Foinike/Finiqi, të cilën Polibi e quan me superlativa të pamerituar “qyteti më i fortifikuar, më i fuqishëm dhe më i lulëzuar i Epirit (Polyb. 2. 6, 8, 4)”, për herë të parë shfaqet në v. 330 p.e.s., në listat e thearodokoive të Argosit.
Zëvendësimi në këto lista i përfaqësuesit të Kaonisë me atë të Foinikes, e tregon atë kryeqendër të koinonit Kaon.
Foinike ndodhet në skajin verilindor të fushës Kestrina (Vrina), 5 km larg nga deti ku dhe kishte skelën personale Onhesm (Saranda). Qyteti shtrihet në faqen perëndimore të një masivi piramidal: 252 m të lartë, 600 m të ngushtë dhe 2500 m të stërzgjatur, me shpatet e gërryera si fizarmonikë.
Lart, masivi krijon një kreshtë 1.5 km të gjatë dhe vetëm 50 m të gjerë, ku jeta dëshmohet që në neolit. Më tej këtu lindi një qytezë e hekurit të parë, e cila në shek. V/IV p.e.s. u kthye në akropolin e qytetit. Brenda në akropol gjendeshin tempujt dhe sterat e ujit, ndërsa në rrëzë teatri i gjysmës dytë të shek. IV p.e.s. Nga kapërcyelli shekujve V/IV p.e.s., nga skajet e akropolit u lëshuan tërthor shpateve dy mëngë të fuqishme murale. Mëngët u bashkuan rreth 15-20 m mbi nivelin e fushës prej një muri 1 km të gjatë, duke krijuar kështu qytetin e fortifikuar 32 hektarësh.
Ndërkohë një mur tjetër, po sinusoidal dhe po në ndjekje të vijave rrushkulluese, e ndan këtë qytet në dy pjesë: në qytetin e sipërm, më të gjerë, dhe të poshtmin, më të ngushtë. Më tej qytetit iu bashkëngjit nga veriperëndimi një shtojcë trekëndëshe 16 hektarëshe, euhorioni, ku strehohej popullata e rrethinave në rast kërcënimi.
Si e tillë e tërë sipërfaqja e rrethuar arrinte në 54 ha, çka e rendit Foiniken në vendin e dytë të qyteteve të Epirit, pas Ambrakias.
Shpatet e pjerrëta të kodrës së qytetit nivelohen nëpërmjet një sistemi muresh tarracimi. Muret që vijojnë shpateve me sinusoida me amplitudë të fuqishme, mbartnin rrugët sinusoidale dhe pas tyre shiritat e valëzuar dhe të pandërprerë të banesave.
Nekropoli në shpatin perëndimor të kodrës, jashtë mureve rrethuese, parcelizohej nga tre rrugë 3,50-4 m të gjera me drejtim lindje-perëndim.
Materiali më i hershëm në të i përket gjysmës së dytë të shek. IV p.e.s., çka shënjon dhe terminus ante quemin për lindjen e qytetit.