeptikët romakë që u përpoq ta racionalizojë këtë aspekt veçanërisht të pagjasë të përrallës. Fjala latine për ‘ujk’ (Lupa) përdorej gjithashtu si term komunikimi për ‘prostitutë’ (lupanare ishte një term standard për ‘bordello’). A mund të ishte një kurvë më shumë sesa një bishë e zonës ajo që i gjeti dhe u kujdes për binjakët?
Cilido qoftë identiteti i lupas, një blegtor apo bari zemërmirë i gjeti djemtë dhe i mori. A ishte gruaja e tij një prostitutë? pyeti Livi veten. Romuli dhe Remi jetuan si pjesë e familjes së tij në fshat, të panjohur deri vite më vonë, kur - tashmë djem të rinj - ata aksidentalisht u ribashkuan me gjyshin e tyre, mbretin e rrëzuar Numitor. Sapo ata e rivendosën atë si mbret të Alba Longa, u nisën për të themeluar qytetin e tyre. Por shpejt të dy vëllezërit u grindën, me pasoja shkatërrimtarë. Livi sugjeron se i njëjti rivalitet dhe ambicie që shkatërroi marrëdhënien mes Numitorit dhe Amuliusit rrodhi poshtë te gjenerata e Romulit dhe Remit.
Binjakët nuk ranë dakord se ku saktësisht duhej të vendosnin themelin e tyre të ri - në veçanti, në cilën prej shumë kodrave që më vonë përbënë qytetin duhej të bëhej qendra e vendbanimit të ri. (Në fakt, ka më shumë sesa të famshmet shtatë.) Romuli zgjodhi kodrën e njohur si Palatine, ku u ndërtua më vonë rezidenca madhështore e perandorëve dhe kodra që na dha ne fjalën ‘pallat’. Në sherrin që pasoi; Remusi, i cili pati zgjedhur Aventinen, në mënyrë fyese u ngrit mbi fortifikimet që po ndërtonte Romuli përreth vendit të tij të parapëlqyer. Ka versione të ndryshme mbi atë që ndodhi më pas. Por më i njohuri (sipas Livit) ishte që Romuli u përgjigj duke vrarë vëllanë dhe rrjedhimisht u bë sundimtar i vendit që mori emrin e tij. Ndërsa po jepte goditjen e tmerrshme vëllavrasëse, ai bërtiti (sipas fjalëve të Livit): ‘Kështu vdektë çdokush që ngjitet mbi muret e mia’. Ky ishte një slogan i përshtatshëm për një qytet që e paraqiti veten si një shtet luftarak, por një i tillë luftërat e të cilit gjithmonë qenë përgjigje ndaj agresionit të të tjerëve dhe qenë gjithmonë ‘të drejta’.
Remi vdiq. Qyteti që ai ndihmoi të themelohej përbëhej thjesht nga një grusht shokësh dhe miqsh të Romulit. Ai kishte nevojë për më shumë shtetas. Kështu Romuli e deklaroi Romën ‘strehë’ dhe nxiti keqbërësit, e të dëbuarit nga pjesa tjetër e Italisë të bashkoheshin me të: skllevër të arratisur, kriminelë të dënuar, të dëbuar dhe refugjatë. Dhe kështu qyteti u mbush me burra. Në mënyrë që të gjente gra, vijon historia e Livit, Romulit iu desh të përdorte një hile dhe të përdhunonte. Ai ftoi popujt përreth, sabinët dhe latinëft nga zona përreth Romës e njohur si Latium, të vinin dhe të shijonin një festival fetar me shfaqje, për të gjitha familjet. Në mes të festës, ai dha një sinjal për burrat e tij që të rrëmbenin gratë e reja nga vizitorët dhe t’i merrnin si gra.
Nicolas Poussin, i famshëm për rikrijimin e Romës së lashtë, e pikturoi këtë skenë në shekullin e shtatëmbëdhjetë: Romuli qëndron në podiumin e tij duke mbikëqyrur qetësisht dhunën që po kryhet poshtë, ndërsa sfondi përbëhet nga objekte me arkitekturë monumentale ende në ndërtim. Ky është një imazh i qytetit të hershëm, të cilin romakët e shekullit të parë p.e.s. do ta kishin njohur. Megjithëse ata në disa raste e imagjinuan Romën e Romulit si një vendbanim me dele, kasolle balte e këneta, shpesh e imagjinonin këtë vend si madhështor dhe të shkëlqyer, një qytet klasik të përfunduar. Kjo është gjithashtu një skenë e riimagjinuar në shumë mënyra të ndryshme, dhe në media të ndryshme përgjatë të gjithë historisë. Filmi muzikor i vitit 1954, Shtatë Nusepër Shtatë Vellezër e parodizon atë (në këtë rast, gratë rrëmbehen në një hambar amerikan). Më 1962-shin, si përgjigje direkte ndaj terrorit të Krizës Kubane të Raketave, Pablo Picasso ripunoi versionin e Poussin në një nga një seri pikturash me këtë temë, por me përmbajtje shumë më të ashpër dhe të dhunshme.
Shkrimtarët romakë e debatuan këtë pjesë të historisë përgjatë të gjithë kohës. Një dramaturg shkroi një tragjedi të tërë mbi këtë temë, e cila, për fat të keq nuk ka mbijetuar dhe gjendet vetëm në një citim. Ata vranë mendjen për detajet, duke pyetur, për shembull, se sa shumë vajza u rrëmbyen në atë rast. Livi nuk u angazhua për këtë pyetje, por vlerësimet varionin nga vetëm tridhjetë në shifrën jashtëzakonisht të saktë dhe të pagjasë të 683 - gjë që duket se ka qenë mendimi i princit afrikan Juba, i cili u soll në Romë nga Jul Cezari dhe kaloi shumë nga vitet e tij të rinisë duke studiuar gjithfarëlloj lëndësh, nga historia e Romës te gramatika e latinishtes. Gjithsesi, ata i shqetësonte më snumë se çdo gjë tjetër kriminaliteti dhe dhuna e ashpër e incidentit. Ky rast, në fund të fundit ishte, martesa e parë romake dhe ky ishte episodi të cilin studiuesit romakë ktheheshin kur dëshironin të shpjegonin tiparet çuditëse apo shprehjet popullore në ceremonitë tradicionale të martesave; britma festuese ‘O Talasio', për shembull, thuhet se vinte nga emri i një prej romakëve të rinj që morën pjesë në këtë ngjarje. A e bëri kjo rrjedhojë të pashmangshme që instituti i tyre i martesës ta kishte origjinën te përdhunimi? Ku bie vija e ndarjes mes rrëmbimit dhe përdhunimit? Çfarë na thotë kjo ngjarje, në përgjithësi, mbi tiparin luftarak të Romës?
Livi i mbron romakët e hershëm. Ai këmbëngul se ata rrëmbyen vetëm vajza të pamartuara; kjo ishte origjina e martesës, jo e shkeljes së kurorës. Dhe duke theksuar idenë se romakët nuk i zgjodhën gratë, por i rrëmbyen ato sipas rastësisë, ai argumenton se ata po përdomin një mjet të nevojshëm për të ardhmen e bashkësisë së tyre, gjë që u pasua nga të folurat me dashuri dhe premtimet për afeksion nga burrat për gratë e tyre të reja. Ai e paraqet gjithashtu veprimin e romakëve si një përgjigje ndaj sjelljes së paarsyeshme të fqinjëve të qytetit. Romakët, shpjegon ai, fillimisht kishin vepruar në mënyrë korrekte, duke u kërkuar popujve përreth arritjen e një traktati që do t’u jepte të drejtën të martoheshin me vajzat e tyre. Livi, në mënyrë eksplicite dhe jashtëzakonisht anakronike i referohet këtu të drejtës së konubiumit ose ndërmartesave’, e cila shumë më vonë u bë pjesë e zakonshme e aleancës së Romës me shtete të tjera. Romakët përdorën dhunën vetëm kur kërkesa e tyre u refuzua në mënyrë të paarsyeshme. Këtu kemi të bëjmë thjesht me një rast tjetër të ‘luftës së drejtë’.
Të tjerët e analizuan skenën shumë ndryshe. Disa dalluan aty, pikërisht tek origjina e qytetit, shenjat paralajmëruese të tiparit luftarak romak të mëvonë. Konflikti, argumentuan ata, ishte i paprovokuar, dhe fakti që romakët morën vetëm tridhjetë gra (nëse qenë tridhjetë) demonstron se lufta, jo martesa ishte kryesore në mendjet e tyre. Salusti jep një sinjal për mendimin e tij. Në një pikë në Historinë e Romës (një trajtesë më e përgjithshme sesa vepra e tij Lufta kundër Katilinës, e cila mbijeton vetëm në citime të shpërndara të gjendura në autorë të tjerë), ai imagjinon një letër - dhe është thjesht imagjinatë - e cila supozohet se është shkruar nga armiqtë më të ashpër të Romës. Aty autori ankohet mbi sjelljen grabitqare të romakëve përgjatë të gjithë historisë së tyre: ‘Nga vetë fillesat ata kanë poseduar asgjë përveç asaj që kanë vjedhur: shtëpitë gratë, tokat dhe perandorinë.’ Ndoshta e vetmja mënyrë për t’u justifikuar ishte t’ua hidhje fajin zotave. E çfarë mund të prisje tjetër, sugjeroi një shkrimtar tjetër romak, kur babai i Romulit ishte Marsi, zoti i luftës?
Një qëndrim tjetër pati poeti ‘Ovid’ - Publius Ovidius Naso, për t’i dhënë emrin e tij romak. Afërsisht bashkëkohës i Livit, ai ishte subversiv po aq sa Livi ishte konvencional - derisa përfundoi i përzënë në vitin 8 të e.s., pjesërisht për shkaktë fyerjes së shkaktuar nga poema e tij e mprehtë, Leksione Dashurie, mbi atë se si duhet të zgjedhësh një partnere. Këtu ai e përmbys historinë e Livit mbi rrëmbimin dhe e paraqet atë incident si model primitiv të flirtimit: erotik dhe jo të moralshëm. Romakët, sipas Ovidit, fillojnë duke u përpjekur ‘të gjejnë vajzën që secili pëlqen më shumë’ dhe u sulen atyre me ‘duart plot epsh’ sapo u dha sinjali. Menjëherë pas kësaj, ata i pëshpëritnin ëmbël në vesh presë së tyre, terrori i dukshëm i të cilave thjesht sa e shton urinë e tyre për seks. Festivalet dhe dëfrimet, siç reflekton poeti, kanë qenë gjithmonë vende të mira për të gjetur një vajzë, nga ditët më të hershme të Romës. Ose që ta themi në një mënyrë tjetër, çfarë ideje madhështore kapasur Romuli për shpërblimin e ushtarëve të tij besnikë. ‘Unë hyj menjëherë në shërbim’, bën shaka Ovidi, ‘nëse ti më jep atë lloj pagese’.
Prindërit e vajzave, së paku kështu vijon rrëfimi i zakonshëm, natyrisht nuk e panë rrëmbimin as si qejf dhe as si flirt. Ata hynë në luftë me romakët për rikthimin e vajzave. Romakët i mposhtën me lehtësi latinët, por jo sabinët dhe konflikti vijoi gjatë. Kjo ishte koha kur njerëzit e Romulit u vunë nën sulm të rëndë në qytetin e tyre dhe ai u detyrua të thërrasë Jupiterin Stator për të ndaluar romakët që thjesht t’ia mermin vrapit për të shpëtuar kokën, siç ua rikujtoi Cicero dëgjuesve të tyre - pa përmendur se e gjithë lufta ishte për gra të rrëmbyera. Luftimet u ndalën vetëm falë ndërhyrjes së vetë grave, të cilat tashmë qenë të lumtura me fatin e tyre si gra romake dhe nëna. Ato me trimëri hynë në fushën e betejës dhe iu lutën bashkëshortëve në njërën anë dhe baballarëve në anën tjetër të ndalonin luftën. ‘Më mirë të vdesim, i thanë ato, sesa të jetojmë pa njërin nga ju, si vejusha apo si jetime.’
Ndërhyrja funksionoi. Jo vetëm që u vendos paqja, por Roma thuhet se u bë një qytezë e përbashkët romako-sabine, një bashkësi e vetme, nën sundimin e përbashkët të Romulit dhe mbretit Sabin Titus Tatius. I përbashkët, do të thotë, deri pak vite më vonë, kur në atë lloj vdekjeje të dhunshme që u bë një nga markat simbol të politikës romake për pushtet, Tatius u vra në një qytezë aty pranë gjatë një përleshjeje që ishte pjesërisht e shkaktuar prej atij vetë. Romuli u bë sërish sundimtari i vetëm, mbreti i parë i Romës, dhe qeverisi për më shumë se tridhjetë vjet.
Jo shumë poshtë sipërfaqes së këtyre historive gjenden disa nga temat më të rëndësishme të historisë së mëvonë të Romës, si dhe disa nga ankthet më të thella kulturore të Romës. Ato rrëfenja kanë shumë për të na treguar ne mbi shqetësimet dhe vlerat e romakëve ose së paku mbi shqetësimet e atyre romakëve që kishin kohën, paranë dhe lirinë për shqetësime të tilla; ankthet kulturore janë shpesh privilegje të të pasurve. Siç e kemi parë ne sakaq, një temë, ishte natyra e martesës romake. Sa brutale ishte e destinuar të ishte martesa nëse marrim parasysh origjinën e saj? Një tjetër, sakaq i dalluar në fjalët e grave sabine që po përpiqeshin të pajtonin baballarët dhe bashkëshortët e tyre luftarakë, ishte lufta civile.
Një nga enigmat e mëdha mbi këtë legjendë themeluese është pretendimi se në të qenë përfshirë dy themelues, Romuli dhe Remi. Historianët modernë kanë hedhur lloj-lloj hipotezash për të shpjeguar binjakun në dukje të tepërt. Ndoshta kjo shpjegon një lloj dualiteti bazik në kulturën e Romës, mes klasave të ndryshme të shtetasve apo grupeve të ndryshme etnike. Ose ndoshta ajo reflekton faktin se më vonë kishte gjithmonë dy konsuj në Romë. Ndoshta struktura më të thella mitike janë të lidhura me këtë dhe Romuli e Remi janë një lloj versioni i binjakëve hyjnorë që gjenden në anë të ndryshme të mitologjisë botërore, nga Gjermania deri te India Vedike, përfshirë historinë biblike të Kainit dhe Abelit. Por çfarëdo zgjidhje që ne zgjedhim (dhe shumica e spekulimeve modeme nuk janë shumë bindëse), një enigmë edhe më e madhe është fakti se një nga binjakët themelues me të vërtetë rezultoi i tepërt, për shkak se Remi u vra nga Romuli, ose në versione të tjera, nga një prej xhelatëve të tij, pikërisht në ditën e parë të qytetit.
Për shumë romakë, të cilët nuk e hodhën poshtë këtë rrëfenjë duke e cilësuar thjesht si ’mit’ apo ‘legjendë, ky ishte aspekti i padurueshëm i themelimit. Duket se e ka vënë Ciceron aq në siklet sa, në rrëfimin e origjinës së Romës në librin Mbi Shtetin, ai nuk e përmend atë: Remusi shfaqet në fillim i ekspozuar bashkë me Romulin, por pastaj thjesht zhduket nga rrëfenja. Një shkrimtar tjetër, historiani Dionisi i Halikarnasit, një banor i Romës në shekullin e parë p.e.s., por që zakonisht thirret me emrin e qytetit të tij të lindjes në brigjet modeme të Turqisë - zgjodhi ta përshkmajë Romulin si shumë të trishtuar nga vdekja e Remit (ai humbi dëshirën për të jetuar). Ndërsa një tjetër, i njohur nga ne vetëm si Egnatius, pati një mënyrë më të fuqishme për të anashkaluar problemin. E vetmja gjë e regjistruar mbi Engatiusin, është se ai e përmbysi historinë e vrasjes tërësisht dhe doli në konkluzionin se Remusi mbijetoi deri në moshë të thyer, duke jetuar edhe pas vdekjes së vëllait të tij binjak.
Kjo ishte një përpjekje e dëshpëruar dhe pa dyshim aspak bindëse, për t’i shpëtuar mesazhit të zymtë të historisë: vëllavrasja ishte thellësisht e ngulur në politikën romake dhe shpërthimet e herëpashershme dhe të tmerrshme të konfliktit civil, të cilat përshkuan historinë e Romës që nga shekulli i gjashtë p.e.s. (vrasja e Jul Cezarit në vitin 44 p.e.s. ishte vetëm një shembull), sugjerohen paksa të paracaktuara. Cili qytet, i themeluar me vrasjen e vëllait nga vëllai, mund t’i shpëtojë vrasjes së qytetarëve nga qytetarët? Poeti Kuintus Horatius Flakus (Horaci’) ishte vetëm një nga shumë shkrimtarët që iu përgjigj këtyre pyetjeve në mënyrën më të hapur. Duke shkruar rreth vitit 30 p.e.s, menjëherë pas dekadës së luftimeve që pasuan vdekjen e Cezarit, ai u ankua: ‘Fat i hidhur ndjek romakët dhe krimi i vrasjes së vëllait, që kur u derdh gjaku i të pafajshmit Remus në tokë, është një mallkim mbi pasardhësit e tij’. Lufta civile, ne mund të themi se ishte në gjenet e Romës.
Që të jemi të qartë, Romuli mundej, dhe shpesh qe paraqitur si baba themelues heroik. Shqetësimi mbi fatin e Remit nuk e ndaloi Ciceron të përpiqej të merrte gunën e Romulit në përplasjen e tij me Katilinën. Dhe, pavarësisht hijes së vrasjes, imazhi i binjakëve që ushqehen nga ujku gjendej në të gjithë botën e Romës së lashtë: nga vetë kryeqyteti - ku dikur gjendej një grup statujash të tyre në Forum dhe një tjetër në kodrën Kapitoline - deri në cepat më të largëta të perandorisë. Në fakt, kur njerëzit e ishullit grek të Kiosit deshën të demonstronin besnikërinë e tyre ndaj Romës në shekullin e dytë p.e.s, një nga gjërat që ata vendosën ishte të ndërtonin një monument ku paraqisnin, siç thanë ata, ‘lindjen e Romulit, themeluesit të Romës dhe vëllait të tij Remusit’. Monumenti nuk ka mbijetuar. Por ne dimë për të; për shkak se Kianët e regjistruan vendimin e tyre në një pllakë mermeri, e cila ekziston edhe sot. Pavarësisht kësaj, mbetej një shkallë nervozizmi moral dhe politik mbi karakterin e Romulit. Nervozizëm në një mënyrë tjetër shkaktonte edhe ideja e strehimit dhe mikpritjes që Romuli u dha të gjithë të ardhurve - të huaj, kriminelë dhe njerëz në arrati - në përpjekje për të gjetur shtetas për qytezën e tij të re. Te kjo kishte edhe aspekte pozitive.
9.Romuli dhe Remi mbërritën në cepat më të largëta të Perandorisë Romake. Ky mozaik i shekullit të katërt të e.s. u zbulua në Aldborough në veri të Anglisë.
Këtu ujku është një krijesë shumë e gëzuar dhe afruese. Binjakët duket se po lundrojnë rrezikshëm në ajër, gjë që me gjasë është më shumë si rimendim njësoj si shtesat e periudhës së Rilindjes në grupin në Kapitoline.
Në veçanti kjo reflektonte kulturën e hapjes së jashtëzakonshme të Romës dhe gatishmërisë për të inkorporuar të huajt, gjë që e vë atë mënjanë nga çdo shoqëri tjetër në lashtësinë e Perëndimit për aq sa ne dimë. Asnjë qytet grek nuk ishte as së largu kaq mikpritës sa Roma; Athina në veçanti ishte shumë më e ashpër në dhënien e shtetësisë. Kjo nuk është rrjedhojë e ndonjë temperamenti ‘liberal’ të Romës në kuptimin modern të kësaj fjale. Ata pushtuan territore të mëdha në Europë dhe më tutje, në disa raste me brutalitet të tmerrshëm; dhe shpesh qenë ksenofobë e refuzues ndaj popujve që i quanin ‘barbarë’. Megjithatë, në një proces unik për çdo perandori paraindustriale, banorët e këtyre territoreve të pushtuara, ‘provincat’ siç i quanin romakët, gradualisht morën shtetësinë e plotë romake dhe të drejtat ligjore e mbrojtjet që shoqëronin këtë. Kjo kulmoi në vitin 212 të e.s. (ku SPQR-ja ime përfundon), kur perandori Karakala bëri çdo banor të lirë të perandorisë një shtetas romak.
Edhe para kësaj, elita e provincave pati hyrë në hierarkinë politike në kryeqytet dhe në numra të mëdhenj. Senati i Romës gradualisht u bë ajo që sot mund të përshkruhet si një organizëm bindshëm multikulturor dhe lista e plotë e perandorëve romakë mbart shumë emra nga ata që e kishin origjinën jashtë Italisë: babai i Karakalas, Septimius Severus, ishte perandori i parë nga territori romak i Afrikës; Trajani dhe Hadriani, të cilët qeverisën gjysmë shekulli më herët; patën ardhur nga provinca romake e Spanjës. Kur, në 48 të e.s. perandori Klaudius - imazhi prej babaxhani i të cilit është krijuar më shumë nga romani i Robert Graves Unë, Klaudius sesa nga jeta e tij reale - po debatonte para një senati paksa ngurrues që shtetasit nga Galia të lejoheshin të bëheshin senatorë, ai kaloi ca kohë duke u rikujtuar atyre se Roma pati qenë e hapur ndaj të huajve që nga fillesat. Teksti i këtij fjalimi, përfshirë disa pyetje të pakëndshme që duket se edhe një perandor duhej t’i duronte, u shkrua në bronz dhe u vendos në ekspozim në provincë, në atë që është qyteti i Lionit, ku mbijeton edhe sot. Klaudiusi duket se nuk e pati shansin të bënte ndryshimet që bëri Cicero për variantin e publikuar.
Një proces të ngjashëm pati me skllavërinë. Skllavëria romake ishte në disa aspekte po aq brutale sa edhe metodat romake të pushtimit ushtarak. Por për shumë skllevër romakë, veçanërisht ata që punonin në kontekstin e familjeve urbane dhe jo duke u rraskapitur nëpër fusha apo miniera, skllavëria nuk ishte domosdoshmërish një dënim për jetë. Atyre rregullisht u jepej liria ose ata arrinin ta blinin atë me paratë që kursenin; dhe nëse pronari ishte një shtetas romak, ata fitonin edhe shtetësi të plotë romake, me pothuajse aspak disavantazhe përballë atyre që kishin lindur të lirë. Kontrasti me Athinën klasike është sërish goditës: atje, shumë pak skllevër liroheshin dhe ata që liroheshin nuk fitonin shtetësi athinase në këtë proces, por kalonin në një formë pashtetësie. Kjo praktikë emancipimi - ose manumisioni, për të ndjekur termin latin - ishte një tipar i dalluar i kulturës romake, të cilën të huajt në atë kohë e vinin në dukje dhe e shihnin si një faktor të fuqishëm në suksesin e Romës. Siç vërejti një mbret i Maqedonëve në shekullin e tretë p.e.s., kjo ishte mënyra se si ‘romakët zgjeruan vendin e tyre’. Shkalla ishte kaq e madhe sa disa historianë mendojnë se, nga fundi i shekullit të dytë të e.s., shumica e popullatës së lirë në qytet kishte skllevër mes paraardhësve të vet.
Historia e strehimit të të huajve nga ana e Romulit dukshëm tregon tiparin e të qenët i hapur, duke sugjeruar se përbërja e larmishme e Romës ishte karakteristike që i kishte rrënjët tek origjina e saj. Kishte edhe të brendshëm që i bënë jehonë mendimit të mbretit të Maqedonëve se politika gjithëpërfshirëse e Romulit ishte një faktor i rëndësishëm në suksesin e qytetit; dhe për ta azili ishte diçka për të qenë krenarë. Por kishte edhe zëra të pakënaqurish që theksonin anën më pak lavdëruese të kësaj rrëfenje. Nuk qenë vetëm disa nga armiqtë e Romës që vunë re ironinë e një perandorie që e gjurmonte origjinën e vet te kriminelët dhe batakçinjtë e Italisë. Edhe disa romakë e vunë re këtë. Në fund të shekullit të parë ose në fillim të shekullit të dytë të e.s., poeti satirik ‘Juvenali’ Decimus Junius Juvenalis, i cili dashuronte të tallej me të shtirurin e romakëve, kritikoi snobizmin që ishte ana tjetër e jetës në Romë dhe përqeshi ata aristokratë që mburreshin me pemë familjare shekuj të vjetër. Ai e përfundon një nga poemat e tij me një goditje nën brez mbi origjinën e Romës. Në fund të fundit, ku bazohen të gjitha këto pretendime? Roma ishte që nga fillesat e veta një qytet i përbërë prej skllevërish dhe kaçakësh (‘Cilido qoftë paraardhësi yt më i hershëm, ai ishte ose bari ose diçka që nuk më vjen ta them’). Cicero mund të ketë qenë duke dhënë të njëjtin mesazh kur ai bëri shaka në një letër për mikun e tij Atikus mbi mutin’ apo ‘llumin’ e Romulit. Ai po tallej me një nga bashkëkohësit e tij, i cili fliste para senatit a thua se po jetonte në Republikën e Platonit, duke iu referuar shtetit ideal të filozofit - ‘kur në fakt ai gjendej në (mutin) e Romulit.
Shkurt, romakët mund ta shihnin veten gjithmonë duke ndjekur gjurmët e Romulit, për mirë apo për keq. Kur Cicero bëri me shenjë nga Romuli gjatë fjalimit të tij kundër Katilinës, ishte më shumë sesa një vetëlavdërim përmes babait themelues të Romës (megjithëse ai ishte pjesërisht thjesht vetëlavdërim). Kjo ishte një joshje nga një histori që ka shkaktuar të gjitha llojet e diskutimeve dhe debateve mes bashkëkohësve të tij; mbi atë se cilët qenë me të vërtetë romakët, çfarë vlerash kishte Roma dhe çfarë ndasish gjendeshin brenda saj.
Gjurmët e Romulit qenë ngulitur gjithandej në panoramën e Romës. Në kohën e Ciceros, ti mund të bëje më shume sesa thjesht të vizitoje Tempullin e Jupiterit Stator të Romulit: ti mund të hyje në shpellën ku ujku supozohej se ishte kujdesur për binjakët foshnja dhe mund të shihje një pemë, të rimbjellë në Forum, në të cilën djemtë thuhej se u nxorën nga lumi. Madje mund të admiroje edhe vetë shtëpinë e Romulit, një kasolle të vogël të mbuluar me kashtë, ku themeluesi supozohej se kishte jetuar, në kodrën Palatine: një pjesë e dukshme e Romës primitive në atë që ishte bërë një metropol i gjerë. Kjo ishte, natyrisht, një falsifikim, siç sugjeroi një vizitor në fund të shekullit të parë p.e.s.: Ata nuk bëjnë asnjë punim në të që ta bëjnë më të adhurueshme’, shpjegoi ai, ‘por nëse ndonjë pjesë prej saj dëmtohet, nga moti i keq apo koha, ata bëjnë çfarë munden për ta rikthyer siç ishte para se të dëmtohej’. Nga kjo kasolle nuk janë gjetur gjurmë të sigurta arkeologjike, gjë që nuk është aspak surprizuese, nëse marrim parasysh konstruksionin e saj të dobët. Por ajo mbijetoi në ndonjë formë, si memorial për origjinën e qytetit, deri së paku në shekullin e katërt të e.s., kur u përmend në një listë të pikave të referimit të famshme në Romë.
Këto ‘mbetje’ fizike - tempulli, një pemë fiku dhe një kasolle e sajuar me kujdes - qenë pjesë dhe ngastër e statusit të Romulit si një personazh historik. Siç e kemi parë, shkrimtarët romakë nuk ishin humbameno dhe ata vunë në pikëpyetje shumë detaje të historive tradicionale edhe pse i ritregonin ato (rolin e ujkut, prejardhjen hyjnore e me radhë). Por ata nuk shprehën asnjë dyshim nëse Romuli pati ekzistuar ndonjëherë dhe nëse ai i kishte bërë vendimet kyçe që qeverisën zhvillimin e mëvonë të Romës, të tillë si vendi ku do të ndërtohej, si dhe atë që ai pak a shumë ‘me duart e veta’ pati shpikur disa nga institucionet përcaktuese. Vetë senati, sipas disa tregimeve, ishte krijesë e Romulit, njësoj siç ishte ceremonia e ‘triumfit’, parada romake e fitores që rregullisht pasonte sukseset më të mëdha (dhe më të përgjakshme) të qytetit në luftë. Kur, në fond të shekullit të parë p.e.s., një listë monumentale e të gjithë gjeneralëve romakë që patën celebruar ndonjëherë një triumf, u gdhend në një seri panelesh mermeri në Forum, Romuli ishte i pari në listë. ‘Romuli, mbret, biri i Marsit’, shkruhej në rreshtin e parë, ‘viti një, më 1 mars, për një fitore kundër popullit të Kaeninës’, në përkujtim të disfatës së shpejtë të njërës prej qytezave latine aty pranë nga ku qenë rrëmbyer gratë - dhe pa pranuar asnjë lloj skepticizmi publik mbi prindin e tij hyjnor. Shkollarët romakë punuan fort për të përkufizuar arritjet e Romulit dhe për të arritur një kronologji të saktë të fazave më të hershme të Romës. Një nga debatet më të gjalla të kohës së Ciceros ishte pyetja se kur qyteti u themelua. Saktësisht sa e vjetër ishte Roma? Mendje të ditura me gjenialitet numëruan pas në kohë nga datat romake që ata dinin deri te datat më të hershme që nuk i dinin dhe u përpoqën të sinkronizonin ngjarjet në Romë me kronologjinë e historisë greke. Në veçanti ata u përpoqën të përputhin historinë e tyre me ciklet e rregullta katërvjeçare të Lojërave Olimpike, të cilat në dukje ofronin një kuadër kohor të fiksuar dhe autentik - megjithëse, siç pranohet tani, kjo ishte pjesërisht në vetvete produkt i spekulimeve të holla të mëhershme. Ky ishte një debat plot kleçka dhe shumë i specializuar. Por gradualisht këndvështrimet e ndryshme u pajtuan rreth asaj që ne sot e quajmë mesi i shekullit të tetë p.e.s., ndërsa opinioni i shkollarëve mbërriti në përfundimin se historia greke dhe romake ‘filloi’ afërsisht në të njëjtën kohë. Ajo që u bë një datë kanonike e tillë që vijon të citohet në shumë libra shkollorë modernë, pjesërisht i referohet një traktati shkollarësh, të njohur si Libri i Kronologjisë, hartuar nga askush tjetër veç mikut dhe korrespondentit të Ciceros, Atikusi. Ky libër nuk mbijeton, por supozohet se ka fiksuar themelimin e qytetit nga Romuli në vitin e tretë të ciklit të gjashtë të Lojërave Olimpike; kjo do të thotë, viti 753 p.e.s. Kalkulime të tjera e saktësuan më tutje më 21 prill, datën në të cilën romanët modernë edhe sot e kësaj dite festojnë ditëlindjen e qytetit të tyre, me disa parada disi pa shije dhe shfaqje false me gladiatorë.
Shpesh ka një kufi të mjegullt mes mitit dhe historisë (mendo për Mbretin Artur apo Pokaliontasin), dhe, siç do ta shohim, Roma është një nga ato kultura ku ky kufi është veçanërisht i mjegullt. Por pavarësisht të gjithë mendjemprehtësisë historike që romakët vunë mbi këtë rrëfenjë, ekzistojnë të gjitha arsyet që ne ta shohim atë, në termat tonë, pak a shumë si mit i pastër. Sa për fillim, është pothuajse e sigurt se nuk ka pasur diçka të tillë si një moment themelues për qytetin e Romës. Shumë pak qyteza e qytete themelohen me një vendim, nga një individ i vetëm. Ato janë zakonisht produkt i ndryshimeve graduale në popullsi, në tiparet e vendbanimit, në organizimin shoqëror dhe në ndjesinë e identitetit. Shumica e ‘themelimeve’ janë konstruksione retrospektive, të cilat projektojnë pas larg në kohë një mikrokozmos, një version imagjinar primitiv të qytetit të më vonë. Emri ‘Romul’ është në vetvete një tregues përgënjeshtrues. Megjithëse romakët zakonisht supozonin se ai ia pati dhënë emrin e tij qytetit që sapo kishte themeluar, ne tashmë kemi goxha besim se e kundërta ishte e vërtetë: ‘Romuli’ ishte një konstruksion imagjinar i nxjerrë nga ‘Roma’. ‘Romuli’ ishte thjesht një arketip i ‘Z. Romë’.
Përveç kësaj, shkrimtarët dhe shkollarët e shekullit të parë p.e.s., të cilët na kanë lënë ne trashëgimi versionin e tyre të origjinës së Romës, nuk kanë pasur shumë prova të drejtpërdrejta mbi fazat më të hershme të historisë së Romës nga sa kanë shkrimtarët modernë, dhe në disa mënyra ka gjasa që kishin edhe më pak prova se sa kemi ne. Nuk kishte dokumente të mbijetuara apo arkiva. Pak mbishkrime në gur, të çmuara siç janë, nuk janë siç ashtu imagjinonin se ishin shkollarët e hershëm të Romës, dhe, siç do ta zbulojmë në fund të këtij kapitulli, në disa raste ato e keqkuptuan shumë rëndë latinishten e hershme. E vërtetë, ata kishin akses në pak shkrime të mëparshme historike që sot nuk kanë mbijetuar. Por më të hershmet e këtyre qenë hartuar rreth viteve 200 p.e.s., dhe sërish ka një hendek të stërmadh mes kësaj date dhe origjinës së qytetit, hendek që mund të mbushet vetëm me ndihmën e një thesi shumë të përzier me rrëfime, këngë, shfaqje dramatike popullore dhe një amalgamë e ndryshueshme e shpesh kontradiktore që përbën traditën orale - vazhdimisht e ndryshuar në të treguar e ritreguar për t’iu përshtatur rrethanave dhe audiencës. Ka disa grimca të dobëta të historisë së Romulit që nga shekulli i katërt p.e.s, por pastaj, nëse ne nuk sjellim skulpturën prej bronzi të ujkut ushqyes, gjurmët humbasin.
10. Zbuluar në territorin etrusk, kjo pasqyrë e gdhendur (ana reflektuese ishte nga ana tjetër) duket se tregon një version të Romulit dhe Remit duke u ushqyer me gji nga ujku. Nëse është kështu, e datuar në shekullin e katërt p.e.s., ajo mund të jetë një nga provat më të hershme për këtë rrëfenjë. Por disa, ndoshta shkollarë tepër skeptikë modernë, kanë parapëlqyer të shohin këtu një skenë nga miti etrusk ose një çift zotash romakë, përfundimisht më të errët dhe më misteriozë, ‘Lares Praestites’.
Natyrisht, që ta themi në një mënyrë tjetër, pikërisht për shkak se rrëfenja e Romulit është mitike më shumë sesa historike, në kuptimin e ngushtë, kjo figurë përmban disa nga pyetjet më të forta kulturore të Romës së lashtë dhe për këtë arsye është kaq e rëndësishme për të kuptuar historinë e Romës në kuptimin e saj më të gjerë. Romakët nuk kishin trashëguar, siç supozonin, thjesht prioritetet dhe shqetësimet e themeluesit të tyre. Krejt e kundërta: përgjatë shekujve të ritregimit dhe rishkrimit të rrëfenjës, ata vetë ndërtuan dhe rindërtuan figurën themeluese të Romulit si një simbol i fuqishëm për pëlqimet, debatet, ideologjitë dhe ankthet e tyre. Pra, me fjalë të tjera, që t’i rikthehemi Horacit, nuk ishte që lufta civile qe mallkimi i paracaktuar i Romës që nga lindja; Roma pati projektuar makthet e cikleve në dukje pa mbarim të luftës civile pas te themeluesi i vet.
Gjithmonë ka pasur mundësi për të përshtatur apo rikonfiguruar këtë narrativë, edhe pasi ajo mbërriti në një formë relativisht të fiksuar letrare. Ne sakaq kemi vërejtur, për shembull, se si Cicero zgjodhi të vendosë një perde mbi vrasjen e Remusit, ndërsa Egnatiusi e mohoi vrasjen tërësisht. Por raporti i Livit mbi vdekjen e Romulit jep një grimcë të gjallë se si historia e origjinës së Romës mund të bëhet për të rezonuar drejtpërsëdrejti te ngjarjet e kohës kur u shkrua. Mbreti, shpjegon ai, pati sunduar për tridhjetë vjet kur papritur nga një stuhi e dhunshme ai u mbulua prej një reje dhe u zhduk. Romakët në zi shpejt dolën në konkluzionin se ai ishte rrëmbyer nga gjiri i tyre për t’u bërë zot - duke kapërcyer kufirin mes njerëzores dhe hyjnores, në një mënyrë në të cilën sistemi fetar politeist i Romës në disa raste e lejonte (edhe pse ne na duket paksa e trashë). Por disa njerëz në atë kohë, pranon Livi, treguan një histori të ndryshme: që mbreti ishte vrarë, i therur për vdekje nga senatorët. Livi nuk është se i shpiku tërësisht vetë këto pjesë të rrëfenjës së tij: për shembull, Cicero pati raportuar më herët apoteozën e Romulit, megjithëse me një dozë skepticizmi; dhe një politikan me ambicie të tepërt në vitet 60 p.e.s., në një rast ishte kërcënuar me ‘fatin e Romulit’, dhe kjo, supozohet, nuknënkuptonte të bërit zot. Livi ofron një raport veçanërisht të ngarkuar dhe me nënkuptime pasi shkroi vetëm pak dekada pas vrasjes së Jul Cezarit, të cilit menjëherë pasi u ther për vdekje nga senatorët iu dha statusi i zotit (duke përfunduar me një tempull të vetin në Forum). Nëse nuk vëren fantazmën e Cezarit këtu, atëherë nuk kupton gjë.
Historia e Romulit dhe Remit është intriguese, habitëse dhe jashtëzakonisht shprehëse për shqetësimet e mëdha të romakëve, së paku për shqetësimet e elitës. Dhe, nëse gjykojmë nga dizajnet e monedhave apo temave të artit popullor, dijenia mbi këto rrëfenja ishte e gjithëpërhapur - edhe pse fshatarët e uritur nuk kalonin shumë kohë duke u shqetësuar mbi hollësirat e përdhunimit të sabineve. Por komplikimi shtesë në panoramën sakaq komplekse të legjendës së origjinës së Romës, është se historia e Romulit dhe Remit nuk është rrëfenja e vetme e themelimit të qytetit. Ka shumë rrëfenja të tjera që ekzistuan paralelisht. Këto përfshijnë variante me ndryshime të vogla në temat standarde, si dhe altemativa që ne na duken haptazi idiosikratike. Një ide greke, për shembull, sjell të njohurin Odise dhe jehonën e Odiseas së Homerit në këtë rrëfim, duke sugjeruar se themeluesi i vërtetë i Romës ishte një burrë i quajtur Romus, i cili ishte rezultat i marrëdhënies së Odiseut me magjistricën Circe, ishulli magjik i së cilës shpesh imagjinohej se gjendej menjëherë jashtë brigjeve të Italisë. Kjo ishte një copë e pastër dhe shumë e pagjasë, e imperializmit kulturor e cila i jepte Romës prindër grekë.
11. Një mozaik i shekullit të katërt të e.s., nga dyshemeja e një kompleksi banjash në Vilën Romake Lou Ham në jug të Anglisë, i cili ishte dekoruar me një seri skenash nga Eneida e Virgjilit: Enea mbërrin në Kartagjenë; Dido dhe Enea janë duke gjuajtur dhe këtu pasioni i mbretëreshës kartagjenase dhe heroit të Trojës jepet e paraqitur aq përmbledhtazi sa mundet
Legjenda tjetër që u mishërua po aq fort në historinë e Romës dhe letërsisë, është historia e heroit trojan, Enea, i cili shpëtoi nga qyteti i Trojës pas luftës mitike mes grekëve e trojanëve dhe që përbën temën e Iliadës së Homerit. Pasi mori djalin e vet për dore, ndërkohë që mbante babanë e tij të moshuar nga rrënojat në flakë, ai në fund udhëtoi për në Itali, ku fati i tij ishte që të rithemelonte qytetin e tij të lindjes në tokë të Italisë. Ai solli me vete traditat e atdheut të tij dhe madje edhe disa hajmali të shpëtuara nga shkatërrimi.
Ka po aq mistere, probleme dhe ambiguitete në këtë rrëfenjë sa edhe me përrallën e Romulit, dhe pyetje të pazgjidhura mbi atë se ku, kur dhe pse u krijua ajo. Këto bëhen edhe më të komplikuara, si dhe jashtëzakonisht të pasuruara, falë Eneidës, poemës madhështore në dymbëdhjetë libra të Virgjilit mbi këtë temë, shkruar gjatë sundimit të perandorit të parë romak, Augustit, dhe një nga librat më të lexuar të letërsisë që nga ajo kohë. Kjo është bërë vetë historia e Eneas. Dhe ajo i ka lënë trashëgimi botës perëndimore disa nga kulmet më të fuqishme letrare dhe artistike, përfshirë historinë tragjike të dashurisë së Eneas me Didon, mbretëreshën e Kartagjenës, si dhe në çfarë vendi në Itali del në breg Enea pas udhëtimit të tij nga Troja (në brigjet e Turqisë modeme). Kur Enea vendos të ndjekë fatin e tij dhe të ikë për në Itali, duke braktisur Didon, ajo kryen vetëvrasje duke e hedhur veten në një turrë drurësh në flakë. ‘Më kujto mua, më kujto mua’, vijon aria e saj përndjekëse në versionin operistik të shekullit të shtatëmbëdhjetë nga Henry Purcell. Problemi qëndron se është shpesh e vështirë të dish se cilat elemente të historisë ne i kemi nga Virgjili (duke përfshirë pothuajse me siguri shumicën e historisë me Didon) dhe cilat janë pjesë më tradicionale të rrëfenjës.
Nuk ka dyshim që figura e Eneas si themelues i Romës shfaqet në letërsi - dhe ka lënë gjurmët në peizazh - shumë më herët sesa shekulli i parë p.e.s. Për këtë rol të tij ka referenca kalimtare mes shkrimtarëve grekë të shekullit të pestë p.e.s.; dhe në shekullin e dytë p.e.s, ambasadorët nga ishulli grek i Delosit kur po bënin thirrje për një aleancë me Romën duket se janë kujdesur t’u rikujtonin romakëve, si pjesë e lidhjes me ta, se Enea pati ndaluar në Delos gjatë udhëtimit të tij drejt Perëndimit. Në Itali, Dionisi i Halikarnasit ishte i bindur se ai vetë kishte parë varrin e Eneas ose së paku një memorial të lashtë për të në qytezën e Laviniumit, jo shumë larg Romës: ‘ia vlen ta shohësh’, sugjeroi ai. Kishte gjithashtu një tregim popullor se mes objekteve të çmuara të mbajtura në tempullin e perëndeshës Vesta në Forumin e Romës - ku priftëreshat e virgjëra, si Rhea Silvia e legjendës së Romulit, ruanin flakën e shenjtë që supozohej se nuk duhej të fikej kurrë -ishte vetë statuja e perëndeshës Palas Atena që Enea e pati sjellë me vete nga Troja. Ose së paku kështu e tregonte një rrëfenjë romake. Kishte kandidatë të ndryshëm si pretendentë për shpëtimin e kësaj statuje të famshme dhe shumë qytete në të gjithë botën greke pretendonin se zotëronin atë origjinalen.
Nuk ka nevojë ta themi se historia e Eneas është po aq mit sa edhe historia e Romulit. Por shkollarët romakë çuditeshin nga marrëdhënia mes këtyre dy legjendave themeluese dhe energji të mëdha në përpjekje për t’i përshtatur ato me rreshtimin historik të ngjarjeve. A ishte Romuli djalë ose ndoshta nip i Eneas? Dhe nëse Romuli pati themeluar Romën, simundej që edhe vetë Enea të bënte të njëjtën gjë? Veshtirësia më e madhe ishte se kishte një hendek të madh mes shekullit të tetë p.e.s., data që romakët e përcaktuan si origjinë të qytetit të tyre dhe shekullit të dymbëdhjetë p.e.s., periudhë që ata zakonisht e shihnin si koha e rënies së Trojës (rënie që ishte marrë gjithashtu si ngjarje historike). Nga fundi i shekullit të parë p.e.s., një lloj koherence u arrit duke konstruktuar një pemë familjare të komplikuar, e cila lidhte Enean dhe Romulin, si dhe datat e sakta’: Enea filloi të shihej si themelues, jo i Romës, por i Laviniumit; djali i tij Askanius thuhet se pati themeluar Alba Longa - qytetin nga i cili Romuli dhe Remi u përzunë më vonë para se ata të themelonin Romën; dhe një dinasti e mbretërve Albanë hapur e sajuar, u konstruktua për të mbushur hendekun mes Askaniusit dhe datës magjike 753 p.e.s, e cila edhe për nga standardet romake ishte imagjinare dhe e turbullt. Ky është versioni që mbështet edhe Livi.
Pretendimi qendror i rrëfenjës së Eneas është që ajo i bën jehonë apo ekzagjeron, temën e nënvijëzuar të azilit të Romulit. Ndërsa Romuli mikpriti të gjithë të ardhurit në qytetin e tij, historia e Eneas shkon edhe më larg, duke pretenduar se ‘romakët’ në të vërtetë kishin për origjinë ‘të huajt’. Ky është një paradoks identiteti kombëtar, i cili qëndron në kontrast të fortë me mitet themeluese të shumë qyteteve greke, të tilla si Athina, të cilët panë popullsinë e tyre origjinale që rridhte në mënyrë të mrekullueshme nga vetë toka e tyre e lindjes. Dhe variante të tjera të origjinës së Romës theksojnë në mënyrë të përsëritur të qenët të huaj. Në fakt, në një nga episodet e Eneidës, heroi viziton vendin e qytetit të ardhshëm të Romës dhe gjen se ai sakaq është i banuar nga paraardhësit primitivë të romakëve. Dhe cilët janë ata? Ata janë një grup banorësh nën udhëheqjen e njëfarë Mbreti Evander, një i arratisur nga toka e Arkadias në Peloponezin grek. Mesazhi është i qartë: sado pas të shkosh, banorët e Romës qenë sakaq nga diku gjetkë.
Ky mesazh përmblidhet qartë dhe saktë në këtë etimologji të çuditshme të regjistruar nga Dionisi dhe disa të tjerë. Intelektualët grekë dhe romakë qenë të magjepsur nga derivatet e fjalëve dhe ata qenë të bindur se këto derivate përmbanin çelësin jo vetëm për origjinën e fjalës, por edhe mbi kuptimin e saj thelbësor. Ata qenë në disa raste të saktë në analizat e tyre dhe në disa raste të tjera, në mënyrë ekstravagante të gabuar. Gabimet e tyre janë shpesh domethënëse, siç është ky rast. Dionisi, në një pikë të hershme të historisë së tij, reflekton mbi një grup tjetër edhe më primitiv mes banorëve të vendit që u bë Romë: Aborigjenët. Origjina e kësaj fjale duhej të ishte verbazi e qartë: këto qenë njerëzit që kishin qenë ‘që nga fillesat’ (ab origine). Dionisi, që të tregohemi të drejtë, e jep këtë si një shpjegim i mundshëm, por - njësoj si të tjerët - i jep një peshë të barabartë e ndoshta edhe më të madhe konceptit jashtëzakonisht të pagjasë se kjo fjalë rridhte jo nga origo, por nga latinishtja errare (të bredhësh) dhe në origjinë ishte shqiptuar Aberrigines. Me fjalë të tjera, siç shkruan ai, këta njerëz qenë, ‘vagabondë dhe pa shtëpi të fiksuar’.
Ideja që çdo shkollar serioz i lashtësisë mund të mbyllë njërin sy ndaj etimologjisë së dukshme dhe korrekte që po i shihte ata në fytyrë në favor të një ideje të çuditshme që e gjente origjinën e Aborigines te ‘të bredhësh’ përmes një shqiptimi alternativ tendencioz nuk është një pasqyrim i çoroditjes së tyre. Ajo tregon thjesht se sa e ingranuar ishte ideja se ‘Roma’ ka qenë prej të gjitha kohërave një koncept etnikisht fluid dhe se ‘romakët’ kanë qenë gjithmonë duke lëvizur.