Dyndjet barbare (167-476)
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Dyndjet barbare (167-476)

Pas një periudhe paqeje që zgjati për afër dy shekuj, që nga beteja e Akciumit, Perandoria romake u përball me kërcënime të rënda nga jashtë. Disa popuj gjermanikë po kërkonin t’i kapërcenin kufijtë e Perandorisë, për t’u vendosur në brendësi te zotërimeve romake, në kërkim të qetësisë e të begatisë, në krahasim me botën e jashtm>e ku vërshimet e ardhura nga lindja shkaktonin në mënyrë të përsëritur luftra të tmerrshme, të cilat përfundonin me shtypjen, masakrimin ose robërimin e bashkësive më të dobëta. I pari që u sulmua ishte limes-i danubian dhe, shumë shpejt, krahinat buzë detit adriatik, në pjesën e tij veriore, u prekën drejtpërsëdrejti nga këto sulme. Kjo pasiguri ishte pothuajse e përhershme dhe diktonte një mbikqyije të pareshtur nga ana e perandoritt dhe e forcave të armatosura, prania e të cilave krijonte nevoja të reja. Këto legjione dhe trupat ndihmëse që i shoqëronin ato duheshin furnizuar me produkte ushqimore, me armatime e me skllevër. Rijedhat e shkëmbimeve ekonomike u ndryshuan në favor të lidhjeve mes Milanos, Akuilesë dhe kampeve ushtarake të kufirit.

Markomanë dhe kuadë

Në vitin 167 pas J. K., në Italinë Verilindore mbërritën markomanet dhe kuadët, të cilët i kanoseshin Akuilesë. Mark Aureli dhe L. Veri arritën t’i sprapsin dhe krijuan, në lindje të Akuilesë, një zonë ushtarake të quajtur Praetentura Italiae et Alpium (mbulesa e Italisë dhe e Alpeve), e cila e dublonte limes-in danubian. Më 169, L. Veri vdiq papritur pranë Akuilesë. Një ofensivë e re e markomanëve po i kanosej përsëri qytetit të madh të veriut të Adriatikut, sepse trupat romake ishin drobitur nga një epidemi murtaje. Ofensiva e udhëhequr më 171 nga Mark Aureli përtej Danubit korri suksese, por duhej pritur viti 174 që markomanët dhe kuadët të kërkonin paqe. Në zonat e rrënuara të veriut të Italisë ishin vendosur gjermanët dhe kjo nuk ishte pa rrezik, siç e tregoi kryengritja e atyre që ishin vendosur në afërsi të Ravenës.

Për shumë vite me radhë, perandori vinte për ta drejtuar vetë ushtrinë në Danub. Mark Aureli vdiq në mars 180 në Vindobona (Vjenë), pas disa operacioneve të reja në veri të Danubit. Epidemia që i mori jetën perandorit e kishte goditur rëndë popullatën, edhe në Itali. Ka shumë të ngjarë që sprapsja demografike në Itali t’i përkasë kohës së asaj epidemie, dhe të jetë rënduar nga epidemi të tjera në mesin e shekullit III, por vlerësimet sasiore janë të pamundura: arkeologjia mund ta vërë re pakësimin e numrit të fermave bujqësore, por jo ama shpërnguljen e punonjësve të bujqësisë drejt qyteteve fqinje. Prodhimet e të lashtave, ullishtave e vreshtave përkonin me tiparet e polikulturës mesdhetare. Nëse Roma furnizohej me grurë të importuar nga Egjipti apo nga Galia dhe nga Afrika, Italia vazhdonte të ushqehej me të korrat që siguronte vetë. Prodhimi i verës u shtri drejt Italisë së Veriut, veçanërisht në shpatin adriatik (Emilie, Picenum). Vaji i Apulies shitej në Perëndim dhe në Greqi në periudhën e fundit të rëpublikës; stafetën e mori më pas vaji i veriut të Adriatikut (Venetia dhe Istria) mes viteve 25 e 50. Rishpërndarjen e këtyre prodhimeve ne drejtim të Italisë së Veriut e të provincave veriore e bënte porti i Akuilesë, kryesisht për nozullimin e ushtrisë së kufijve.

Mbretërimi i Severëve

Pas mbretërimit të Komodit dhe disa muajve anarki, Septim Severi u shpall perandor në vitin 193 pikërisht në Karnunt dhe nga verilindja e Italisë ai shkoi në Romë, ku legjionet danubiane zunë vendin e gardës pretoriane. Dion Kasi, i cili pat qenë guvernator i Dalmacisë dhe i Panonisë, e përshkruan shastisjen e banorëve të Romës përpara pamjes së pagdhendur të atyre ushtarëve të ardhur nga Iliriku.

Gjatë mbretërimit të Septim Severit, veriu i Adriatikut pati një periudhë qetësie, ndërsa në jug, ushtritë që niseshin për luftë kundër partëve ua hipnin anijeve në Brundisi; disa prej tyre shkonin në Azi në rrugë detare, kurse disa të tjera duke ndjekur via Egnatia- n. Një gur miljesh që është zbuluar më 1995 në Apoloni, vërteton riparimin e via Egnatia- s në vitin e njëzetë të mbretërimit të Karakallës (mes dhjetorit 216 dhe prillit 217), me siguri me qëllim që të përgatitej kthimi i perandorit. Por ky i fundit u vra me urdhër të prefektit të tij të Pretorit, Makrinit, më 8 prill 217, ndërsa po shkonte nga Edesa në Karrae, para se të mund të rimerrte, ashtu siç e kishte parashikuar, udhën për në Romë1.

Edikti i Karakallës (Constitutio Antoniniana') i vitit 212 u jepte qytetarinë romake të gjithë të huajve që banonin në territorin e Perandorisë. Pasojat e tij u ndien edhe në brigjet lindore të Adriatikut, ashtu si në pjesën tjetër të Perandorisë: ai e përforcoi unitetin e botës romake, pa i hequr veçoritë lokale.

Një mbishkrim grek i Apolonisë së Ilirisë (nr. 269 i Korpusif) ishte gdhendur për nder të Elagabalit, para se të goditej me çekiç gjatë damnatio memoriae-s [dënimit të kujtimit] të perandorit të vdekur. Ai mund të tregojë se perandori kaloi nga via Egnatia- n, gjatë ardhjes në Romë, ku hyri më 29 shtator 219, por asnjë burim letrar, as Herodiani, as Dion Kasi, as Scriptores HistoriaeAugustae, nuk e përcaktojnë itinerarin e tij. Në një gur miljesh që ruhet në muzeun e Fierit dhe që është gjetur në rrugën bregdetare që lidhte Dyrrahin me Apoloninë, shihet ende emri i Elagabalit, pa qenë goditur me çekiç, por ai i përgjigjet vitit 220, datë e fuqisë së tretë të tribunit dhe e konsullatës së tretë të Elagabalit, pra pas kalimit të perandorit në atë krahinë. Rruga është riparuar atë vit, por pa ardhur perandori në Iliri. Guri është përdorur rishtazi në shekullin IV me emrat e Maksimin Dajas dhe Konstantinit, gjatë kohës kur kanë qenë ende Cezarë. Epigrafia (/(?, X, 2,181) na zbulon gjithashtu se qyteti i Apolonisë, sigurisht si edhe të tjerë, përfshirë edhe qytete në Itali, i administronte keq financat e tij apo i duhej të përballonte taksa të tepruara, aq sa e kishte detyruar perandorin të ndërhynte drejtpërsëdrejti, duke dërguar një kujdestar (logiste) për të ndrequr këtë situatë të keqe. Ky person ishte Titus Aelius Geminius Macedo, me prejardhje nga Thesaloniku.

Perandorët ilirë

Vrasja e Sever Aleksandrit në vitin 235 çeli një periudhë të re për krahinat e Ilirikut, ndërmjet Adriatikut dhe Danubit, të cilat luajtën një rol më të rëndësishëm gjatë gjysmëshekullit të anarkisë ushtarake që kaloi Perandoria, nga viti 235 cleri n*e ardhjen në fron të Dioklecianit, më 284. Ashtu siç kishte ngjarë edhe më parë nëm Mark Aurelin, qendra e Perandorisë dhe selia e perandorit ndodheshin në kufirim danubian. Maksimini qëndroi atje nga viti 236 deri më 238 dhe i bënte ndërhyrjet e tij nga Sirmi, ku kishte shtabin e përgjithshëm. Ai e kishte filluar jetën si bari ne Ballkan dhe Herodiani i cilëson prindërit e tij si mixobarbaroi. Ai u vra ndërsa po mbante nën rrethim Akuilenë, para se të marshonte mbi Romë. Është me interes te vihet re se qyteti i Akuilesë bëri qëndresë të fortë, megjithëse nuk kishte trupa te rregullta ushtarake, por vetëm të rinjtë e qytetit. Herodiani përshkruan, me atë rast„ kufijtë verilindorë të Italisë, Veneti-Istrien, duke e theksuar rëndësinë strategjike e tregtare të portit të Akuilesë: “Edhe në të kaluarën, Akuilea, një qytet shumë i fuqishëm, kishte pasur një popullsi shumë të madhe autoktone. E ndodhur buze detit, ajo luante në njëfarë mënyre rolin e tregut të Italisë. E ndërtuar fare pranë te gjitha provincave të Ilirisë, ajo i furnizonte tregtarët detarë me prodhimet e kontinentit, të cilat i vinin me rrugë tokësore ose lumore. Dhe anasjelltas, u rishpërndante popujve të viseve të brendshme prodhimet që i vinin në rrugë detare dhe për të cilat kontinentalët kishin nevojë, sepse ashpërsia e dimrit i pengonte njerëzit e këtyre viseve që t’i kultivonin. Meqenëse krahina e Akuilesë është mjaft e pasur në vreshta pjellore, ajo u jepte verë me bollëk vendeve ku nuk rritet hardhia. Kështu, pra, në qytet gjendej një turmë e madhe, e përbërë jo vetëm nga qytetarë, por edhe nga të huaj e nga tregtarë. Në kohën për të cilën bëhet fjalë, kjo turmë ishte shumë më e panumërt, sepse e gjithë popullsia e fushave përreth ishte derdhur aty, duke i braktisur qyteza e fshatra dhe duke i zënë besë vetëm madhështisë së qytetit dhe mbrojtjes që i siguronin atij muret rrethuese” (Historia, VIII, 2, 3-4).

Pikërisht Sirmi ishte vendi ku bëheshin perandorët: Trajan Deci (248-251) ishte me prejardhje nga Sirmi dhe luftoi kundër gotëve në Danubin e poshtëm; disa gjeneralë u orvatën të rrëmbenin pushtetin perandorak, si Trebon Gali, më 251, e më vonë Emiliani, Valeriani (253-260) me të birin, Galianin, të cilët e ndanë perandorinë duke ia lënë Lindjen atit dhe Perëndimin birit. Suavët dhe sarmatët kapërcyen Danubin e mesëm në vitet 258-260, Dakia u braktis. Alamanët e vendosur në Gali kaluan Alpet dhe pushtuan Italinë e Veriut deri në Ravenë; Galiani i dërrmoi pranë Milanos. Më 260, Galiani vendosi në Sirm një ushtri me një gjeneral të aftë, Aureolin. Kërcënimi i gotëve u shfaq në detin Egje; Greqia dhe Azia e Vogël u rrënuan. Po në veriun e Adriatikut u vunë njëri kundër tjetrit edhe perandori Galian me Aureolin; Galiani u kthye në Sirm duke kaluar nëpër Akuile dhe Veronë, para se ta rrethonte kundërshtarin e tij në Milano.

Pas tridhjetetri vitesh anarkie ushtarake, situata e qëndrueshme u rivendos pak nga pak nga perandorët me prejardhje nga provincat ilire. Më 269, Klaudi II Gotiku, me prejardhje nga Dardania, korri një fitore të bujshme mbi gotët pranë Naisit. Ai vdiq në Sirm që në vitin që pasoi, duke rënë pre e murtajës. Pas asaj kohe, perandorët erdhën nga ajo krahinë: Aureliani, Probi e, më pas, Diokleciani, Maksimiani, Galeri, Konstantini dhe Valentiniani qenë të gjithë me prejardhje ilire (në kuptimin e gjerë të fjalës). Aureliani (270-275) ishte biri i një fshatari nga rrethinat e Sirmit; gjatë karrierës së tij ushtarake në Danub, ai mori titullin liberator Illyrici. Kur erdhi ai në fron, gjendja ishte serioze në Italinë e Veriut të pushtuar nga jutungët; Aureliani arriti t’i zmbrapste në veri të Alpeve, por pak kohë më vonë ata u dukën rishtas përpara mureve të Akuilesë dhe korrën një sukses pranë Piaçencës. Shkapërderdhja e tyre në çeta që kërkonin të plaçkisnin e lehtësoi operacionin për shkatërrimin e tyre, që u shtri deri në afërsi të Fanum Fortunae, në bregdetin adriatik (më 271).

Edhe Probi (276-282) qe një perandor “ilir”, i lindur në Sirm, bir centurioni. I cilësuar si Restitutor Illyrici mbi monedhat e Siskias, ai i zmbrapsi nga Recia vandalët dhe burgondët që i kanoseshin veriut të Adriatikut. Pasuesi i tij, Karus (282-283), kishte lindur në Naronë.

Krishtërimi në bregun lindor të Adriatikut

Në Salonë, varreza pagane e Manastirinës ka qenë vendvarrimi i martirëve të parë të krishterë, si i ipeshkvit Domnio, i cili është i pari ipeshkëv i Salonës që njihet me siguri. Aty nga fundi i gjysmës së parë të shekullit IV, mundi të ndërtohet një godinë kulti për strehimin e varreve të martirëve, godinë e cila do të bëhej bërthama e bazilikës së varrezave, të ndërtuar rreth mesit të shekullit V. Ipeshkëv Domnio u martirizua në amfiteatrin e Salonës në vitin 304. Varreza e Marusinacit ia detyron famën e saj varrit të martirit Anastasius, po në fillimin e shekullit IV.

Depërtimi i krishtërimit në krahinat e Ilirisë e të Dalmacisë, ashtu si edhe në Italinë Verilindore, është i vështirë të përcaktohet me saktësi në kohë. Tek Letra drejtuar romakëve (15,19), Pali sjell ndër mend se “prej Jeruzalemit e përqark gjer në Iliri ka[m] përmbushur shpalljen e ungjillit të Krishtit”, gjë që duket të ketë kuptimin se mesazhi ungjillor ka mundur ta prekë Ilirinë që nga brezi i parë i apostujve, në mos qoftë që termi “Iliri” shënon këtu cakun e jashtëm të viseve që përshkoi Pali apo shokët e tij. Është e sigurt se via Egnatia përbënte itinerarin e zakonshëm të qarkullimit nga Bizanti, Thesaloniku e deri në brigjet e Adriatikut dhe prej aty drejt Brundisit e Romës. Është e vërtetë se, sipas Veprave të apostujve (27- 28), udhëtimi i Palit drejt Romës ka qenë i tëri detar, nga Cezareja, nëpër Qipro, Kretë, Maltë dhe ngushticën e Mesinës, para se të mbërrinte në Ostia, por rruga tokësore ishte më e shkurtër dhe më e shpejtë, megjithë relievet malore që i duhej të përshkonte. Ka shumë të ngjarë që themeluesit e bashkësisë së krishterë të Lionit, të përndjekur më 177, të kenë ardhur nga Azia e Vogël nëpërmjet Thesalonikut dhe Dyrrahut apo Apolonisë: Atali i Pergamit, Pontiku, Epagathi, Ireneu që ka jetuar në Smirnë pranë ipeshkvit Polikarp, si edhe shokët e tyre. Rrëfimi i përndjekjes në Epir në kohën e perandorit Deci (249-251) është përcjellë vetëm nëpërmjet legjendës së martirizimit të shën Therinit, mbase ipeshkëv i vendit, i cili e provokoi guvernatorin romak Filip dhe pësoi pa u dëmtuar dhunën më të egër në teatrin e Buthrotit, të mbushur plot e përplot me besimtarët e tij2; e shkruar para shekullit X dhe e ruajtur në manastirin e Kutlumusiut në malin Athos, kjo dëshmi natyrisht që nuk duhet marrë fjalë për fjalë, por megjithatë ajo na bën më së paku të besojmë për një depërtim të thellë të krishtërimit në provincën e Epirit në mesin e shekullit III. Bazilika romane e Akuilesë është ndërtuar mbi një kishë të shekullit IV, e cila ka ruajtur disa mozaikë të së njëjtës periudhë.

Ipeshkvi i parë i njohur i Dyrrahut ka qenë Felici më 424, por kjo nuk do të thotë që ai të mos ketë pasur pararendës. Në listat e koncileve, Dyrrahu del më 341, Apolonia dhe Aulona më 458, Bylisi më 548 si zëvendësues i Apolonisë.

Krishtërimi është ndeshur shpesh në Dalmaci me kultin e Mitrës, i cili ishte i ngulitur mirë aty, sidomos në lader (Zadar) dhe në Veneti, por R. Turcan3 nënvizon me të drejtë, në kundërshtim me mendimin e F. Cumont, se kulti perandorak nuk i detyrohet aspak iranizmit e as Lindjes parthike. Sigurisht, lidhjet e mitriakizmit me fenë e sovranit janë të qarta, në rrethet administrative e ushtarake ku rekrutoheshin besimtarët e të dyja kulteve, por këto lidhje nuk janë shkakësore, siç ngulmonte F. Cumont.

Dyndjet e fundit të shekullit IV dhe të fillimit të shekullit V

Shkaku i tyre qe thirrja që u bëri vizigotëve Rufini, i cili e qeveriste Lindjen pranë Arkadit shtatëmbëdhjetëvjeçar. Alariku pushtoi Maqedoninë dhe Greqinë. Stilikoni, i cili drejtonte Perëndimin për llogari të Honorit që ishte vetëm njëmbëdhjetë yjeç, po përpiqej me shumë plogështi që ta ndalte pushtimin, por Arkadi e emëroi Alarikun magister militum per Illyricum në Ilirikun perëndimor, pra në Perandorinë e Perëndimit (më 397). Në vitin 402, Alariku hyri në Italinë e Veriut, por Stilikoni e mundi në Polentia (Pola) dhe e sprapsi në Ilirik. Honori e braktisi Romën për t’u vendosur në Ravenë (më 404). Pas vdekjes së Stilikonit, Alariku marshoi mbi Romë, e cila u plaçkit (më 410). Adriatiku kufizonte tani tokat e pushtuara nga vizigotët, me përjashtim të disa enklavave romake si Ravena. Shkëmbimet vazhdonin të ishin të mundshme, siç vihet re në luftën kundër arianizmit, kur papa Zozimi i shkruante ipeshkvit mitropolit të Salonës, Hezikut. Më 437, Dalmacia kaloi nën pushtetin e Perandorisë së Lindjes. Valentiniani III (423-455) arriti ta pengojë vërshimin e hunëve, në sajë të Aecit, por ata e shkatërruan Akuilenë në vitin 452. Vdekja e Aecit e la Romën në mëshirë të Genserikut e të vandalëve të tij (më 455). Që nga viti 454, Dalmacia u organizua nën autoritetin e Marcelinit, i cili u vendos në Salonë deri sa vdiq më 467; vendi gëzoi një periudhë paqeje relative, nga viti 454 deri në vitin 480. Në jug, ostrogotët u vendosën në Prevalitanë më 459. Në vitin 475, Jul Nepo, nipi i Marcelinit, perandor i shfronëzuar, u strehua në Split, ku u vra më 480. Spliti ka qenë, për katër vite, kryeqyteti i fundit i Perandorisë romake të Perëndimit, ndërkohë që në Romë perandori i fundit, Romul Augustuli, ishte përmbysur nga Odoakri, kreu i trupave ndihmëse barbare.

Në vitin 476, Perandoria e Perëndimit u zhduk për t’ia lënë vendin mbretërisë së Odoakrit dhe të ostrogotëve në Itali. Odoakri e shtriu pushtetin e tij përtej kufijve të Italisë në Dalmaci në vitet 481-482, por ai u përmbys që në vitin 489 nga ostrogotët e Teodorikut, i cili mbeti më 493 zot i vetëm i të dy brigjeve të Adriatikut, që i sundonte nga kryeqyteti i tij, Ravena. Dalmacia qeverisej nga një comes Dalmatiae et Saviae.

Megjithatë, përjashtim bënin krahinat e bregut juglindor, domethënë provincat e Prevalitanës dhe të dy Epireve, të cilat i përkisnin Perandorisë së Lindjes. Kufiri ndërmjet dy zotërimeve kalonte nga Sirmi, pastaj ndiqte rrjedhën e Drinës dhe një vijë që dilte në detin Adriatik diku midis grykës së Kotorrit dhe liqenit të Skodrës.

Duke filluar që nga ndarja e vitit 476, brigjet e Epirit dhe të Ilirisë jugore qenë caqet perëndimore të Perandorisë romake të Lindjes. Via Egnatia e humbi rolin e saj lidhës ndërmjet dy pjesëve të Perandorisë Romake, përderisa bregu italian i Adriatikut u kaloi barbarëve ostrogotë. Porti i Dyrrahut nuk kishtë më aktivitet; sa për Apoloninë, aty jeta dukej se ishte ndalur që në fundin e shekullit IV; qytetin e goditi një tërmet shumë i rëndë në vitin 345, i cili i rrafshoi shumë monumente. Prodhimi i monedhave apoloniate u pakësua shumë pas vitit 375, thuajse sikur qyteti të kishte vuajtur keqas nga dyndjet e gotëve. Jeta aty vazhdoi edhe disa kohë, por ipeshkvia u shpërngul në Bylis, e pastaj në Ballsh para fundit të shekullit V. Në vend që të ishte një urë kalimi ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, Adriatiku, në pjesën jugore të tij, u bë një kufi, deri ditën kur ripushtimi nga ana e Justinianit bëri të mundur vendosjen e lindorëve në Ravenë. Më në veri, pushteti i Teodorikut u shtri në Dalmaci ashtu si edhe në Itali, por lidhjet kalonin më fort në rrugë tokësore në veri të Adriatikut sesa në rrugë detare, që ishin tepër të pasigurta.

Një erë e re po hapej në rolin e Adriatikut. Ndërsa ishte ndodhur në zemër të botës së qytetëruar, si në periudhën greke ashtu edhe nën Perandorinë Romake, ai pati tendencën për t’u kthyer sërish në kufi mes dy botëve, zhvillimi i të cilave prirej drejt largimit nga njëra-tjetra. Dy brigjet e tij u bënë kufij që kishin pak marrëdhënie mes tyre, pavarësisht nga përpjekjet ripushtuese bizantine në drejtim të Perëndimit.

info@balkancultureheritage.com