Pjesë të një tempulli të arkaikut të mesëm (shek. VI p.e.s.), janë zbuluar dhe në Dyrrah. Tempulli i ka pasur një strukturë druri të veshur me terakota. Prej saj janë zbuluar antefikse me kore, një gejzon me luan dhe një maskë Gorgone. Antefiksi me kreun e Kores, identik si ekspresion dhe krehje me Kurosin e Teneas ( 560 p.e.s.),ka përmasa paksa më të mëdha se natyralja. Flokët, vetullat dhe sytë e saj janë pikturuara me ngjyrë manushaqe- të zezë ndërsa buzët me të kuqe. Stefana në krye, rast ky i rrallë, është pikturuar po me manushaqe të errët si motivi i meandrës.
Për nga shikimi, nxjerrja e gjuhës dhe ngërdheshja, kreu i Gorgonas i Dyrrahut është i ngjashëm me gorgonën e Sirakuzës të viteve 570-550 p.e.s. Këto e datojnë edhe tempullin e Durrësit në çerekun e dytë të shek. VI p.e.s., duke e renditur ndër tempujt më të vjetër arkaikë.