Dekoret e kodikut të 15-të të Beratit

Dekoret e kodikut të 15-të të Beratit

Kodiku është katërungjill me 256 fletë pergameni, me tekst në një kolonë, me format 21 x 16,5 cm dhe me 17 rreshta për faqe. Grafia është me shkronja të vogla të tipit të mesëm ngjyrë kafe, titujt me shkronja kapitale ari.

Dorëshkrimi ruan 10 faqe në kanonet e Eusebit, të stolisura thjeshtë, me forma gjeometrike, si edhe një vinjetë mbi titullin e ungjillit të Gjonit.

Vinjeta përbëhet prej rrathësh të pambyllur, të cilët, nga fundl, në anën e brendshme, formojnë një gjethe me një pemë që vjen në mes të rrethit. Të gjitha këto janë vizatuar prej ari në sfond të kuq.

Kanonet paraqiten të vizatuara thjeshtë me disa forma rrathësh mbi shufra e mbi dy kolona të përbëra secila prej dy pjesësh, pa art, me ngjyra blu saks, të gjelbër të errët si dhe të kuqe. Këto dekore, nga ana artistike, nuk përkojnë aspak me grafinë si të tekstit ungjillor, edhe as me ato të komenteve të tij.

Duke u mbështetur, kryesisht, në grafinë e tipit të vjetër të tekstit, këto dekore kaq të thjeshta, pa art, duhet t'i atribuohen fillimit të shek. XIII.

info@balkancultureheritage.com