Formacionet mesjetare në Arbëri
Qyteti antik
~Foustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Zgjerimet e para të Romës (753 – 350 para Jezu Krishtit)
~Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Arkeologjisë
V
XV
XX
Shqipëria Arkeologjike
~Muzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Në pranverë të vitit 1396
~Oliver Jans Schmitt
Republika detare e Venedikut
~Oliver Jens Schmitt
Bylisi
~Neritan Ceka, Skënder Muçaj

Tema e Durrësit

Ndonëse mbetej gjithnjë provincë bizantine, Shqipëria i humbi lidhjet e drejtpërdrejta me Perandorinë pas dyndjes e kolonizimit sllav në Ballkan. Strukturat shtetërore-administrative nuk funksiononin më, ndërkohë që në qytete apo jashtë tyre po zhvilloheshin struktura autonome të qeverisjes. Në qendrat e mëdha, si p.sh. në Durrës, fillon e bëhet fjalë për njerëz me ndikim e pushtet, përfaqësues të aristokracisë vendase (arkondët), të cilët luajnë rol gjithnjë e më të dukshëm në zhvillimet politike të vendit. Vetë pushteti bizantin, duke mos qenë në gjendje të vendoste një kontroll të fortë në provincat e tij të skajshme perëndimore, u detyrua të zbatonte këtu forma specifike organizimi e marrëdhëniesh, forma në të cilat elementët lokalë ishin shumë të rëndësishëm. Shembull tipik të këtyre marrëdhënieve të reja përbën në këtë kohë Durrësi dhe treva e tij (Epiri i Ri). Në shek. VII-VIII treva e Durrësit përfaqësonte një arkondat, ku pushteti dhe autoriteti ushtrohej nga arkondët vendas. Këta ishin bartës të autonomisë lokale dhe të vetëqeverisjes. Deri në fillim të shek. IX, Durrësi dhe gjithë prapatoka e tij kaluan një fazë vetëqeverisjeje dhe autonomie. Arkondë të tillë, me atribute pushteti, ndeshen në të njëjtën kohë edhe gjetkë, si në Vageneti (Çamëri), në Kolonjë etj..

Zbehja e rrezikut arab, në lindje, dhe keqësimi i situatës në zotërimet bizantine në Ballkanin Perëndimor dhe në Italinë e Jugut, si rezultat i sulmeve të sllavëve e të frankëve, e shtyu Perandorinë Bizantine të kalojë në një organizim të ri administrativ në këto treva, në atë të temave.

Dihet se regjimi i temave, ose i provincave ushtarake, filloi të zbatohej që nga shek. VII në viset me emergjencë ushtarake. Ai bazohej në thelb në rekrutimin e një ushtrie vendase në radhët e fshatarësisë së lirë, e cila në këmbim të tokës, ofronte shërbimin ushtarak. Në krye të temës qëndronte strategu i emëruar drejtpërdrejt nga perandori bizantin, i cili përqendronte në duart e tij si pushtetin ushtarak, ashtu edhe atë civil. Pas tij vinin funksionarë vartës, si pretori, nënstrategët, kartularët, klisarkët etj..

Ndër këto ofiqe, pretori dhe kartulari kishin karakter civil: pretori merrej me shqyrtimin e çështjeve gjyqësore dhe dërgohej nga pushteti qendror, kurse kartulari kryente detyrat e sekretarit të strategut. Ndër detyrat e tij kryesore ishte ndjekja e procesit të rekrutimit të trupave ushtarake, ajo e problemeve financiare të kancelarisë etj.. Nënstrategët e klisarkët, që dëshmohen si pjesëtarë të hierarkisë drejtuese në Temën e Durrësit, kryenin detyra kryekëput ushtarake në njësitë përbërëse të Temës apo në sektorët me rëndësi të posaçme strategjike, siç qenë klisurat (ngushticat) që kontrollonin lëvizjet në rrugëkalimet kryesore. Në shek. X në krye të Temës së Durrësit gjejmë një katepan që kishte në juridiksion edhe zotërimet bizantine të Puljes (Itali). Në shek. XI komandanti i Temës së Durrësit thirret tashmë me titullin dukë.

Organizimi i ri i temave synonte të konsolidonte forcën ushtarake bizantine nëpërmjet krijimit të një ushtrie që rekrutohej në vend nga radhët e stratiotëve ose bujqve ushtarë, që kishin të drejtën e shfrytëzimit të një parcele toke kundrejt kryerjes së shërbimit ushtarak. Mjaft të dhëna historike provojnë se, në fakt, forcat ushtarake të strategut të Durrësit përfaqësoheshin nga rekrutët vendas (enkoroi dynameis).

Themelimi i Temës së Durrësit bie me siguri në dhjetëvjeçarët e parë të shek. IX. Si terminus ante quem mund të konsiderohet një letër e vitit 826 e patrikut të Konstandinopojës, Teodor Studiti, për kryepeshkopin e Durrësit, Antonin, ku bëhet fjalë pikërisht edhe për një funksionar laik, Thomanë, në atë kohë me detyrën e hipatit e të kartularit në Durrës.

Juridiksioni i Temës së Durrësit shtrihej prej Tivari në veri, në Gjirin e Vlorës në jug e në një thellësi drejt lindjes, që kapte rrjedhën e lumit Drin. Territoret e tjera shqiptare, që dilnin jashtë kuadrit të Temës së Durrësit, u përfshinë në temat fqinje të Nikopojës, që shtrihej në kufijtë e provincës së dikurshme të Epirit të Vjetër, të Selanikut, e cila kishte nën juridiksionin edhe viset e Kosovës e të Maqedonisë Perëndimore, dhe të Dalmacisë. Të gjitha këto tema u krijuan gjatë shek. IX. Vonë, në vitet e para të shek. XI, në viset e Tema e Durrësit ishte në qendër të sistemit mbrojtës bizantin në zotërimet e perëndimit. Kjo është arsyeja që, në raste të veçanta, nën urdhrat e strategut të Durrësit viheshin edhe forcat ushtarake të temave fqinje, përfshirë ato të Italisë bizantine. Si rregull, veprimtaria e ushtrisë së temës përmblidhej brenda kufijve të temës përkatëse. Por, në raste të veçanta, ushtria apo reparte të veçanta të ushtrisë së temës dërgoheshin të vepronin edhe në fronte të tjera, siç ndodhte, p.sh. me luftëtarë nga Tema e Durrësit që dërgoheshin të luftonin në Italinë e Jugut.

Një karakteristikë dalluese për temën e Durrësit ishte roli i madh që elementi vendës shqiptar luante në strukturat administrative e ushtarake të saj. Ushtria e temës bazohej në rekrutët vendas. Nga ana tjetër, edhe elementë të aristokracisë vendase luanin një rol të rëndësishëm duke u integruar në sistemin e temës e duke luajtur shpeshherë një rol parësor në drejtimin e saj. Një rol të tillë ka luajtur p.sh. gjatë shek. X-XI familja e Krisilëve nga Durrësi. Pinjollë të saj u nderuan deri me titujt e lartë proteuon apo patric nga pushteti bizantin. Në vitet e fundit të shek. X e në fillimet e shek. XI, fati i vetë qytetit të Durrësit e rrethinës së tij ishte në duart e fisnikut Gjon Krisili, i cili ia dorëzoi një herë qytetin carit Samuel e ca vjet më vonë ia kaloi atë perandorit bizantin Bazili II. Aty nga viti 1040 i biri i Gjonit arriti të emërohej nga perandori bizantin komandant i ushtrisë së Temës së Durrësit dhe i forcave lokale që do të shkonin të shtronin Dioklenë, që kishte ngritur krye kundër sundimit bizantin. Pinjollë nga familje fisnike shqiptare të Temës së Durrësit, si Skurra, Vrana, Arianiti, Muzaka etj., arritën të zinin poste të rëndësishme në administratën e Temës. Madje, ndonjë syresh ngjiti shkallët e karrierës edhe në administratën qendrore.

Duke lënë mënjanë brezin bregdetar të Adriatikut, bërthamën e Temës së Durrësit e përbënte vendi i Arbrit (greQ. Al(r) banon, lat. Al (r) banum, sllav. Raban), me një fjalë treva e përfshirë midis Lezhës, Vlorës, Ohrit e Dibrës. Vendi i Arbrit përfaqësonte mbështetjen kryesore të Temës së Durrësit. Prej andej vinin kontingjentet kryesore ushtarake të Temës. Rëndësia e Arbrit ishte e tillë që, në një moment të caktuar, tema e Durrësit filloi të quhej « Tema e Durrësit dhe e Arbrit ». Një emërtim i tillë veç rëndësisë shprehte edhe individualitetin dhe pavarësinë e kësaj krahine brenda kuadrit të temës së Durrësit. Në fakt, Arbri ishte treva ku më tepër se në çdo trevë tjetër shqiptare, proceset politike kishin çuar që herët në krijimin e një autonomie relative ndaj pushtetit bizantin.

Autori bizantin i shek. XI, Mihal Ataliati, e ka fjalën pikërisht për trevën e Arbrit kur thotë se marrëdhëniet e shqiptarëve (Albanoi) me pushtetin bizantin ishin ndërtuar mbi bazën e sistemit të izopolitisë. Por nuk përjashtohet që pohimi i tij të vlejë, ku më shumë e ku më pak, edhe për treva të tjera shqiptare. Sistemi i izopolitisë ishte një sistem i privilegjuar marrëdhëniesh të një komuniteti të caktuar me pushtetin bizantin. Në thelb ai përfaqësonte një lloj statusi federimi, që Perandoria Bizantine u akordonte popujve dhe bashkësive të tjera, me të cilat i lidhte feja dhe përbashkësia e interesave. Statusi i izopolitisë iu akordua nga Bizanti për ca kohë edhe Venedikut. Izopolitia nënkuptonte njohjen e një autonomie të gjerë, përjashtimin nga taksat e detyrimet kryesore, si dhe privilegje të tjera. Detyrimi kryesor i parashikuar nga një sistem i tillë kishte të bënte me furnizimin me trupa ushtarake, të drejtuara nga komandantë vendas, që viheshin në dispozicion të strategut bizantin (në rastin tonë të strategut të Durrësit) në rast fushatash ushtarake.

Të përfshira në ushtrinë bizantine, trupat e Arbrit vepronin jo vetëm në Temën e Durrësit, por edhe jashtë saj, si edhe në vende të tjera, Maqedoni, Greqi, Itali etj.. Gjithsesi ato përbënin një strukturë të veçantë, që dallohej nga masa tjetër e ushtrisë bizantine. Forca ushtarake, që treva e Arbrit arrinte të nxirrte në shekujt e mesjetës së hershme, përbënte edhe bazën e statusit të veçantë autonom që ai gëzoi në marrëdhëniet me Perandorinë Bizantine.

Principata e Arbrit

Proncipata e Arbërit

Ballafaqimi i Perandorisë Bizantine me normanët e Italisë dhe me kryqëzatat në shek. XI-XII, nxori në plan të parë rolin e shqiptarëve dhe të tokave shqiptare që u ndodhën në qendër të këtij ballafaqimi. Qëndrimi i shqiptarëve përcaktoi dukshëm zhvillimin e fushatave ushtarake të Perëndimit, ndaj pushteti qendror bizantin u përpoq ta mbante në anën e vet fisnikërinë shqiptare, duke e joshur atë me privilegje e tituj deri dhe me ofiqe të lakmueshme në ushtrinë dhe administratën bizantine. Duke filluar nga gjysma e dytë e shek. XI në burimet historike përmenden familje fisnike shqiptare, si Skurra, Arianiti, Muzaka, Topia, Meksha, Jonima, Pliti, Blinishti, Kamona, që mbanin tituj të lartë bizantinë. Veçanërisht në shek. XII, shumë i përhapur ishte titulli sebast, që lidhet me periudhën e sundimit të dinastisë Komnene e posaçërisht me atë të Manuelit I (1147-1181). Luftërat e këtij perandori sa në Itali aq edhe në Ballkan, kryesisht kundër serbëve të Rashës, e rritën rolin dhe peshën ushtarake të faktorit shqiptar. Fisnikët shqiptarë ishin fuqizuar mjaft. Ndërkohë, ata shfrytëzuan privilegjet dhe ekskusitë e akorduara nga pushteti qendror, për të rritur shkallën e autonomisë së tyre. Ky proces zhvillimi politik autonom i feudalëve dhe i krahinave të veçanta eci më shpejt në trevën qendrore të Arbrit, me rol strategjik e ushtarak të posaçëm. Në gjysmën e dytë të shek. XII këtu kishte ndodhur me siguri një proces përqendrimi pushteti. Në vitin 1166 përmendet, në fakt, një prior Arbanensis (princ i Arbrit). Së bashku me disa klerikë të lartë nga Arbri ky mori pjesë në përurimin e kishës së re të Shën Trifonit në Kotorr. Në ceremoni merrte pjesë dhe « duka e komandanti » bizantin për Dalmacinë, Dioklenë e për Arbërinë, Isaku. Kjo tregon se priori i Arbrit, Andrea, e njihte ende formalisht sovranitetin bizantin. Megjithatë, në këtë kohë autonomia politiko-administrative e Arbrit ishte rritur së tepërmi, siç tregojnë edhe privilegjet e vitit 1153 të perandorit Manuel për kryeqendrën e Arbrit, Krujën. Duke u nisur edhe nga marrëdhëniet e mira që vendosi me Papatin, perandori Manuel u tregua liberal edhe përsa u përket marrëdhënieve kishtare; në kohën e tij riti katolik njohu një përhapje të gjerë jo vetëm në Shqipërinë e Epërme, por dhe në atë Qendrore, posaçërisht në Arbër.

Këto zhvillime në Shqipëri, që përkonin në një plan më të gjerë me thellimin e procesit të feudalizimit të Perandorisë Bizantine, me dobësimin e pushtetit qendror dhe decentralizimin e tij, në fundin e shek. XII, çuan në krijimin e një strukture me tipare të qarta shtetërore në trevën e Arbrit dhe në kristalizimin e një dinastie sunduese vendase. Duke u nisur nga titulli « princ » (princeps), që papa Inocenti III i dha më 1208 njërit prej krerëve të saj, Dhimitrit, kjo strukturë shtetërore është quajtur zakonisht në historiografi « Principatë e Arbrit », njëlloj siç është quajtur « Despotat i Epirit », formacioni fqinjë me Principatën e Arbrit, me qendër në Artë, i cili kishte në krye një despot.

Pas rënies së dinastisë së Komnenëve dhe me ardhjen në fronin bizantin të dinastisë së dobët të Engjëllorëve, treva e Arbrit fitoi tiparet e një shteti të pavarur. Themelues i tij ishte Progoni (1190-1198), pushtetin e të cilit e trashëguan të bijtë, Gjini (1198-1206) dhe Dhimitri (1206-1216). Dokumentet e rralla të kohës nuk thonë se cilës familje të Arbrit i përkisnin këta. Ka shumë gjasë që sundimtarët e Arbrit në kapërcim të shek. XII-XIII t’i përkisnin familjes Skurra nga malësia e Tiranës, ku emri Skurrë ndeshet ende në toponiminë dhe antroponiminë e vendit. Emri i kësaj familjeje ndeshet vazhdimisht në burimet e shek. XII-XIII si ndër më kryesoret e Arbrit. Për pozitën e lartë shoqërore të saj flet edhe varri familjar i sebastit Mihal Skurra në kishën e Shën Mërisë së Brrarit i vitit 1201, apo varri i fisnikut tjetër nga kjo familje, Anton Skurrës, në kishën e Shën Ndout në Lezhë. Për pozitën e veçantë që kjo familje kishte në shek. XII-XIII në gjirin e fisnikërisë shqiptare, flet dhe fakti që pinjollë të saj lidhën krushqi deri edhe me familjen perandorake bizantine. Edhe princi Dhimitër i Arbrit u martua me mbesën e perandorit bizantin Aleksi II Engjëlli, Komnenën, lindur nga martesa e vajzës së këtij të fundit, Eudokisë, me mbretin e Serbisë, Stefan Nemanjën e Kurorëzuar. Princesha Komnena, që kishte lindur jo para vitit 1191, ishte në moshë të mitur kur aty nga viti 1202, iu blatua princit Dhimitër të Arbrit, gjë që në vetvete flet për karakterin politik të kësaj martese. Martesa e Dhimitrit të Arbrit me Komnenën synonte edhe të normalizonte marrëdhëniet me Stefan Nemanjën e Serbisë, i cili në vitet e fundit të shek. XII kishte mundur të pushtonte mjaft toka në Kosovë e në Diokle (Gentë). Nemanja e vazhdoi përparimin në thellësi të tokave shqiptare, duke marrë edhe trevën e Pultit (malësia në të dy anët e lumit Drin të bashkuar) që bënte pjesë në Principatën e Arbrit. Pas lidhjes familjare me Nemanjët e Serbisë, Principata e Arbrit ruajti në mënyrë të qëndrueshme shtrirjen Drin-Shkumbin, të përfshirë midis Lezhës, Durrësit, Ohrit e Dibrës.

Principata e Arbrit e arriti kohezionin e saj më të madh nën sundimin e Dhimitrit. Nën autoritetin e tij u vunë atë kohë edhe familje të shquara të Arbrit, siç qenë Jonimët, Plitët, Shtëpanët, Kamonat etj.. Në një traktat paqeje të nënshkruar prej tij më 1210 me Republikën e Raguzës, Dhimitri i quan këta, sipas së drejtës feudale perëndimore, « njerëzit e mi » (homines mei). Edhe titujt « gjykatës » (iudex) apo « princ » (princeps) që i atribuohen Dhimitrit prej papës Inocenti III, flasin për pozitën e tij të dalluar në gjirin e fisnikërisë së Arbrit. Ato tregojnë gjithashtu se familja e princërve të Arbrit në kapërcim të shek. XII-XIII ishte e ndikuar nga kultura dhe feudalizmi perëndimor. Këtë e konfirmon edhe hapi i ndërmarrë më 1208 nga princi Dhimitër për të kaluar në ritin katolik, duke u lidhur me kishën katolike të Romës. Me gjithë ndikimet që modelet feudale perëndimore patën në organizimin dhe në ndërtimin e Principatës së Arbrit, tradita bizantine mbetej ende shumë e fuqishme. Vetë Dhimitri parapëlqente të përdorte titujt bizantinë me prestigj panhypersebast apo megas arhond, ashtu si bujarët e tjerë mbanin titujt po bizantinë sebast ose protosebast. Qendra e Principatës së Arbrit ishte në qytetin e Krujës. Në kohën e Dhimitrit, Principata zotëronte edhe një dalje në det, në pjesën bregdetare midis Bishtit të Pallës dhe derdhjes së lumit Mat.

Principata e Arbrit, Dukati i Durrësit dhe Despotati i Epirit

Kryqëzata IV (1204) solli një ndryshim rrënjësor të kushteve politike në Perandorinë Bizantine e posaçërisht në viset e saj perëndimore.

Traktati i ndarjes së tokave », i nënshkruar nga Venediku e fuqitë e tjera pjesëmarrëse në Kryqëzatë në prag të sulmit përfundimtar mbi Konstandinopojën, parashikonte që një pjesë e mirë e bregdetit shqiptar, prej Durrësit deri poshtë në Prevezë, të kalonte nën sundimin e Venedikut. Në fakt, venecianët arritën ta merrnin Durrësin dhe rrethinat e tij dhe të krijonin një zotërim të tyre të quajtur « dukati i Durrësit ». Por në jug të tij, në temën e dikurshme bizantine të Nikopojës (Epir), venecianët nuk arritën të vendosnin pushtetin e tyre. Që në dhjetëvjeçarët e fundit të shek. XII një degë e familjes perandorake bizantine të Engjëllorëve kishte siguruar në Epir, veçanërisht në provincën e Vagenetisë (Çamëri), prona të mëdha tokësore dhe kishte ngritur aty një pushtet thuajse të pavarur nga Konstandinopoja. Në këtë mënyrë, menjëherë pas pushtimit të Perandorisë Bizantine nga kryqtarët më 1204, një pinjoll i Engjëllorëve bizantinë, Mihal Engjëlli, djali i qeveritarit të dikurshëm të Epirit, krijoi këtu një zotërim të pavarur. Dokumentet e kohës e quajnë këtë « Despotat i Artës », sipas kryeqendrës së tij. Në historiografi është bërë zakon të quhet « Despotat i Epirit ». Gjatë historisë së tij më se dy shekullore, Despotati i Epirit e ndryshoi disa herë shtrirjen e tij. Sidoqoftë, bërthama e qëndrueshme territoriale përfaqësohej nga shtrirja e temës së dikurshme bizantine të Nikopojës, e përkufizuar nga malet Akrokeraune (V etëtimës) në veri, nga gjiri i Artës (Ambrakisë) në jug dhe nga rrjedhja e lumit Vjosa e vargmalet e Pindit në lindje. Deti Jon lagte krahun perëndimor të Despotatit. Përveç kryeqendrës, Artës, qytete e kështjella të tjera të rëndësishme ishin Janina, Ajdonati (Paramithia), Himara, Berati, Kanina dhe për një farë kohe (1213-1253) edhe Durrësi. Shqiptarët përbënin shumicën dërrmuese të popullsisë së Despotatit në shtrirjen klasike të tij. Po veç shqiptarëve kishte edhe popullsi vllahe, greke e sllave të vendosura kryesisht në viset e Thesalisë, të Maqedonisë e të Etolo-Akarnanisë, që u aneksuan nga despotët e Epirit pas vitit 1216.
Nga pikëpamja e organizimit shtetëror, Despotati i Epirit ishte një shtet bizantin. Në krye të tij qëndronin despotët e familjes perandorake Engjëlli. Këta në aktet dhe në dokumentet zyrtare të tyre shfaqen me emrin e përbërë Engjëll-Duka-Komnen, duke kujtuar kështu lidhjet e Engjëllorëve me dinastitë e tjera bizantine. Vetë sundimtarët e Epirit nuk u pajtuan me statusin e sundimtarit të një province. Ata e mbanin veten për trashëgimtarë të ligjshëm të fronit bizantin dhe në këtë kuptim e konsideronin pushtetin e tyre në Epir si një pikënisje për të restauruar Perandorinë Bizantine, duke dëbuar kryqtarët nga vendet bizantine.
Vitet e para të sundimit despoti Mihali I Engjëlli (1204-1216) ia kushtoi konsolidimit të brendshëm të shtetit të posalindur. Nuk munguan në këtë kohë edhe konfliktet me principatat kryqtare, të krijuara pas vitit 1204 në kufijtë e Despotatit, në mbretërinë lombarde të Selanikut, në dukatin e Athinës dhe në Principatën frënge të Akesë. Me t’u krijuar një gjendje e qëndrueshme në kufijtë me këto formacione, iu vu punës për shtrirjen e Despotatit në drejtim të veriut. Në vitin 1210 Despotati i Epirit i ishte afruar së tepërmi dukatit venecian të Durrësit.

Ndërkaq sundimi i Venedikut në Durrës ishte treguar i paqëndrueshëm. Përpjekjet për ta shtrirë juridiksionin venecian përtej qytetit kishin hasur në kundërshtimin e princit Dhimitër të Arbrit. Fisnikë të Arbrit ishin tashmë zotër të tokave në rrethinat e Durrësit, gjë që shqetësoi jo vetëm pushtetin venecian të Durrësit, por dhe kryepeshkopatën katolike të qytetit, e cila pretendonte se Dhimitri dhe njerëzit e tij kishin okupuar pronat e saj. Me qëllim që të ushtronte presion mbi princin e Arbrit, duka i Venedikut lidhi një aleancë me princin e Dioklesë (Gentës), Gjergjin, i cili zotohej ta ndihmonte Venedikun kundër Dhimitrit. Por ky ndërkaq kishte arritur të bënte për vete papën e fuqishëm Inocenti III, të cilit i premtoi konvertimin e tij, të bujarëve e të popullit të tij në fenë katolike.

I brejtur nga konfliktet me princin e Arbrit, Papatin e me vetë kishën vendase, dukati venecian i Durrësit u tregua i pafuqishëm të përballonte mësymjen nga jugu të despotit të Epirit, të Mihalit I Engjëlli. Në vitin 1210 kufiri midis Despotatit dhe Dukatit venecian të Durrësit ishte vendosur në rrjedhjen e lumit Shkumbin. Atë vit duka Marin Valaresi u takua me despotin Mihal për të biseduar lidhur me vendosjen e një paqeje. Paqja u nënshkrua në verë të atij viti nga duka i Venedikut Pietro Xian dhe despoti Mihali I. Në bazë të saj njihej edhe de jure kufiri i Shkumbinit si caku verior i zotërimeve të Despotatit. Ndërkohë, despot Mihali zotohej të lejonte tregtarët venecianë të tregtonin lirisht, pa taksa e doganë, në tokat e tij dhe t’i mbronte ata nga shtetasit e tij, në rast konflikti me sipërmarrësit venecianë.

Në muajin shtator 1210 venecianët sheshuan edhe mosmarrëveshjet me kishën e Durrësit, duke vënë në krye të saj venecianin Manfred. Në marrëveshjen që nënshkroi me dukën Pietro Xian në shtator të vitit 1210, kryepeshkopi Manfred u betua se do t’i qëndronte besnik Republikës së Venedikut dhe se do të punonte që qytetarët si dhe bashkësia e Durrësit dhe e zonave përreth t’i bindeshin pushtetit venecian.

Megjithatë, shpresat e Venedikut për të ruajtur një minimum pranie në Durrës dhe në rrethinat e tij, pësuan goditjen e fundit më 1213, kur despot Mihali I Engjëlli ia shkëputi atë Republikës së Shën Markut dhe e bashkoi me zotërimet e tij. Ushtria e tij përparoi thellë në veri e më 1215 pushtoi Shkodrën, por shpejt u tërhoq prej andej për t’u vendosur në vijën e Durrësit.

Pushtimi jetëshkurtër i Shkodrës ishte ndërmarrja e fundit ushtarake e despotit Mihali I. Në rreth 10 vjet të sundimit të tij, shteti i vogël e i dobët epirot, arriti të zgjerohet duke zënë pak a shumë shtrirjen e temave të dikurshme bizantine të Nikopojës e të Durrësit. Përveç kryeqendrës, Artës, despot Mihali parapëlqente si rezidencë të zgjedhur të tij kështjellën e Beratit. Ende sot aty ruhen dëshmi të shumta të punimeve fortifikuese e të ndërtimeve të kultit të ndërmarra në kohën e sundimit të tij. Despot Mihali I vdiq pikërisht në kështjellën e Beratit në vitin 1216 pas një komploti të organizuar nga njerëz të afërt të tij. Pas kësaj në krye të Despotatit u vu i vëllai, Teodori. Nën sundimin e tij Despotati i Epirit arriti shtrirjen e tij më të gjerë. Politika e despotit të ri u orientua kryekëput nga lindja dhe synoi asgjësimin e principatave latine të kryqtarëve në Greqi, në Maqedoni e në Traki, rimëkëmbjen e Perandorisë Bizantine dhe kurorëzimin e tij si perandor i Bizantit. Në këtë kuadër fitoi rëndësi të posaçme kontrolli mbi Durrësin dhe mbi boshtin e Rrugës Mbretërore (Egnatia), i cili hapte rrugën drejt kështjellave të Maqedonisë e Selanikut dhe njëherësh shkëpuste lidhjet jetësore të perandorisë latine të Konstandinopojës ose të mbretërisë lombarde të Selanikut me fuqitë-mëmë të perëndimit. Duke pasur parasysh rëndësinë strategjike të këtij boshti rrugor e veçanërisht të pikënisjes së tij, Durrësit, mitropoliti i Korfuzit, Gjergj Bardhami, shprehej atë kohë se « despoti derdh pa kursim për Durrësin para, ushtri e çdo gjë tjetër, në mënyrë që të mos lejohen egërsirat nga Perëndimi të vënë këmbë në atë qytet, që ai e do mbi të tjerët h.

Në fakt, që në fillim të sundimit të tij, Teodorit iu desh të përballonte një përpjekje të latinëve për të shtënë në dorë korridorin e rrugës Egnatia. Në verën e vitit 1217, perandori i ri latin i Konstandinopojës, Pier dë Kurtëne, në krye të një ushtrie të nisur nga porti i Brindizit, zbarkoi në Durrës me destinacion Konstandinopojën. Pasi mori qytetin, ushtria latine e vazhdoi marshimin përgjatë rrugës Egnatia në drejtim të Selanikut. Historiani bizantin Gjergj Akropoliti rrëfen se despoti Teodor i kishte ngritur pritë ushtrisë latine « në vendet e ashpra të Arbrit », diku në luginën e Shkumbinit. Në betejën e zhvilluar këtu, ushtria frënge u shpartallua keq dhe vetë perandori Kurtëne u zu rob. Një kronist frëng, vazhduesi i Robert Autissiodorensis, ia atribuon katastrofën e perëndimorëve qëndrimit armiqësor të popullsisë vendase (malicia indigenorum) që bashkëpunoi me despotin e Epirit. Pas kësaj fitoreje, Teodori e ripushtoi Durrësin. Në qytet u përforcua sistemi i mbrojtjes dhe u kryen punime të ndryshme fortifikuese. Në vitet që pasuan, Teodor Engjëlli i zhvendosi veprimet luftarake në lindje. Këtu ai mori njërën pas tjetrës kështjellat e Ohrit, të Përlepit, të Pelagonisë (Manastir) etj.. Por objektivi kryesor ishte Selaniku, të cilin Teodori ua shkëputi baronëve lombardë në vitin 1224. Këtu ai u kurorëzua « perandor e autokrat i bizantinëve h nga kryepeshkopi i fuqishëm i Ohrit, Dhimitër Komatiani. Selaniku u bë qendra e re ku u zhvendos Teodori e oborri i tij. Qeverisjen e zotërimeve shqiptare Teodori ia besoi të vëllait,

Konstandinit, të cilit i akordoi titullin despot. Duke ndjekur shembullin e perandorëve të Bizantit, ai u shpërndau tituj fisnikërie si sebastokrator, domestik i madh, protovestiar etj., bashkëpunëtorëve të tij të afërt, midis të cilëve edhe mjaft bujarëve shqiptarë. Në administrimin e punëve të « perandorisë » së tij, Teodori ndihmohej nga një « këshill i të zgjedhurve ». Një mbështetje të fortë i jepnin politikës së tij prelatët e lartë të kishës, ndaj të cilëve Teodori tregoi vazhdimisht kujdes të veçantë. Mitropoliti i Naupaktit, Jan Apakauku, kryepeshkopi i Korfuzit, Gjergj Bardhani, ai i Ohrit, Dhimitër Komatiani, si dhe peshkopi i Kaninës ishin disa nga bashkëpunëtorët e këshilltarët më të afërt të Teodorit.

Pas marrjes së Selanikut, objektivi i dytë i madh mbetej për Teodorin pushtimi i Konstandinopojës, që do të shënonte fundin e Perandorisë Latine e rimëkëmbjen e Bizantit. Midis viteve 1225-1230 ushtritë e tij arritën suksese të mëdha në Maqedoninë Lindore e në Traki, ku pushtuan Adrianopojën. Por në vendin e quajtur Klokotnica, në vitin 1230, trupat e Teodorit pësuan një disfatë të rëndë nga ushtritë e carit bullgar, Ivani II Aseni, që ishte shqetësuar nga forcimi i shtetit epiriot e nga përparimi i Teodorit në zonën e interesave bullgarë.

Anzhuinët dhe Mbretëria e Arbrit

Sovrani i ri i mbretërisë së Sicilisë, Karli I Anzhu, trashëgoi synimet e vjetra të dinastive të Altavilëve normanë e të Hohenshtaufëve gjermanë. Në qendër të politikës së tij të jashtme u vu pushtimi i Lindjes e marrja e Konstandinopojës. Kjo politikë u nxit e u ushqye vazhdimisht nga kisha e Romës, e cila llogariste të organizonte, nëpërmjet anzhuinëve, një kryqëzatë të re kundër Bizantit dhe të realizonte kështu bashkimin me dhunë të kishave. Pikërisht në praninë e papës Klementit IV u nënshkrua në maj të vitit 1267 në Viterbo marrëveshja midis Karlit I Anzhu e perandorit të shfronëzuar latin të Konstandinopojës, Balduinit II, në bazë të së cilës ky i fundit ia kalonte të drejtat e tij në Lindje mbretit anzhuin. Marrëveshja në fjalë përcaktonte si fazë të parë të ndërmarrjes anzhuine zënien e një kryeure në bregdetin shqiptar, në zotërimet e ish-mbretit Manfred.

Karli I Anzhu u mundua të afirmonte të drejtat e tij në vijë trashëgimije mbi zotërimet shqiptare të Manfredit, duke i shndërruar në vasalë të tij bashkëpunëtorët e Manfredit në Shqipëri. Në këtë kuadër, më 1267, Karli I emëroi si mëkëmbës të tij në Shqipëri Gaco Kinardin, një i afërm i mëkëmbësit të vrarë të Manfredit, Filipit. Por as kështjellari i Korfuzit, as ai i Vlorës, i Butrintit e i Sopotit dhe as kapiten Vrana e qytetarët e Durrësit nuk dëgjuan të kalojnë nën sovranitetin anzhuin. Përkundrazi, marrëdhëniet e mbretit Karl me bregun përballë mbetën të ndera deri në vitin 1271. Atë kohë, vetë ai shprehej në një letër se shqiptarët e « urrenin emrin e tij » (in odium nostri nominis).

Gjithsesi, anzhuinët nuk ndërmorën ndonjë fushatë të armatosur. Karli I u përpoq të tërhiqte me anë premtimesh krerët shqiptarë dhe në vitin 1271 ai duket se kishte vendosur një dialog me aristokracinë e Arbrit si edhe me bashkësinë qytetare të Durrësit. Gjatë atij viti dy priftërinj katolikë shqiptarë, Gjoni nga Durrësi dhe Nikolla nga Arbri, si të besuar të mbretit Karl dhe të aleatit të tij të madh, papës Gregori X, bënë disa udhëtime midis Napolit e Durrësit, duke përcjellë mesazhet e mbretit te krerët shqiptarë. Në fillim të shkurtit 1272 mbërriti në oborrin anzhuin në Napoli një përfaqësi e fisnikërisë së Arbrit dhe e bashkësisë qytetare të Durrësit. Në përfundim të traktativave me Karlin Anzhu u shpall bashkimi i « Mbretërisë së Arbrit » (Regnum Albaniae) me mbretërinë e Sicilisë nën sovranitetin e mbretit Karl (Carolus I, dei gratia rex Siciliae et Albaniae).

Kthesa e fisnikëve shqiptarë në marrëdhëniet me mbretin anzhuin ndodhi për një sërë arsyesh të jashtme dhe të brendshme. Në atë kohë bizantinët dhe serbët e kishin rritur presionin në trevat shqiptare që ishin ende jashtë kontrollit të tyre. Serbët i ishin afruar tashmë zonës së Dibrës, kurse Perandoria Bizantine e kishte rivendosur sundimin e saj në një pjesë të mirë të Shqipërisë së brendshme. Marrja e Beratit menjëherë pas fitores së bizantinëve në Pelagoni (Manastir), më 1259, i jepte Bizantit një bazë strategjike mjaft të rëndësishme për të shtrirë më tej zonën e kontrollit të vet deri në vijën bregdetare.

Vështirësive të aristokracisë shqiptare në marrëdhëniet me këto fuqi të huaja, u shtoheshin edhe ndarjet e konfliktet midis vetë fisnikëve shqiptarë. Në këtë kohë edhe Principata e dikurshme e Arbrit e kishte humbur shkëlqimin që kishte patur në kohën e princit Dhimitër. Në vend të një familjeje feudale, në trevën e Arbrit ushtronin ndikimin dhe pushtetin e tyre disa familje, shpesh herë në konflikt me njëra-tjetrën, siç ishin familjet Skurra, Vrana, Blinishti, Topia, Arianiti etj.. Në këtë mënyrë, njohja e një sovrani të huaj u pa edhe si një mjet për të qetësuar rivalitetet midis tyre. Së fundi, jo pa rol ishte edhe fakti që në Shqipëri, veçanërisht në zonën e Durrësit dhe të Arbrit, ekzistonte tashmë një grupim filo-anzhuin, që përfaqësohej kryesisht nga kleri katolik i Durrësit dhe i Arbrit, që nën sundimin e Manfredit, armikut të egër të Papatit, kishte pësuar përndjekje nga më të ashprat. Për rrjedhojë, ky ishte i prirur të bashkëpunonte me sovranin e ri të Sicilisë, Karlin Anzhu, që ndryshe nga Manfredi, ishte beniamin dhe krahu i djathtë i kishës katolike të Romës.

Pavarësisht nga motive të tilla që flisnin në të mirë të anzhuinëve, kompromisi i vitit 1272 midis anzhuinëve e aristokracisë shqiptare u bë i mundur vetëm pasi Karli I Anzhu u dha krerëve shqiptarë garancitë e kërkuara. Në dy diploma të dala nga kancelaria e tij më 20 e 21 shkurt 1272, u premtonte atyre mbrojtjen e tij (protectionem suam) dhe njohjen e të gjitha privilegjeve, normave e dokeve « të mira » të mëparshme. Teksti i tyre tregon qartë që njohja e sovranitetit anzhuin nga krerët shqiptarë nuk qe një « dorëzim » pa kushte, por një ujdi e arritur, siç shprehej vetë mbreti Karl, « pa kurrfarë dhune e shtrëngimi » (absque aliqua violentia seu cohactione). Anzhuinët kënaqnin në thelb dy kërkesat themelore të shqiptarëve: kërkesën për një angazhim të anzhuinëve në marrëdhëniet e ndera të shqiptarëve me fuqitë e tjera, kryesisht Bizantin e Serbinë, dhe kërkesën për njohjen e autonomisë politiko-administrative të fisnikëve vendas brenda kuadrit të « Mbretërisë së Arbrit ».

Pavarësisht nga premtimet joshëse të anzhuinëve, jo menjëherë e jo të gjithë fisnikët shqiptarë u tërhoqën prej tyre.

Koha e gjatë, që iu desh Karlit I Anzhu për të realizuar planin e vet, ishte prova më e mirë se në gjirin e aristokracisë shqiptare kishte ngurrime lidhur me një orientim proanzhuin. Në fakt, anzhuinët përcaktuan qysh në fillim hapësirën midis Durrësit e Vlorës ose më saktë midis Matit e Seman-Devollit, si zonë e interesave të tyre jetike në Shqipëri. Tokat jashtë tyre anzhuinët i panë para së gjithash në funksion të marrëdhënieve me shtetet aleate ballkanike, në radhë të parë me mbretërinë e Serbisë. Kjo vijë politike e anzhuinëve i prishi këta qysh në fillim me një krah të rëndësishëm të aristokracisë shqiptare. Aleanca me Mbretërinë Serbe pati gjithmonë përparësi për Karlin Anzhu dhe ky refuzoi të merrte në mbrojtje fisnikët shqiptarë, si Gropajt e Dibrës, tokat e të cilëve ndodheshin nën kërcënimin e pushtimit serb.

Por marrëdhëniet e anzhuinëve nuk vonuan të prishen edhe me fisnikët-vasalë të tyre të « Mbretërisë së Arbrit ». Premtimet lidhur me njohjen e autonomisë e të privilegjeve të vjetra, që Karli I u kishte dhënë krerëve shqiptarë në fillim, u treguan se ishin demagogji. Fisnikët shqiptarë u detyruan të kryejnë « betimin dhe homazhin feudal » (ligii homagii iuramentum). Këtu u vendos një administratë e fortë ushtarake, ku aristokracia shqiptare nuk përfaqësohej në asnjë instancë të saj. Të gjithë funksionarët, që nga « kapiteni e mëkëmbësi i Mbretërisë së Arbërisë », te mareshali, kështjellarët, intendentët e postet më të ulëta, ishin me kombësi franko-italiane. Shqiptarët ishin përjashtuar nga çdo rol efektiv në këtë « Mbretëri të Arbërisë ». Fisnikët shqiptarë, që njohin për kryezot Karlin I Anzhu e që u përfshinë në « Mbretërinë e Arbërisë », u organizuan prej anzhuinëve në një lloj « këshilli regjence ». Karli I u vinte atyre kufirin e të drejtave e detyrave, kur i këshillonte se « duhej t’i bindeshin mëkëmbësit e kapitenit të përgjithshëm të Mbretërisë së Arbrit dhe ta ndihmonin atë me të gjitha forcat e për çdo punë, qoftë me këshilla, qoftë me mjetet e nevojshme ».

Dokumentet anzhuine lënë të kuptohet qartë se ku konsistonte ndihma e krerëve shqiptarë për kryezotin anzhuin. Në radhë të parë ata duhet të shoqëronin trupat anzhuine në fUshatat ushtarake. Ky shërbim i tyre përputhej me thelbin e regjimit anzhuin e të « Mbretërisë së Arbrit », të cilën anzhuinët e projektuan dhe e ndërtuan si një bërthamë të një perandorie të tërë ballkanike. Shqiptarët duhet të luftonin, kështu, për një qëllim që s’qe i tyre e që ata nuk e ndienin. Kjo i zhgënjeu shpresat fillestare të tyre, të ushqyera nga premtimet e Karlit I Anzhu, që ua serviri atyre « Mbretërinë e Arbrit » si një pasardhëse të natyrshme të Principatës së Arbrit, ku fisnikët shqiptarë do të ruanin autonominë e tyre e do të luanin rol parësor.
Por regjimi i ri anzhuin nuk pati pasoja negative vetëm në planin politik. Anzhuinët vendosën në zotërimet e tyre një regjim të rreptë shfrytëzimi. Fonde të mëdha tokësore iu rrëmbyen pronarëve vendas, në radhë të parë kundërshtarëve të regjimit anzhuin, e u shpërndanë në të mirë të kurorës, të funksionarëve e feudalëve anzhuinë dhe të kishave, kuvendeve e manastireve katolike të themeluara me shumicë nga klerikët e huaj, të ardhur bashkë me anzhuinët e që përfaqësonin një mbështetje shoqërore e mjet diversioni ideologjik të tyre. Fshatarësia shqiptare, që punonte në këto toka, iu nënshtrua një shfrytëzimi intensiv e të panjohur deri atëherë. Të ardhura të mëdha hynin në arkën mbretërore e të funksionarëve anzhuinë nga taksat e detyrimet që shpeshherë këta ia impononin në mënyrë arbitrare popullsisë vendase.

Vendosja e regjimit anzhuin pati reflekse negative edhe në jetën e qyteteve. Autonomia e tyre u ngushtua, organet bashkiake të qeverisjes pushuan së funksionuari e u zëvendësuan nga administrata anzhuine. Interesat ekonomikë të shtresave tregtare-zejtare e të vegjëlisë u dëmtuan rëndë nga politika e monopolit shtetëror mbi prodhimin e shitjen e produkteve kryesore, si dhe nga detyrimet nga më të ndryshmet që nëpunësit anzhuinë ngarkonin në kurriz të popullsisë qytetare. Të ardhurat e shumta që vinin nga prodhimi dhe tregtia e kripës shkonin në dobi të mbajtjes së trupave dhe të administratës anzhuine në Shqipëri.
Në këtë mënyrë regjimi anzhuin ngjalli që në muajt e parë zhgënjim e pakënaqësi midis shtresave më të ndryshme të shoqërisë shqiptare. Zëdhënëse e kësaj pakënaqësie u bë aristokracia shqiptare, brenda e jashtë kuadrit të « Mbretërisë së Arbrit », e cila e pa se anzhuinët i shkelën pa ngurruar aspiratat e saj politike. Për t’i detyruar krerët shqiptarë që t’i rrinin besnikë e mos të ngrinin krye, Karli I filloi të marrë peng fëmijët e tyre, të cilët i çonte e i ruante në kështjellat e Italisë së Jugut, ku këta trajtoheshin si të ishin robër, aq sa në mjaft raste ata të tentonin të arratiseshin.

Përplasjet e shqiptarëve me anzhuinët, që në fillimet e vendosjes së këtyre të fundit në Shqipëri, favorizuan lojën e bizantinëve. Duke filluar nga vera e vitit 1272, perandori bizantin Mihali VIII Paleolog ishte vënë në kontakt me fisnikët shqiptarë dhe përpiqej t’i bënte ata për vete e t’i hidhte kundër anzhuinëve. Përpjekja e tij mbështetej në premtimet e garancitë që u paraqiste shqiptarëve e s’ka dyshim që në këtë pikë ai nuk mbeti pas, madje e kapërceu rivalin e tij, Karlin I Anzhu, përderisa arriti qysh në fillim të bënte për vete $« të mashtrojë », sipas shprehjes së Karlit I) mjaft prej tyre.

Në verën e vitit 1274, vetë dokumentet anzhuine bëjnë fjalë për një aleancë operative midis bizantinëve e fisnikëve shqiptarë.

Në gusht të atij viti aleatët kishin arritur një fitore të parë mbi anzhuinët, duke u shkaktuar atyre mjaft të vrarë e duke zënë shumë të tjerë robër. Në muajin nëntor komandantët anzhuinë në Shqipëri i raportonin mbretit anzhuin Karl se « arbëreshët e bizantinët kishin rrethuar Durrësin ». Informatat e mëvoshme konfirmonin se luftimet tashmë ishin përqendruar në afërsi të kështjellave bizantine. Shpërthimi i konfliktit të hapur me shqiptarët bëri që fronti i luftimeve të zhvendosej me shpejtësi në afërsi të kështjellave anzhuine të bregdetit.
Forca tërheqëse e këtij orientimi të ri të aristokracisë shqiptare kundër anzhuinëve u bënë ata fisnikë që kishin mbajtur një qëndrim të rezervuar ndaj anzhuinëve e që nuk ishin përfshirë në « Mbretërinë e Arbrit ». Të tillë qenë Pal Gropa e Gjin Muzaka, zotër përkatësisht të zonës së Dibrës dhe asaj të Beratit. Me kohë me këta fisnikë u bashkuan edhe të tjerë, nga ata që ishin njohur vasalë të mbretit Karl. Në mënyrë mjaft domethënësë Karli I Anzhu fillon t’i quajë me emrin « tradhtarët e mi » (proditores nostros) fisnikë të tillë si Blinishtët, Skurrajt, Jonimët etj., që deri atëherë kishin qenë « besnikët e tij » (fideles suos). Ky qëndrim i ri qe me pasoja fatale për sundimin anzhuin. Zotërimet shqiptare të Karlit Anzhu apo, siç preferonte t’i quante ai, « Mbretëria e Arbrit », që s’ishte veçse një shumë zotërimesh të fisnikëve shqiptarë, vasalë të tij, u reduktua, pas armiqësimit me ta, në kështjellat bregdetare të Durrësit, Vlorës e Kaninës.

Rrjedhja e re, që morën marrëdhëniet e shqiptarëve me anzhuinët, dhe aleanca shqiptaro-bizantine, që pasoi, i përmbysi planet e mëdha të Karlit I Anzhu, i cili kishte shpresuar t’i çonte ushtritë e tij deri në Konstandinopojë. Për më tepër planet e mbretit anzhuin u komprometuan edhe nga afrimi i perandorit bizantin, Mihalit VIII Paleolog, me Papën. Ujdia që këta të dy arritën në Koncilin e Lionit, më 1274, për të realizuar bashkimin e kishave, e izoloi Karlin Anzhu duke i hequr atij përkrahjen e pakushtëzuar të Papatit. Në vend që të vazhdonte mësymjen drejt Lindjes, Karli u detyrua të nënshkruante një armëpushim me Mihalin VIII Paleolog (1276). Ndërkohë « bizantinët » e kishin kthyer Beratin në qendrën ku së bashku me fisnikët shqiptarë organizoheshin operacionet kundër kështjellave anzhuine. Komandën e kësaj kështjelle ata ia kishin besuar një fisniku vendas, sebastit Stano, që kryente funksionin e qefalisë (qeveritarit) të qytetit. Në atë kohë bizantinët kishin arritur të rrëmbenin edhe Spinaricën, lokalitetin bregdetar midis Vlorës e Durrësit. Në këtë mënyrë, zotërimet jugore të anzhuinëve ishin ndarë nga Durrësi nëpërmjet këtij pykëzimi bizantin nga Berati në bregdet. Ndërlidhjet midis zotërimeve anzhuine dhe midis tyre e Mbretërisë së Sicilisë kryheshin vetëm me anën e detit. Por edhe komunikimi detar ishte bërë i rrezikshëm, sepse një flotë bizantine me bazë në Spinaricë e në Butrint sulmonte anijet anzhuine.

Duke parë gjendjen katastrofike të trupave të tij në Shqipëri, mbreti Karli I Anzhu mendoi të organizonte një fushatë të re, gjatë së cilës të nënshtronte krerët kryengritës shqiptarë dhe të merrte kështjellat e pushtuara ndërkohë nga perandori bizantin Mihali VIII Paleolog. Në këtë kuadër rëndësi e posaçme iu dha kështjellës së Beratit, kundër së cilës u përqendrua goditja kryesore anzhuine. Marrja e Beratit do të çlironte nga presioni bizantin bazat bregdetare të anzhuinëve (Vlorën, Durrësin) dhe do të krijonte kushtet për përparimin e ushtrive të Karlit Anzhu në brendësi të vendit. Është për këto arsye që Karli I i shkruante komandantit të ushtrisë anzhuine në Shqipëri se « nuk mund ta shprehte me fjalë rëndësinë që i jepte pushtimit të kështjellës së Beratit » (ad captionem castri Bellgradi, que ultra quam dici valeat cordi nostro residet ).

Në prag të mësymjes, Karli I Anzhu konfirmoi aleancat me Serbinë e me Despotatin e Epirit. Despot Niqifori I i Epirit u shpall vasal i mbretit anzhuin dhe i dorëzoi këtij kështjellat e Butrintit, të Sopotit e të Porto-Palermos. Por para së gjithash Karli I bëri një përpjekje të re për t’i rregulluar marrëdhëniet me shqiptarët e për t’i shkëputur këta nga bizantinët. Në këtë kuadër Karli I liroi nga burgjet italiane një numër krerësh shqiptarë kryengritës, mes të cilëve Gjin Muzakën, i cili mbahej « i lidhur me pranga të forta hekuri » në burgun e kështjellës së Brindizit së bashku me Dhimitër Zogun, Kasnec e Guljelm Blinishtin. Karlit I Anzhu i erdhën kërkesa të përsëritura nga fisnikët shqiptarë për ta liruar Muzakën. Me sa duket, Gjin Muzaka gëzonte pozitë e autoritet të veçantë dhe nëpërmjet tij mbreti anzhuin u përpoq të ndikonte mbi krerët shqiptarë. Në gusht të vitit 1280 ai urdhëroi lirimin e robit Muzaka, « pasi të kishte dhënë peng gruan e fëmijët e pasi të ishte betuar se nuk do të bashkohej më me armiqtë e mbretit Karl e nuk do të fliste e do të vepronte më kundër tij ». Në kushtet e përgatitjes së mësymjes anzhuine mbi Beratin, neutralizimi i Muzakajve, zotër të vendit, merrte kuptim të veçantë.

Megjithatë, përpjekjet e anzhuinëve për diversion në radhët e aristokracisë shqiptare nuk dhanë rezultat. Në prag të betejës vendimtare për Beratin lajmet që i vinin Karlit I nga komandatët e tij në Shqipëri e njoftonin se « arbrit kishin ngritur përsëri krye dhe sulmonin trupat anzhuine ». Qëndrimi i vendosur antianzhuin i shumicës së fisnikëve shqiptarë kushtëzoi në mënyrë vendimtare ecurinë e mësymjes anzhuine. Ndërkohë që ushtria e Hygo de Sylit, e përforcuar nga kontingjentet e ardhura nga Durrësi, Vlora e Butrinti, kishte mbyllur rrethimin e Beratit, shqiptarët sulmonin kështjellat anzhuine të bregdetit duke e detyruar komandantin anzhuin t’i shpërqendronte forcat e të niste përforcime në drejtim të atyre kështjellave.

Rrethimi anzhuin i Beratit zgjati disa muaj. Në dhjetor të vitit 1280 anzhuinët mundën më në fund të zinin lagjet e jashtme të qytetit (suburbia). Por në betejën finale, që u zhvillua në pranverën e vitit tjetër buzë Osumit, mbrojtësit e kështjellës i shkaktuan një disfatë të rëndë kalorisë frënge, duke zënë rob edhe vetë komandantin e ushtrisë anzhuine.

Pas disfatës së Beratit anzhuinët u tërhoqën me shpejtësi në skajin bregdetar, ku mundën të ruajnë edhe për ca kohë kështjellat e rëndësishme të Durrësit, Vlorës e Kaninës. Në vitin 1282 Karli I projektoi një fushatë të re kundër Bizantit, por po atë vit në Sicili shpërtheu kryengritja e madhe anti-anzhuine e « Mbrëmjeve siciliane », në të cilën kishin dorë edhe perandori bizantin, Mihali VIII Paleologu, e mbreti i Aragonës. Paskëtaj nisi një periudhë 20-vjeçare luftërash midis aragonasve e anzhuinëve për zotërimin e Sicilisë. Në kushte të tilla ekspedita e re kundër Bizantit mbeti e parealizuar. Kështjellat që anzhuinët mbajtën edhe për disa vjet në bregdetin shqiptar mbetën si ishuj të izoluar nën rrethimin e vazhdueshëm të shqiptarëve e të bizantinëve. Brenda vitit 1285 anzhuinët braktisën edhe Durrësin, Vlorën e Kaninën. Fortesat e Butrintit, Sopotit e Porto-Palermos, që ata mundën të mbajnë në jug, në territoret e Despotatit të Epirit, ishin pika mbështetëse pa ndonjë rëndësi strategjike të veçantë. Në këtë mënyrë, pas rreth 15 vjetësh përpjekjesh për të fituar e për të mbajtur pozitat e tyre në Shqipëri, anzhuinët u detyruan të tërhiqen e t’ia lënë vendin Perandorisë Bizantine, që sakaq rivendosi autoritetin e saj në një pjesë të mirë të tokave shqiptare.

Despotati shqiptar i Artës

Aty nga fundi i shek. XIII në Epir fillon të shquhet familja fisnike Shpata. Në vitin 1304 një dokument anzhuin i rendit Shpatajt midis aristokratëve më në zë të Shqipërisë.

Despotët Bua
Despotët Bua

Ashtu si dhe për shtëpitë e tjera fisnike shqiptare, edhe për Shpatajt procesi i fuqizimit dhe i emancipimit politik kishte ndjekur një rrugë vazhdimisht në ngjitje, derisa gjeti shprehjen më të plotë pas shembjes së Perandorisë Serbe të Stefan Dushanit (1355). Në atë çast Shpatajt e fisnikë të tjerë shqiptarë e shtrinë sundimin e tyre politik në krejt Epirin dhe, në vitet që pasuan, filluan të zgjerohen në krahinat fqinje jugore të Akarnanisë e të Etolisë. Qeveritari serb i Epirit, mbreti Simeon Uroshi, u detyrua të largohej në Thesali, ku zuri vendin e komandantit serb Qezar Preljubit, i vrarë gjatë një përpjekjeje me shqiptarët e atyshëm. Përfaqësues të tjerë të aristokracisë dhe të administratës së vjetër bizantino-serbe gjetën strehim në qytetin e Janinës.
Shtrirja e pushtetit të fisnikëve shqiptarë në Epir ndeshi pengesë te pinjolli i fundit i dinastisë së vjetër sunduese të Epirit, despoti Niqifori II Engjëlli. Në verën e vitit 1358 ky u doli përpara forcave shqiptare në vendin e quajtur Akelou (Akarnani). Ushtria e tij, e përbërë pjesërisht prej mercenarëve osmanë, u asgjësua në betejën e përgjakshme që u zhvillua aty e ku vetë despoti bizantin humbi jetën.

Pas betejës së Akelout krahinat jugore të Epirit, të Akarnanisë e të Etolisë u përfshinë në kuadrin e dy formacioneve shtetërore shqiptare. I pari, me qendër në Artë, kishte në krye fisnikun Pjetër Losha, kurse i dyti, me qendër në Angjelokastër (Akarnani), drejtohej nga despoti Gjin Bua Shpata. Pas vdekjes së Pjetër Loshës më 1374, Despotati shqiptar i Artës dhe ai i Angjelokastrës u bashkuan nën sundimin e despotit Gjin Bua Shpata. Zotërimet e këtij të fundit përbënin tani një vazhdimësi territoresh prej gjirit të Korintit, në jug, deri në derdhjen e lumit Akeront (Glyki), në veri, ku puqeshin me zotërimet e Gjon Zenebishit. Megjithatë në pjesën lindore të Epirit mbeti një territor i ngushtë me qendër Janinën, i cili nuk u përfshi në kufijtë e këtyre dy formacioneve shqiptare fqinje. Këtu përfaqësuesit e fisnikërisë e të administratës së vjetër serbo-bizantine të Epirit u përpoqën të organizojnë qëndresën kundër hegjemonisë së krerëve shqiptarë. Të mbështetur edhe nga qeveritari i deriparadokohshëm serb i Epirit, Simeon Uroshi, ata mundën të imponojnë si qeveritar të Janinës despotin serb Thoma Preljuboviç. Si djalë i Qezar Preljubit, qeveritarit të Thesalisë të vrarë më 1355 nga shqiptarët, Thomai trashëgoi një armiqësi dhe urrejtje të pashuar kundër tyre.

Gjin Bua Shpata

Despotati i Janinës ishte mbeturina e fundit e sundimit serb në Epir. Qenia e tij përbënte një rrezik real për formacionet fqinje shqiptare të Gjirokastrës e të Artës, pasi Thoma Preljuboviçi vështronte t’i zgjeronte kufijtë e despotatit të tij pikërisht në dëm të zotërimeve të Shpatajve e të Zenebishëve. Nga ana tjetër, despoti serb nuk ngurroi të thërriste për ndihmë kundër sundimtarëve shqiptarë reparte serbe, italiane e, ç’ishte më keq, osmane, duke e kthyer Epirin në një fushë beteje ku mercenarët e huaj mbillnin terror e shkatërrime të pafundme.

Këto arsye, si dhe arsye të tjera të natyrës ekonomike (Janina ishte një qendër mjaft e pasur ekonomike e tregtare), i futën sundimtarët shqiptarë të Epirit në një konflikt të gjatë të armatosur me despotin e Janinës. Për tre vjet rresht (1370-1373) kështjella e Janinës iu nënshtrua rrethimit e sulmeve të njëpasnjëshme të despotit të Artës, Pjetër Losha, e të aleatëve të tij, bashkësive shqiptare të mazarakëve e të malakasëve që banonin përreth Janinës. Megjithëse u detyrua të kërkonte paqe, Thoma Preljuboviçi nuk pushoi së përndjekuri e së tiranizuari popullsinë shqiptare të Janinës e të fshatrave përreth, nga e cila tërhiqte robër e pengje që i mbyllte në burgje të posaçme. Për këtë zell të tij kundër shqiptarëve, bashkëkohësit i ngjitën despotit serb nofkën « shqiptarovrasës h (alvanitoktonos).

Pas vdekjes së Pjetër Loshës, më 1374, në krye të despotatit të Artës u vu zoti i Angjelokastrës, Gjin Bua Shpata. Në kohën e sundimit të tij, konflikti me despotin serb, Thoma Preljuboviçin, u ashpërsua edhe më. Që në vitin 1375 Gjin Bua Shpata u shfaq me ushtrinë e tij nën muret e Janinës. Qyteti mundi të qëndrojë edhe kësaj radhe falë mureve të tij të papushtueshme. Gjithsesi, i interesuar për pushimin e armiqësive, Thomai i ofroi Shpatës dorën e së motrës, Helenës.

Por martesa nuk e fashiti konfliktin midis Gjin Bua Shpatës dhe Thomait. Për më tepër, në vitet që vijuan Janina u bë pre e sulmeve të bashkësisë shqiptare të malakasëve. Nën komandën e Gjin Fratit këta e sulmuan kështjellën më së pari në vitin 1377, por pa mundur ta merrnin atë. Dy vjet më vonë, më 1379 malakasët arritën të zinin ishullin në liqen si dhe kullën e brendshme të kështjellës së Janinës. Kësaj radhe në anë të tyre qëndronin edhe pjesëtarë të parisë vendase, përfshi mitropolitin Mateo, përkrahës i Gjin Bua Shpatës. Por edhe kësaj radhe shqiptarët dështuan në qëllimin e tyre. Mungesa e mjeteve të mjaftueshme ua bëri atyre të pamundur që të shpërthenin muret e kështjellës, qoftë nga toka e qoftë nga liqeni. Mitropoliti Mateo u detyrua të linte Janinën bashkë me të tjerë dhe të strehohej te Gjin Bua Shpata.

Krahas despotit serb të Janinës, formacioni i Shpatajve të Artës u fut në këtë kohë në një konflikt të ashpër me anzhuinët e Napolit, të cilët qysh prej një shekulli vazhdonin të ngulnin këmbë në pretendimet e tyre mbi bregdetin epirot. Ky konflikt u shpreh më së pari në përleshjet e armatosura me forcat e kontit Leonard Toko, që sundonte mbi ishujt e Qefalonisë e Leukadës si vasal i mbretëreshës Xhovana të Napolit. Dokumentet e kohës informojnë se qysh në vitin 1360 « konti i Qefalonisë bënte luftë të madhe me Despotatin e arbërve h. Në vitet që pasuan ndeshja me anzhuinët u ndez edhe më keq. Në vitin 1378 mbretëresha e Napolit organizoi një fushatë të madhe për asgjësimin e Despotatit shqiptar të Artës. Bërthama e ushtrisë së grumbulluar prej saj përbëhej nga Urdhri i Joanitëve të Rodit, një formacion i famshëm për bëmat e tij luftarake, që ishte futur në shërbim të anzhuinëve të Napolit.

Ekspedita anzhuine filloi me marrjen e Naupaktit (Lepantos), kështjella më jugore e Shpatajve, e vendosur mbi bregun verior të gjirit të Korintit. Prej këndej ajo përparoi drejt veriut e brenda pak kohe qendra e Despotatit shqiptar, Arta, u ndodh nën rrethimin e ushtrisë napolitane. Gjatë betejës vendimtare që u zhvillua nën muret e Artës, despoti Gjin Bua Shpata korri një fitore të madhe. Vetë kryekomandanti i ekspeditës anzhuine, Mjeshtri i Madh Huan Fernandez Heredia i Urdhrit të Joanitëve, u zu rob prej shqiptarëve.

Në pranverë të po atij viti, Gjin Bua Shpata fitimtar mbi anzhuinët, rifilloi sulmet sistematike mbi Janinën. Thoma Preljuboviçi kësaj radhe gjeti një aleat të fuqishëm kundër shqiptarëve te turqit osmanë, të cilët kishin filluar të vendoseshin në Thesalinë fqinje. Disa herë brenda viteve 1380-1384 reparte osmane, të thirrura nga Thomai, kryen inkursione shkatërruese në zotërimet e Gjin Bua Shpatës e në ato të Gjon Zenebishit, duke lehtësuar presionin e tyre mbi Janinën. Me ndihmën e osmanëve, despoti Thoma pushtoi përkohësisht një numër fshatrash rreth Janinës si dhe kështjellën e Paramithisë (Shën Donatit). Gjithsesi, tirani i Janinës ra pre e një komploti dhe, i urryer nga të gjithë, vdiq në dhjetor 1384. Në vend të tij paria e Janinës e mbreti serb i Thesalisë, Joazaf, thirri e vuri italianin Izau Buondelmonte Açajuolin, kunat i kontit Leonard Toko të Qefalonisë. Ky gëzonte njëherësh mbështetjen e perandorit të Bizantit, të Venedikut, Firences dhe të Mbretërisë së Napolit. Marrëdhëniet e shqiptarëve me Despotatin e Janinës mbetën të tendosura edhe në kohën e sundimit të Izaut, ndonëse aty nga viti 1394, ky mori për grua të bijën e Gjin Shpatës, Irenën, i nxitur edhe nga arkondët e qytetit. Inkursionet e reparteve osmane, të thirrura nga despoti i ri i Janinës, vazhduan edhe paskëtaj, madje për të siguruar mbështetjen më të madhe të sulltanit osman, despoti Izau u shpall vasal i tij (1387). Ndërkohë mbi Despotatin shqiptar të Artës qenë intensifikuar edhe sulmet e kontit të Qefalonisë Karl Tokos, nip i Izaut.
Në rrethana të tilla të vështira, më 29 tetor të vitit 1399 vdiq despoti Gjin Bua Shpata « burrë i fuqishëm, i admirueshëm e lavdi e Arbërisë », siç e quan atë një kronikë e kohës. Me emrin e tij është e lidhur periudha më e lulëzuar e historisë së Despotatit shqiptar të Artës. Zotërimet e Shpatajve u ndanë midis të afërme të tij, që shpeshherë ishin në armiqësi e mëri me njëri-tjetrin. Një mëri e tillë ekzistonte dhe midis Muriq Shpatës dhe Sguro Bua Shpatës, që qeveriste zotërimet jugore të Shpatajve. Si vëlla i Gjinit, këtij i takonte të ishte trashëgimtar i ligjshëm i fronit. Por Muriqi, i ri dhe ambicioz, mundi ta mënjanojë kushëririn e tij plak dhe të marrë në dorë drejtimin e principatës.

Me ardhjen në pushtet vëmendja e Shpatës së ri u zhvendos nga Lindja, ku despotët e Janinës dhe osmanët e Thesalisë kishin qenë kujdesi kryesor i paraardhësit të tij të madh. Me komandantët osmanë të Thesalisë Muriqi nuk e pati të vështirë të gjente një modus vivendi, sidomos pas katastrofës që sulltan Bajaziti pësoi nga mongolët e Timurlengut në betejën e Ankarasë (1402). U shtensionuan edhe marrëdhëniet me despotin Ezau të Janinës, që ishte njerk i Muriqit dhe që për më tepër kërkoi dorën e vajzës së Muriqit për djalin e tij të lindur nga martesa me shqiptaren Evdoqia Balsha, vajzë e Gjergjit I Balsha.

Në këtë mënyrë vëmendja e Muriq Shpatës u përqendrua nga rreziku që i vinte zotërimeve të tij nga konti i Qefalonisë Karl Tokoja. Për sa kohë në krye të principatës kishte qenë Gjin Bua Shpata, Tokoja kishte dalë gjithnjë i mundur nga ballafaqimi me shqiptarët. Këta, madje, ishin në gjendje të organizonin me anije sulme mbi ishujt e tij të Qefalonisë dhe Leukadës, gjë që e kishte shtyrë kontin të kërkonte ndihmën e Napolit e të Venedikut. Por në vitet e para të sundimit të Muriq Shpatës, raporti i forcave paraqitej i ndryshuar në favor të Tokos. Grindjet dhe pakënaqësitë ndaj sundimtarit të ri të Artës shtynë mjaft feudalë shqiptarë dhe krerë bashkësish nga Parga, Paramithia, Margëlliçi e Janina (përfshirë bashkësitë e mëdha të mazrekëve e malakasëve) të dorëzoheshin përpara dhuratave dhe premtimeve që u drejtoi atyre me bollëk konti Karl Toko. Në këtë mënyrë, me një ushtri, lulen e së cilës e përbënin luftëtarët shqiptarë, ku shquheshin vëllezërit Muriq e Dhimo Bua, si dhe me ndihmën e një flote të ofruar nga mbreti i Napolit, Karl Tokoja, filloi t’i rrëmbejë Muriq Shpatës njërin zotërim pas tjetrit. Si pasardhës i kontëve nga familja Orsini të Qefalonisë, ai pretendonte të bëhej, ashtu siç qenë bërë ata një shekull më parë, despot i krejt Epirit.

Në këtë mënyrë, me luftë dhe më shumë me dredhi, Karl Tokoja u rrëmbeu Shpatajve një sërë kështjellash, fillimisht në jug të gjirit të Artës, si Katohinë, Varnakun, Kandilen, Anatolikon e Dragomestin (1401-1404). Prej këndej ai filloi sulmet dhe plaçkitjet në territorin e Angjelokastrës e të Artës. Shumë shpejt Muriq Shpata u detyrua të lëshojë kështjellat e Riniasës e Ajtoit, që siguronin mbrojtjen e Artës. Gjatë një beteje me forcat e Tokos, u plagos rëndë e më tej vdiq edhe vëllai i legjendarit Gjin Bua Shpata, Sguroj, i cili të paktën në çastet e fundit gjeti ngushëllim kur pa se Muriq Shpata me forcat e tij po vraponte t’i vinte në ndihmë.

I biri i Sguros, Pal Shpata, në pamundësi t’i ruante zotërimet që i la i ati në jug të gjirit të Artës, nxitoi t’ia ofrojë ato Venedikut. Më 1402 ai i propozoi këtij lëshimin e kështjellës së rëndësishme bregdetare të Lepantos si dhe vetë kryeqendrën e vet, Angjelokastrën. Ndërsa mori në dorëzim të parën (1407), kundrejt një shpërblimi, Republika e Venedikut u mor vesh me Karl Tokon që e dyta, Angjelokastra, t’i kalonte këtij të fundit (1408). Në këtë mënyrë Shpatajt humbën përfundimisht zotërimet në jug të gjirit të Artës, në Etoli e në Akarnani.
Në kushtet e dobësimit e të përçarjes së krerëve shqiptarë, konti Karl Toko nuk e pati të vështirë të zinte vendin e despotit Ezau të Janinës, kur ky i fundit vdiq (1411). Krahas elementëve të parisë së qytetit, ku u shqua greku Simon Stratigopulos dhe dhëndri i tij, serbi Stefan Vojsllavi, dorëzimin e Janinës në duar të Karl Tokos e përkrahën edhe mjaft krerë e bashkësi shqiptare, brenda e jashtë qytetit, të cilët ai i kishte joshur me dhurata e premtime. Tashmë i pafuqishëm ndaj ngjitjes së rivalit të tij, Muriq Shpata nuk qe në gjendje të shfrytëzonte momentin e favorshëm pas thyerjes së ushtrive të Tokos nga Gjon Zenebishi në betejën e Kranesë, afër Mesopotamit (1411). Më 1415 ai vdiq, duke ia lënë barrën e drejtimit, të asaj që kishte mbetur nga Principata e dikurshme e Gjin Bua Shpatës, vëllait të tij, Jakupit, që kishte kaluar në fenë islame.
Jakupi tregoi që në fillim një dinamizëm e trimëri që s’e kishin karakterizuar vëllanë e tij. Me të u bashkuan mjaft edhe nga krerët apo bashkësitë shqiptare që ishin hedhur në anën e Karl Tokos, siç qe, p.sh., prijësi i shquar Muriq Bua.

Në pamundësi për ta thyer sundimtarin e ri shqiptar në fushë të hapur, Karl Tokoja i përgatiti atij një pritë në kështjellën e Vombljanës, afër Artës. I ftuar nga kështjellari i saj, njeri i Karl Tokos, gjoja për ta marrë në dorëzim kështjellën, Jakup Shpata u sulmua tradhtisht nga forcat e Tokos ndërsa u qe afruar me trupat e tij mureve të saj. Jakupi vdiq me shpatë në dorë mes luftëtarëve të tij. Me vrasjen e tij u shënua dhe fati i Artës dhe i gjithë zotërimit të Shpatajve. Më 4 tetor 1416 Karl Tokoja hyri në Artë. Pinjollët e fundit të Shpatajve ose pranuan të hyjnë në shërbim të Karl Tokos, ose emigruan drejt Moresë dhe ishujve të Jonit.

Principata e Zenebishëve

Emri i Zenebishëve, si një ndër familjet fisnike më të shquara të Shqipërisë së Poshtme, përmendet krahas dyerve më në zë shqiptare në një dokument të vitit 1304. Shkëlqimin më të madh kjo familje e arriti pas gjysmës së dytë të shek. XIV, kur në krye të saj ishte sebastrokratori Gjon Zenebishi (?-1418). Kryeqendra e këtij të fundit ishte kështjella e Gjirokastrës, e cila përmendet për herë të parë pikërisht në këtë kohë si rezidencë e Zenebishëve. Në vitet 70 të shek. XIV zotërimi i Zenebishëve përfshinte, veç Gjirokastrës dhe rrethet e saj, luginën e Drinos, Delvinën dhe një pjesë të mirë të zonës së pasur të Vagenetisë (Çamërinë e Sipërme), deri në derdhjen e poshtme të lumit Gliki, ku zotërimet e Gjon Zenebishit kufizoheshin me ato të vjehrrit dhe aleatit të tij, Gjin Bua Shpatës së Artës. Së bashku me këtë të fundit, Gjon Zenebishi ndërmori inkursione të vazhdueshme kundër kështjellës së Janinës, ku sundonte despoti serb Thoma Preljuboviçi, armik i betuar i shqiptarëve, i cili, siç është theksuar tashmë, i thirri për herë të parë osmanët në këto anë më 1380 kundër shqiptarëve. I mbështetur dhe nga një pjesë e parisë serbo-bizantine të Janinës, Thomai mundi ta ruante sundimin brenda mureve të Janinës, deri në vrasjen e përgjakshme të tij, në vitin 1386.

Stema e Familjes Zenebishti
Stema e Familjes Zenebishti

Despoti i ri i Janinës, italiani Ezau Buondelmonti Açajuoli (1386-1411), i cili mori pushtetin në Janinë si përfaqësues i interesave të huaja në atë qytet e në krejt Epirin, ndoqi që në fillim një politikë agresive ndaj sundimtarëve shqiptarë të kësaj treve, veçanërisht ndaj Gjon Zenebishit. Me ndihmën e reparteve osmane ai i mori këtij të fundit portet dhe tregjet e rëndësishme të Sajadhës e Kastrovilës, buzë detit Jon (Çamëri e sotme). Por në pranverën e vitit 1399, ushtria e Zenebishit u shkaktoi forcave të despotit Ezau një disfatë fatale gjatë një beteje në Dhivër (Mesopotam), ku vetë despoti i Janinës u zu rob nga sundimtari shqiptar, që sakaq e mbylli në burgun e kështjellës së tij të Gjirokastrës. Të gjithë aleatët e Ezaut, nga komuna e Firences, që e kishte qytetar të vetin, Mbretëria e Napolit, Republika e Venedikut e deri te komandanti osman i Thesalisë, ndërhynë te Gjoni për lirimin e tij. Të njëjtën gjë i kërkoi Zenebishi edhe aleati e vjehrri i tij, Gjin Bua Shpata i Artës. Ezau u lëshua kundrejt një shpërblimi të majmë prej 10 mijë copë florinjsh. Gjithsesi, ai pushoi së qeni një shqetësim për zotërimet e Zenebishit, i cili shtiu përsëri në dorë limanet dhe tregjet bregdetare nga Sajadha e Kastrovila e deri në Pargë. Porse mbajtja e këtyre vendeve bëri të pashmangshëm një konflikt të ri me Republikën e Venedikut. Përleshjet e para të Gjon Zenebishit me Venedikun ishin regjistruar që në vitin 1386, kur ky i fundit, pasi shtiu në dorë ishullin e Korfuzit, i rrëmbeu Zenebishit edhe disa nga qendrat kryesore ushtarake e ekonomike të bregdetit, si Butrintin, Ksamilin dhe Sajadhën. Kjo e fundit u rimor prej Gjonit aty nga viti 1400. Për Sajadhën, veçanërisht për kriporet me famë të atij vendi, të cilat konkurronin rëndë kriporet veneciane të Korfuzit, u luftua me këmbëngulje si nga Venediku, ashtu edhe nga Zenebishi. Në një letër, që i çonte për këtë çështje Senatit të Venedikut në qershor 1401, Gjon Zenebishi bënte të qartë se « paqja e tij me Republikën do të sigurohej vetëm kur Venediku të hiqte dorë nga përpjekjet për të shtënë në dorë kullën dhe kriporet e Sajadhës, që ai i kishte trashëguar nga të parët dhe që ishin buka e tij h.
Megjithatë, rrethanat e krijuara në vitet e para të shek. XV e detyruan Gjon Zenebishin të hiqte dorë si nga Sajadha, ashtu dhe nga Kastrovila e Parga dhe të kërkonte rregullimin e marrëdhënieve me Republikën e fuqishme të Venedikut.

Vdekja e despotit Ezau, më 1411, nxori përsëri në plan të parë problemin e pushtetit në Janinë. E veja e Ezaut, Evdokia Balsha, vajzë e të famshmit Gjergjit I Balsha, iu kundërvu përpjekjeve të një pjese të parisë së qytetit, që donte t’ia dorëzonte qytetin nipit të despotit Ezau, kontit të Qefalonisë, Karl Toko. E mbështetur kryesisht nga shtresat e ulta dhe të mesme të qytetit, « despina e Arbërisë h hyri në traktaktiva me Gjon Zenebishin, gjë që vuri në lëvizje përkrahësit e Karl Tokos. Pas një komploti të organizuar prej tyre, despina Evdokia u detyrua të braktiste qytetin dhe të strehohej përkohësisht te Gjon Zenebishi në Gjirokastër.
Ambiciet e despotit të ri të Janinës, Karl Tokos, që synonte të vinte nën sundimin e tij të gjitha territoret e Despotatit të dikurshëm të Epirit, e çuan atë drejt një ndeshjeje të pashmangshme me zotin e fuqishëm të Gjirokastrës. Në verën e vitit 1411 Gjon Zenebishi i zuri rrugën në Kranesë (Mesopotam) ushtrisë së Karl Tokos, që kishte depërtuar në thellësi të zotërimeve të tij dhe synonte të kapte Gjirokastrën. Në betejën e ashpër të zhvilluar në atë vend, forcat e Zenebishit arritën një fitore të bujshme duke e asgjësuar krejtësisht ushtrinë e Tokos. Paskëtaj, ky u përpoq t’i bënte ballë sundimtarit shqiptar duke u mbështetur kryekëput tek aleanca që lidhi me osmanët dhe që u vulos edhe me martesën e vajzës së tij me Musa Beun, pretendentin e fronit.

Presioni osman, i cili ishte veçanërisht i fortë në zotërimet e Zenebishëve dhe të Shpatajve të Epirit, e shtyu Gjonin të kërkonte aleancën e Republikës së Venedikut. Në korrik të vitit 1414 ai i kërkoi kësaj të fundit t’i vinte në dispozicion 30 balestrierë, me të cilët të mund të mbronte këshjellat e tij dhe njëherësh të ndalte vërshimin e osmanëve në brigjet e Jonit. Në të njëjtën kohë, sundimtari shqiptar kërkonte nga Venediku që të lejohej të blinte disa prona në Korfuz, ku të mund të strehohej në rast se do të detyrohej të largohej nga vendi i tij.
Në fakt, deri në atë kohë, në Korfuz ishin vendosur mjaft familje shqiptare të ikura nga zotërimet e Zenebishit për shkak të kushteve të rënda të krijuara nga inkursionet e osmanëve. Në verën e vitit 1418 një ushtri osmane prej 30 000 vetash, e thirrur nga Karl Tokoja, hyri në zotërimet e Zenebishit. Pasi pushtoi mjaft vise e kështjella, Hamza Beu, dhëndër i Tokos, rrethoi Gjirokastrën. Sundimtari plak i Gjirokastrës mundi t’i bënte ballë këtij sulmi të parë mbi kryeqendrën e tij, por, kur osmanët ndërmorën në vjeshtën e parë të atij viti, një fUshatë të re akoma më të fUqishme, ai nuk jetonte më dhe djemtë e tij ua lëshuan atë osmanëve dhe u strehuan në Korfuz. Nga Korfuzi trashëgimtarët e sebastokratorit të shquar, Gjon, të mbështetur edhe nga Venediku, Papati dhe Mbretëria e Napolit, nuk i reshtën përpjekjet për të çliruar zotërimet atërore, duke organizuar e duke u vënë në krye të kryengritjeve të fuqishme antiosmane.

Principata e Topiajve

Në kapërcim të shek. XIII-XIV, roli i familjes së shquar fisnike të Skurrajve në trevën e Arbrit u kishte kaluar fisnikëve të familjes Topia. Emri i kësaj familjeje nuk përmendet para shek. XIII.

Heraldika shqiptare - Gjin Varfi
Emblema e familjes Topia

Në vitet 70 të shek. XIII bëhet fjalë për një pinjoll të saj, përfaqësues i aristokracisë ushtarake me titullin miles. Në atë kohë Topiajt ditën t’i bënin vend vetes, duke u shkëputur nga Bizanti e duke vendosur lidhje të ngushta me anzhuinët e Napolit si dhe me Papatin e Romës. Këtij të fundit Topiajt i premtuan kalimin e tyre nga riti ortodoks në atë katolik. Për rrjedhojë, kisha e Romës u njohu Topiajve si zotërim të familjes tokat midis rrjedhës së Matit dhe asaj të Shkumbinit, të cilat përputheshin pak a shumë me shtrirjen e Principatës së dikurshme të Arbrit. Të drejtat e Topiajve mbi këto vise u konfirmuan më 1338 edhe nga anzhuinët e Napolit, të cilët e konsideronin veten kryezot të Durrësit e të Arbrit si dhe Topiajt vasalë të tyre. Topiajt ishin shpallur vasalë të mbretit të Napolit, Karli I Anzhu, që në vitin 1272. Megjithatë varësia e tyre nga oborri i Napolit mbeti thjesht formale. Si mbreti Karli I, ashtu dhe pasardhësit e tij, Karli II e Roberti I Anzhu, ankoheshin vazhdimisht në aktet e tyre për « mosbindjen » madje edhe për « rebelimet » e vazhdueshme të Topiajve dhe të krerëve të tjerë shqiptarë kundër pushtetit sovran të tyre. Megjithatë, të ndërgjegjshëm se s’do të mund ta ruanin autoritetin e tyre mbi Durrësin dhe Arbrin, anzhuinët këmbëngulnin t’i mbanin afër Topiajt, qoftë duke u falur herë pas here « fajet », qoftë duke u dhënë edhe provizione (para) të mëdha vjetore, siç vepruan më 1338 me kontin Tanush Topia. I vëllai i këtij të fundit, Domeniku, ishte klerik i lartë dhe në vitin 1336 mbreti Robert Anzhu e kishte tërhequr në oborrin e Napolit si kapelan e këshilltar të tij.

Marrëdhëniet e Topiajve me anzhuinët e Napolit pësuan një ngrirje të fortë në kohën e sundimit të Andreas, djalit të Tanushit. Ndonëse qe martuar me një vajzë jashtë martese të mbretit Robert, Andre Topia tregohej fare i pabindur ndaj tij, aq sa anzhuini vuri njerëz dhe e vrau.

Zotërimi i Topiajve arriti fuqinë dhe shkallën më të lartë të organizimit në kohën e princit Karl Topia, djali i madh i Andreas, që erdhi në fuqi në vitin 1359. Brenda viteve 50 të shek. XIV ai arriti të konsolidonte në luftë me rivalët e shumtë pushtetin e vet në trevën e Arbrit. Ashtu si paraardhësit e vet, Karli shfrytëzoi mjeshtërisht për këtë qëllim lidhjet e hershme të familjes së tij me anzhuinët e Napolit. Ai nuk ngurronte të vinte në dukje « lidhjet e gjakut » që kishte me këta të fundit nga e ëma. Në këtë kuptim ai i shtoi stemës familjare të Topiajve, që paraqiste një luan, edhe simbolin e anzhuinëve, zambakun.

Pavarësisht se u mëshonte lidhjeve të veçanta të Topiajve me kryezotërit e Napolit, Karli kishte vendosur t’u shkëpuste këtyre qytetin e Durrësit. Më 1362 forcat e tij sulmuan Durrësin nga toka dhe nga deti. Ndonëse nuk u mor dot, qyteti u detyrua t’i paguajë Topisë një tribur vjetor, i cili nxirrej nga rritja e taksave mbi tregtarët e huaj që vizitonin Durrësin.

Sulmi i Karl Topisë mbi Durrësin ngjalli shqetësim sa në bashkësinë e këtij qyteti, që i trembej pushtetit feudal, aq dhe te mbretëresha Xhovana e Napolit, dhe te Republika e Venedikut. Kjo e fundit nuk mund të pajtohej me faktin që princi shqiptar zotëronte tashmë një flotë ushtarake, të ankoruar në Kepin e Rodonit në veri dhe në Kepin e Melit (caput Meliarum) në jug të Durrësit, me të cilën ai mund të kontrollonte ose të dëmtonte trafikun e anijeve veneciane nëpër Adriatik. Ndaj në maj të vitit 1364 Senati i Venedikut e urdhëronte kapitenin e flotës së Adriatikut që të pengonte çdo aksion të flotës së Karl Topisë dhe, në rastin ekstrem, t’i kapte anijet shqiptare dhe t’i digjte ato, si dhe të shkatërronte bazën e tyre në Kepin e Melit. Të gjitha këto duhet të bëheshin në mënyrë të fshehtë pa rënë në sy të princit shqiptar, me të cilin gjithsesi Republika ishte e interesuar të mbante marrëdhënie të mira. Në fakt Topia pati rastin të tregonte se nuk ishte një sundimtar i zakonshëm, kur po atë vit theu të fuqishmin Gjergj Balsha. Ndaj, me qëllim që të ndikonte sa më shumë mbi princin shqiptar, në prill të vitit 1366 Senati i Venedikut e shpalli Karl Topinë qytetar të Venedikut. Megjithatë kjo nuk e ndali këtë të fundit të forcojë flotën e tij dhe të intensifikojë sulmet mbi Durrësin. Më në fund, në muajt e parë të vitit 1368, qyteti ra në duart e Topisë. Nga ai çast sundimtari shqiptar i shtoi titullit të tij si « princ i Arbrit » edhe titullin tjetër të « zotit të Durrësit ».

Heraldika shqiptare - Gjin Varfi
Stema e Karl Topisë

Në jug Principata e Topiajve u bë fqinje me atë të Muzakëve, të cilët, aty nga viti 1370, aneksuan zotërimin e sebastokratorit Vlash Matrënga, që shtrihej midis derdhjes së Shkumbinit dhe Semanit. Gjithsesi aleanca e Muzakajve me Balshajt e veriut e keqësoi gjendjen e principatës së Karl Topisë, duke shtrënguar darën rreth saj. Ishte keqësuar ndërkohë edhe pozita ndërkombëtare e saj. Sovranët e Napolit nuk ia falën « vasalit » Karl Topia marrjen e Durrësit më 1368. Plot moskuptime e përplasje paraqiteshin edhe marrëdhëniet me Venedikun, pavarësisht që Republika e detrave e kishte shpallur Karl Topinë qytetar të saj. Marrëdhëniet ishin ftohur dukshëm edhe me Papatin e posaçërisht me papën Gregori XI, i cili nuk i falte princit shqiptar prirjet « heretike » duke e akuzuar atë për patarin (ithtar i lëvizjes antipapale patarine). Edhe miqësia me Raguzën dhe me Hungarinë nuk i sillte ndonjë avantazh të madh Karl Topisë në planin politik. Raguza ishte në fakt një fuqi tregtare, por ajo s’kishte ndonjë peshë në ngjarjet politike e ushtarake. Përsa i përket afrimit me Mbretërinë Hungareze, në sfond të saj qëndronte thjesht armiqësia e kësaj të fundit me Venedikun, pra kishte karakter koniunktural pa ndonjë ndikim në planin praktik.

Në kushte të tilla, kur dhe marrëdhëniet me bashkësinë qytetare të Durrësit qenë acaruar, Karl Topia e humbi qytetin, i cili kaloi përsëri për pak kohë nën sovranitetin e anzhuinëve të Napolit. Madje këta të fundit në fillim të vitit 1372 vendosën të organizonin një fushatë të madhe për të shtrirë pushtimet tej Durrësit dhe për të rikrijuar « Mbretërinë e Arbrit » të kohës së Karlit I Anzhu. Në planet e organizatorëve ishte edhe zënia rob e Karl Topisë dhe e Gjergj Balshës, për të cilët premtohej një çmin prej 1 000 dukatë ari. Por fUshata që iu besua Gjergjit të Navarës dhe që mori edhe bekimin e papës Gregori XI nuk arriti të realizohej. Karl Topia mbeti zot i plotfuqishëm i « gjithë vendit të Arbrit ». Madje, ai mundi t’u marrë Muzakëve edhe zotërimet e dikurshme të Vlash Matrëngës, midis derdhjeve të lumenjve Shkumbin e Seman. Tashmë principata e Karl Topisë kapte gjithë hapësirën midis Drinit e Semanit. Vetë Durrësi, ndonëse formalisht mbeti në zotërimin e anzhuinëve të Napolit, në të vërtetë e ndiente gjithnjë e më shumë pushtetin e princit shqiptar. Me sa duket ky i fundit, i ndërgjegjshëm për interesat e shumtë që ndërthureshin në Durrës, kishte vendosur ta merrte qytetin në mënyrë « të ligjshme », duke shmangur përdorimin e armëve. Në fakt aty nga viti 1383 ai e bleu atë nga anzhuinët kundrejt një shume të madhe të hollash. Sundimi i Karl Topisë mbi qytetin e dëshiruar buzë Adriatikut nuk zgjati shumë. Marrja e qytetit prej tij ndodhi në një kohë kur ishte rindezur konflikti i hershëm me Balshajt, ndërkohë zotër edhe të Vlorës.

Me një sulm të befasishëm në vitin 1384 Balsha II e pushtoi Durrësin. Tashmë në aktet zyrtare ai filloi t’i atribuojë vetes titullin « dukë i Durrësit ». Por nuk e gëzoi gjatë. Më 18 shtator 1385 forcat osmane të Hajredin Pashës shpartalluan në Savër të Myzeqesë ushtrinë e Balshës II dhe të aleatëve të tij. Karl Topia hyri përsëri në Durrës, por tashmë edhe ai, si mjaft sundimtarë të tjerë shqiptarë, u detyrua t’i nënshtrohej hegjemonisë së osmanëve. Në përpjekje për t’i shpëtuar kësaj të fundit, Topia u kthye nga Venediku. Midis viteve 1386-1387 ai bëri disa përçapje pranë Republikës, duke i ofruar kësaj vendosjen e një lloj protektorati mbi zotërimet e tij. Duke iu shmangur një angazhimi të drejtpërdrejtë në një zonë që tashmë ishte në vëmendjen e osmanëve, Venediku u mjaftua t’i premtonte Karl Topisë ndihma modeste ushtarake, sigurisht kundrejt privilegjeve tregtare. I ndodhur nën trysninë e vazhdueshme të osmanëve, Karl Topia tentoi në maj të 1387 një ujdi të fundit me Republikën. Propozimi i tij i ri kishte të bënte me shitjen e Durrësit, me largimin e vetë Karlit dhe vendosjen e tij në ndonjërën nga kolonitë veneciane në Kretë ose në Eube.

Por edhe kësaj radhe nuk u përfundua gjë, qoftë për shkak të hezitimeve të Venedikut, që tashmë ishte i bindur se marrja e Durrësit do të thoshte luftë me osmanët, qoftë edhe se, shumë shpejt pas paraqitjes së këtij propozimi të ri, princi Karl Topia ndërroi jetë. Trashëgimtari i dobët i Karl Topisë, Gjergji, mundi të ushtrojë pushtetin e tij në Durrës e në rrethinat e tij. Kruja dhe krahina përreth saj i kaluan motrës së tij, Helenës, që ishte martuar me fisnikun venecian Mark Barbadigun. Konti Niketa Topia, një kushëri i Gjergjit, sundonte ultësirën në jug të Durrësit. Feudalë të tjerë, që s’i përkisnin familjes fisnike Topia, sundonin tashmë të pavarur në viset e Tiranës, në luginën e Shkumbinit e gjetkë. Marrëdhëniet e tyre me Gjergj Topinë ishin shpeshherë armiqësore. Në këtë mënyrë juridiksioni i trashëgimtarit të Karl Topisë kufizohej në qytetin e Durrësit dhe në rrethinat e afërta të tij. Në fakt, edhe në burimet e kohës Gjergji cilësohet thjesht « zot i Durrësit », ndryshe nga paraardhësi i tij i madh, princi Karl Topia, që quhej « zot i gjithë vendit të Arbrit ».

Ardhja në pushtet e Gjergj Topisë përkoi me intensifikimin e sulmeve osmane në viset bregdetare dhe, për rrjedhojë, edhe me politikën e re të Venedikut, për të shtënë në dorë qytetet bregdetare shqiptare. Herë me premtime dhe herë me presione Venediku arriti të bindte Gjergjin që fillimisht t’i lëshonte kullën e poshtme të qytetit, atë që ruante pjesën e portit.

Më tej, Venediku arriti të fuste në kontroll gjithë qytetin, duke shfrytëzuar vështirësitë e zotit të Durrësit, si dhe lidhjet e veta me një sërë fisnikësh shqiptarë nga familjet Muzaka, Skurra, Nesha e vetë Topia, të cilëve u shpërndante provizione vjetore. Me marrëveshjen e nënshkruar me Venedikun në gusht të vitit 1392, Gjergj Topia pranonte që, pas vdekjes së tij, i gjithë qyteti të kalonte edhe de jure nën sundimin e Venedikut. Një kalim i tillë i pushtetit në Durrës ndodhi vetëm ndonjë muaj më vonë, kur sundimtari shqiptar vdiq.

Vitet që pasuan shënuan zhdukjen nga skena edhe të Topiajve të fundit. Në vitin 1403 konti Niketë Topia mori kështjellën e Krujës nga duart e kushërirës së tij, Helenës. Në këtë mënyrë Niketa bashkoi nën sundimin e tij territoret pjellore rreth e rrotull Durrësit prej të cilave nxirrte fitime të mëdha. Venediku ia njohu zotërimet sundimtarit shqiptar, aq më tepër që ato formonin një perde midis Durrësit dhe posteve të përparuara osmane në Maqedoni. Nga ana tjetër, nga zotërimet e Niketës mbërrinin në Durrës produktet bujqësore e blegtorale të domosdoshme për mbijetesën e qytetit. Megjithatë zotërimi i të fundit të Topiajve nuk pati jetë të gjatë.
Më 1412 kontit Niketa iu desh ta paguajë me një disfatë të bujshme dhe me burgimin e tij rivalitetin me Teodor Muzakën e Beratit për zotërimin e fushave rreth Shkumbinit. Falë ndërhyrjes së Republikës së Raguzës, Niketa u lirua nga burgu i Muzakës. Por paskëtaj ai duhej të matej me sulmet e osmanëve, që pikërisht në atë kohë njohën një intensifikim të ri. Me vdekjen e Niketës, osmanët pushtuan kryeqendrën e vjetër të Arbrit dhe të Topiajve, Krujën. Në fillim të vitit 1415 qyteti kishte një komandant turk, Ballaban Beun, i cili quhej « subash i Krujës dhe i Arbrit.

Principata e Muzakajve

Historiania bizantine e shek. XI-XII, Ana Komnena, përmend e para emrin e një fisniku nga familja Muzaka, i cili rreth vitit 1090 ishte ndër komandantët më të besuar të perandor Aleksi I Komneni. Origjina e familjes ishte nga zona e Oparit, ku Muzakajt kishin zotërimet fillestare të tyre me fshatrat Voskop, Lavdar, Xerje, Bec, Mazrek, Marjan, Dushan, Zerec etj.. Kronisti Gjon Muzaka (1510) kujton se varret e të parëve të familjes ndodheshin pranë kishës së Shën Triadhës në Lavdar të Oparit. Autoriteti dhe roli politik i Muzakajve dëshmohet qartë që në shek. XIII.

Familja Muzaka

Gjatë luftërave me anzhuinët e Napolit (1273-1281), i pari i derës së Muzakajve, Gjoni I Muzaka, u shqua si një ndër krerët kryesorë të qëndresës. I zënë rob gjatë një beteje, në tetor të vitit 1279, Gjoni u burgos në kështjellën e Brindizit bashkë me tre bashkëpunëtorët e tij, Dhimitër Zogun dhe Kasnec e Guljelm Blenishtin. Por, nën presionin e krerëve shqiptarë, mbreti Karli I Anzhu u detyrua ta lironte atë vitin tjetër, kundrejt premtimit se « nuk do të fliste e nuk do të vepronte më kundër tij.

Stema e Familjes Muzaka
Stema e Familjes Muzaka

Në fund të shek. XIII, duke përfituar nga marrëdhëniet e tyre me pushtetin qendror bizantin, Muzakajt mundën të siguronin prona të shumta në krahinat fqinje të Tomoricës, Skraparit, Këlcyrës e Beratit në perëndim dhe në ultësirën e Korçës në lindje. Atë kohë Muzakajt afrohen me anzhuinët, që vazhdonin të mbanin Durrësin, dhe nëpërmjet tyre me Papatin, i cili ishte vënë në krye të koalicionit të fuqive evropiane e ballkanike kundër mbretërisë serbe. Në vitin 1319 papa Johanit XXII i njoftuan gatishmërinë e tyre për t’iu bashkuar frontit antiserb shumë fisnikë shqiptarë, mes të cilëve edhe tre vëllezërit Muzakaj, zotër në Këlcyrë. Qëndresa e organizuar nga bujarët Muzaka kundër ekspansionit të serbëve në trevat shqiptare, ende nën sundimin bizantin, u vlerësua edhe nga perandorët e Bizantit, të cilët i shpërblyen ata me pronia të reja e me tituj fisnikërie. Dikur para vitit 1335, i pari i Muzakajve, Andrea II, mori titullin e lartë despot, i cili vinte i dyti, pas atij të perandorit, në shkallën e hierarkisë bizantine. Ndërkohë, pinjollë të Muzakajve vazhduan të qëndronin në poste të rëndësishme në Konstandinopojë, si epistrati Muzaka në vitet 1320.

Krijuesi i një principate të vërtetë të kësaj familjeje ishte pikërisht despot Andrea II Muzaka (1335-1372). Nën drejtimin e tij, Muzakajt u vunë në krye të lëvizjeve antibizantine të viteve 1335-1341, që përfshiu trevat shqiptare jugore. Me atë rast, despot Muzaka lidhi edhe një aleancë me anzhuinët e Napolit. Në paktet e nënshkruara në Durrës më 30 dhjetor 1336 me Luigj Anzhunë, nip i mbretit Robert, Andrea II Muzaka njohu për kryezot mbretin e Napolit, i cili nga ana e tij i konfirmoi fisnikut shqiptar pronat, titujt e gradat e dhuruara nga perandorët e Bizantit. Si peng të besnikërisë ndaj sovranit anzhuin, Andrea II Muzaka duhej të linte në Durrës, pranë përfaqësuesit të mbretit të Napolit, njërin prej djemve të tij.

Andrea II Muzaka

Shtypja e kryengritjeve antibizantine të jugut më 1336 u shoqërua me shpronësimin dhe me dëbimin e mjaft fisnikëve të familjes Muzakaj, të cilët u strehuan në Greqi, posaçërisht në Peloponez. Edhe në kohën e pushtimit serb të Stefan Dushanit (1345-1355) Muzakajt ishin frymëzuesit e qëndresës dhe ishin vazhdimisht në luftë me qeveritarin sllav të zonës së Beratit e të Vlorës, despotin Ivan Komnen Asenin. Aty nga viti 1350 Andrea II Muzaka mori Beratin, duke e detyruar qeveritarin e Stefan Dushanit ta zhvendoste selinë e vet në Kaninë. Pushteti i Muzakajve u shtri ndërkohë në Myzeqe, që e mori këtë emër pikërisht prej tyre (Muzakia=vendi i Muzakajve). Ndikimi i Muzakëve u bë i ndjeshëm edhe në qytetin e Durrësit, ku despot Andrea zotëronte pasuri të patundshme dhe ku marrëveshja e vitit 1336 me anzhuinët e lejonte të qëndronte dhe të lëvizte lirisht në atë qytet.

Pas vdekjes së car Dushanit dhe shthurjes së Perandorisë Serbe, despot Andrea II Muzaka i zgjeroi më tej kufijtë e zotërimeve të tij në drejtim të zonës së Korçës e Devollit, duke dëbuar prej andej sundimtarët serbë të vendosur rishtazi. Nga fundi i viteve 60 ai aneksoi zotërimet e zotit të Karavastasë, sebastokratorit Vlash Matrënga, pushtoi kështjellën e rëndësishme të Bregut, doli mbi Shkumbin e mori tokat e Gosës e të Garunjës, duke u ballafaquar drejtpërsëdrejti me princin e fuqishëm të Arbrit, Karl Topinë. Po në atë kohë Andrea II Muzaka mori Vlorën e Kaninën nga duart e sebastit Aleksandër, që sundonte aty pas vdekjes së despotit Ivan Komnen.

Megjithatë, despot Muzaka shumë shpejt ia kaloi në formë paje këto dy qytete vëllait të vogël të Balshajve, Balshës II, pas martesës së këtij me vajzën e tij, Komitën. Siç duket, në bazë të aleancës midis këtyre dy familjeve fisnike shqiptare qëndronte rivaliteti i tyre i përbashkët me Topiajt e veçanërisht me sundimtarin serb Vukashin, atë kohë zot i Kosovës e i gjithë Maqedonisë Perëndimore, deri në Kostur. Pikërisht me ndihmën e Balshajve, despot Andrea II Muzaka theu më 1370 pranë Kosturit ushtrinë e krajl Vukashinit. Kjo fitore u përshëndet edhe nga perandori i Bizantit, Johani V Paleologu, i cili me këtë rast i konfirmoi Andrea II Muzakës titullin e despotit, duke i dhuruar fronin bashkë me shenjën përkatëse dalluese, shqiponjën me dy krerë e me yll në mes. Kjo zëvendësoi emblemën e hershme të Muzakajve, e cila paraqiste një burim që shpërthente nga toka duke u ndarë më dysh.

Bashkë me konfirmimin e titullit despot, perandor Johani V Paleologu i kaloi Andrea II Muzakës edhe të drejtat mbi Kosturin.

Ndonjë vit më vonë, me ndihmën e Balshajve e të bujarëve të tjerë shqiptarë, despot Andrea i rrëmbeu Mark Krajleviçit, të birit të Vukashinit, qytetin e Kosturit. Në këtë mënyrë, në fund të jetës së tij, despoti plak, Andrea II Muzaka, kishte përfshirë në principatën e tij Myzeqenë, Beratin, Tomoricën, Skraparin, Këlcyrën, Përmetin, Oparin, Devollin, Kolonjën e Kosturin. Megjithatë, në krahun perëndimor të zotërimeve të Muzakajve, ndihej fort hegjemonia e Balshëve të fuqishëm, të cilët nga Vlora e Kanina ushtronin ndikim të madh në zonat përreth, deri në Berat, siç e dëshmon edhe mbishkrimi i të ashtuquajturit « Epitaf i Glavinicës h i vitit 1372. Aty nga viti 1374, Muzakajt ishin detyruar të tërhiqeshin edhe nga tokat që kishin zënë para pak vjetësh përtej Shkumbinit, si dhe nga kështjella e nga tregu i Bregut, në derdhje të Shkumbinit. Këto vende i kaluan rivalit të tyre, princit Karl Topia.

Vdekja e despot Andrea II Muzakës menjëherë pas marrjes së Kosturit (ai u varros në kishën e Shën Ndoit në Durrës) ndikoi gjithashtu në dobësimin e zotërimit të Muzakajve. Ky u nda midis tre bijve të tij: Gjonit, Teodorit e Stojës. I pari trashëgoi zotërimet stërgjyshore të familjes, i dyti Beratin e zonën e Myzeqesë, kurse i treti viset nga Devolli në Kostur. Shumë shpejt, në vitin 1375, Stojë Muzakës iu desh të përballonte një sulm të Mark Krajleviçit, i cili me një ushtri mercenare osmane u përpoq pa sukses të rimerrte Kosturin. Deri në pushtimin përfundimtar nga osmanët, më 1385, qyteti mbeti në duar të Muzakajve, siç e vërteton edhe një mbishkrim ktitorial në kishën e Shën Thanasit, të ngritur më 1382 nga vëllezërit Stojë e Teodor Muzaka. Stoja vdiq në vitin 1384, kurse vëllai i dytë, Teodori, mbeti i vrarë në betejën e Fushë-Dardanisë, më 1389, ku kishte shkuar me forca të shumta bashkë me fisnikë të tjerë shqiptarë. Vëllai i madh Gjini, pasi kishte kaluar mjaft vjet në burgun e Kaninës, ku e kishte mbyllur i kunati, Balsha II, vdiq edhe ai para vitit 1390 në një çast rrëmuje e shthurrjeje të principatës. Osmanët tashmë shfaqeshin rregullisht në zotërimet e tyre dhe në zonën e Korçës ata ishin bërë zotër realë të vendit. Zotërimet e Muzakajve u rrudhën kryesisht në viset malore. Mjaft pinjollë të tyre, si djali i madh i Gjinit, Andrea, ishin vendosur në Durrës ku ishin vënë në shërbim të Venedikut.
Periudha e shkurtër e rimëkëmbjes së zotërimit të Muzakajve pas disfatës së osmanëve në betejën e Ankarasë (1402) lidhet me emrin e Teodorit III Muzaka, djalit të Andresë. Ky për disa vjet arriti ta shtrijë përsëri zotërimin e Muzakajve në fushën e Myzeqesë, duke ringjallur për këtë konfliktin e vjetër me Topiajt, posaçërisht me kontin Niketë Topia, i cili gjatë një përpjekjeje më 1412 ra rob i Muzakës.
Me rifillimin e sulmeve osmane zotërimi i Muzakajve u prek rëndë. Më 1417, njëherësh me Vlorën, ra edhe Berati. Teodor Muzaka u kthye nga ajo kohë në vasal të sulltanit dhe pasardhësit e tij me përkrahjen e osmanëve apo të Venedikut, mbajtën një minimum të principatës së dikurshme derisa pas rënies së Shkodrës, më 1478, i fundi i Muzakajve të krishterë, Gjon Muzaka, autori i njohur i Gjenealogjisë së shtëpisë Muzaka (1510), e la vendin dhe u vendos në Mbretërinë e Napolit.

Shteti i Arianitëve

Stema e Familjes së Arianitëve

Arianitët ishin një familje e vjetër fisnike. Zotërimet e tyre shtriheshin përgjatë luginës së Shkumbinit e Rrugës Mbretërore (Egnatia) dhe në lindje arrinin së paku deri në afërsi të Manastirit.

Në burimet historike emri i familjes fisnike të Arianitëve haset për herë të parë në shek. XI në veprën e Gjergj Kedrenit Përmbledhje Historish. Ai tregon se në fillim të shek. XI (1001-1018) perandori i Bizantit emëroi patricin David Arianitin si strateg të Selanikut dhe, më pas, si strateg të Shkupit. Ai luftoi kundër bullgarëve në Strumicë e në Shkup. Edhe djali i tij, Konstandini, përmendet në vitet 1049-1050 si ushtarak në shërbim të Perandorisë Bizantine. Në një marrëveshje që Karli I Anzhu lidhi me disa fisnikë shqiptarë, në fund të shek. XIII (1274), përmendet ndër këta edhe sebast Aleks Arianiti. Emri i Arianitëve do të vazhdonte të ishte i pranishëm edhe më shumë nëpër dokumente të shek. XIV. Në dy dokumente të vitit 1304 të princit të Tarentit, Filipit, dhe të mbretit të Sicilisë, Karlit II, ndër emrat e disa familjeve fisnike shqiptare, që u njiheshin privilegjet e mëparshme, është shënuar edhe emri i Arianitëve. Në një letër të vitit 1319, që papa Johani XXII ua drejtoi disa fisnikëve shqiptarë, është shënuar emri i protolegatorit Guljelm Arianiti. Në Epitafin e Glavinicës, të qëndisur në vitin 1373, gjendet edhe emri i qëndistarit Gjergj Arianiti.

Sema e Arianit Komnenit

Për këto figura me mbiemrin Arianiti nuk mund të krijohet një lidhje e sigurt dhe të pohohet se domosdo ata i përkisnin të njëjtit trung familjar. Sidoqoftë, nëpërmjet tyre del qartë së Arianitët ishin një familje fisnike e vjetër e Shqipërisë Qendrore, nga më të njohurat dhe me ndikim të veçantë në jetën politike të vendit. Rol pozitiv në këtë drejtim kishte zotërimi e kontrolli prej Arianitëve i segmenteve të rëndësishme të Rrugës Mbretërore (Egnatia) nëpër të cilën lëviznin karvane të shumta për tregtimin e drithit, të kripës e të mallrave të tjera. Për zotërimin e kësaj rruge tregtare shumë të rëndësishme, Arianitët duhet të kenë bashkëpunuar me Pavël Kurtikun, zotërimet e të cilit gjendeshin në krahinat përgjatë rrjedhjes së mesme të lumit Shkumbin, si dhe me Andre Gropën, sundimtarin e qytetit të Ohrit. Pozicioni mbizotërues i kështjellës së Ohrit, mbi tërë rajonin e një liqeni shumë të pasur me peshk të cilësisë së lartë, kishte bërë që zotërimi i tij të ishte në qendër të aksioneve politike e ushtarake të zotërve të rajoneve pranë tij.

Veprimtaria politike e Arianitëve do të pasqyrohet më mirë në dokumentet e shek. XV, kur ata, prej pushtimeve osmane, humbën rajonet e pasura lindore dhe filluan të ndiqnin një politikë më aktive, sidomos qysh nga vitet 30 e më pas, kur Gjergj Arianiti korri një varg fitoresh kundër ushtrive osmane.

Krahas mbiemrit Arianiti kjo familje fisnike përmendet në burimet historike edhe me emra të tjerë familjarë, si Komneni, Golemi, Topia, Shpata e Çermenika, si dhe me disa tituj fisnikërie. Titujt ishin të trashëguar dhe dëshmonin për lidhjet krushqore që kishin krijuar Arianitët me familjet e tjera fisnike, duke përfshirë edhe atë perandorake të Bizantit, siç e tregon mbiemri Komneni. Si familje sundimtare Arianitët kishin edhe simbolet e veta. Shqiponja dykrenare ishte në stemën e tyre. Në një dokument të kohës tregohet se Gjergj Arianiti kishte porositur në Raguzë që të thurej flamuri i tij.

Pema gjenealogjike e Arianitëve nuk mund të ndërtohet saktësisht, që nga periudhat më të hershme, kur ata përmenden për herë të parë. Sipas autorëve të vjetër shqiptarë, Marin Barlecit e Gjon Muzakës, i ati i Gjergj Arianitit ka qenë Komnen Arianiti. Ky qe martuar me vajzën e Nikollë Sakatit, që kishte edhe mbiemrin Zaharia, zot i qytetit port të Buduas. Komnen Arianiti pati tre djem (Gjergjin, Muzakën dhe Vladanin), si dhe një vajzë që u martua me Pal Dukagjinin.

Muzakë Arianiti kishte vetëm një djalë, Moisiun, bashkëluftëtarin e njohur të Skënderbeut, që njihet kryesisht me mbiemrin Golemi (Moisi Golemi). Ky u martua me Zafinë Muzakën, ish-gruan e Muzakë Topisë, i cili u rimartua me të motrën e Skënderbeut, Mamicën.

Vëllai i vogël i Gjergj Arianitit, Vladani, u martua me vajzën e Gjon Kastriotit, Angjelinën, shumë kohë përpara se Skënderbeu të dilte në krye të luftës antiosmane të shqiptarëve. Djali i tyre Muzaka (i cilësuar si Muzaka i Angjelinës, për t’u dalluar nga i ungji) do të ishte pjesëmarrës në Kuvendin e Lezhës të vitit 1444. Veprimtaria politike dhe ushtarake e djalit të madh të Komnen Arianitit, Gjergjit, i dha familjes fisnike shqiptare të Arianitëve emër e peshë të veçantë në jetën politike të Shqipërisë.

Gjergj Arianiti u martua me Marie Muzakën, me të cilën pati tetë vajza. Vdekja e saj bëri që, më pas, Gjergji të martohej me italianen Despina (ose Petrina) Frankone, vajzë e guvernatorit të qytetit Leçe të Mbretërisë së Napolit. Me të Gjergj Arianiti pati tre djem (Thomanë, Kostandinin dhe Arianitin) dhe një vajzë.
Zotërimet e Arianitëve, ashtu si dhe ato të fisnikëve të tjerë shqiptarë, gjatë periudhave të ndryshme kanë njohur zgjerime e ngushtime. Pavarësisht nga këto, duke zotëruar segmente të rëndësishme të Rrugës Mbretërore (Egnatia) dhe të degëzimeve të ndryshme të saj, Arianitët kanë gëzuar një pozitë të veçantë në jetën ekonomike e politike të Shqipërisë dhe në marrëdhëniet e lidhjet që mund të krijoheshin midis rajoneve të ndryshme të vendit dhe forcave politike të tyre. Dëshmi e kësaj janë edhe lidhjet e shumta martesore të Arianitëve me zotërit e tjerë të viseve shqiptare, që ishin kufitare me ato të Arianitëve, si Muzakajt e Kastriotët, apo edhe më të largëta si Dukagjinët e deri me despotin serb, Stefan Brankoviçin, kur ky, pas pushtimit të Despotatit të Rashës prej osmanëve, u vendos në vitin 1459 në Krujë, ku qëndroi për disa vjet pranë Skënderbeut dhe u martua me një vajzë të Gjergj Arianitit.

Për rëndësinë politike dhe ekonomike të shtetit të Gjergj Arianitit dëshmon më së miri martesa e dytë e tij me vajzën e guvernatorit të qytetit të Leçes në Italinë e Jugut, që ishte porti më jugor i krahinës së Puljes dhe, në rrugë detare, më i afërti me bregdetin shqiptar. Interesat ekonomikë në Shqipëri e kanë shtyrë guvernatorin e Leçes të martonte vajzën larg vendit të tij e përtej detit Adriatik, së pari në Korfuz, dhe, pasi mbeti e ve, me Gjergj Arianitin në Shqipëri, që ka qenë eksportuese e rëndësishme drithërash. Shtrirja lindore e shtetit të Gjergj Arianitit ka qenë e thellë. Ajo i ka përfshirë, ose së paku ka qenë kufitare me fushat e Manastirit e të Follorinës, që ishin rajone të prodhimit të bollshëm të drithërave, ku çmimi i shitjes së tij ka qenë më i ulëti se në rajonet e tjera të prodhimit të tij në Shqipëri dhe shumë më i ulët se çmimi i shitjes në Itali. Gjithashtu nën zotërimin e Arianitëve ka qenë, në mos tërësisht, pjesërisht, rajoni i liqenit të Ohrit, prej të cilit siguroheshin të ardhura shumë të mëdha nga peshkimi dhe nga eksportimi i gjerë i peshkut të thatë të cilësisë së lartë, artikull ushqimor ky që ishte shumë i parapëlqyer nga banorët e rajoneve të tjera.

Nën zotërimin e Arianitëve mund të kenë qenë për një kohë edhe qytetet e Manastirit e të Follorinës, para se të binin nën pushtimin osman. Në këtë rajon Arianitët kanë zotëruar kështjellën e Sopotnicës (Sfetigradi), që osmanët e ripagëzuan me emrin Demir Hisar, kështjellë në një pozicion kyç, nga mund të kontrolloheshin disa rrugë tregtare shumë të rëndësishme. Si kufij natyrorë jugorë të shtetit të Gjergj Arianitit kanë qenë lumi Devoll dhe zotërimet e Muzakajve, kurse në veri shteti i Kastriotëve. Në perëndim Arianitët kanë pasur dalje të gjerë në detin Adriatik në jug të Durrësit dhe në rajonin e Myzeqesë. Gjergj Arianiti kërkonte të kishte nën zotërimin e tij edhe Vlorën e Kaninën bashkë me rrethinat e tyre, që formonin rajonin bregdetar shqiptar, i cili, në rrugë detare, ishte më afër bregdetit italian. Këto synime të Gjergj Arianitit kanë zënë vend në aktet zyrtare të marrëdhënieve të tij me Mbretërinë e Napolit. Gjurmë të tyre mbetën edhe pas vdekjes së Gjergjit. Një djalë dhe një nip i tij ushtruan detyrën e funksionarëve të lartë osmanë në rajonin e Vlorës. Në një dokument të fundit të shek. XV, ky rajon është shënuar si pjesë e « Arbërisë së Arianitit », emërtim i përdorur krahas « Arbërisë së Skënderbeut.

Balshajt

Ndër principatat e pavarura shqiptare, që lulëzuan pas mesit të shek. XIV, më e rëndësishmja ishte ajo e familjes Balsha me origjinë nga qyteza e Balëz, në afërsi të qytetit të Shkodrës. Gjatë pushtimit serb të atyre anëve, emri i kësaj familjeje mbetet në errësirë. Megjithatë ka arsye të mendohet se Balshajt qenë një ndër dyert e shumta fisnike shqiptare, të shpronësuara dhe të keqtrajtuara të kësaj treve, për të cilat flet më 1331 kryepeshkopi i Tivarit, Guljelmi i Adës. Gjithsesi, pas mesit të shek. XIV, tre vëllezërit Balsha, Strazimiri, Gjergji I dhe Balsha II, e vunë këtë familje në ballë të politikës dhe të proceseve shtetformuese shqiptare, duke shfrytëzuar edhe momentin e përshtatshëm që pasoi vdekjen e car Stefan Dushanit. Me shthurjen e Perandorisë së tij, vëllezërit Balshaj iu vunë punës për ta kthyer Gentën (Zetën), ashtu si Dioklenë e dikurshme, në një shtet të pavarur nga mbretëria serbe. Për këtë qëllim, ata prenë çdo lidhje me oborrin e carit të ri serb, Stefan Uroshit, i cili i konsideronte Balshajt « rebelë h dhe i trajtonte si kundërshtarë të papajtueshëm të tij. Kundër sundimtarëve shqiptarë të Gentës, ai u përpoq të nxiste sundimtarët sllavë si dhe Republikën e Venedikut, e cila i druhej fuqizimit të Balshajve dhe sidomos kthimit të principatës së tyre në një principatë detare. Me zotërimin e Ulqinit, të Tivarit e të vetë Shkodrës dhe të skelës së Shirgjit, si dhe me shtënien në dorë përfundimisht të Buduës më 1367, Balshajt ishin në gjendje të kontrollonin lëvizjet tregtare nëpër Adriatik. Në duart e tyre ndodheshin rrugët tregtare që zgjateshin prej bregdetit drejt viseve të brendshme. Më e rëndësishmja prej tyre ishte rruga që fillonte në pikën doganore të Dejës, ku bashkoheshin rrugët që vinin nga portet e Shëngjinit, të Ulqinit e të Tivarit, dhe vazhdonte nëpër luginën e Drinit për të arritur në Rrafshin e Dukagjinit, nga ku degëzohej në qendërbanimet kryesore të Kosovës. Gjithë pushtetin e Balshajve në këto treva nxitoi ta shfrytëzonte në të mirë të tregtisë së vet Republika e Raguzës, e cila më 1361 u dha tre vëllezërve sundimtarë qytetarinë raguzane. Të njëjtin hap e kreu një vit më vonë edhe Republika e Venedikut, e cila Strazimirin, Gjergjin I dhe Balshën II i pranoi si qytetarë të vet. Megjithatë, Republika e Shën Markut vazhdoi të ndiqte me mosbesim fuqizimin e zotërve shqiptarë të Gentës dhe u mundua të krijonte, fshehurazi, një grupim kundërshtar të Balshajve, me krerët shqiptarë nga familjet Gjurashi (Cërnojeviçi), Dukagjini, Zaharia, Dushmani, Shestani, të cilët Balshajt i kishin privuar nga pushteti dhe nga privilegjet e dikurshme. Gjithashtu, Venediku nxiti dhe mbështeti kundër tyre sundimtarët sllavë, si Stefan Uroshin e Vojsav Vojnovin, që kishin arsye të shqetësoheshin nga fuqizimi dhe shtrirja e zotërimit të   princërve shqiptarë.

Principata e Balshajve
Principata e Balshajve

Përpjekjet për t’i shtrirë kufijtë e principatës drejt jugut, i çuan Balshajt drejt përplasjes me fisnikë të tjerë shqiptarë, Dukagjinët, Zahariajt e sidomos Topiajt, zotër të Arbrit dhe, qysh nga viti 1364, zotër edhe të Durrësit. Përplasja në mes dy principatave më të fuqishme shqiptare u bë e pashmangshme për sa kohë që edhe vetë Topiajt luftonin për të vënë nën kontroll qendrat, që tradicionalisht bënin pjesë në sistemin administrativo-ushtarak të Durrësit, në radhë të parë Lezhën. Në një betejë të zhvilluar aty nga muaji shtator i vitit 1364 Balshajt u thyen nga zotërit e Durrësit dhe vetë Gjergji I Balsha u zu rob. Me ndërhyrjen e Republikës së Raguzës, mike e dy shtëpive fisnike shqiptare, Gjergj Balsha u la i lirë dhe armiqësisë iu dha fund me martesën e Karl Topisë me Katerinën, motrën e Balshajve.

Një qëndresë të fortë ndeshën edhe përpjekjet e Balshajve për t’u zgjeruar në veri të grykës së Kotorrit, dhe sidomos për të pushtuar këtë qytet të fundit. Republika e Venedikut, Mbretëria e Hungarisë, Papati, sundimtarët sllavë të Kanalit, Zaklumjes e të Bosnjës dhe vetë Republika e Raguzës u bashkuan për t’i detyruar Balshajt të hiqnin dorë nga një ndërmarrje e tillë. Në këtë mënyrë, pas vitit 1368 veprimet e vëllezërve Balsha u përqendruan në zgjerimin e zotërimeve të tyre drejt viseve të Kosovës dhe thellë në jug, në despotatin e Vlorës. Duke hequr dorë përkohësisht nga Kotorri, Balshajt arritën një zbutje të marrëdhënieve të tyre me të gjitha fuqitë e interesuara. Me Republikën e Venedikut Balshajt i forcuan lidhjet në fushën tregtare dhe ushtarake. Në vitin 1369 Balshajt shpallën kalimin e tyre në ritin katolik për forcimin e lidhjeve me Papatin dhe me fUqitë katolike të Perëndimit, si dhe në vazhdën e lidhjeve që princërit e hershëm të Gentës (Dioklesë) kishin me këta të fUndit. Një vit më vonë papa Urbani V, duke i pranuar vëllezërit Balsha në gjirin e kishës apostolike të Romës, u rekomandoi atyre peshkopët e porsaemëruar të Arbrit, Pultit, Sardës (Shurdhahut), Lezhës e të Vlorës. Nëpërmjet këtij fakti, kuptohet se Balshajt ishin bërë atë kohë zotër të Vlorës. Rrethanat e zbritjes së Balshajve në Vlorë mbeten ende të errëta. Por është e sigurt që në themel të kësaj ngjarjeje qëndronte aleanca e Balshajve me zotin e fuqishëm të Beratit, despot Andrea II Muzaka, i cili në atë kohë e zotëronte, ose të paktën e kishte nën kontrollin e tij, qytetin e Vlorës bashkë me kështjellën e Kaninës. Aleanca e Balshajve me Muzakajt e Beratit u vulos me martesën e Komnenë Muzakës, vajzës së despot Andresë, me më të voglin e sundimtarëve të Gentës, Balshën II.

Pavarësisht nga mbështetja që gjetën sidomos në gjirin e fisnikërisë feudale, Balshajt hasën në Vlorë edhe në armiqësinë dhe qëndresën e shtresave të caktuara zejtare-tregtare, të lidhura ekonomikisht e politikisht me interesat veneciane. Pas hyrjes së Balshajve në Vlorë, mjaft nga këta përfaqësues të fisnikërisë qytetare dhe bashkë me ta edhe tregtarë venecianë të Vlorës, e braktisën qytetin dhe u vendosën përkohësisht në Sazan e në zotërime të tjera të Venedikut. Kjo ngjarje shkaktoi një krizë të re në marrëdhëniet e Balshajve me Republikën e Venedikut.

Zotërimi i Balshajve në Vlorë u bë nyja e një aleance të sundimtarëve shqiptarë të viseve të Vlorës, të Beratit, të Përmetit, të Ohrit e të Korçës në luftë me princërit e fundit sllavë, trashëgimtarë të Perandorisë së dikurshme të Dushanit, në radhë të parë me mbretin Vukashin, sundimtar i viseve të Kosovës e të Maqedonisë deri poshtë në Kostur. Pas vrasjes së këtij të fundit, koalicioni i krerëve shqiptarë, të drejtuar nga Balsha II dhe nga Andre Muzaka, i mori Mark Krajleviçit, të birit të Vukashinit, qytetin e Kosturit (1372).
Një përpjekje e Mark Krajleviçit, më 1375, për ta rimarrë qytetin me ndihmën e osmanëve, dështoi. Kosturi mbeti edhe për disa vjet të tjerë nën qeverisjen e vëllezërve Stojë e Teodor Muzaka, djem të despot Andresë dhe kunetër të Balshës II. Tashmë jo vetëm Muzakajt, por edhe familje të tjera fisnike të trevave të Shqipërisë së Poshtme kishin hyrë nën sovranitetin e Balshajve. Këta të fundit arritën, po në fillim të viteve 70, të shtrijnë sundimin e tyre deri në rrjedhën e lumit Mat, duke shkaktuar përsëri pakënaqësinë e Karl Topisë, dhe në Kosovë, prej Prizreni dhe Pejë deri në Kriva Reka (pranë Novobërdës). Në këtë mënyrë, përveç zotërimit të tyre të parë të Gentës, vëllezërit Balsha kishin bashkuar atë kohë, nën sundimin e tyre, viset e Lezhës, Matit, Kosovës, Dibrës, Ohrit e Kosturit. Autoriteti i tyre shtrihej në Vlorë dhe, nëpërmjet lidhjeve të vasalitetit apo aleancave familjare, në mbarë Shqipërinë e Poshtme. Ndikimi i tyre shtrihej te Zenebishtët e Gjirokastrës apo te Shpatajt e Çamërisë e të Artës. Në këtë mënyrë, vëllezërit Balsha për herë të parë kishin bashkuar në një zotërim të vetëm pjesën më të madhe të trojeve shqiptare.

Republikat e fuqishme të Venedikut e të Raguzës përpiqeshin të mbanin marrëdhënie të mira me Balshajt. Ato u kishin dhënë atyre qytetarinë e vet. Raguza u paguante atyre haraçin e përvitshëm të Shën Dhimitrit, që dikur ua jepte mbretërve të Serbisë. Tribut të tillë u jepte Balshajve edhe qyteti i Kotorrit. Mbreti serb i Rashës apo ai i Bosnjës u ndodhën shpeshherë në vështirësi përballë fuq