Qyteti Dimale ndodhet në fshatin Krotinë, 11 km në Perëndim të Antipatreas (Beratit), 20 km në Veri të Bylisit dhe 27 km në Lindje të Apollonisë. Jeta në të lind që në periudhën e bronzit për t’u zbehur nga shek. I p.e.s. Mbishkrimet, punishtet e qeramikës dhe monumentet fine, ndër to shëtitorja binjake me Apolloninë 2 (fillimi shek. III p.e.s.) dëshmojnë për lulëzimin e jetës kryesisht në shekujt IV/III p.e.s. Qyteti 18 hektarësh shtrihet në një pllajë në formë tetëshi të shtrirë, 422 m të lartë nga deti dhe 196 m nga terreni përreth. Në anën e saj perëndimore lartësohet kodra e akropolit, ku përqendrohen monumentet kryesore: tempulli i Herës, shëtitorja dhe në skajin Veri-Perëndim teatri.
Shkallarja e tij orientohet drejt perëndimit dhe detit (280°). Prej saj vështrimit i hapet gjelbërimi i fushës së Gylakut (Myzeqeja) dhe konturet e Adriatikut. Shkallarja me diametër 50-60 m është e tipit gjysmërrethor. Ballina e saj jugore, së paku 13 m e gjatë, kthehet me 90° për të vijuar si mur mbajtës anësor. Këndi i kthimit 85-90°, tregon për një shkallare gjysmërrethi.
Ndenjëset e rreshtit të parë (prohedria), të pajisura me mbështetëse të pjerrët shpine dhe të profiluara për mbledhjen e gjurit, janë të ngjashme me ndenjëset e prohedrias të teatrit të Nikaias. Rreshtat e tjerë janë të tipit ekonomik (Eretria 3), me seksion kuadratik 0.34 x 0.40 m. Mungesa e dhëmbëzimit të pasmë, tregon se spektatorët nuk i mbështesnin këmbët në pllaka guri, por në mbushjen prej dheu dhe gurësh mes blloqeve, çka e tregon teatrin jocilësor.
Datimi mbetet i hapur, në diapazonin gjysma e dytë e shek. IV p.e.s - gjysma e parë e shek. III p.e.s. Nisur nga madhësia e përafert me Nikaian dhe Kassopean 2, kapacitetin e mendojmë për rreth 2000/2500 spektatorë.