Foinike
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Foinike

Kodra që mbart Foiniken, lartësohet papritur nga mesi i fushës, si nëndetësja nga mesi i detit. E ngushtë (0.5 km), e gjatë (3.3 km) dhe e lartë (231 m), kodra përzgjatet nga veriperëndimi në juglindje. Qyteti shtrihet në shpatin jugor të kodrës, orientim i të cilit ndaj diellit është më i mirë dhe pjerrësia më e butë (30°) se e anës veriore.

Majë kodrës përdridhet një akropol i stërgjatë, veç 50 m i ngushtë. Teatri ndodhet në lindje të këtij akropoli, menjëherë poshtë tij, mbi sinusoidat që shpupurisin shpatin e kodrës. Shkallarja që i vishet një guaske natyrale të terrenit, të lugët në mes dhe të lartë anash, hapet me 215° ndaj diellit dhe brizës së Jonit. Lart prej saj, vështrimit i shpaloset amfiteatri i pandërprerë i kodrave të hirta dhe arena e tij e gjelbër: Kestrina, fusha e Vurgut. Larg, nga jugu, shndrit liqeni mitologjik i nimfave Pelodes (liqeni i Butrintit), ndërsa nga balli vështrimi përplaset me ishullin Kerkyra, Korfuz. Ndonëse skela personale Onhesm (Saranda) nuk është as gjashtë km larg Foinikes, vargu i kodrave pas Qafës së Gjashtës fsheh si Onhesmin, ashtu edhe gjirin e njëemërt.

Kuadri historik. Për herë të parë Foinike shfaqet në listat e thearodokëve të Argosit (330 p.e.s.), ku ajo zëvendëson Kaoninë e listave të thearodokëve të Epidaurit (IG IV 1, 95). Bashkërenduar me mbishkrimin “Polisi i Kaonëve”, kjo e nënkupton Foiniken kryeqendër të koinonit Kaon që para v. 330 p.e.s. Në vitet 297-233 p.e.s., kur Pirro e ktheu Ambrakinë në kryeqendër unike të Epirit dhe Foinike e humbi funksionin politik, por jo atë ekonomik dhe artistik. Dëshmi për këtë është dhe teatri, i treti për nga madhësia i mbarë teatrove antikë. Shkallarja gjysmërreth, skena me paraskena dhe palkoskena tepër e gjatë, e sinkronizojnë tetarin e Foinikes, në kohë dhe konceptim, me çiftin Dodona-Bylis. Ndonëse teatri ka një sërë specifikash që e dallojnë nga Dodona-Bylisi, ato janë pasojë e kushteve të terrenit: Ndërsa në Dodona-Bylis, shpati pas shkallares vjen e sheshohet, në Foinike ai vazhdon të rrëzohet me shpejtësi.

Shkallarja me diametër 135 m, lartësi 29 m dhe kënd pjerrësie 32°, shfrytëzon në maksimum komoditetet e ofruara nga terreni: formën rigorozisht gjysmërrethore të guaskës dhe diametrin thuaj të porositur. Shtyrja e ballinave 3.10 m para qendrës së orkestrës, i japin shkallares formën e një unaze ekscentrike.

Ballinat vijojnë perpendikular me terrenin e pjerrët. Si e tillë lartësia e tyre është minimale, 2-3 m, çka redukton në maksimum fondet dhe shmang problemet teknike. Muratura e tyre është pseudoizodomike me faqe kavoje, e afërt me fazën e shek. IV/III p.e.s. të murit rrethues. Nëse do të pranonim se blloqet ura mbi kanalin e ujërave të shiut (euripos), përputhen si zakonisht me shkallët e spektatorëve, sektorët e parë të shkallares do të përshkoheshin nga 5 shkallë (0.70 m.) të cilat do ta ndanin atë në 4 pyka (kerkidei), numër ky vështirë i besueshëm. Sidoqoftë kjo do të tregonte për një skemë me shkallë qendrore dhe numër çift pykash, tipike për shkallaret e hershme.

Rreshti i parë i ndenjëseve nuk njihet dhe të tjerat janë të tipit ekonomik (Eretria 3), me seksion kuadratik (0.40 x 0.40 m). Forma dhe përmasat e shkallares tregojnë për një kapacitet prej 20- 22.500 spektatorësh.

Korridoret e hyrjes (7 x 6 m) vijojnë ndërmjet ballinave të shkallares dhe skenës, në skaj të ndërtesës skenike. Korridoret janë pajisur me hyrje monumentale (pylon, 2,7 m). Në blloqet e saj prej gëlqerori të thadruar imët, është gdhendur shenja apotropeike A për ndalimin e “syrit të keq”. Hyrja e majtë, e bllokuar në gjysmën e saj nga shkëmbi, është thuaj e rreme, e ndërtuar për forcë zakoni. Si i tillë kalimi përmes tyre ishte i kufizuar, vetëm për personat e shquar. Rrjedhimisht fluksi i spektatorëve nuk vinte si zakonisht nga poshtë lart, por nga lart dhe nga anët poshtë. Një skemë e tillë lëvizjeje është mjaft racionale për Foiniken, ku terreni zhvillohet në breza sinusoidalë të njëmbirijëshëm dhe lëvizja nga poshtë- lart është e mundimshme.

Orkestra. Rreshti i parë i ndenjëseve dhe kanali i ujërave të shiut (euripos), kanë një formë rreptësisht rrethore dhe perimetër sa 2/3 e një rrethi të plotë. Vetë orkestra përvijohet nga buza e jashtme e kanalit, i cili gjatë shfaqjeve mbulohej me panele druri dhe mund të shkelej nga thymelikët, aktorët e orkestrës. Orkestra e mirëfilltë me taban prej dheu të ngjeshur, nis pas buzës së brendshme të kanalit. Çuditërisht në të nuk vijon një, por dy kanale uji krejt identike: me seksion të njëjtë (0.60 x 0.50 m), thadrim të njëjtë, blloqe me përmasa të njëjta dhe më kuriozja me diametër të njëjtë.Rrethi hipotetik i kanalit (17.9 m) prek ballin e paraskenës, ndërsa rrethi hipotetik i rreshtit të parë (23 m) prek ballin e skenës. Qendër e orkestrës dhe vatër e kalkulimeve të teatrit, është altari (thymelë), prej të cilit ruhet koloneta e fazës së dytë ndërtimore.

Skena e Foinikes me palk të fuqishëm, paraskena anësore dhe korpus drejtkëndësh dhe dykatësh, i përmbahet skemës Dodona/Bylis. Por ndryshe ptej tyre, skena e Fonikes nuk është e pajisur me stoa të pasme, për çka sipërfaqja e saj është dukshëm më e vogël se e skenave në Dodona, Bylis, Apolloni (390 ndaj 504, 506 dhe 540 m2).

Ndryshim tjetër është se në Dodonë, në Bylis dhe Apolloni skena ndërfutet në shpat, ndërsa në Foinike ajo mbështetet në një strukturë mbajtëse (31.7 x 10.1 m).

Kjo strukturë gjymtyrizohet prej 4 mureve gjatësore dhe 8 mureve tërthore në një seri arkash të mbushura me dhe cifla guri. Prej tyre muri i parë përkon me ballin e palkut (proskenia), i dyti me ballin e skenës dhe i fundit me fasadën e pasme të skenës.

Muri i pasmë, i cili deri në tabanin e orkestrës arrin në 4.5 m lartësi, është i kontrafontuar. I punuar me një teknikë krejt grosolane, ai nuk është llogaritur për t’u shikuar.

Në ballë të katit të parë vijon stilobati 31.7 metërsh, në të cilin mbështeteshin 20 gjysmëkolona me kapitele gonxhe zambaku uji. Kolonat 1.95 m të larta,92 prodhonin 21 hapësira drite (1.12 m.) për fiksimin e paneleve të pikturuara. Duke i shtuar kësaj kolonade entablementin, lartësia e palkut rezulton të jetë rreth 2.50- 2.70 m. Foletë e trarëve (20 x 20 cm), tregojnë se palku mbështetej në një strukturë të fuqishme mbajtëse. Nën këtë palk dhe nën skenë, ndodheshin magazinat e sipërfaqshme të rekuizitës (hypologeion'. 250 m2, hyposkene 270 m2). Kati i parë reflektohej në katin e dytë me palkun e gjatë skenik (31 x 3.3 m, 102 m2), mes dy paraskenave standarde anësore (3.8 x 4.1 m). Takimi i këtyre të fundit me skenën vetëm në një pikë, tregon se ato mbuloheshin si në Dodona me tarracë dhe jo çati. Mbas palkut vijonte ndërtesa skenike (31.7 x 10.1 m), ballin e së cilës, për ngjashmëri me Dodona-Bylisin e supozojmë me thyromata.

Datimi. Teatri i Foinikes nuk mund të kundrohet kurrsesi teatër model si ai i Dodonës. Skema e shpërndarjes  është e paarritur, materiali i përdorur skadent, struktura e shkallares pa stabilitet dhe pjesa pas skenës pa pikë vlere estetike. Ndërkohë, për nga madhësia ai renditet i treti ndër tërë teatrot antikë. Teatri vazhdon të jetë ndër më enigmatikët: Ndonëse brendia e shkallares është primitive, me shkallë qendrore dhe numër të kufizuar pykash (kerkided), vetë shkallarja i përmbahet skemës kontemporane gjysmë-rrethore. Ndryshe prej saj, skena me kolonadë jonike të nëntipit gonxhe zambaku uji, datohet prerë në kapërcyellin IV/III p.e.s. Kjo mbështetet dhe nga materiali arkeologjik, ekzemplarët e hershëm të të cilit datojnë pikërisht në këtë kapërcyell.

info@balkancultureheritage.com