Festat dhe kalendari
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Festat dhe kalendari

Në të gjitha kohërat dhe në të gjitha shoqëritë, njeriu ka dashur të nderojë perënditë e tij nëpërmjet festave; ai ka vendosur ditë të caktuara, gjatë të cilave në shpirtin e tij do të mbretëronte vetëm ndjenja fetare, e patrazuar nga mendimet dhe punët e kësaj toke. Në numrin e ditëve që njeriu mund të jetonte, ai pat caktuar edhe pjesën që u takonte perëndive.

Çdo qytet ishte themeluar sipas riteve që, në mendimin e njerëzve të lashtësisë, kishin sjellë si pasojë fiksimin e perëndive kombëtare brenda mureve të tij. Kërkohej që virtyti i këtyre riteve të ripërtërihej çdo vit nëpërmjet një ceremonie të re fetare; kjo festë quhej dita e lindjes; atë duhej ta kremtonin të gjithë qytetarët.

Gjithçka e shenjtë kishte kremtimin e saj. Ekzistonte festa e mureve rrethuese të qytetit, amburbalia, ajo e kufizimit të territorit, ambaroalia. Gjatë këtyre ditëve, qytetarët zhvillonin një procesion të madh, të veshur me toga të bardha e të zbukuruar me kurora lulesh; ata i binin përqark qytetit apo territorit ku shtrihej ai dhe këndonin lutje; në krye ecnin priftërinjtë, të cilët tërhiqnin pas vetes viktimat që do të flijoheshin në fund të ceremonisë.

Më pas vinte festa e themeluesit. Pastaj festa e të gjithë heronjve të qytetit, e gjithë atyre shpirtrave që kërkonin një kult dhe njerëzit u luteshin si mbrojtës; Romuli kishte kultin e tij, Servius Tulliusi e gjithë të tjerët një tjetër kult e kështu deri te mëkuesja e Romulit dhe nëna e Evandrit. Po kështu, Athina kremtonte festën e Cekropsit, të Erektës, të Tezeut; ajo festonte të gjithë heronjtë e vendit, edukatorin e Tezeut, të Euristeas, Androgjeut dhe mjaft të tjerë.

Më tej, kremtohej festa e arave, ajo e punimit të tokës, ajo e të mbjellave, ajo e lulëzimit dhe e vjeljes së rrushit. Si në Greqi ashtu edhe në Itali, çdo veprim që lidhej me jetën e bujkut shoqërohej me flijime dhe punët kryheshin duke recituar himne të shenjta. Në Romë, priftërinjtë caktonin çdo vit, ditën kur duhej të fillonte vjelja e rrushit dhe ditën kur duhej pirë vera e re. Feja rregullonte gjithçka. Ajo i urdhëronte njerëzit të krasisnin hardhinë, duke u thënë: do të ishte përdhosje, në rast se perëndive u ofrohet një spërkatje me një verë të nxjerrë nga një hardhi e pakrasitur.

Çdo qytezë kishte një festë për secilën prej hyjnive që ajo kishte zgjedhur si mbrojtësen e saj dhe shpesh ajo kishte disa të tilla. Krahas futjes dhe përhapjes së një kulti në qytezë, paralelisht duhej gjetur edhe një ditë që i përkushtohej asaj. Gjatë festave fetare, puna ndalohej rreptësisht, njerëzit ishin të detyruar të gëzonin, të këndonin e të luanin në publik. Feja shtonte: gjatë këtyre ditëve, bëni kujdes të mos i bëni keq njëri-tjetrit.

Kalendari nuk ishte gjë tjetër veç vazhdimësi e festave fetare. Ndaj ai përcaktohej nga priftërinjtë. Në Romë, kalendari nuk do të shkruhej për një kohë shumë të gjatë; në krye të çdo muaji, kryeprifti, pasi kishte bërë një flijim, mblidhte popullin dhe i tregonte se cilat ishin festat që duhej të kremtoheshin gjatë muajit në vijim. Kjo thirrje njihej me emrin calatio, prej ku vjen edhe emri kalenda, me të cilin njihej kjo ditë.

Kalendari nuk rregullohej as mbi bazën e rrugës së hënës dhe as mbi trajektoren e dukshme të diellit; ai rregullohej vetëm mbi bazën e ligjeve të fesë, ligje misterioze, që i njihnin vetëm priftërinjtë. Ngandonjëherë, feja urdhëronte që viti të shkurtohej ose të zgjatej. Për të pasur një përfytyrim rreth kalendarit primitiv, mjafton të themi se tek albanët, maji kishte vetëm njëzet e dy ditë dhe marsi tridhjetë e gjashtë.

Kuptohet lehtë se kalendari i një qyteti nuk ngjasonte aspak me kalendarin e një qyteti tjetër, pasi besimet e tyre nuk kishin asgjë të përbashkët dhe festat, ashtu si edhe perënditë, ndryshonin nga njëra-tjetra. Po kështu, në qytezat e ndryshme, viti nuk kishte të njëjtën gjatësi. Muajt nuk kishin të njëjtin emër; Athina i emërtonte ato ndryshe nga Teba dhe Roma krejt ndryshe nga Laviniumi. Kjo ishte pasojë e faktit që emri i çdo muaji, zakonisht, nxirrej nga festa kryesore që ai përmbante; mirëpo festat nuk ishin të njëjtat. Qytetet nuk merreshin vesh mes tyre që vitin ta fillonin në të njëjtën kohë dhe as ti numëronin vitet, duke nisur nga e njëjta datë. Në Greqi, festa e Olimpit u bë më në fund një datë e përbashkët, gjë që nuk arriti, gjithsesi, të pengonte që çdo qytet të kishte vitin e vet të veçantë. Në Itali çdo qytet i numëronte vitet, duke filluar nga dita e themelimit të tij.

Censi dhe lustracioni

Midis ceremonive më të rëndësishme të besimit të qytezës ekzistonte edhe një festë, e cila quhej festa e pastrimit. Në Athinë, ajo kremtohej çdo vit; në Romë, një herë në katër vjet. Ritet që vëzhgoheshin gjatë saj e madje edhe emri që ajo mbante, tregojnë se kjo ceremoni kishte aftësinë të fshinte mëkatet e qytetarëve ndaj kultit. Në fakt, një fe kaq e ndërlikuar, ishte burim tmerri për njerëzit e lashtësisë; meqenëse besimi dhe pastërtia e qëllimeve përfaqësonin pak gjë dhe krejt besimi përqendrohej në zbatimin e hollësishëm të rregullave të panumërta, njeriu ndruhej gjithnjë se mos harronte diçka, se mos nuk përmbushte ndonjë rit apo bënte ndonjë gabim, ndaj ai nuk ishte kurrë i sigurt se nuk kishte kryer diçka që mund ta vinte atë nën fshikullimën e hidhërimit të ndonjë perëndie. Për këtë arsye, për të qetësuar shpirtin e njeriut, kërkohej një flijim, i cili synonte të lante mëkatet. Magjistrati i ngarkuar me kryerjen e tij (në Romë ishte censori, përpara censorit ishte konsulli dhe përpara konsullit ishte mbreti), e niste kremtimin e kësaj ceremonie gjithnjë me ndihmën e auspicëve, pasi vetëm kështu ai ndihej i sigurt se perënditë do e miratonin ceremoninë. Më pas, ai thërriste popullin nëpërmjet një lajmësi, i cili, për të mbledhur popullin përdorte një formulë shenjtëruese. Ditën e caktuar, të gjithë qytetarët mblidheshin jashtë mureve rrethuese; në heshtjen më të plotë, magjistrati vinte përqark kuvendit tri herë, duke shtyrë përpara tre viktima, një dash, një derr, një dem (suovetaurile); bashkimi i këtyre tre kafshëve, si për grekët ashtu edhe për romakët, mishëronte flijimin e aftë të lante mëkatet. Priftërinjtë dhe ekzekutuesit e viktimave ndiqnin procesionin; me mbarimin e xhiros së fundit, magjistrati shqiptonte një formulë lutjeje dhe flijonte viktimat. Që nga ky çast, gjithçka e ndotur ishte pastruar, çdo neglizhencë ndaj kultit ishte ndrequr dhe qyteti binte në paqe me perënditë e tij.

Për të kryer një akt të një natyre dhe rëndësie të tillë, kërkoheshin domosdoshmërisht dy gjëra; së pari, midis qytetarëve të qytetit të mos hynte asnjë i huaj, pasi një gjë e tillë trazonte dhe ndynte ceremoninë; së dyti, gjatë ceremonisë të mermin pjesë të gjifhë qytetarët, sepse ndryshe, qyteti mimd të ruante ende ndotjen. Pra, duhej që kjo ceremoni fetare të paraprihej nga numërimi i qytetarëve. Në Romë dhe Athinë, qytetarët numëroheshin me kujdesin më të madh; me fort gjasa, numri i tyre shqiptohej nga magjistrati në formulën e lutjes, dhe më pas ai shkruhej në përmbledhjen që censori përpilonte në fund të ceremonisë.

Individi që nuk regjistrohej, ndëshkohej me humbjen e të drejtës së qytetarisë. Kjo ashpërsi është e shpjegueshme. Individi që nuk kishte marrë pjesë në aktin fetar, që nuk ishte spastruar, për të cilin lutja nuk ishte thënë dhe viktima nuk ishte flijuar, nuk mund të ishte më pjesëtar i qytetit. Përkundrejt perëndive, të pranishme gjatë ceremonisë, ai nuk ishte më qytetar.

Rëndësia e kësaj ceremonie mund të gjykohet nga pushteti i jashtëzakonshëm që ushtronte magjistrati që e kryesonte atë. Përpara se të fillonte flijimin, censori rreshtonte popullin sipas një radhe të caktuar, këtu senatorët, atje kalorësit, gjetiu fiset. Zot absolut i asaj dite, ai e caktonte vendin e çdo individi sipas kategorive të ndryshme. Më tej, pasi të gjithë ishin vendosur sipas udhëzimeve të tij, ai kryente aktin e shenjtë. Duke filluar nga ajo ditë e deri në ceremoninë tjetër, çdo individ ruante në qytezë rangun që censori i kishte caktuar gjatë ceremonisë. Ai ishte senator, në rast se atë ditë ishte vendosur mes senatorëve; kalorës, në rast se kishte figuruar midis kalorësve. Qytetar i thjeshtë, ai do të bënte pjesë në fisin, në radhët e të cilit ai kishte qenë atë ditë; madje, në rast se magjistrati nuk do të pranonte që ai të merrte pjesë atë ditë në ceremoni, ai nuk do të ishte më qytetar i asaj qyteze. Kështu, vendi që gjithkush kishte zënë gjatë aktit fetar dhe ku perënditë e kishin parë të vendosej, do të ishte edhe vendi që ai do të ruante në qytezë gjatë katër viteve të ardhshme. Këtu e kishte burimin pushteti i pamasë i censorëve.

Në këtë ceremoni merrnin pjesë vetëm qytetarët; gratë, fëmijët, skllevërit, pasuritë e tyre të tundshme e të patundshme, pastroheshin, në njëfarë mënyre, nëpërmjet personit të prijësit të familjes. Kjo është arsyeja që gjithkush prej tyre duhej t'i jepte censorit numrin e saktë të personave dhe të sendeve që vareshin prej tij.

Ceremonia e pastrimit vijonte të kryhej edhe në kohën e Augustit me të njëjtën përpikëri, duke ndjekur saktësisht të njëjtat rite të kohëve të lashta. Kryepriftërinjtë vazhdonin ta shihnin atë si një akt fetar; ata që qeverisnin shihnin, më së paku, tek ajo një metodë të shkëlqyer drejtimi.

Feja në gjirin e kuvendit, në Senat, në gjykatë, në ushtri; triumfi

Nuk kishte akt të jetës publike, ku perënditë të mos qenë të pranishme. Meqenëse të gjithë njerëzit e asaj kohe sondoheshin prej idesë se perënditë ishin hera-herës mbrojtëse të shkëlqyera apo armike mizore, ata nuk guxonin kurrë të vepronin pa qenë të sigurt se ato mbanin anën e tyre.

Populli mblidhej në kuvend vetëm në ditët e lejuara nga feja. Të gjithë ruanin në kujtesë se dikur qyteza kishte përjetuar një katastrofë: pa dyshim atë ditë, perënditë nuk kishin qenë të pranishme ose qenë të zemëruara; pa dyshim, çdo vit, në të njëjtën kohë, ato duhej të ishin përsëri të zemëruara, për shkak arsyesh të panjohura për vdekatarët. Pra, kjo ditë konsiderohej gjithmonë një ditë e kobshme: atë ditë, kuvendi nuk mblidhej kurrë, gjykatat nuk gjykonin, jeta publike pezullohej.

Në Romë, përpara se të fillonte një seancë e kuvendit, duhej që ogurët të jepnin garancinë se perënditë ishin dashamirëse. Kuvendi niste me një lutje, të shqiptuar nga oguri dhe të përsëritur pas tij nga konsulli.

E njëjta gjë ndodhte edhe midis athinasve: kuvendi niste gjithnjë me një akt fetar. Priftërinjtë bënin një flijim; pastaj, mbi tokë skicohej një rreth i madh, i cili spërkatej me ujin lustral dhe të gjithë qytetarët mblidheshin pikërisht brenda kufijve të këtij rrethi të shenjtë21. Përpara se një orator të merrte fjalën, popullit të heshtur, i shqiptohej një lutje. Më pas bëhej këshillimi me auspicët dhe në rast se në qiell shfaqej ndonjë shenjë e kobshme, « kuvendi shpërndahej menjëherë.

Tribuna ishte një vend i shenjtë, ku asnjë orator nuk mund të ngjitej pa pasur kurorë në kokë, dhe për një kohë të gjatë zakoni kërkonte që ai ta niste fjalën e tij duke iu lutur perëndive.

Vendi ku mblidhej senati në Romë ishte gjithnjë një tempull. Nëse një seancë ishte mbajtur gjetiu, në ndonjë vend jo të shenjtë, vendimet e marra konsideroheshin të pavlefshme; ndodhte kështu pasi perënditë nuk kishin qenë të pranishme gjatë marrjes së vendimit. Para çdo marrjeje vendimi, kryesuesi bënte një flijim dhe shqiptonte një lutje. Në sallë kishte një altar, ku çdo senator, në çastin e hyrjes në të, kryente një libacion, duke iu lutur perëndive.

Senati i Athinës nuk ishte aspak i ndryshëm. Edhe aty salla kishte një altar, një vatër. Në fillim të çdo seance zhvillohej një akt fetar. Çdo senator, në hyrje, i afrohej altarit dhe shqiptonte një lutje.

Drejtësia në qytezë, si në Romë ashtu edhe në Athinë, jepej vetëm gjatë ditëve që feja i përcaktonte si të favorshme. Në Athinë, seanca gjyqësore zhvillohej pranë një altari dhe fillonte vetëm pasi ishte bërë një flijim. Në kohën e Homerit, gjykatësit mblidheshin "brenda një rrethi të shenjtë.

Festusi thotë se në ritet e etruskëve gjendej edhe përshkrimi i mënyrës se si duhej të themelohej një qytet, të shenjtërohej një tempull, si përcaktoheshin kuritë dhe fiset në kuvend, si duhej të rreshtohej ushtria para betejës. Të gjitha këto veprime ishin fiksuar në rite, pasi të gjitha ato kishin të bënin me fenë.

Në luftë, feja ishte, më së paku, po aq e fuqishme sa edhe në kohë paqeje. Në qytetet italiane kishte kolegje priftërinjsh të quajtur fecialë, të cilët kryesonin, sikurse edhe lajmësit te grekët, të gjitha ceremonitë e shenjta që kishin të bënin me marrëdhëniet ndërkombëtare. Feciali, me fy tyrë të mbuluar, me kurorë mbi kokë, shpallte luftën, përmes shqiptimit të një formule shenjtëruese. Njëkohësisht, konsulli i veshur në petk priftëror solemn, bënte një flijim dhe hapte solemnisht tempullin e hyjnisë më të lashtë dhe më të nderuar të Italisë, tempullin e Janusit. Përpara nisjes në fushatë, gjenerali lutej dhe bënte një flijim përballë ushtrisë së mbledhur. Po kështu veprohej edhe në Athinë dhe në Spartë.

Ushtria në fushatë ishte një përfytyrim i qytezës; feja e saj e ndiqte kudo nga pas. Grekët merrnin me vete statujat e hyjnive të tyre. Çdo ushtri greke apo romake merrte me vete një vatër, ku ruhej ndezur natë e ditë zjarri i shenjtë. Ushtria romake shoqërohej gjithnjë nga ogurë dhe parashikues fati; çdo ushtri greke kishte fallxhorin e saj.

Le të shohim ushtrinë romake përpara fillimit të betejës. Konsulli jep urdhër të sjellin një viktimë dhe e godet atë me sëpatë; viktima bie: zorrët e saj duhet të tregojnë vullnetin e perëndive. Auspici i shqyrton ato dhe nëse shenjat janë të favorshme, konsulli jep kushtrimin e betejës. Edhe rreshtimi më i mirë i ushtrisë, edhe rrethanat më të favorshme nuk kanë kurrfarë vlere, në rast se perënditë nuk e lejojnë betejën. Thelbi i artit ushtarak te romakët ishte që ata të mos luftonin kurrë kundër vullnetit të tyre, kur perënditë ishin kundër. Kjo është arsyeja që çdo ditë kampin e tyre ata e kthenin në një lloj kështjelle.

Le të shohim tani një ushtri greke, duke marrë për shembull betejën e Platias. Spartanët janë rreshtuar në vijë të drejtë, secili në vendin e vet të luftimit; të gjithë kanë kurorë në kokë dhe gajdexhinjtë luajnë himnet fetare. Mbreti, i tërhequr disi midis radhëve, ther viktimat. Por zorrët e tyre nuk rrëfejnë shenja të favorshme, ndaj duhet që flijimi të rifillojë nga e para. Flijohen njëra pas tjetrës, dy, tre, katër viktima. Ndërkohë, kalorësia persiane ka nisur të afrohet, lëshon shigjetat e saj, vret një numër të madh spartanësh. Spartanët qëndrojnë pa lëvizur, me mburojën të mbështetur përtokë pranë këmbëve të tyre, pa bërë kurrfarë lëvizjeje për t'u mbrojtur. Presin shenjën e perëndive. Më në fund, viktimat japin shenjë të favorshme; atëherë spartanët ngrenë mburojat, nxjerrin shpatat, hyjnë në betejë dhe dalin fitimtarë.

Pas çdo fitoreje ofrohej flijimi; këtu e ka zanafillën triumfi, aq i njohur te romakët dhe jo më pak te grekët. Ky zakon ishte rrjedhojë e mendimit se fitorja u atribuohej perëndive të qytezës.  Përpara betejës, ushtria u drejtonte atyre një lutje të ngjashme me atë që lexojmë tek Eskili: "O perëndi, ju që banoni dhe zotëroni dheun tonë, nëse armët tona janë fatlume dhe qyteti ynë shpëton, ju premtojmë të vadisim altarët tuaj me gjakun e bagëtive, t'ju flijojmë demat dhe të mbushim tempujt tuaj të shenjtë me trofetë e fituar përmes ushtës." Në bazë të këtij premtimi, fitimtari duhej të ofronte një flijim. Ushtria hynte në qytet për përmbushjen e saj; ajo vendosej përpara tempullit në formën e një procesioni të gjatë, duke kënduar himnin e shenjtë.

Në Romë, ceremonia ishte pak a shumë e njëjtë. Ushtria vinte e rreshtuar në tempullin kryesor të qytetit; priftërinjtë ecnin në krye të kortezhit, të shoqëruar nga viktimat. Përpara tempullit, gjenerali flijonte viktimat kushtuar perëndive. Gjatë rrugës drejt tempullit, të gjithë luftëtarët mbanin kurorë lulesh, sikurse edhe në një ceremoni të shenjtë, duke kënduar himnin, si në Greqi. Në të vërtetë, do të vinte një kohë kur luftëtarët nuk do të kishin më skrupuj për zëvendësimin e himnit me këngë kazermash apo me tallje ndaj gjeneralit. Por, gjithsesi, ata do të ruanin zakonin për të përsëritur herë pas here refrenin e lashtë, lo triumphe. Pikërisht, ky refren i jepte ceremonisë emrin e saj.

Kështu, në kohë paqeje dhe në kohë lufte, feja ndërhynte në të gjitha ritet. Ajo ishte gjithkund e pranishme, ajo mbështillte njeriun. Shpirti, trupi, jeta private, jeta publike, vaktet e ngrënies, festat, kuvendet, gjykatat, luftimet, gjithçka ishte nën sundimin e besimit të qytezës. Ai rregullonte gjithë veprimet e njeriut, drejtonte të gjitha çastete jetës së tij, përcaktonte të gjitha zakonet e tij. Ai qeveriste qenien njerëzore me një autoritet aq absolut, saqë jashtë tij nuk mbetej më asgjë.

Të besosh se kjo fe e njerëzve të lashtësisë ka qenë një mashtrim i detyruar, e për rrjedhojë, një komedi, do të ishte ide mjaft e gënjeshtërt. Monteskjeja pretendon se romakët e patën krijuar kultin e tyre vetëm e vetëm për t'i vënë fre popullit. Asnjëherë ndonjë fe nuk ka pasur një zanafillë të tillë dhe çdo besim që ka lindur i pambështetur nga arsyeja e dobisë publike, nuk ka mundur të qëndrojë gjatë në këmbë. Monteskjeja thotë më tej se, romakët ia nënshtronin fenë e tyre shtetit; më e vërtetë do të ishte e kundërta; e pamundur të lexosh disa faqe të Tit-Livit, pa u çuditur nga varësia absolute që njerëzit kishin nga perënditë e tyre. As romakët, as grekët nuk i kanë njohur kurrë konflik te aq të trishtuara e aq të zakonshme të shoqërive të tjera mes kishës dhe shtetit. Por ky fakt i detyrohet asaj që, si në Romë, ashtu edhe në Spartë dhe Athinë, shteti i nënshtrohej fesë; në to nuk ka pasur kurrë trupë priftërinjsh që impononte sundimin e vet. Shteti i lashtë nuk i nënshtrohej kurrë një funksioni priftëror, ai i nënshtrohej vetëm besimit të tij. Ky shtet dhe ky besim ishin shkrirë aq tërësisht bashkë, sa qe e pamundur jo vetëm që mes tyre të ekzistonte ideja e një konflikti, por edhe të dalloje njërin nga tjetri.

info@balkancultureheritage.com