Dodona
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Dodona

Stadiumi i Dodonës gjendet në jugperëndina të temenosit, arealit të shenjtë ku gjendeshin tempujt dhe lisi fallxhor i Naias, emër me të cilin njihej Zeusi në Dodonë. Sipas mbishkrimeve, duke filluar nga shek. IV p.e.s. në Dodonë organizohej festivali i njëemërt, ai i Naias. Festivali kishte dy komponentë, atë artistik i cila zhvillohej në teatër dhe sportiv, i cili zhvillohej në stadium. Këtë e dëshmon dhe lidhja organike e teatrit me stadiumin, e cila arrihet nëpërmjet prerjes së skajit verilindor të teatrit. Prerja krijon një tremë të hapur 10 x 20 metërshe, faqen veriore të së cilës e zë hyrja dydyershe e teatrit dhe skajin jugperëndimor hyrja po dydyershe e stadiumit.

Stadiumi përbëhet prej pistës prej dheu të ngjeshur dhe shkallares në formë U-je, e cila e qarkon atë nga tri anët. Pista vijon nga lindja në perëndim, orientim ky i pafavorshëm, pasi dielli verbon spektatorët e krahut kryesor dhe vrapuesit. Por ky pozicion është i detyruar, për shkak të bashkëlidhjes me teatrin.

Stadiumi ka ngjashmëri pasqyre me atë të Delfit: Gjerësia e pistës së Dodonës është fiks 25.5 m, sa ajo në Delf, lidhja e krahëve të shkallares kryhet po me sfendona, trajektorja e së cilës nuk është segment i cekët si në Amantia, por gjysmërreth i plotë si në Delf dhe rreshti i parë i ndenjëseve nuk nis në nivelin e pistës si në Amantia, por ngrihet mbi të nëpërmjet një parapeti me pllaka orthostate si në Delf. Gjatësia e pistës ende nuk është kapur pasi nuk kanë përfunduar gërmimet, por ajo është mbi 150 m, çka sërish i afrohet gjatësisë prej 177.5 m të pistës së Delfit.

Standardet 1.50 dhe 1.70 m të korsive, lejonin që në pistën 25.5 metërshe të Dodonës të garonin 15-17 vrapues. Nisur nga Pausania, sipas të cilit zhvilloheshin tri gara eliminatore të cilat përzgjidhnin një ndër katër konkurrues (Paus. 6. 13,4), numri i konkurrentëve në Dodonë mund të arrinte deri në 1100.

Krahët e shkallares rreth 18 m të gjerë, vazhdojnë paralel me njeri-tjetrin, të rakorduar në fund nga sfendona. Shkallarja e krahut verior që i mbështetet shpatit të kodrës së teatrit, ka 21 rreshta ndenjësesh 0.35 m të lartë dhe 0.85 m. të gjerë. Në çdo 8 m ajo përshkohet nga shkallët e kalimit, të cilat ndryshe nga Amantia dhe njësoj si në Delf, nuk janë punuar në blloqet e ndenjjes, por veçmas tyre.

Krahu përkundrejt, po 18 m i gjerë, mbështetej mbi një mbushje dheu të mbajtur prej një muri me blloqe të latuara. Në këtë anë shihen dhe gjurmët e kanalit për largimin e ujërave të shiut dhe po në këtë anë ruhet ulluku i kanalit të ujit të pijshëm, i ndërprerë nga vaskat e vogla ku pinin atletët dhe spektatorët.

Nisur nga norma 0.36 m/spektator, stadiumi i Dodonës ka pasur një kapacitet për rreth 19000 vetë, çka përkon bukurmirë me kapacitetin prej 18000 spektatorësh të teatrit. Si i tillë stadiumi mund të kundrohet si stadium me karakter panhelenistik.

Stadiumi i Amantias kategorizohet ndër stadiumet e vegjël, ndërsa ai i Dodonës në cakun e sipërm të stadiumeve të mesëm. Të dy stadiumet shquajnë për arkitekturën e tyre të rregullt, e cila i shkëput cilësisht nga mjaft qendra të tjera, deri dhe nga Sparta ku ndonëse sporti ishte bazë e edukatës, por ku stadiumi nuk pati kurrë një shkallare të mirëfilltë guri.

Bazuar në gjetjet arkeologjike, formën segment rrethi të sfendonas dhe teknikën murale, të njëjtë me muret rrethuese të fundit shek. IV/ fillimit shek. III p.e.s., stadiumi i Amantias, daton po në këtë diapazon kohor. Ndryshe prej tij, stadiumi i Dodonës, identik me atë të një qyteti tjetër fallxhor, atij të Orakullit të Delfit, u ndërtua në vitin 219 p.e.s., pas djegies së Dodonës nga Etolët

info@balkancultureheritage.com