Lufta midis osmanëve dhe austriakëve vazhdonte që nga viti 1001/1593, ndërkohë që Devleti Osman ishte i angazhuar për të shtypur disa kryengritje të brendshme. Shahu Abbas i Iranit (1586-1628), e shfrytëzoi këtë situatë të krijuar për të takuar një nga nënoficerët e Kontit të Eseksit, Sir Antuan Shirlin (Sir Antoine Shirley), që në atë kohë ndodhej në Iran, si dhe për të dërguar në vitin 1599 ambasadorët e tij në Evropë për të lidhur një traktat kundër Devletit Osman. Ai i dha Sir Antuan Shirlejit, që i shoqëroi këta të dërguar, disa letra adresuar Papës, Perandorit të Gjermanisë, Mbretëreshës së Anglisë, Mbretit të Francës dhe Polonisë, dhe Presidentit të Republikës së Venedikut. Raportohet madje se Shahu mbante një kryq "të varur në qafën e tij, nën këmishë, si shenjë nderimi dhe përulje ndaj Jezu Krishtit". Abbasi mbeti një besimtar musliman, edhe pse në fakt, bëri shumë përpjekje për të vepruar në bashkëpunim me fuqitë perëndimore kundër turqve. Shahu Abbas mori Tebrizin në vitin 1603, disa qyteza të Azerbajxhanit dhe Revanin (Erivanin) pas një rrethimi që zgjati gjashtë muaj. Ndërkohë, Sulltani osman Mehemmedi III ndërroi jetë.