Emin Riza, Thanas Kamberi - Kullat në fshatin Goranxi
Qyteti antik
~Foustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Zgjerimet e para të Romës (753 – 350 para Jezu Krishtit)
~Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Arkeologjisë
V
XV
XX
Shqipëria Arkeologjike
~Muzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Në pranverë të vitit 1396
~Oliver Jans Schmitt
Republika detare e Venedikut
~Oliver Jens Schmitt
Bylisi
~Neritan Ceka, Skënder Muçaj

Emin Riza, Thanas Kamberi - Kullat në fshatin Goranxi

Në fshatin Goranxi, që gjëndet rreth 10 km. në jug lindje të qytetit të Gjirokastrës, qëndrojnë ende më këmbë disa ekzemplarë ndërtimesh të vjetëra mbrojtëse, që fshatarët i quajnë «kulla», madje dhe vetë fshati në të kaluarën thirrej me emrin «Kulla Goranxi».

Goranxia, e ndërtuar në rrëzë të Malit të Gjerë, ashtu si shumë fshatra të tjerë të kësaj zone, ka përpara fushën pjellore të Dropullit. Koha e ndërtimit të fshatit nuk dihet, në regjistrin e Sanxhakut të Shqipërisë të vitit 1432, përmenden dy Goranxi: Ashagi Koranxhi (Goranxia e Sipërme) dhe Jukari Koranxhi (Goranxia e Poshtme). Ne mondojmë se fshati Goranxi, kullat e të cilit janë objekt i kësaj kumtese, duhen identifikuar me Goranxinë e Sipërme të Defterit turk.

Në këtë fshat sot numërohen rreth 25 kulla, prej të cilave vetëm 3 janë në gjëndjen e tyre origjinale, ndërsa të tjerat janë adaptuar pjesërisht ose tërësisht. Në fshatrat Haskovë dhe Sofratikë ka nga një ekzemplar të adaptuar, ndërsa në fshatin Derviçian ka dy të tillë gjithashtu të adaptuar për banim.

Në këtë kumtesë jemi mbështetur kryesisht në tre ekzemplarë që ruhen në gjëndje të mirë në Goranxi, duke pasur parasysh dhe kullat e adaptuara më vonë.

Kullat (fig. 1), me planimetri katërkëndëshi këndrejtë, janë vendosur të gjitha me ballin e gjerë nga fusha, ato janë ndërtuar krejtësisht me gurë e mbuluar me rrasa guri. Volumi i tyre prizmatik lidhet natyrshëm me ambjentin e çveshur shkëmbor. Nuk ka gjurmë që të tregojë në se ka pasur mure rrethuese ose ndërtime ndihmëse. Banesat e fshatit janë të tipit me gjysmë kat, të ndërtuara me gurë. Ato janë më të vona se kullat dhe duhet të kenë filluar të zëvëndësojnë banesën shumë të thjeshtë të çifçinjve aty nga mesi I shek. XIX.

Kuilat janë zakonisht trekatëshe (sipas njehsimit popullor), por gjënden dhe kulla katërkatëshe, ku ndërlidhja në mes kateve sigurohet me anë shkallësh të brendshme; ato që lidhin katin e parë me të dytin janë ndërtuar prej guri, ndërsa ato që të çojnë në katin e tretë janë zakonisht prej druri. Hyrja e vetme për në kullë, në shumicën e rasteve ndërtohet në ballin e gjerë të saj, por disa herë ajo ndërtohet në ballin e ngushtë. Hyrja mbulohet nga një hark gjysmë-rrethor pak më të thelluar se faqja e muraturës. Dora njëkanatëshe ndërtohet me dru të fortë dhe sigurohet me katarah. Pranë derës nuk duken frengji. Por në shumë kulla mbi hyrjen, në katin e tretë, ndërtohet një dritare e vogël e cila, siç duket, ka shërbyer për të vrojtuar dhe mbrojtur hyrjen për në kullë (fig. 2).

Kati i parë ndahet në dy pjesë nga një mur i tërthortë. Në pjesën e parë janë ndërtuar shkallët e gurta, pjesa tjetër është ambienti i vetëm i katit të parë, i cili shërbente si depo prodhimesh bujqësore dhe, me shumë gjasë, edhe për strehimin e kafshëve të ngarkesës. Ky ambient, ashtu si dhe pjesa e parahyrjes, ndriçohet nga dritare në formë frengjie që shohin nga fusha. Muri i tërthortë vazhdon dhe në katin e dytë, i cili ka të njëjtën vendosje ambientesh si të katit të parë. Ambienti i vetëm i katit të dytë ka shërbyer gjithashtu për depo prodhimesh bujqësore. Ai 'ndriçohet nga dritare në formë frengjie, të cilat ndonjë herë janë ndërtuar dhe në ballin e ngushtë, por përveç tyre, gjejmë dhe dritare të zakonshme me përmasa shumë të vogla. Kati i tretë ka qënë i banueshëm, ai formohet nga dy ambiente. Nuk jemi të sigurtë nëse këto ndaheshin me ndonjë ndarje të lehtë, siç është gjëndja sot në kullën Nr. 1 (tab. I), por jemi të prirur të mendojmë se kjo ndarje ka qenë ndërtuar së bashku me kullën për shkak se funksionet e ndryshme të këtyre dy ambienteve, njëri për qendrim e tjetri për gatim, e kërkojnë një zgjidhje të tillë. Kati i tretë është me lartësi rreth 2,80 m, pra rreth 1 metër më i lartë se dy të parët. Ai ndriçohet nga dritare jo të mëdha që mbulohen zakonisht me hark. Ambienti i banimit nuk ka oxhak; në muret e tij gjen të ndërtuara kamare. Afër ballit, nga faqja që sheh në fushë, duken qartë gjurmët e një lloj çardaku të vogël, i cili dilte jashtë kontureve të planimetrisë (fig. 3). Sipas pohimeve të banorëve, ai ishte i veshur me dërrasa dhe mbulohej nga zgjatimi i flegrës së çatisë. Pranë derës së ngushtë që lidh çardakun me kullën ndërtohen gjithmonë dy kamare pranë njëra tjetrës. Ky çardak i mbyllur duhet të ketë pasë funksionin e qoshkut. Ambienti tjetër ka shërbyer për gatim. Në të gjejmë një lloj oxhaku i cili, për mendimin tonë, është një fazë kalimtare drejt ndërtimit të oxhakut me tymar. Ky vend zjarri pa tymar është vendosur në mesin e faqes ballore të ambientit të gatimit. Ai formohet nga dy kamare të vendosura njëra mbi tjetrën në thellësi të muraturës nga të cilat e poshtmja është vëndi i zjarrit. Në kullën Nr. 1 (tab. I), vëndi i zjarrit formohet nga tri pllaka guri të vendosura dy anash dhe e treta sipër tyre jashtë muraturës. Në faqen përbri vëndit të zjarrit janë të ndërtuar një ose dy policë (sergjen) guri, si dhe kamare. Në kullën Nr. 2, në dy qosnet e faqes ballore, në lartësi rreth 1.6m, gjejmë dy gropëza që mund të kenë qenë përdorur për vendosjen e pishtarëve të ndriçimit. Ambienti ndriçohet zakonisht nga një dritare e vogël që sheh nga fusha. Në faqen që sheh nga mali ndërtohet një sqoll për derdhjen e ujrave. Gjithashtu në këtë faqe janë ndërtuar dhe kamare. Ndërsa shtresa e ambientit të banimit është me dërrasa të vendosura mbi trarë, ambienti i gatimit është i shtruar me pllaka guri të cilat janë vendosur mbi shtresën e dërrasave; në pjesën ku ndizet zjarri mbi pllakat është hedhur një shtresë me baltë të punuar. Të dy ambientet e katit të tretë janë pa tavan.

Në kullat e Goranxisë të bie në sy çardaku i vogël i mbyllur, i cili ka shumë paralele me të njejtin element arkitektonik në kullën e Moglicës, me tipin e vjetër të banesës së Matit dhe me banesën e Çermenikës, Dibrës dhe Malësisë së Tiranës. Kulla e Moglicës (fig. 4), ruante një fragment të çardakut origjinal të ndërtuar me dru mbi zgjatimin e trarëve të dyshemesë, pjesa tjetër, e mbyllur më vonë sipas shënjash të qarta, tregon se ka qenë gjithashtu pjesë e çardakut të mbyllur. M. Urbani vëren me të drejtë «se ballkoni prej druri», siç shprehet ai, «tregon se kulla është tepër e vjetër, por ne mendojmë se është i ekzagjeruar mendimi se ajo ka një lashtësi rreth 400 vjeçare. Çardaku i kullave të Goranxisë në formën dhe teknikën e ndërtimit është i njëjtë me ata të përmëndur më sipër, por ai ka dhe një ndryshim me rëndësi nga këta çardakë, se ambienti i katit të tretë në kullat e Goranxisë nuk është i bashkuar me çardakun, por vetëm lidhet me të me anë të një dere të ngushtë.

Kullat e Goranxisë ja-në ndërtuar krejtësisht me muraturë të thatë guri të papunuar dhe pa breza druri, teknikë mjaft primitive që, me sa dimë, nuk është hasur në asnjë kullë të vëndit tonë.

Guri i shtrezuar në formë pllakash i nxjerrë në vënd, ka bërë të mundur që rreshtat të jenë hori-zontalë dhe muratura të lidhet mjaft mirë dhe në drejtimin tërthor, mbasi pllakat giithmonë kalojnë gjysmën e trashësisë së muraturës. Terreni shkëmbor, mbi të cilin ngrihet direkt muratura dhe punimi i mirë i saj, megjithëse pa përdorur asnjë lidhës, ka bërë që muratura të jetë shumë solide. Në gjëndjen e sotme nuk shohim as plasje as ndonjë deformim tjetër të saj. Themeli i kullave është i cekët për shkak të terrenit shkëmbor dhe shpesh muratura ngrihet mbi shkëmbin e sheshuar. Muratura, që zakonisht fillon në katin e parë me trashësi 90-100 cm, ngushtohet mbas çdo kati 10-12 cm, duke arritur në katin e fundit rreth 70 cm. trashësi. Në muraturë duken shënja të trarëve të skelave të vendosur mesatarisht çdo 80 cm për shkak të peshës së rëndë të gurëve. Kjo teknikë e thatë dhe pa breza druri e muraturës ndryshon nga ajo e banesave gjirokastrite të ndërtuara me të njejtin gur shtresor, se në Gjirokastër përdoret lidhësi në faqen anësore të muraturës dhe muratura lidhet me breza druri.

Çatia e kullave është gjithmonë dy ujshe, me kallkan guri, i cili është vazhdimi i muraturës në dy faqet e ngushta. Konstruksioni i çatisë është ndërtuar me lëndë, në formë stropili, ajo mbulohet me rrasa guri. Strehët shumë të vogla formohon nga zgjatimi i dy pllakave të mbulesës. Dyshemetë, me përjashtim të katit të parë, janë të ndërtuara me dërrasa të vendosura mbi trarë, ndërsa vetëm ambienti i gatimit ka dhe një shtresë me pllaka mbi të. Ambientet janë. suvatuar me një shtresë llaç balte të lidhur me kashtë. Për mbulimin e hapësirave të dyerve të jashtme dhe të dritareve janë përdorur gjerësisht qemeret e punuara me gurë, të cilët, duke u trajtuar më thellë se muratura, janë të vetmit elementë arkitektonikë të punuar me përkujdesje estetike te këto godina, ku utilitarizmi shprehet në format e veta më të qarta.

Tre janë materialet ndërtimore të këtyre kullave: guri, druri dhe balta, dhe që të tre këta ndodhen në vëndin e ndërtimit, mbasi në të kaluarën zona mbi fshat ishte e pyllëzuar.

Siç përmëndëm më sipër, në fshatin Goranxi ruhen në gjendje relativisht të mirë tri kulla, të cilat dhe i kemi paraqitur grafikisht, kulla Nr. 1 (tab. I), Nr. 2 (tab. II), dhe Nr. 3 (tab. lll).

Kulla Nr. 1 (tab. I), së cilës i kemi bërë dhe një rikonstruksion, ruhet në gjëndje të mirë, ajo ka pësuar vetëm një meremetim të vogël të çatisë, gjatë së cilës njeri kallkan është rrëzuar dhe në vënd të- tij është ndërtuar një flegër. Çardaku i mbyllur është shkatërruar krejtësisht duke lënë qartë gjurmët e trarëve të dyshemesë dhe vendet e mbështetjes së pajantave që përforconin dyshemenë. Në dallim nga dy kullat e tjera, hyrja kryesore nuk mbulohet me hark por me një arkitra druri. Kulia Nr. 2 (tab. II) me hyrje kryesore nga balli i gjerë, ruhet në gjëndjen origjinale; asaj i është shkaktërruar vetëm çardaku i cili, duke qënë ndërtuar krejtësisht prej druri, nuk i ka qëndruar kohës. Në këtë kullë ruhet mirë ambienti i gatimit në 'katin e tretë. Kulla Nr. 3 është më e dëmtuara, asaj i mungojnë dyshemetë dhe shkallët, të cilat mendojmë të kenë qënë ashtu siç i paraqesim në Tab. III (fig. 5).

Kullat e Goranxisë janë ndërtime ku spikat qartë kompozimi vertikal, planimetria e tyre në formë katërkëndëshi këndrejtë, në dallim nga planimetria tradicionale afër katrorit e kullës, duhet shpjeguar me nevojën për rritjen e sipërfaqes, nevojë që diktohej nga fakti se këto ndërtime ishin dhe depo të prodhimeve bujqësore. I njëjti funksion ka influencuar në vendosjen e kullave paralel me vijat rrushkulluese, në dellim nga banesat e ndërtuara në Goranxi dhe në shumë fshatra e qytete të Shqipërisë të ndërtuar në terren të pjerrët, ku banesa vendoset me ballin e ngushtë në kontakt me terrenin.

Kullat nuk janë të pajisura me frëngji, dritaret në formë frengjije të katit të parë dhe të dytë kanë vetëm funksione ndriçimi, ashtu si në shumicën e banesave të malësisë të Shqipërisë së jugut. Por ngritja në lartësi, shkallët e mbrendshme, mungesa e dritareve në të dy katet e parë flasin qartë për tiparet mbrojtëse të kullës, e cila është një ndërtim ku mund t'a ndjesh veten të sigurtë nga çdo sulm. Mungesa e frengjive të luftimit, të cilat, siç dihet, në kullat ndërtohen zakonisht anës hyrjes dhe në katet e sipërme, ndofta duhet shpjeguar me përhapjen e pakët të armëve të zjarrit në kohën e ndërtimit të tyre. Në kullat e Goranxisë të bie në sy një primitivizëm i theksuar i cili shprehet si në zgjidhjen funksionale, ashtu dhe në teknikën e ndërtimit dhe në varfërinë e madhe të ambienteve, madje dhe ato të banimit janë pa tavan dhe pa asnjë element dekorativ, sado të thjeshtë qofshin. Pamjet e jashtme të kullave janë tepër të oshpra dhe të thata, dritaret e vogla të katit të tretë thyejnë shumë lehtë ftohtësinë dhe lakonizmin e theksuar të këtyre ndërtimeve të rënda e të zymta.

Kullat e Goranxisë tregojnë qartë se nuk kanë shërbyer si banesa, mungesa e komoditetit minimal në katin e tretë e sidomos, mungesa e vendit të zjarrit në ambientin e banueshëm tregon se këto ndërtime nuk kanë shërbyer për qëndrim gjatë dimrit. Kullat e Goranxisë kanë sherbyer jo si banesa, por si depo dhe vëndqëndrim provizor për çifligarët, pronarë të tokave të fushës së Dropullit, të cilët gjatë verës dhe, posaçërisht gjatë kohës së mbledhjes së prodhimeve bujqësore qëndronin aty për të përvetësuar sa më shumë nga shfrytëzimi i punës së fshatarëve çifçinj.

Siç thamë më sipër, në Goranxi ekzistojnë gjurmët e rreth 25 kullave, numur ky shumë i madh, por siç pohojnë dhe vëndasit, Goranxia është kërthiza e fushës së Dropullit, prandaj këtu ishte grumbulluar dhe shumica e kullave. Megjithatë ky grumbullim pret një shpjegim në të ardhmen. Siç dihet sistemi i çifligut filloi të çfaqej që në shek. XVII, por në shek. e XVIII ai përhapet gjerësisht në Shqipëri. Me këtë sistem të ri të shfrytëzimit feudal të fshatarësisë janë të lidhura dhe kullat në shqyrtim Feudali kishte nevojë për një strehim të bollshëm për grumbullimin e prodhimit bujqësor, nga ana tjetër ky strehim duhej të ish i sigurtë jo vetëm për të ruajtur prodhimet bujqësore, por edhe jetën e vetë çifligarit në një ambient thellësisht armiqësor siç ishte ai i çifçinjve të shfrytëzuar. Pra, këto ndërtime, që me të drejtë quhen «kulla» për shkak të karakterit mbrojtës të tyre dhe të zhvillimit në lartësi, formojnë një klasë më vete në radhën e ndërtimeve mbrojtëse që thirren me të njëjtin emër.

Kullct e Goranxisë i kanë ndërtuar çifligarët që banonin në Gjirokastër, të cilëve, siç shkruan Hani, u përkasin të gjithë fshatrat e fushës. Për kullat e çifligarëve në fshatrat çifliqe, Hani na jep të dhëna me interes. Ai shkruan se te tilla ndërtime gjënden në të gjithë gadishullin në fshatrat që janë çifliqe bejlerësh-. Duke bërë një përshkrim të shkurtër të tyre, ky autor na thotë se hyrja në këto kulla ndërtohej në katin e dytë, te kjo hyrje mund të afroheshe me anën e një ure të lëvizëshme që mbështetej mbi një shkallë 5-6 këmbë larg kullës. Në Goranxi ne nuk gjetëm ndonjë hyrje të tillë.

Në disa fshatra të Metohisë kullat e para i ndërtuan bejlerët në çifliqet e tyre për të kontrolluar punën e çifqinjve si dhe për pushim në verë. Sasia e këtyre kullave ka qënë e madhe, dhe shumë prej tyre gjënden dhe sot në Grobovac, Gllavinicë, Leshan, Jabllanicë, Dugojevë, etj. Këto kulla për nga funksioni janë të njëjta me kullat tona.

Ne nuk kemi ndonjë element datues të sigurtë për të dhënë një mendim të saktë mbi kohën e ndërtimit të këtyre kullave, por disa rrethana të tërthorta, si përhapja e gjerë e sistemit të çifliqeve në zonën e Dropullit dhe teknika e tyre tepër e thjeshtë, na shtyn të mendojmë se këto ndërtime ka të ngjarë, të jenë të paktën aty nga mesi i shek. XVIII, e ndoshta aty nga fundi i shek. XVII.

Kompozimi pothuaj identik i këtyre kullave, elementet e njëjtë funksionalë, teknikë dhe arkitektonikë na shtyjnë të mendojmë se ndërtimi i tyre duhet të jetë bërë brënda një kohe relativisht jo të gjatë.

Në këtë fshat gjëndet dhe një ekzempiar kulle disi më i komplikuar i cili duhet parë si rast i veçantë. Kullat e Goranxisë duken qartë se janë ndërtuar nga mjeshtra profesionistë, të cilët sigurisht kanë qënë ata të krahinës së Kolonjës dhe të Dangëllisë që tradicionalisht ndërtonin në këto zona. Ne deri më sot nuk dimë të kenë mbetur në vendin tonë ekzemplare kullash me funksionet e atyre të Goranxisë. Por, sigurisht ndërtime të tilla duhet të kenë ekzistuar dhe në rajone të tjera të vendit tonë. Kështu kullat e familjes çifligare të Toplanasve në çiflikun e Laprakës u dogjën nga kryengritësit fshatarë më 1914.

Kullat e Goranxisë vinë të shtojnë dhe një lloj tjetër në kategorinë e ndërtimeve mbrojtëse që thirren me emrin e përbashkët «kullë» e që i gjejmë të ndërtuara në vendin tonë që prej kohësh shumë të lashta, si kulla për qëllime vrojtimi e mbrojtjeje, kulla si banesa të fortifikuara, kulla për mbrojtje pasive në banesa e manastire. Sistemi feudal me copëtimin ekonomik e politik, rivalitetin dhe pasigurinë ishte kushti themelor i domosdoshëm për përhapjen e këtyre ndërtimeve të cilat, në formën e kullave të kalave dhe atyre të veçuara, njiheshin dhe përpora formacionit feudal të shoqërisë. Ekzistenca në vendin tonë e ndërtimeve mbrojtëse të tipit kullë që prej kohësh shumë të lashta, dhe larmia e llojeve të tyre në përputhje me funksionin që kryenin në etapa të ndryshme historike e bën të pargumentuar çdo përpjekje për t’i parë disa lloje të ndërtimeve kullë në vendin tonë si huazime.

info@balkancultureheritage.com