Fiset Shqiptare
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Fiset Shqiptare

~Robert Elsie

Ilustrim, fiset shqiptare.

 

Kush janë shqiptarët

Thuhet se shqiptarët janë një ndër popujt më të vjetër të Evropës Juglindore. Ata i kanë rrënjët si duket tek ilirët e lashtë, të cilët gjatë periudhës romake kanë banuar në Ballkanin Perëndimor dhe Jugperëndimor. Si popull, ne mund t’i gjejmë gjurmët e shqiptarëve rreth viteve 1000 të erës së re, kur dokumentet e para të shkruara i përmendin ata (në dokumentet greko-bizantine dhe latine).

Gjuha shqipe flitet tani nga 6 milionë njerëz në Ballkanin Jugperëndimor, në Republikën e Shqipërisë dhe në vendet fqinjë rreth saj, të cilat dikur kanë qenë pjesë të Federatës Jugosllave (Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi). Në vetë Shqipërinë, kjo gjuhë flitet nga një popullatë e tërë prej rreth tre milionë banorësh, duke përfshirë edhe disa minoritete bilinguale.Në Republikën e Kosovës shqipja flitet pothuajse nga një popullatë e tërë prej rreth dy milionë banorësh, përsëri duke përfshirë edhe disa minoritete dygjuhësore dhe etnike. Në Republikën e Maqedonisë llogaritet se të paktën gjysmë milioni banorë flasin shqip, të cilët përbëjnë rreth 25% të tërë popullatës së këtij vendi. Një minoritet tjetër prej 50.000 shqipfolësish jetojnë në Republikën e Malit të Zi, kryesisht përgjatë kufirit me Shqipërinë (në rajonet e Ulqinit, Tuzit dhe Gucisë). Po ashtu, një sërë ngulimesh të konsiderueshme të shqiptarëve ka edhe në Greqi, në Serbi dhe në Italinë e jugut.

Fisi i Kelmendit

Rajoni i fisit të Kelmendit gjendet në rrethin e sotshëm të Malësisë së Madhe, në pjesën më veriore dhe më të izoluar të Shqipërisë. Zemra e këtij rajoni është lugina e epërme e lumit Cem. Kelmendi kufizohet me rajonet tradicionale të fiseve të Grudës dhe të Triepshit në perëndim, me Hotin në jugperëndim, me Bogën në jug, me Shalën në lindje dhe me fiset sllavishtfolëse në veri. Qendra administrative e këtij rajoni, që përbëhet kryesisht prej grykave dhe luginave të thella, tani është fshati Vermosh. Ngulimet kryesore të Kelmendit janë: Vermoshi, Tamara, Selca, Lepusha, Vukli dhe Nikçi. Emri Kelmendi është shënuar së pari në një regjistër osman të tatimeve, në vitin 1497, si KelmenteMhe si Nahiye Kelmenta (rrethi i Kelmendit)2 Udhëtari turk Evlia Çelebi (1611-1685), i cili udhëtoi nëpër Shqipërinë e veriut, më 1662, në disa raste, e përmend fisin e pa fe Klemente ose Kelmendi.

Në raportin e tij kishtar, Pjetro Stefano Gaspari ka shkruar formën Clementi, më 1671, ashtu siç shkruan në hartën e hartografit venedikas Françesko Maria Koronelli, më 1688, si dhe në hartën e hartografit tjetër Italian, Gjakomo Kantelli da Vinjola, më 1689. Termi Kelmendi, me variantet e tij të hershme Klmenti, Klmeni, Klimenti dhe Clementi, ishte i njohur në Evropën Perëndimore, në shekullin e XVII.

Kelmendi, i cili është edhe emër i zakonshëm familjar, veçanërisht në Kosovë, zakonisht thuhet se ka të bëjë me emrin e përveçëm latin Clementus ose me emrin e Shën Klementit, të huazuar në gjuhën shqipe në saje të ndikimit të Kishës Katolike, megjithëse ka të ngjarë që përdorimi fisnor është më i hershëm sesa përdorimi i emrit të Shën Klementit. Sidoqoftë, në Vukël ekziston kisha e Shën Klementit, e cila ishte ndërtuar nga Françeskanët, më 1651.

Më 1614, shkrimtari venedikas Marino Bolica raportonte se ky fis përbëhej prej 187 shtëpive, me 650 burra të armatosur, nën komandën e Smajl Prentaseut dhe Bedasuçës. Ai i përshkruan ata si njerëz të rreptë, të paepur, të guximshëm dhe si grabitqarë të mëdhenj. Në raportin e tij që i dërgon Kongregacionit të Propagandës Fide, më 1634, Gjergj Bardhi, peshkop i Sapës, na informon se Kelmendi përbëhej prej 300 shtëpive dhe 3200 banorëve.

Më 1837, doktori austro-hungarez, Josef Myller u informua nga Pater Deda e Vuklit se Kelmendi kishte 4 200 banorë.5 Pothuajse, njëkohësisht, më 1841, princi Nikollaj i Vasojeviqve, në letrën e tij “Një informacion i shkurtër për fiset e Shqipërisë së veriut, veçanërisht të maleve të Malësisë së Pavarur, përmendte se Kelmendi kishte një popullatë prej 2 000 banorësh, 500 prej të cilëve ishin burra të armatosur.6 Më 1866, Emil Viet, konsull francez në Shkodër, shënonte se Kelmendi kishte 510 shtëpi dhe gjithsej 3 263 banorë.7 Kështu, në fund të shekullit XIX, mund të konstatojmë se Kelmendi ishte një fis me një popullatë prej 4 000 banorësh.

Në regjistrimin e parë të besueshëm të popullatës që u bë në Shqipëri, më 1918, nën administratën austro-hungareze, statistikat e popullatës së fisit të Kelmendit janë, si vijon: 779 shtëpi me gjithsej 4 679 banorë. Ky fis përfshinte bajraqet e Nikçit, të Vuklit, të Selcit dhe të Bogës dhe ngulimet në Nikç, Brojë, Vukël, Selc, Vërmosh, Kolaj dhe Preçaj.8 Kelmendi ka qenë dhe është fis katolik, megjithëse një pakicë e fisit është konvertuar dhe ka kaluar në fenë islame gjatë periudhës së sundimit turk). Famullia e Selcës u themelua më 1737, kur u regjistruan lindjet dhe vdekjet e para nga kisha. Mbrojtësi i shenjtë i tyre ishte Shën Mëria e Virgjër, e quajtur Zoja e Kelmendit, dita e festimit të së cilës është më 24 Maj.

Vizitori apostullar në Shqipëri, Pjetro Stefano Gaspari , i cili udhëtoi nëpër këtë rajon, më 1671-1672, raportonte:

“Më 24 shtator 1671 u nisëm nga Hoti dhe arritëm në Klement. Këtu ka një kishë që i është kushtuar Shën Klementit. Ajo gjendet në vendin e quajtur Speia di Clementi. Kisha ishte ndërtuar nga banorët e Klementit, më 1651, kur të përndershmit Patres Reformati arritën në këtë vend. Atë Leoni nga Citadela dhe Fra Angjelo nga Milano, kanë shërbyer këtu. Kisha është lyer me gëlqere dhe nuk është e suvatuar, por është e mbuluar me dërrasa. Ajo është ruajtur mjaft mirë dhe po i vazhdonte shërbimet e shenjta. Shërbimet e përditshme fetare këtu nuk janë ndalur, ndonëse ekziston rreziku nga turqit”.

Klementi përbëhet prej një numrit të konsiderueshëm të fshatrave, si: Moriqi me 6 shtëpi dhe 40 frymë, Genoviq me 7 shtëpi dhe 60 frymë, Lesoviq me 15 shtëpi dhe 120 frymë,Melosi me 7 shtëpi dhe 40 frymë, Vukli me 32 shtëpi dhe 200 frymë, Rrvesti me 6 shtëpi dhe 30 frymë, Zeka me 7 shtëpi dhe 40 frymë, Selca e Kelmendit, së bashku me Moriqin, kanë 34 shtëpi dhe 290 frymë, ndërsa Rabiena dhe Radenina kanë 60 shtëpi dhe 400 frymë. Të gjithë banorët e këtyre fshatrave shkojnë në kishën e Shën Klementit në Spejë. Ata shkojnë atje për ta dëgjuar meshën dhe për të marrë kungatën, ndërsa kur vdesin ata varrosen në oborrin e kësaj kishe. Rrafshnalta e Klementit dhe rrafshnalta e Nikçit dhe e Rroiokit kanë 112 shtëpi dhe 660 frymë. Për të arritur në Klement duhet të ecësh 12 milje. Patres Reformati vijnë këtu vetëm dy apo tri herë në muaj për të marrë pjesë në meshë dhe për t’i kryer shërbimet tjera. Ata e kanë mjaft të vështirë që të arrijnë deri këtu. Kësaj ane i thonë rrafshnalta e Klementit meqë fiset e Klementit i sulmojnë dhe trazojnë banorët e kësaj ane duke ua rrëmbyer edhe tokat. Kjo rrafshnaltë është pjellore, kështu që banorët e Kelmendit e shfrytëzojnë për nevojat e tyre.

Kelmendi ka qenë dikur fis ose një bashkësi që ishte e vetëdijshme për lidhjet e gjakut dhe për historinë e përbashkët të paraardhësve të largët deri te stërgjyshi themelues i fisit. Kelmendasit ndaheshin në tre bajraqe: Selca, Vukli dhe Nikçi, kurse më vonë, që nga viti 1897 me bashkimin e Bogës, u bënë katër bajraqe. Boga në të vërtetë ishte një fis i veçantë i ndarë, i cili jetonte në jug të rajonit të Kelmendit, nga ana tjetër e vargmalit të lartë. Ky fis që ka pasur marrëdhënie të ngushta me Shkrelin dhe Shalën, ka kërkuar mbrojtjen e Kelmendit dhe shkallë shkallë janë bashkuan me ta.

Së paku që nga mesi i shekullit të nëntëmbëdhjetë, sikurse shumica e fiseve të veriut, Kelmendi, në stinën e vjeshtës, i çonte tufat e bagëtisë në brigjet rreth detit, ku i kalonin muajt e dimrit. Njëherësh, në malin e Rrencit i ndanin kullosat me fiset e Shkrelit e Rriollit. Edith Durhami e përshkruan shtegtimin e Kelmendasve të Sellcës kështu:

“Zakonisht, kur vjen vjeshta, anëtarët e fiseve shtegtojnë me tufat e mëdha të dhive, të deleve dhe të bagëtisë për të kërkuar kullosa dimërore në rrafshin afër Lezhës, ku fisi e ka tokën e vet, ndërsa gratë i mbajnë fëmijët edhe plaçkat e shtëpisë në shpinë; pas disa muajve, përsëri, verës, pas një udhëtimi katër ditësh me kafshët tejet të kapitura, kthehen në kullosat e maleve të larta.”

Baron Nopça, i cili kishte qenë në Malësinë e veriut, pothuajse në të njëjtën kohë, ka shënuar edhe këtë dukuri:

“Barinj sezonalë që shtegtojnë bagëtinë ekzistojnë në tërë Ballkanin. Edhe fiset e Kelmendit, të Hotit, të Kastratit, të Bogës e të Shkrelit shkojnë në verim. Për t’i mirëmbajtur kopetë dhe tufat e tyre, ata janë detyrohen që t’i kenë dy shtëpi. Ata e kanë shtëpinë dimërore në rrafshinë, kurse atë verore në kullosat malore. Sipas Hekardit, këto fise malësore, që nga viti 1847, e kalojnë stinën e dimrit në rrafshet e gjera të Bunës, të Drinit dhe të lumit Mat, përgjatë bregut Adriatik. Megjithatë, duhet të ceket se jo të gjitha fiset i ndërrojnë vendbanimet dhe se i çojnë për verim bagëtinë vetëm ata të cilët nuk kanë kullosa dimërore në territorin e tyre. Kelmendasit ndoshta përbëjnë 1/3 e atyre që shtegtojnë. Në ditët e para të shtatorit, familjet e ndryshme fillojnë shtegtimin duke kaluar nëpër rrafshin e Shkodrës dhe të Lezhës. Dyndja e tyre mund të pikaset nga kufiri i Malit të Zi, afër Gucisë, prej nga shihet edhe 

fortesa e lartë e Krujës, që është larg 140 kilometra. Me këtë rast, secili i sheh rrafshinat monotone të Shkodrës dhe bën sehir shtegtimin e barinjve me tufat e tyre. Sa herë që konstatohet se nuk kanë sanë dhe ushqim për kafshë në malet e tyre, edhe pjesëtarët e fiseve të tjera, sikurse Shalianët, madje edhe malësorët e Rugovës nga rajoni i Pejës, lëshohen teposhtës kah bregdeti i Adriatikut. Në dimrin e vitit 1908, unë hasa në disa malësorë të Rugovës me tufat e tyre të bagëtisë në periferinë e Durrësit. Edhe pse është mjaft e vështirë të llogaritet se sa njerëz degdisen dhe shtegtojnë si nomadë, për çdo vjet, për të siguruar ushqimin dimëror për bagëtinë, unë do të thosha se numri i tyre është së paku 4 000 deri në 5 000 veta. Unë besoj në llogarinë prej 5 000 vetash sepse gjysma e tyre merr pjesë në shtegtim dhe se eksodi i tyre është më i madh nga të tjerat, nga fiset më të vogla të Hotit, Kastratit, Shkrelit dhe Bogës. Tufat e kafshëve me barinj bredhin disa javë në rrethin eTrushit afër Shkodrës, e pastaj u ngjiten kodrave midis Zadrimës rreth detit dhe kthehen përsëri në shtëpinë e tyre dimërore, në brigjet e lumit Mat.

Disa prej këtyre familjeve kelmendase u vendosën në bregdetin rreth Lezhës për periudha më të gjata kohore. Në mesin e shekullit XIX Johan Georg von Hani, lidhur me këtë temë dha këtë raport:

“Ka më se dhjetë vjet që kanë filluar ta blejnë truallin të cilin e kanë përdorur me shekuj për kullosa, duke e lënë kështu tokën pa prodhime bujqësore. Tani kanë filluar ta shndërrojnë atë në një tokë bujqësore. Rezultatet befasuese të kësaj përpjekjeje, ka gjasa që të sjellin suksese të mëtejme. Te korrat mesatare të familjes më të pasur të Kelmendit janë 300 ngarkesa kuajsh të grurit që kanë çmimin 80 okë”.

Verimi i tyre në bregdet, kontaktet dhe lidhjet që vunë me botën e jashtme u ndihmuan kelmendasve për të arritur përparime intelektuale. Shumica e tyre mësuan shkrim dhe lexim në vitet e para të shekullit XX, pa u shkolluar fare. Kështu, ata filluan t’i shikojnë fqinjët e tyre të Shalës si të vrazhdë dhe të papastër, duke i quajtur “gjin të egër“ dhe i përqeshnin mbathjet e tyre me tartabiqë."

Gjatë udhëtimit të tij nëpër Kosovë, më 1858, të cilën e quan Shqipëria Dardane, Hani thekson se fisi i Kelmendit është i pranishëm edhe në luginën e Llapit dhe të Podujevës, në Kosovën verilindore, si dhe në Serbinë fqinje. Ai shkruan:

“Nga të 22 fshatrat e Llapit, 20 prej tyre janë kelmendas, dy fshatrat e tjerë janë të Bytyçit. Ata shtrihen prej Podujevës deri në Kurshumli dhe banojnë në shumicën e fshatrave në Dediç. Nga ana tjetër, nuk ka kelmendas në rajonin e Vranjes dhe të Gjilanit. Ata të gjithë i pandehin se Kelmendasit, të cilët banojnë në Alpet e Shqipërisë së Veriut dhe janë me fe katolike, janë si fisi mëmë, nga i cili në kohë të ndryshme familjet e ndryshme individuale janë shpërngulur në Dardani.”

Midis familjeve kryesore të Kelmendit janë këto që do t’i përmend, të ndara këtu sipas vendeve të tyre të zakonshme të banimit, rajonit e fisit: në Vermosh: Bujaj, Bunjaj, Cali, Hysaj, Lelçaj, Lekutanaj, Lumaj, Marcaj, Miraj, Mitaj, Mërnaqaj, Naçaj, Peraj, Pllumaj, Preljocaj, Racaj, Selmanaj, Shqutaj,Tinaj, Vukaj, Vuktilaj, dhe Vushaj; në Selcë: Bikaj, Bujaj, Lekutanaj, Mërnaçaj, Miraj, Pllumaj, Rugova, Tinaj, Vukaj, Vushaj; në Tamara: Bujaj, Bunjaj, Cekaj, Lelcaj, Mërnaçaja, Rukaj dhe Vukaj; në Vukël: Aliaj, Dacaj, Drejaj, Gjelaj, Gjikolli, Kajabegolli, Martini, Mirukaj, Nicaj, Nilaj, Pepushaj, Vucaj, Vucinaj, dhe Vukli; në Nikç: Aliaj, Gildedaj, Hasaj, Hutaj, Kapaj, Nikac, Nikçi, Prekelezaj, Preldakaj, Rukaj, Smajlaj dhe Ujkaj.

info@balkancultureheritage.com