Historia e Romulit dhe Remit është intriguese, habitëse dhe jashtëzakonisht shprehëse për shqetësimet e mëdha të romakëve, së paku për shqetësimet e elitës. Dhe, nëse gjykojmë nga dizajnet e monedhave apo temave të artit popullor, dijenia mbi këto rrëfenja ishte e gjithëpërhapur - edhe pse fshatarët e uritur nuk kalonin shumë kohë duke u shqetësuar mbi hollësirat e përdhunimit të sabineve. Por komplikimi shtesë në panoramën sakaq komplekse të legjendës së origjinës së Romës, është se historia e Romulit dhe Remit nuk është rrëfenja e vetme e themelimit të qytetit. Ka shumë rrëfenja të tjera që ekzistuan paralelisht. Këto përfshijnë variante me ndryshime të vogla në temat standarde, si dhe altemativa që ne na duken haptazi idiosikratike. Një ide greke, për shembull, sjell të njohurin Odise dhe jehonën e Odiseas së Homerit në këtë rrëfim, duke sugjeruar se themeluesi i vërtetë i Romës ishte një burrë i quajtur Romus, i cili ishte rezultat i marrëdhënies së Odiseut me magjistricën Circe, ishulli magjik i së cilës shpesh imagjinohej se gjendej menjëherë jashtë brigjeve të Italisë. Kjo ishte një copë e pastër dhe shumë e pagjasë, e imperializmit kulturor e cila i jepte Romës prindër grekë.
11. Një mozaik i shekullit të katërt të e.s., nga dyshemeja e një kompleksi banjash në Vilën Romake Lou Ham në jug të Anglisë, i cili ishte dekoruar me një seri skenash nga Eneida e Virgjilit: Enea mbërrin në Kartagjenë; Dido dhe Enea janë duke gjuajtur dhe këtu pasioni i mbretëreshës kartagjenase dhe heroit të Trojës jepet e paraqitur aq përmbledhtazi sa mundet
Legjenda tjetër që u mishërua po aq fort në historinë e Romës dhe letërsisë, është historia e heroit trojan, Enea, i cili shpëtoi nga qyteti i Trojës pas luftës mitike mes grekëve e trojanëve dhe që përbën temën e Iliadës së Homerit. Pasi mori djalin e vet për dore, ndërkohë që mbante babanë e tij të moshuar nga rrënojat në flakë, ai në fund udhëtoi për në Itali, ku fati i tij ishte që të rithemelonte qytetin e tij të lindjes në tokë të Italisë. Ai solli me vete traditat e atdheut të tij dhe madje edhe disa hajmali të shpëtuara nga shkatërrimi.
Ka po aq mistere, probleme dhe ambiguitete në këtë rrëfenjë sa edhe me përrallën e Romulit, dhe pyetje të pazgjidhura mbi atë se ku, kur dhe pse u krijua ajo. Këto bëhen edhe më të komplikuara, si dhe jashtëzakonisht të pasuruara, falë Eneidës, poemës madhështore në dymbëdhjetë libra të Virgjilit mbi këtë temë, shkruar gjatë sundimit të perandorit të parë romak, Augustit, dhe një nga librat më të lexuar të letërsisë që nga ajo kohë. Kjo është bërë vetë historia e Eneas. Dhe ajo i ka lënë trashëgimi botës perëndimore disa nga kulmet më të fuqishme letrare dhe artistike, përfshirë historinë tragjike të dashurisë së Eneas me Didon, mbretëreshën e Kartagjenës, si dhe në çfarë vendi në Itali del në breg Enea pas udhëtimit të tij nga Troja (në brigjet e Turqisë modeme). Kur Enea vendos të ndjekë fatin e tij dhe të ikë për në Itali, duke braktisur Didon, ajo kryen vetëvrasje duke e hedhur veten në një turrë drurësh në flakë. ‘Më kujto mua, më kujto mua’, vijon aria e saj përndjekëse në versionin operistik të shekullit të shtatëmbëdhjetë nga Henry Purcell. Problemi qëndron se është shpesh e vështirë të dish se cilat elemente të historisë ne i kemi nga Virgjili (duke përfshirë pothuajse me siguri shumicën e historisë me Didon) dhe cilat janë pjesë më tradicionale të rrëfenjës.
Nuk ka dyshim që figura e Eneas si themelues i Romës shfaqet në letërsi - dhe ka lënë gjurmët në peizazh - shumë më herët sesa shekulli i parë p.e.s. Për këtë rol të tij ka referenca kalimtare mes shkrimtarëve grekë të shekullit të pestë p.e.s.; dhe në shekullin e dytë p.e.s, ambasadorët nga ishulli grek i Delosit kur po bënin thirrje për një aleancë me Romën duket se janë kujdesur t’u rikujtonin romakëve, si pjesë e lidhjes me ta, se Enea pati ndaluar në Delos gjatë udhëtimit të tij drejt Perëndimit. Në Itali, Dionisi i Halikarnasit ishte i bindur se ai vetë kishte parë varrin e Eneas ose së paku një memorial të lashtë për të në qytezën e Laviniumit, jo shumë larg Romës: ‘ia vlen ta shohësh’, sugjeroi ai. Kishte gjithashtu një tregim popullor se mes objekteve të çmuara të mbajtura në tempullin e perëndeshës Vesta në Forumin e Romës - ku priftëreshat e virgjëra, si Rhea Silvia e legjendës së Romulit, ruanin flakën e shenjtë që supozohej se nuk duhej të fikej kurrë -ishte vetë statuja e perëndeshës Palas Atena që Enea e pati sjellë me vete nga Troja. Ose së paku kështu e tregonte një rrëfenjë romake. Kishte kandidatë të ndryshëm si pretendentë për shpëtimin e kësaj statuje të famshme dhe shumë qytete në të gjithë botën greke pretendonin se zotëronin atë origjinalen.
Nuk ka nevojë ta themi se historia e Eneas është po aq mit sa edhe historia e Romulit. Por shkollarët romakë çuditeshin nga marrëdhënia mes këtyre dy legjendave themeluese dhe energji të mëdha në përpjekje për t’i përshtatur ato me rreshtimin historik të ngjarjeve. A ishte Romuli djalë ose ndoshta nip i Eneas? Dhe nëse Romuli pati themeluar Romën, simundej që edhe vetë Enea të bënte të njëjtën gjë? Veshtirësia më e madhe ishte se kishte një hendek të madh mes shekullit të tetë p.e.s., data që romakët e përcaktuan si origjinë të qytetit të tyre dhe shekullit të dymbëdhjetë p.e.s., periudhë që ata zakonisht e shihnin si koha e rënies së Trojës (rënie që ishte marrë gjithashtu si ngjarje historike). Nga fundi i shekullit të parë p.e.s., një lloj koherence u arrit duke konstruktuar një pemë familjare të komplikuar, e cila lidhte Enean dhe Romulin, si dhe datat e sakta’: Enea filloi të shihej si themelues, jo i Romës, por i Laviniumit; djali i tij Askanius thuhet se pati themeluar Alba Longa - qytetin nga i cili Romuli dhe Remi u përzunë më vonë para se ata të themelonin Romën; dhe një dinasti e mbretërve Albanë hapur e sajuar, u konstruktua për të mbushur hendekun mes Askaniusit dhe datës magjike 753 p.e.s, e cila edhe për nga standardet romake ishte imagjinare dhe e turbullt. Ky është versioni që mbështet edhe Livi.
Pretendimi qendror i rrëfenjës së Eneas është që ajo i bën jehonë apo ekzagjeron, temën e nënvijëzuar të azilit të Romulit. Ndërsa Romuli mikpriti të gjithë të ardhurit në qytetin e tij, historia e Eneas shkon edhe më larg, duke pretenduar se ‘romakët’ në të vërtetë kishin për origjinë ‘të huajt’. Ky është një paradoks identiteti kombëtar, i cili qëndron në kontrast të fortë me mitet themeluese të shumë qyteteve greke, të tilla si Athina, të cilët panë popullsinë e tyre origjinale që rridhte në mënyrë të mrekullueshme nga vetë toka e tyre e lindjes. Dhe variante të tjera të origjinës së Romës theksojnë në mënyrë të përsëritur të qenët të huaj. Në fakt, në një nga episodet e Eneidës, heroi viziton vendin e qytetit të ardhshëm të Romës dhe gjen se ai sakaq është i banuar nga paraardhësit primitivë të romakëve. Dhe cilët janë ata? Ata janë një grup banorësh nën udhëheqjen e njëfarë Mbreti Evander, një i arratisur nga toka e Arkadias në Peloponezin grek. Mesazhi është i qartë: sado pas të shkosh, banorët e Romës qenë sakaq nga diku gjetkë.
Ky mesazh përmblidhet qartë dhe saktë në këtë etimologji të çuditshme të regjistruar nga Dionisi dhe disa të tjerë. Intelektualët grekë dhe romakë qenë të magjepsur nga derivatet e fjalëve dhe ata qenë të bindur se këto derivate përmbanin çelësin jo vetëm për origjinën e fjalës, por edhe mbi kuptimin e saj thelbësor. Ata qenë në disa raste të saktë në analizat e tyre dhe në disa raste të tjera, në mënyrë ekstravagante të gabuar. Gabimet e tyre janë shpesh domethënëse, siç është ky rast. Dionisi, në një pikë të hershme të historisë së tij, reflekton mbi një grup tjetër edhe më primitiv mes banorëve të vendit që u bë Romë: Aborigjenët. Origjina e kësaj fjale duhej të ishte verbazi e qartë: këto qenë njerëzit që kishin qenë ‘që nga fillesat’ (ab origine). Dionisi, që të tregohemi të drejtë, e jep këtë si një shpjegim i mundshëm, por - njësoj si të tjerët - i jep një peshë të barabartë e ndoshta edhe më të madhe konceptit jashtëzakonisht të pagjasë se kjo fjalë rridhte jo nga origo, por nga latinishtja errare (të bredhësh) dhe në origjinë ishte shqiptuar Aberrigines. Me fjalë të tjera, siç shkruan ai, këta njerëz qenë, ‘vagabondë dhe pa shtëpi të fiksuar’.
Ideja që çdo shkollar serioz i lashtësisë mund të mbyllë njërin sy ndaj etimologjisë së dukshme dhe korrekte që po i shihte ata në fytyrë në favor të një ideje të çuditshme që e gjente origjinën e Aborigines te ‘të bredhësh’ përmes një shqiptimi alternativ tendencioz nuk është një pasqyrim i çoroditjes së tyre. Ajo tregon thjesht se sa e ingranuar ishte ideja se ‘Roma’ ka qenë prej të gjitha kohërave një koncept etnikisht fluid dhe se ‘romakët’ kanë qenë gjithmonë duke lëvizur.