Dyndjet e fundit të shekullit IV dhe të fillimit të shekullit V
Qyteti antik
~Foustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Roma Mbretërore
~Shaban Dervishi
Republika e hershme
~Shaban Dervishi
Zgjerimet e para të Romës (753 – 350 para Jezu Krishtit)
~Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Arkeologjisë
V
XV
XX
Shqipëria Arkeologjike
~Muzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Në pranverë të vitit 1396
~Oliver Jans Schmitt
Republika detare e Venedikut
~Oliver Jens Schmitt
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Bylisi
~Neritan Ceka, Skënder Muçaj

Dyndjet e fundit të shekullit IV dhe të fillimit të shekullit V

Shkaku i tyre qe thirrja që u bëri vizigotëve Rufini, i cili e qeveriste Lindjen pranë Arkadit shtatëmbëdhjetëvjeçar. Alariku pushtoi Maqedoninë dhe Greqinë. Stilikoni, i cili drejtonte Perëndimin për llogari të Honorit që ishte vetëm njëmbëdhjetë yjeç, po përpiqej me shumë plogështi që ta ndalte pushtimin, por Arkadi e emëroi Alarikun magister militum per Illyricum në Ilirikun perëndimor, pra në Perandorinë e Perëndimit (më 397). Në vitin 402, Alariku hyri në Italinë e Veriut, por Stilikoni e mundi në Polentia (Pola) dhe e sprapsi në Ilirik. Honori e braktisi Romën për t’u vendosur në Ravenë (më 404). Pas vdekjes së Stilikonit, Alariku marshoi mbi Romë, e cila u plaçkit (më 410). Adriatiku kufizonte tani tokat e pushtuara nga vizigotët, me përjashtim të disa enklavave romake si Ravena. Shkëmbimet vazhdonin të ishin të mundshme, siç vihet re në luftën kundër arianizmit, kur papa Zozimi i shkruante ipeshkvit mitropolit të Salonës, Hezikut. Më 437, Dalmacia kaloi nën pushtetin e Perandorisë së Lindjes. Valentiniani III (423-455) arriti ta pengojë vërshimin e hunëve, në sajë të Aecit, por ata e shkatërruan Akuilenë në vitin 452. Vdekja e Aecit e la Romën në mëshirë të Genserikut e të vandalëve të tij (më 455). Që nga viti 454, Dalmacia u organizua nën autoritetin e Marcelinit, i cili u vendos në Salonë deri sa vdiq më 467; vendi gëzoi një periudhë paqeje relative, nga viti 454 deri në vitin 480. Në jug, ostrogotët u vendosën në Prevalitanë më 459. Në vitin 475, Jul Nepo, nipi i Marcelinit, perandor i shfronëzuar, u strehua në Split, ku u vra më 480. Spliti ka qenë, për katër vite, kryeqyteti i fundit i Perandorisë romake të Perëndimit, ndërkohë që në Romë perandori i fundit, Romul Augustuli, ishte përmbysur nga Odoakri, kreu i trupave ndihmëse barbare.

Në vitin 476, Perandoria e Perëndimit u zhduk për t’ia lënë vendin mbretërisë së Odoakrit dhe të ostrogotëve në Itali. Odoakri e shtriu pushtetin e tij përtej kufijve të Italisë në Dalmaci në vitet 481-482, por ai u përmbys që në vitin 489 nga ostrogotët e Teodorikut, i cili mbeti më 493 zot i vetëm i të dy brigjeve të Adriatikut, që i sundonte nga kryeqyteti i tij, Ravena. Dalmacia qeverisej nga një comes Dalmatiae et Saviae.

Megjithatë, përjashtim bënin krahinat e bregut juglindor, domethënë provincat e Prevalitanës dhe të dy Epireve, të cilat i përkisnin Perandorisë së Lindjes. Kufiri ndërmjet dy zotërimeve kalonte nga Sirmi, pastaj ndiqte rrjedhën e Drinës dhe një vijë që dilte në detin Adriatik diku midis grykës së Kotorrit dhe liqenit të Skodrës.

Duke filluar që nga ndarja e vitit 476, brigjet e Epirit dhe të Ilirisë jugore qenë caqet perëndimore të Perandorisë romake të Lindjes. Via Egnatia e humbi rolin e saj lidhës ndërmjet dy pjesëve të Perandorisë Romake, përderisa bregu italian i Adriatikut u kaloi barbarëve ostrogotë. Porti i Dyrrahut nuk kishtë më aktivitet; sa për Apoloninë, aty jeta dukej se ishte ndalur që në fundin e shekullit IV; qytetin e goditi një tërmet shumë i rëndë në vitin 345, i cili i rrafshoi shumë monumente. Prodhimi i monedhave apoloniate u pakësua shumë pas vitit 375, thuajse sikur qyteti të kishte vuajtur keqas nga dyndjet e gotëve. Jeta aty vazhdoi edhe disa kohë, por ipeshkvia u shpërngul në Bylis, e pastaj në Ballsh para fundit të shekullit V. Në vend që të ishte një urë kalimi ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, Adriatiku, në pjesën jugore të tij, u bë një kufi, deri ditën kur ripushtimi nga ana e Justinianit bëri të mundur vendosjen e lindorëve në Ravenë. Më në veri, pushteti i Teodorikut u shtri në Dalmaci ashtu si edhe në Itali, por lidhjet kalonin më fort në rrugë tokësore në veri të Adriatikut sesa në rrugë detare, që ishin tepër të pasigurta.

Një erë e re po hapej në rolin e Adriatikut. Ndërsa ishte ndodhur në zemër të botës së qytetëruar, si në periudhën greke ashtu edhe nën Perandorinë Romake, ai pati tendencën për t’u kthyer sërish në kufi mes dy botëve, zhvillimi i të cilave prirej drejt largimit nga njëra-tjetra. Dy brigjet e tij u bënë kufij që kishin pak marrëdhënie mes tyre, pavarësisht nga përpjekjet ripushtuese bizantine në drejtim të Perëndimit.

info@balkancultureheritage.com