Diokleciani
Qyteti antik
~Foustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Zgjerimet e para të Romës (753 – 350 para Jezu Krishtit)
~Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Arkeologjisë
V
XV
XX
Shqipëria Arkeologjike
~Muzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Në pranverë të vitit 1396
~Oliver Jans Schmitt
Republika detare e Venedikut
~Oliver Jens Schmitt
Bylisi
~Neritan Ceka, Skënder Muçaj

Diokleciani

Diokleciani (284-305) ishte me prejardhje nga Dalmacia dhe i detyrohej për karrierën e tij Probit, i cili diti të ngrejë në përgjegjësi një grup të tërë oficerësh ilirë: Aurel Viktori (De Caesaribus, 39, 26) shkruan: “Ata patën të gjithë për atdhe Ilirikun; duke e zëvendësuar mungesën e kulturës [humanitas] me kalitjen në ashpërsitë e jetës fshatare e ushtarake, ata qenë mjaft të përkryer si krerë shteti”. Pikërisht me ta e ndau Diokleciani administrimin e Perandorisë, duke ndërtuar fillimisht një dypushtet, me Maksimianin në Perëndim dhe atë vetë në Lindje, e më pas sistemin e katër-pushtetit, që nga viti 293, me dy Augustë e dy Cezarë. Maksimiani ishte me prejardhje nga Sirmi, Konstanc Klori e kishte prejardhjen maqedonase dhe ishte praeses Dalmatiarum, ndërsa Galeri ishte nga një familje dake e vendosur në Serdikë (Sofie). Perandoria ishte metë vërtetë në duarballkanasish. Pranë Dioklecianit, Galeri kishte në ngarkim Ilirikun, Maksimiani Italinë, por kjo nuk do të thoshte se të dyja brigjet e Adriatikut u përkisnin dy sektorëve krejt të ndarë të Perandorisë, uniteti i së cilës mbahej gjallë rreth Dioklecianit. Krahas zotërimeve të tjera të ndjeshme (Bretanja, Rini, Persia), për ta siguruar paqen rreth detit Adriatik, popullsitë gjermanike duheshin zmbrapsur në Danub. Për t’u vënë në dukje është se, në të njëjtën periudhë, dalmat ishte edhe papa Kaji (283-293).

Riorganizimi i provincave (284) dhe krijimi i dioqezave e ndryshuan situatën administrative të territoreve të bregut lindor të Adriatikut: provinca e Epirit u nda në Epirus nova me Dyrrahun si kryeqytet dhe në Epirus vetus me Nikopolin si kryeqendër; u krijua provinca e Prevalitanës rreth Dokleas dhe Skodrës që ishte kryeqyteti i saj, duke e zvogëluar në jug provincën e Dalmacisë. Kjo e fundit i përkiste dioqezës së Panonisë, ndërsa tri të tjerat asaj të Myzisë. Personat të cilëve iu besuan provincat italiane quheshin correctores. Akuilea u bë seli perandorake dhe kishte një punishte monedhash. Maksimiani u vendos në Akuile, një qytet begatia e të cilit vazhdoi edhe më tej, sidomos me rolin që luajti në përhapjen e amforave afrikane deri në fundin e shekullit IV. Edikti i Dioklecianit dëshmon për lidhjet detare që ekzistonin ndërmjet veriut të Adriatikut dhe Egjiptit, mes Akuilesë, Dalmacisë dhe Aleksandrisë. Mbishkrimet e Ostias na njohin me korporatën e quajtur corpus naviculariorum maris Hadriatici dhe vënë në dukje rolin e luajtur nga kjo korporatë mes porteve të Ostias dhe atyre të bregdetit adriatik.

Pas njëzet vitesh mbretërim, më 1 maj 305, Diokleciani dhe Maksimiani hoqën dorë nga Perandoria dhe emëruan Galerin dhe Konstanc Klorin si Augustë në vend të tyre. Diokleciani u tërhoq në krah të Salonës, në Aspalathos (Spliti i sotëm), ku ngriti një pallat madhështor që është ruajtur mjaft mirë edhe sot e kësaj dite. Qyteti gjatë gjysmëshekullit të anarkisë ushtarake që kaloi Perandoria, nga viti 235 deri në ardhjen në fron të Dioklecianit, më 284. Ashtu siç kishte ngjarë edhe më parë nën Mark Aurelin, qendra e Perandorisë dhe selia e perandorit ndodheshin në kufirin danubian. Maksimini qëndroi atje nga viti 236 deri më 238 dhe i bënte ndërhyrjet e tij nga Sirmi, ku kishte shtabin e përgjithshëm. Ai e kishte filluar jetën si bari në Ballkan dhe Herodiani i cilëson prindërit e tij si mixobarbaroi. Ai u vra ndërsa po mbante nën rrethim Akuilenë, para se të marshonte mbi Romë. Është me interes të vihet re se qyteti i Akuilesë bëri qëndresë të fortë, megjithëse nuk kishte trupa të rregullta ushtarake, por vetëm të rinjtë e qytetit. Herodiani përshkruan, me atë rast, kufijtë verilindorë të Italisë, Veneti-Istrien, duke e theksuar rëndësinë strategjike e tregtare të portit të Akuilesë: “Edhe në të kaluarën, Akuilea, një qytet shumë i fuqishëm, kishte pasur një popullsi shumë të madhe autoktone. E ndodhur buzë detit, ajo luante në njëfarë mënyre rolin e tregut të Italisë. E ndërtuar fare pranë të gjitha provincave të Ilirisë, ajo i furnizonte tregtarët detarë me prodhimet e kontinentit, të cilat i vinin me rrugë tokësore ose lumore. Dhe anasjelltas, u rishpërndante popujve të viseve të brendshme prodhimet që i vinin në rrugë detare dhe për të cilat kontinentalët kishin nevojë, sepse ashpërsia e dimrit i pengonte njerëzit e këtyre viseve që t’i kultivonin. Meqenëse krahina e Akuilesë është mjaft e pasur në vreshta pjellore, ajo u jepte verë me bollëk vendeve ku nuk rritet hardhia. Kështu, pra, në qytet gjendej një turmë e madhe, e përbërë jo vetëm nga qytetarë, por edhe nga të huaj e nga tregtarë. Në kohën për të cilën bëhet fjalë, kjo turmë ishte shumë më e panumërt, sepse e gjithë popullsia e fushave përreth ishte derdhur aty, duke i braktisur qyteza e fshatra dhe duke i zënë besë vetëm madhështisë së qytetit dhe mbrojtjes që i siguronin atij muret rrethuese” (Historia, VIII, 2, 3-4).

Pikërisht Sirmi ishte vendi ku bëheshin perandorët: Trajan Deci (248-251) ishte me prejardhje nga Sirmi dhe luftoi kundër gotëve në Danubin e poshtëm; disa gjeneralë u orvatën të rrëmbenin pushtetin perandorak, si Trebon Gali, më 251, e më vonë Emiliani, Valeriani (253-260) me të birin, Galianin, të cilët e ndanë perandorinë duke ia lënë Lindjen atit dhe Perëndimin birit. Suavët dhe sarmatët kapërcyen Danubin e mesëm në vitet 258-260, Dakia u braktis. Alamanët e vendosur në Gali kaluan Alpet dhe pushtuan Italinë e Veriut deri në Ravenë; Galiani i dërrmoi pranë Milanos. Më 260, Galiani vendosi në Sirm një ushtri me një gjeneral të aftë, Aureolin. Kërcënimi i gotëve u shfaq në detin Egje; Greqia dhe Azia e Vogël u rrënuan. Po në veriun e Adriatikut u vunë njëri kundër tjetrit edhe perandori Galian me Aureolin; Galiani u kthye në Sirm duke kaluar nëpër Akuile dhe Veronë, para se ta rrethonte kundërshtarin e tij në Milano.

Pas tridhjetetri vitesh anarkie ushtarake, situata e qëndrueshme u rivendos pak nga pak nga perandorët me prejardhje nga provincat ilire. Më 269, Klaudi II Gotiku, me prejardhje nga Dardania, korri një fitore të bujshme mbi gotët pranë Naisit. Ai vdiq në Sirm që në vitin që pasoi, duke rënë pre e murtajës. Pas asaj kohe, perandorët erdhën nga ajo krahinë: Aureliani, Probi e, më pas, Diokleciani, Maksimiani, Galeri, Konstantini dhe Valentiniani qenë të gjithë me prejardhje ilire (në kuptimin e gjerë të fjalës). Aureliani (270-275) ishte biri i një fshatari nga rrethinat e Sirmit; gjatë karrierës së tij ushtarake në Danub, ai mori titullin liberator Illyrici. Kur erdhi ai në fron, gjendja ishte serioze në Italinë e Veriut të pushtuar nga jutungët; Aureliani arriti t’i zmbrapste në veri të Alpeve, por pak kohë më vonë ata u dukën rishtas përpara mureve të Akuilesë dhe korrën një sukses pranë Piaçencës. Shkapërderdhja e tyre në çeta që kërkonin të plaçkisnin e lehtësoi operacionin për shkatërrimin e tyre, që u shtri deri në afërsi të Fanum Fortunae, në bregdetin adriatik (më 271).

Edhe Probi (276-282) qe një perandor “ilir”, i lindur në Sirm, bir centurioni. I cilësuar si Restitutor Illyrici mbi monedhat e Siskias, ai i zmbrapsi nga Recia vandalët dhe burgondët që i kanoseshin veriut të Adriatikut. Pasuesi i tij, Karus (282-283), kishte lindur në Naronë.

info@balkancultureheritage.com