Excerpt. Hoeschel. fq. 495-497

Excerpt. Hoeschel. fq. 495-497

Thoinioni dhe Sosistrati, pasardhës të Hiketës, e thirrën Pirron për të dytën herë që të vinte në Siqeli. Mamertinët, që kishin mbytur mesinasit, përfunduan një traktat aleance me kartagasit dhe vendosën në një mbledhje të përgjithshme, se do ta kundërshtonin hyrjen e Pirros në Siqeli. Por Tyndari, tirani i Tauromenit, mbante anën e mbretit dhe ishte gati t'i hapte portat e qytetit trupave të tij. Kartagasit si bënë aleancë me romakët ngarkuan mbi anijet e tyre pesëqind ushtarë; ata u drejtuan pastaj kundër Regit dhe e sulmuan këtë qytet; por u shtrënguan të heqin dorë nga rrethimi dhe i dhanë zjarr lëndës që kishin mbledhur për të ndërtuar anije; ata vazhduan të mbikqyrin ngushticat dhe të ruanin kalimin e Pirros.

Thoinioni që e kishte ishullin nën sundimin e tij dhe Sosistrati, bënin me shoqi-shoqin luftë me dhjetëmijë ushtarë; por të dy, të lodhur nga këto armiqësi, dërguan tek Pirrua një delegacion.

Pirrua luftoi në Itali për dy vjet e katër muaj. Kur po përgatitej për nisje, kartagasit kishin rrethuar nga toka e nga deti Syrakuzën; ata kishin përqëndruar në limanin e madh një flotë prej njëqind anijesh dhe një ushtri tokësore me pesëdhjetë mijë njerëz që ishte fushuar pranë qytetit; prej këndej ata i mbanin të mbyllur brenda mureve banorët dhe shkretonin pa pushim tokat e Syrakuzës. Syrakuzasve, të lodhur nga kjo luftë, nuk u mbeti shpresë tjetër veçse tek Pirrua, që ishte martuar me Lanasën, të bijën e Agathoklit, nga e cila kishte një djalë të quajtur Aleksandër. Ata i dërgonin atij prandaj për ditë delegatë. Pirrua hipi mbi anije ushtarë, elefantët dhe plaçkën e tij, u nis nga Tarenti dhe arriti pas dhjetë ditësh në Lokre. Prej këndej, duke përshkuar ngushticën për të dalë në Siqeli, zbriti në Tauromen. Si u lidh me aleancë me Tyndarin, sundimtarin e Tauromenit, atij iu dhanë përforcime në ushtarë dhe u nis për në Katanë. Banorët e pritën me madhështi dhe i dhuruan kurora ari. Pikërisht këtu zbriti edhe trupat nga anijet dhe i drejtoi për në Syrakuzë, ndërsa flota lundronte krahas, krejt e gatshme për një luftë detare. Në kohën kur Pirrua po i afrohej Syrakuzës, kartagasit, të cilët për nevoja shërbimi kishin larguar tridhjetë nga anijet e tyre, nuk guxuan t'ia hynin luftës me mbeturinat e flotës së tyre. Kjo ishte arsyeja që Pirrua hyri në Syrakuzë pa asnjë rrezik. Thoinioni i dorëzoi ujdhesën; syrakuzasit e Sosistrati i dorëzuan lagjet e tjera të qytetit. Sostrati ishte sunduesi i Agrigentit dhe i shumë qyteteve të tjera dhe kishte një ushtri prej më tepër se dhjetë mijë vetë. Pirrua rivendosi bashkimin ndërmjet syrakuzasve nga njëra anë dhe Thoinionit e Sostratit nga ana tjetër; kjo paqe e ngriti shumë lart mendimin për të. Armët dhe të gjitha makinat e luftës që ndodheshin në qytet iu dorëzuan atij. Ndër të tjera ai mori njëqind e njëzet anije të mbuluara dhe njëzet të tjera të pambuluara; anija mbretërore kisht nëntë sërë lopatash. E gjithë flota e Pirros, duke përfshirë edhe anijet që kishte sjellë me vete, kapej në më shumë se dyqind copë. Po në këtë kohë, delegatë të dërguar nga Heraklidi, tirani i Leontit, erdhën t'i propozonin Pirros dorëzimin e qytetit ashtu edhe fortesa e trupat, të përbërë nga katër mijë këmbësorë dhe pesëqind kalorës. Të tjerë delegatë u paraqitën në numër të madh në Syrakuzë për t'i ofruar qytete dhe aleancë. Pirrua i priti të gjithë këta të deleguar me një dashamirësi të madhe dhe i la të kthehen në shtëpitë e tyre; atij i pëlqente të bëhej edhe zot i Libisë.

Breni, mbreti i galatëve, luftoi në Maqedoni me një ushtri prej njëqind e pesëdhjetë mijë këmbësorësh të armatosur me mburoja të mëdha dhe me dhjetë mijë kalorës. Një sasi e madhe sendesh ushqimore dhe dy mijë karroca e ndiqnin këtë ushtri. Ai humbi në këtë ekspeditë shumë ushtarë dhe ushtria e tij ishte dobësuar shumë kur hyri në Helladë për të grabitur tempullin e Delfit. Këtu, në shumë beteja, ai humbi disa mijë njerëz dhe mori edhe vetë tri plagë. Duke e kuptuar se nuk i kishte mbetur veçse pak për të jetuar i mblodhi galatët e vet dhe duke u mbajtur një fjalim i këshilloi t'i vrasin të gjithë të plagosurit, t'i djegin karrocat e tyre dhe të kthehen menjëherë në vendin e tyre, ai i këshilloi, gjithashtu, të bëjnë mbret Kihorin. Pas kësaj Breni u deh dhe theri veten. Kihori e varrosi, vrau të plagosurit si dhe ata që ishin bërë të paaftë nga të ftohtit dhe uria; numri i këtyre arrinte në njëzet mijë vetë. Me pjesën tjetër të ushtrisë u kthye duke marrë të njëjtën rrugë nga kishte ardhur. Helenët të fshehur në ngushtica, hidheshin mbi prapavijat, që i masakronin dhe i mermin të gjithë plaçkën. Kur arritën tek Termopilet, galët, të cilët nuk kishin më me se të ushqeheshin, humbën në këtë qafë edhe njëzet mijë njerëz të tjerë. më në fund u asgjësuan që të gjithë në tokën e dardanëve, nëpër të cilën donin të kalonin dhe nuk mbeti as edhe një, që të mund ta shihte përsëri vendin e vet.

info@balkancultureheritage.com