Fortifikimet mesjetare
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Fortifikimet mesjetare

~Gjerak Karaiskaj

Periudha që përfshin shek. VII - XV, është një nga periudhat kyçe për Historinë e Shqipërisë. Ajo karakterizohet nga lindja dhe zhvillimi i marrëdhënieve feudale në prodhim, nga formimi i kombësisë shqiptare mbi bazën e elementit etnik ilir, nga lufta e pandërprerë e popullit shqiptar kundër feudalëve të Bizantit, të Serbisë e të Europës perëndimore për pavarësi dhe krijimin e një territori kompakt, dhe së fundi nga lufta heroike kundër pushtuesve turq për mbrojtjen e vendit, nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut. Në shekujt e parë të mesjetës, Iliria, ku përfshihej edhe territori i vendit tonë, u ndodh nën presionin e dyndjes së popujve që vinin nga veriu. Nga fundi i shek. VI dhe gjatë shek. VII vërshuan fiset sllave që i sollën pasoja të rënda shkatërrimtare ekonomisë dhe kulturës së kësaj treve. Megjithatë, popullsia autoktone e kësaj zone mundi ta kapërcejë krizën dhe t’i qëndrojë asimilimit. Kështu, që nga shek. XI e më vonë, shqiptarët cilësohen si «një popull» dhe trojet e tyre përmenden në dokumentet e kohës në trajtën «Arbanon» ose «Albanon» të njohur si emër i një fisi ilir që nga shek. II i erës së re. Ky emërtim në shek. XIII-XIV përfshinte një pjesë të mirë të trojeve të banuara nga shqiptarët, ndërsa në shek. XV ai arrinte në veri deri në vijën Tivar-Podgoricë-Prizren dhe në jug në tokat e Çamërisë së sotme. Që nga fundi i shek. XII, si rezultat i zhvillimit të përgjithshëm të vendit dhe i fuqizimit ekonomik e politik të feudalëve arbëreshë në rradhët e administratës së lartë bizantine, lindi i pari shtet feudal arbëresh i pavarur, “Principata e Arbërisë, të cilën rrethanat historike nuk e lejuan të konsolidohej".

Vetëm në gjysmën e dytë të shek. XIV, pas shëmbjes së perandorisë serbe iu hap rruga e zhvillimit të lirë principatave shqiptare, të cilat përfshinë në gjirin e tyre në këtë periudhë edhe qytetet kryesore të Shqipërisë, si Durrësi, Shkodra, Berati, etj.

Në këtë periudhë, pjesa më e madhe e feudalëve të Shqipërisë ishin me kombësi arbëreshe. Marrëdhëniet feudale ishin bërë marrëdhënie sunduese, në pjesën më të madhe të territoreve të Shqipërisë, me përjashtim të zonave malore, ndërsa bujqësia, zejtaria dhe tregtia arritën shkallën më të lartë që ato njohën gjatë mesjetës. Principatat feudale shqiptare ishin në konflikte të vazhdueshme midis tyre, konflikte që tentonin në krijimin e një shteti feudal të bashkuar. Por kjo tendencë e përgjithshme u pengua nga zhvillimi historik i ngjarjeve të fundit të shek. XIV kur, kundër Shqipërisë si dhe kundër gjithë Gadishullit Ballkanik u drejtuan sulmet e pushtuesve otomanë. Duke përfituar nga kjo gjendje si dhe nga vetë grindjet dhe konfliktet që ekzistonin midis feudalëve shqiptarë, Republika tregtare e Venedikut, me forcën e parasë dhe diplomacisë zaptoi qytetet kryesore të bregdetit shqiptar, para se ato të binin në duar të turqve. Në shek. XV Shqipëria u bë arenë luftërash të përgjakshme.

Në vitet ‘30 të këtij shekulli Shqipëria e Jugut u përfshi nga vala e një kryengritje popullore nën drejtimin e Gjergj Arianitit kundër pushtuesve osmanë, ndërsa që nga viti 1443 deri në rënien e kalave të fundit të Shqipërisë më 1478-79, për 35 vjet rresht, populli shqiptar me mjetet e tij të kufizuara ekonomike dhe njerëzore mundi t’u bëjë ballë forcave të panumërta të Perandorisë Osmane të udhëhequr nga dy sulltanët më të mëdhej të kohës Murati i II dhe Mehmeti II. 25 vjet të kësaj lufte u udhëhoqën nga burri i shtetit dhe udhëheqësi i madh ushtarak Gjergj Kastrioti - Skënderbeu. Shqipëria, gjatë mesjetës së hershme dhe të mesme, duke u ndodhur në kryqëzimin e vijave të mëdha të qarkullimit, përvetësoi dhe përpunoi ndikime të shumëanëshme kulturore. Në arkitekturë kjo dukuri manifestohet në ndikimin e stilit bizantin me elementë romanikë të ardhur nga perëndimi. Arkitektura bizantine në Shqipëri nuk është rezultat i ndërfutjes të elementëve të shkëputur që qëndrojnë në mënyrë pasive, por e një përvetësimi organik, që i ka rrënjët në një veprimtari të vazhdueshme shumë shekullore, si dhe në zhvillimin ekonomik e shoqëror në nivelin e nevojshëm. Por në këtë arkitekturë ndikuan edhe një sërë faktorësh të tjerë, siç është fakti që ajo u ngrit mbi bazën e një arkitekture paraardhëse dhe që kultura mesjetare shqiptare mundi të trashëgojë nga ajo ilire mjaft tipare të karakterit të saj, të shfaqura në fusha të ndryshme të kulturës materiale ashtu si dhe në arkitekturë, ndikoi gjithashtu arkitektura popullore, faktori etnik si dhe rrethana të veçanta ekonomiko shoqërore e politike. Në këtë kuptim arkitektura mesjetare shqiptare pati veçoritë e saj specifike dhe dha kontributin e vet në thesarin e përbashkët të arkitekturës dhe artit të popujve ballkanikë. Duke zënë pozitë të veçantë në trevat e Perandorisë bizantine, territori i vendit tonë shërbeu në periudha të caktuara si transmetues apo rrezatues i vlerave arkitektonike drejt perëndimit dhe anasjelltas. Por edhe ky rol nuk ishte i kushtëzuar thjesht nga prirjet politike të feudalëve shqiptarë dhe pushtuesit e huaj, por edhe nga niveli ekonomiko shoqëror në etapa të caktuara dhe siç është rasti në gjininë e fortifikimeve, nga nevoja dhe arritjet e arkitekturës në këtë fushë.

Gjatë mesjetës së hershme dhe të mesme në territorin e vendit tonë na përfaqësohen gjini të ndryshme arkitekturore, duke filluar që nga banesat, ndërtimet mbrojtëse, të kultit e deri tek ndërtimet inxhinjerike si rrugët, urat, etj.Shumëllojshmëria e tipave në këtë gjini arkitekture si dhe e nivelit të lartë ndërtues tregon se arkitektura mesjetare në vendin tonë nuk qëndron prapa asaj të vendeve fqinje më të zhvilluar, gjithashtu ajo flet për lidhje dhe kontakte të vazhdueshme me këto vende, për ndikime reciproke dhe për zgjidhje arkitekturore origjinale, si në elementë të veçantë, ashtu edhe në tërësi në formulimin e tipave. Vazhdimësia e traditës duket si në teknikën e ndërtimit ashtu edhe në formulimin planimetrik dhe hapësinor të këtyre ndërtimeve. Kjo u arrit ose duke marrë si modele ndërtime që ekzistonin dhe ishin në përdorim, që nga periudha e vonë antike ose nëpërmjet rindërtimit të tyre. Kjo dukuri vërehet në mënyrë të veçantë në ndërtimet e kultit dhe në fortifikimet.Por një zhvillim më të madh dhe të gjithanshëm pati arkitektura në vendin tonë, sidomos gjatë periudhës së konsolidimit dhe lulëzimit të principatave feudale shqiptare.

Një fenomen urbanistik me rëndësi, që merr zhvillim më të plotë në këtë periudhë, dhe kishte të bënte me zgjerimin e lulëzimin që patën qytetet, sidomos gjatë shek. XIII-XIV, është lindja e varrosheve ose lagjeve jashtë mureve rrethues të qyteteve. Kjo dukuri ishte fillimi i një procesi shumë të rëndësishëm për të ardhmen e qendrave të banuara qytetare, i cili shënonte lindjen e qytetit të hapur.Gjatë shek. XIII-XIV ndërtimet mbrojtëse patën gjithashtu një zhvillim të dukshëm, zgjerohen ose riparohen muret rrethuese të qyteteve dhe në disa raste rrethohen me mure edhe varroshet.

Arritjet më të shquara në arkitekturën e kultit të krishterë i përkasin pikërisht shek. XIII-XIV. Me gjithë ndikimet që vërehen në këto ndërtime nga arkitektura e provincave të tjera bizantine dhe deri diku dhe e Evropës Perëndimore ato kanë edhe mjaft veçori që i dallojnë nga të parat. Midis këtyre ndërtimeve, vërehen ndërtime të arritura si dhe vepra të mirëfillta arti. Gjatë shek. XV, në gjendjen e re që u krijua për shkak të luftës së madhe shqiptaro-turke dhe pushtimeve osmane, në mjaft krahina të Shqipërisë u shkatërruan qytete dhe kështjella si dhe vepra të shumta arkitekture. Kjo gjendje e re pati pasoja dhe në fenomenet arkitekturore. Procesi i lindjes së qytetit të jashtëm që kish arritur në prag të shek. XV një zhvillim të dukshëm me rezistencën që i bënë qytetet shqiptare pushtimit osman u pengua seriozisht. Bie në një farë mase niveli i ndërtimit dhe arkitekturës të ndërtimeve të kultit të krishterë, ndërsa i kushtohet një vëmendje e veçantë ndërtimeve mbrojtëse që lidheshin me rezistencën kundër pushtuesve turq. Në këto të fundit u futën parime të reja që kushtëzoheshin nga përparimi i mjeteve dhe i mënyrave të sulmit.

Fortifikimet në shek. VI - XII

Sistemet fortifikuese të Bizantit nuk mundën të pengojnë vërshimin e fiseve avaro-sllave të shek. VI-VII. Shumë qytete dhe kështjella u shkatërruan dhe u plaçkitën, banorët e tyre u masakruan ose u detyruan të zhvendosen në zona të thella malore për t’i shpëtuar përndjekjes. Por, disa nga qytetet dhe kështjellat kryesore mundën t’i qëndrojnë valës së dyndjeve, ndërsa të tjera u përtërinë në fillimet e mesjetës së mesme dhe u kthyen më vonë në qendra të principatave të para feudale shqiptare si Shkodra, Berati, Kruja etj.Pikërisht në qytetet që i rezistuan vërshimit të fiseve “barbare” duhen kërkuar ndërtimet e para fortifikuese mesjetare. Një nga këto qytete ishte dhe Durrësi i cili nga fundi i shek. VIII, me krijimin e sistemit të ri administrativ të temave u bë qendra e një krahine të madhe në pjesën perëndimore të Perandorisë, që përfshinte tokat e bregut lindor të Adriatikut nga Tivari deri në Vjosë. Por nga kjo kala nuk ruhen gjurmë materiale nga ndërtimet mbrojtëse të mesjetës së hershme. Burimet na bëjnë të njohur vetëm mbi disa riparime apo adaptime që i janë bërë kalasë në një periudhë relativisht të vonë, ku me atë rast përmenden fortifikime më të vjetra ekzistuese të cilat iu nënshtruan këtyre ndërhyrjeve apo rindërtimeve. Një të dhënë tjetër përbëjnë përmendjet në burimet historike të elementeve të veçantë përbërës të këtyre fortifikimeve, të cilat sot nuk ruhen më. Në shek. XI, në prag të luftrave normanobizantine, me porosi të perandorit bizantin Aleks Komneni, kreshta e mureve rrethuese të qytetit të Durrësit, u pajis me disa konstruksione druri që dilnin mbi to në trajtën e një erkeri. Këto lloj ndërtimesh që shërbenin për të kontrolluar rrëzën e mureve, në këtë rast u ndërtuan për të përmbushur një dredhi lufte, sepse duke mos qenë të fiksuara në mur, bashkë me to do të binin edhe armiqtë që do të mbështetnin shkallët për tu ngjitur mbi mure. Këto konstruksione në pjesën më të madhe duket se u janë përshtatur mureve ekzistuese të antikitetit të vonë, të ndërtuara qysh në fillim të shek.VI nga perandori me origjinë nga Durrësi, Anastas I, sepse ato qenë aq të fuqishme sa përbënë bazën e fortifikimeve të Durrësit gjatë gjithë mesjetës, madje edhe gjatë periudhës së pushtimit turk. Por, ndërtimet më të rëndësishme të nisura fillimisht në mesjetë duket se kanë qenë përqëndruar në «Akropol».Pasi kalaja e Durrësit kishte rënë në duar të anzhuinëve, Karli I, urdhëron në vitin 1280 kryerjen e disa punimeve fortifikuese në akropol, që konsistonin kryesisht në ngritjen në lartësi të mureve dhe kullave. Me këtë rast, në dokumentet e kohës përmendet dhe se çfarë ruhej nga ndërtimet e vjetra mbrojtëse në këtë pjesë të kalasë së Durrësit. Aty përmenden kulla me sterë në katin e poshtëm dhe kapelë (kishë e vogël) në katet e sipërme, elemente që nuk janë karakteristikë për kullat që ruhen në gjendje të mirë edhe sot nga shek. VI. Këto tipa kullash janë karakteristike për arkitekturën ushtarake bizantine, së paku që nga shek. IX. Akropoli ose kështjella e sipërme, siç përmendet më dendur në mesjetë, si dhe pjesa veriore e kalasë, që nga shek. XIII, komandohej nga një kryekullë (Donzhon) e cila u ndërtua gjatë murit rrethues verior më 1225 nga despoti i Epirit Teodor Komneni dhe ishte e pajisur me një banesë dhe me një mur rrethues.Kryekulla ruhej në një lartësi prej 10m deri nga mezi i shek. XIX, kur u vizitua nga albanologu J.G.von Hahn. Akropoli në atë kohë kishte dy porta. Njëra që e lidhte me qytetin ishte me kanata druri të fortë me trashësi rreth 15 cm, ndërsa tjetra që të nxirrte në livadhet jashtë qytetit, dhe i ekspozohej më lehtë sulmit, ishte pajisur me kanata të veshura me pllaka hekuri. Përveç kështjellës së sipërme që ndodhej në vendin e Akropolit të dikurshëm të kalasë antike, Durrësi kishte edhe një kështjellë tjetër, e cila përmendet në dokumenta me emrin “Kështjella e Poshtme». Ajo ndodhet mbi majën e një kodre me lartësi 59m, më të ulët se e para dhe më pranë bregut detit dhe i mbështetet murit jugperëndimor të kalasë. Kështjella e poshtme  ka kaluar nëpër dy periudha kryesore ndërtimi. Ajo ka thuajse formën e një katrori me gjatësi brinjësh rreth 50m. Në periudhën e parë që datohet rreth shek. X-XI, kështjella kishte kulla të rrumbullakta në qoshe dhe katërkëndëshe në mesin e kurtinave. Pasi qe rrënuar pothuajse krejtësisht, u rindërtua në gjysmën e parë të shek. XV, kur Durrësi ishte nën sundimin venecian. Kalaja e Durrësit në mesjetë konsiderohej si një nga fortesat më të fuqishme të bregut perëndimor të Adriatikut, aq sa pushtimi i saj nga Normanët më 1182 shkaktoi panik në krahinat përreth e deri në Selanik, ndërsa më vonë kur turqit u ndodhën para portave të qytetit, që në atë kohë ishte gjysmë i rrënuar, kronisti turk Idriz Bitlisi shkruan ndër të tjera se “Durrësi ishte një nga qytetet më të mëdhenj të të pafeve dhe kalaja e tij shihej në viset e Rumelisë si një Kostantinopojë e dytë”.Në fillim të shek. XI dhe gjatë shekullit XII, përveç Durrësit përmenden dhe mjaft qytete të fortifikuara dhe kështjella të tjera në territorin e vendit tonë, sidomos në kronikat që përshkruajnë fitoret e perandorit bizantin Vasilit II kundër bullgarëve dhe më vonë nga gjeografi arab AlIdrizi. Një shkak i fuqishëm për riparimin e kështjellave të vjetra dhe ndërtimin e të rejave ka qenë padyshim kërcënimi që u bëhej brigjeve të Adriatikut dhe të Jonit nga arabët në shekullin IX si dhe krijimi i shteteve të para sllave (shek. IX, X e më vonë) që kërcënonin seriozisht pushtetin bizantin. Të kësaj periudhe janë kështjella e Lezhës (Elission), Petrela, Devolli, Butrinti etj. Një nga tipat e thjeshtë të kështjellave mesjetare të kësaj periudhe paraqet faza fillestare e Petrelës. Kështjella e Petrelës është ndërtuar mbi majën shkëmbore të një kodre 400m të lartë në juglindje të qytetit të Tiranës, në bregun e majtë të lumit Erzen. Muret rethojnë një shesh të vogël në formë trekëndëshi, perimetri i të cilit nuk i kalon të 100 metrat. Në gjendjen e sotme, kështjella, përveç murit rrethues ruan dy kulla të rrumbullakta në anën më pak të mbrojtur të kodrës dhe një portë të vogël midis tyre. Në pjesën e brendshme ndodhen dy stera, gjurmët e dy ambienteve banimi si dhe të një kulle drejtkëndëshe në pjesën qendrore. Përveç kështjellës së ndërtuar në pjesën më të lartë të kodrës, një mur i harkuar rrethon pjesën më pak të mbrojtur të shpatit verilindor të saj. Ky i fundit është i pajisur dhe me një portë që ndodhet në skajin e tij.

Në fazën fillestare kështjella përbëhej nga një mur që mbyllte pjesën më pak të mbrojtur të platformës së vogël trekëndëshe mbi majën e shkëmbit, duke lënë të pa rrethuara anët e thikëta shkëmbore. Është për t’u vënë re se ndërtuesit e parë të Petrelës ishin aq pak të familjarizuar me kullat e lidhura me kurtinat sa që dhe një kullë që ekzistonte atje që më parë, është lënë e pa lidhur me murin e ri dhe bile krejt jashtë fortifikimit. Po të kemi parasysh se në shek. XI Petrela rifortifikohet, si dhe rolin që luajti ajo në luftën midis normanëve dhe bizantinëve, kjo fazë ndërtimi duhet t’i përkasi periudhës para shek. XI.

Fortifikimi i Petrelës mori formën e një kështjelle të vërtetë feudali në kohën e sundimit të Topiasve. Në këtë kohë u ndërtua një kullë gjysëm rrethore për artileri në këndin verilindor të fortifikimit të mëparshëm dhe u përfshi në sistemin mbrojtës kulla e qoshes veriperëndimore, nëpërmjet një muri të drejtë që i bashkonte këto kulla, ndërsa hyrja ekzistuese me të renë u lidhën në një sistem të vetëm. Ndoshta një periudhe më të hershme, që shkon deri në shekullin XIII, i përket muri rrethues i jashtëm, po të gjykojmë nga teknika e ndërtimit dhe nga fakti që Petrela në shekullin XII ishte kthyer në një qendër urbane.

Tani për të hyrë në kështjellë duhej të ngjisje një palë shkallë guri që i mbështeteshin nga jashtë murit të saj dhe mbaronin me një shesh pushimi para portës.Korridori i hyrjes formonte dy kthesa këndrejtë, dhe mbulohej me qemere. Pas çdo kthese vinin nga një palë shkallë me 4-5 këmbë që të ngjisnin në oborrin e kështjellës. Hyrja mbyllej nga dy porta dy flegërshe të vendosura në fillim dhe në fund të korridorit, që siguroheshin nga brenda me katarah. Për ndriçimin e korridorit shërbente një dritare e vogël katërkëndëshe e hapur në pjesën e sipërme të qemerit, pranë portës së parë.Në një periudhë të mëvonshme ndërtimi, kulla për artileri është veshur në më tepër se gjysmën e lartësisë së saj me një mur që vjen duke u zgjeruar në bazë dhe bije mbi terrenin në formë skarpati. E njëjta gjë është bërë dhe me murin që lidh të dy kullat. Një grup fortifikimesh relativisht të hershme të mesjetës, si Shurdhahu (Sarda), Drishti dhe Danja, ndodhen në zonën rreth Shkodrës. Në këtë rast kemi të bëjmë me qytete të fortifikuara, skemat kompozicionale të sistemit mbrojtës të të cilave kanë shumë anë të përbashkëta.Në përgjithësi, këto qytete mbrohen nga dy rradhë muresh. Pjesa më e lartë ose më e mbrojtur e kodrës me rrethimin e saj formon akropolin, ndërsa rrethimi i dytë, që zinte shpatin e kodrës ose platformën që krijohej mbi të, si në Danjë, përfshinte pjesën kryesore të qytetit apo krejt këtë të fundit.Kalaja e Shurdhahut ngrihet mbi një kodër shkëmbore, në bregun e djathtë të lumit Drin, rreth 8 km në jug të qytetit të Shkodrës.

Dikur kjo kodër lidhej nëpërmjet një qafe të ulët me vargun e kodrave që shtriheshin në bregun jugor të këtij lumi, por me krijimin e liqenit artificial të hidrocentralit të Vaut të Dejës, kodra e Shurdhahut u kthye në ishull.

Në gërmadhat e kësaj kalaje ndodhej dikur qyteti i Sardës, i cili përmendet shpesh në dokumentat mesjetare të kohës. Lulëzimin më të madh qyteti i Sardës (Shurdhahu) e pati në shek. XI. Rreth viteve 1184 ai u pushtua nga serbët, më vonë ka qenë nën juridiksionin e familjes feudale shqiptare të Dukagjinëve dhe më 1491 u pushtua nga turqit. Në këtë periudhë qyteti pëson një rënie të vazhdueshme deri sa pas shek. XVII, emri i tij nuk përmendet më. 

Muret mbrojtës e ndajnë qytetin në dy pjesë. Në qytetin e sipërm, që zë majën e kodrës dhe në të poshtmin, që zë shpatin e saj nga veriu, lindja dhe jugu. Si muri rrethues i sipërm ashtu dhe ai i poshtëm janë pajisur me kulla që kanë formën e shkronjës U, trekëndëshe dhe katërkëndëshe, të cilat nuk janë vendosur në distanca të barabarta: Diku ka grumbullim kullash pranë njëra tjetrës dhe diku linja të gjata muresh pa asnjë kullë. Krejt kalaja rrethon një sipërfaqe prej 4.7 ha. Gjithsej ruhen dy hyrje, njëra që të fut në qytetin e poshtëm dhe tjera në të sipërmin. Që të dyja mbrohen nga dy kulla anësore në formën e shkronjës U, të vendosura fare pranë njëra tjetrës.

Kullat e Shurdhahut në përgjithësi janë të vogla dhe me mure të hollë 0,60-0,70 m gjithashtu dhe muri rrethues nuk e kalon gjerësinë 0,90m. Lartësia e plotë e mureve dhe e kullave nuk njihet por njëra nga kullat që ruhet më mirë arrin lartësinë 5m. Mungesa e gjurmëve të shkallëve në faqen e brendshme të mureve, të çon në përfundimin se këto kanë qenë prej druri; me platforma dërrasash të mbështetura mbi trarë ishte ndërtuar dhe shtegu i kalimit të rojeve, si në kalanë e Drishtit ku ruhen akoma zgavrat e vendosjes së trarëve. Muret, harqet dhe elementet e tjerë të fortifikimit janë ndërtuar me gurë, pa u forcuar me breza druri dhe pa përdorime tullash. Kullat kanë qenë pajisur me frengji për armë të bardha, por ndonjë prej tyre është hapur dhe në nivelin e poshtëm të kurtinave, Një veçori e kullave të Shurdhahut, sidomos e atyre në formë U-je, është se ato lidhen me murin rrethues vetëm në pjesën e sipërme. Muri mesjetar i qytetit të poshtëm, i cili i mbështetet në anën e jashtme murit të antikitetit të vonë, është ndërtuar rreth fundit të shek.X ose fillimit të shek.XI. Ndërsa muri i qytetit të sipërm u ndërtua nga Stefan Nemanja në fund të shek. XII ose në fillim të shek. XIII, për të krijuar një zonë ushtarake të ndarë nga pjesa tjetër e qytetit. Ai kalon mbi rrënojat e qytetit të dikurshëm. Nga ana arkitektonike ai ka imituar format e murit të vjetër, i cili rrethonte qytetin e poshtëm.

Midis këtyre dy periudhave kryesore të ndërtimit, ka edhe faza të ndërmjetme, të cilat pasqyrohen qartë në murin rrethues të jashtëm, ku disa kulla trekëndëshe të rrënuara janë rindërtuar në forma drejtkëndore. Kalaja e Drishtit, një ndërtim tjetër i kësaj periudhe ndodhet në verilindje të Shkodrës, mbi një kodër shkëmbore me një mbrojtje të fuqishme natyrore, e cila përveç faqeve me pjerrësi të madhe, ka si mbrojtje edhe lumin e Kirit që e rrethon nga veriu dhe perëndimi. Nga jugu rrëzë kodrës rrjedh një përrua malor, i cili derdhet në Kir. Me një mbrojtje të tillë natyrore, kalaja e Drishtit plotëson një nga kërkesat kryesore të një fortifikimi mesjetar. 

Muri rrethues i qytetit në Drisht zë një sipërfaqe mjaft më të madhe nga ai i Shurdhahut, ndërsa përkundrazi, rrethimi i sipërm është mjaft më i vogël dhe nuk krijon një ndarje të sipërme të qytetit, por vetëm një kështjellë. Kalaja e Drishtit përshkohet nga dy hyrje, njëra nga lindja dhe tjetra nga perëndimi, ndërsa kështjella, nga një hyrje e vetme që përshkon faqen anësore të një kulle drejtkëndëshe. Ashtu si në Shurdhah edhe në Drisht shohim po atë tip kullash të vogla gjysëm rrethore, po atë teknikë ndërtimi dhe po ato mure të hollë pa breza. Në kështjellë, që ka thuajse formën e një katërkëndëshi të çrregullt dallohen disa faza ndërtimi. Të katër kullat shohin nga ana e brendshme e kalasë, pasi muret periferike janë ngritur mbi një humnerë të pangjitshme.

Në fillim kështjella ka patur 3 kulla katërkëndëshe, ndërsa në një periudhë të dytë i është shtuar një kullë gjysëm rrethore, një nga kullat katërkëndëshe është veshur me një këmishë rrethore dhe në përgjithësi kullat në pjesën e poshtme janë veshur me mure që bien me pjerrësi mbi terrenin. Njëra nga kullat katërkëndëshe që ka qenë e rrënuar është rindërtuar në formën ekzistuese, po kësaj rradhe me gurë të latuar me kujdes. Nga teknika e ndërtimit, kjo fazë duket se i përket periudhës veneciane (1396-1478). Kjo kullë si dhe ajo e hyrjes janë pajisur me frengji të vogla për topa. 

Pas pushtimit të Drishtit nga turqit në 1478, bie rëndësia e tij si qytet dhe si fortesë, ndërsa popullsia u largua në masë prej andej. Kalaja e Danjës na shfaq të njëjtat tipare arkitektonike me dy kalatë e mësipërme, për sa i përket periudhës më të hershme të ndërtimit të saj dhe për më tepër kjo periudhë datohet nga gjetjet arkeologjike në kohën e sundimit të perandorit bizantin Johan Cimiskes, 969-976. Ashtu si në Drisht, fortifikimet e Danjës përbëhen nga muri rrethues i qytetit, në të cilin përveç periudhës fillestare të ndërtimit, hetohet edhe një fazë e mëvonshme, si dhe kështjella në pjesën më të lartë të kodrës, e ndërtuar nga Nikolla Zaharia në vitin 1400.

Në kështjellën e Zaharisë mbizotëronte kryekulla, e cila ishte e mbrojtur me kujdes nga ndërtime të shumta përreth.Në vitin 1426 Danja u pushtua nga turqit dhe pak më vonë nga Nikolla Dukagjini. Menjëherë pas vdekjes së Nikolla Zaharisë,venecianët e pushtuan Danjën në vitin 1445. Kjo ngjarje u bë shkak për shpërthimin e luftës midis venecianëve dhe Skënderbeut në vitin 1447. Në vitin 1448 sipas traktatit të paqes Danja u mbeti venecianëve, të cilën atë e mbajtën deri në vitin 1474, kur gjatë rrethimit të parë të Krujës turqit e shkatërruan dhe që pas kësaj kohe ajo nuk përmendet më.Gjatë shek.IX-X ndërtimet mbrojtëse të Butrintit  zinin jo vetëm zonën rreth akropolit, por shtriheshin edhe në rrethimin e jashtëm, terrenin e sheshtë në jugperëndim të tij, ku disa kulla të antikitetit të vonë qenë rindërtuar dhe përshtatur në gjysmën e dytë të shek.VIII deri nga fillimi i shek.IX.Faza më e hershme e ndërtimeve mesjetare të akropolit, që datohet në shek.IX-X, përbëhet nga një sërë kullash të vogla trekëndëshe të kombinuara me pilastra drejtkëndëshe dhe trekëndëshe, që shihen kudo nën muret e mëvonshme mesjetare. Ato zbresin deri në rrëzë të kodrës nga ana jugperëndimore e qytetit ku duhej të bashkoheshin me murin rrethues të jashtëm. Një fazë të hershme mesjetare,të ngjashme me atë të Butrintit, e hasim edhe në murin rrethues të manastirit të Mesopotamit, i cili mund t’i përkishte fillimisht rrethimit të një kështjelle (në shek.X ose në fillim të shek.XI, para luftrave normano-bizantine), para se të ishte fortifikim i një manastiri. Atje hetohet një kotrafortë drejtkëndëshe, identike në formë dhe përmasa me ato të Butrintit, e ndërtuar me blloqe gurësh antikë të ripërdorur.Muret më të hershme të Kaninës janë gjithashtu ato, të cilat janë pajisur me kontraforta trekëndëshe si të Butrintit, përmasat gjithashtu përkojnë, çka tregon se i përkasin të njëjtës periudhë apo të njëjtit ndërtues. Nga materiali arkeologjik i shoqëruar me monedha, i zbuluar nga gërmimi i një hyrjeje aty pranë, mund të konkludojmë se këto ndërtime i përkasin periudhës rreth gjysmës së dytë të shek.X. Materiale arkeologjike të së njëjtës periudhë janë zbuluar edhe në murin ndarës të kështjellës, gjë që tregon se jo vetëm muri rrethues i qytetit, por edhe kështjella brenda tij kanë ekzistuar në të njëjtën kohë.Kanina, para se të përmendet në vitin 1020 si qytet në përbërje të dioqezës së Glavinicës, ka qenë me siguri qendër ushtarake e temës së Jerikos, e cila na del për herë të parë në burimet historike në vitin 975. Ndërtime mbrojtëse të hershme mesjetare konstatohen edhe në kalanë e Lezhës, të Himarës , Beratit, Këlcyrës etj.Muret mesjetare të Lezhës ndjekin përgjithësisht linjat e mureve antike me përjashtim të murit të periudhës së Cezarit, i cili e ndante qytetin në dy pjesë. Nuk kemi të dhëna për periudhën e antikitetit të vonë në pjesën qëndrore të qytetit, por kemi fare pak gjurmë për akropolin dhe diçka më tepër për fortifikimet që shtrihen në terrenin e sheshtë nga rrëza e kodrës deri në breg të lumit. Për të kuptuar më mirë shtrirjen e fortifikimeve mesjetare duhet të përshkruajmë më parë formën e terrenit dhe shtrirjen e linjave të mureve antike. Këta të fundit janë të vendosura në dy kodra, në Akrolis mbi një kodër 400m të lartë nga niveli i detit, në lindje të qytetit të Lisit dhe në vetë Lisin, që shtrihej në shpatin perëndimor të një kodre më të ulët, e cila zbret drejt bregut të djathtë të lumit Drin. Muret 2500m të gjatë të Lisit antik rrethojnë një sipërfaqe prej 22ha, një pjesë të së cilës e zë akropoli në majë të kodrës. Prej tij zbresin dy mure deri në bregun e lumit Drin. Një mur tërthor ndante zonën e portit nga pjesa tjetër e qytetit. Në periudhën romake një mur tërthor e ndau qytetin që shtrihej në shpatin e kodrës në dy pjesë thuajse të barabarta, në qytetin e sipërm dhe të poshtëm.

Muret mesjetare ndjekin me besnikëri linjën e mureve antike të akropolit, por në afërsi të tij, hetohen në trajtë gjurmësh të shkëputura edhe përgjatë murit verior të qytetit. Një mur tjetër mesjetar i pajisur me kontraforta drejtëkëndëshe përshkonte rrëzën e kodrës, ndërsa kështjella antike që mbronte portin e dikurshëm u rindërtua tërësisht në mesjetë. Muret antike të Akropolit, të restauruara në periudhën e Cezarit, duhet të kenë qenë në gjendje të mirë deri në kohën kur ato u restauruan nga Justiniani në shek.VI. Por, dyndja e sllavëve e vitit 592 duhet t’i ketë shkatërruar ato deri në themel, gjë që kuptohet nga ripërdorimi masiv i blloqeve antike në fazën pasardhëse të ndërtimit, si dhe nga fakti që muret e rinj mbështeten vetëm në pak rradhë blloqesh të antikitetit. Muret e kësaj periudhe përbëhen nga blloqe antike të ripërdorur të lidhur me llaç gëlqereje, fugat vertikale të të cilave plotësohen nga copëra guri ose tulle të vendosura horizontalisht njëra mbi tjetrën. Në këtë periudhë bëjnë pjesë dhe fragmente muresh të rrëzuara të periudhës së Justinianit, të pa shkërmoqura tërësisht, të cilat janë rivendosur në muret e rindërtuara si spolie. Madje një fragment i tillë, që i përket tërësisht një brezi tullash është vendosur në mënyrë të pazakontë, vertikalisht mbi mur. Kësaj periudhe të hershme mesjetare i përket porta jugore si dhe një kullë gjysmë rrethore në këtë anë, e cila më vonë është rindërtuar si kullë drejtkëndëshe. Gjurmë ndërtimesh të periudhës së hershme mesjetare takohen edhe pranë dy portave të tjera të Akropolit si dhe në murin që zbret prej tij në shpatin e kodrës. Ndoshta dhe muri tërthor me pilastra në rrëzë të kodrës i takon së njëjtës periudhë, ndërsa në kështjellën fushore që shtrihet në breg të lumit nuk kemi gjetur gjurmë të tilla. Për këtë të fundit dimë vetëm se në shek. XIV ishte nën sundimin e Dukagjinasve dhe se ruhej në gjendje të mirë. Një periudhë e vonë bizantine konstatohet edhe në Akropol, por pas kësaj periudhe kështjella e sipërme përmendet në burimet historike si e lënë pas dore dhe e rrënuar. Pas pushtimit turk, në vitin 1522, Sulltan Sulejmani rindërtoi muret e kështjellës dhe përmirësoi sistemin mbrojtës të hyrjeve. Ai ndërtoi edhe një xhami e cila ruhet në gjendje relativisht të mirë edhe sot. Periudha e fundit e ndërtimit i takon një saraji të fortifikuar të shek. XVIII, i cili zë një të tretën e sipërfaqes së Akropolit. Brenda mureve të sarajit, që përforcohen nga kulla drejtkëndëshe, ndodhen edhe dy stera të mbuluara me qemere cilindrike.Një teknikë të ngjashme për periudhën më të hershme mesjetare e hasim edhe në kalanë e Himarës (fig. 20). Periudha më e hershme këtu mbështetet gjithashtu drejtpërdrejtë mbi muret antike dhe përbëhet nga blloqe gurësh antikë të ripërdorur, të lidhura me llaç, në fugat e të cilëve janë përdorur rrallë fragmente tjegullash helenistike. Ndërtimet mesjetare në muret rrethuese të qytetit ndiqen edhe nga dy faza të tjera ndërtimore, që dallohen midis tyre nga sasia e copërave të tjegullave të futura në mënyrë të çrregullt nëpër mure. Ndërsa një faze më të vonë i përket një kullë e veçuar, mbetjet e të cilës ruhen në pjesën më të lartë të kodrës. Ajo ka formë rrethore me diametër 7,60m dhe trashësi muresh prej 2,90m si dhe ka patur një cisternë në katin përdhes, ndërsa hyrjen e kishte në katin e dytë. Ajo duhet t’i përkasë shek. XIV ose XV.Himara në mesjetë përmendet për herë të parë në shek. IX si qendër peshkopale e varur nga Naupakti.

Ajo luajti një rol të rëndësishëm në luftën midis normanëve dhe bizantinëve, duke qenë një bazë ushtarake e këtyre të fundit dhe me shumë gjasë edhe bazë detare. Gjatë sulmit të dytë norman të vitit 1107 oficerë bizantinë nga Vlora gjetën strehim në Himarë. Vetëm në vitin 1492, nën sulltan Bajazitin, turqit arritën ta pushtojnë Himarën dhe të shkatërrojnë muret e saj. Por, edhe pas kësaj kohe, për shkak të kryengritjeve të herëpashershme ajo mundi të ruajë një autonomi të kufizuar gjatë gjithë periudhës së pushtimit turk.

Në Berat muret dhe kullat mesjetare shfaqin teknika të ndryshme ndërtimi, por edhe imitime të periudhave më të hershme, duke e bërë të vështirë datimin e pjesëve të veçanta të kalasë. Megjithatë, mund të vendoset deri në një farë mase një kronologji relative e përafërt. Si të periudhës më të hershme mesjetare, mund të konsiderohen bazamentet e një kulle të vogël gjysmë rrethore  në murin rrethues lindor të kalasë, si dhe në kurtinat pranë saj. Midis blloqeve antike të ripërdorura e të lidhura me llaç, janë futur midis fugave vertikale dhe ndonjëherë dhe atyre horizontale copëra të thyera gurësh. Të njëjtën teknikë, por ku në vend të copërave të gurit janë përdorur fragmente tjegullash dhe tullash, e gjejmë në pjesët e poshtme të murit të barbakanit, të ndërtuar para hyrjes kryesore të kalasë.Në qoftë se në këtë rastin e fundit nuk kemi të bëjmë me imitimin e një teknike më të vjetër, të dy rastet do të gjenin paralelen e tyre më të mirë në kishën e Perhondisë, 20km larg Beratit, ku kjo teknikë i përket periudhës më të hershme të ndërtimit të saj dhe datohet në shek.X. Koha më e mundshme e ndërtimit të kësaj faze do të ishte periudha midis viteve 975-998, kur Berati ishte nën pushtetin bizantin.

Këlcyra luajti një rol të rëndësishëm në luftërat normano-bizantine të shek.XI. Perandori bizantin Aleks Komneni, nga vendqëndrimi i tij në Deabolis (Devoll) urdhëroi që të mbylleshin Kleisurat (ngushticat) për të penguar ushtrinë e Boemundit të depërtonte në thellësi të vendit. Rruga më e shkurtër nga bregdeti i Jonit, ku zbarkuan normanët për në Deabolis kalonte nëpër grykën e Këlcyrës, ku ndodhej një fortifikim antik, i cili mund të ishte rindërtuar në atë kohë. Rreth mesit të shek.XII, arabi Al-Idrisi e shënon Këlcyrën në hartën e tij si një vendbanim, pozita strategjike e së cilës ishte vlerësuar shumë kohë më parë, gjë që presupozon një vend të fortifikuar.

Mbi shpatin e pjerrët të malit të Trebeshinës ruhen edhe sot gjurmët e një fortifikimi antik, i cili në pjesën më të lartë të malit kishte dhe një ndarje, e cila shërbente si akropol. Në mesjetë, fortifikimi u zgjerua disi në drejtim të juglindjes, duke ruajtur si hyrje portën antike. Një pjesë e konsiderueshme e fortifikimit, si në periudhën antike ashtu edhe në mesjetë nuk kanë patur nevojë për mbrojtje artificiale, pasi nga veriperëndimi shpatet shkëmbore të malit bien pingul mbi luginën e Vjosës, e cila prej këtej deri në Tepelenë formon një grykë të ngushtë, që në antikitet njihej si ngushtica e Antigonesë. Fortififikimi mesjetar duhet të ketë ekzistuar në kohën e luftrave normano-bizantine të shek. XI ose të paktën para përmendjes së Këlcyrës nga Al-Idrisi në mesin e shek.XII. Në vitin 1319, Mentul Muzaka, një nip i Andeas I, përmendet si kont I Këlcyrës. Kalaja mesjetare pati dhe një fazë të ngutshme rindërtimi, ku janë përdorur për ndërtimin e mureve gurë të palidhur me llaç. Kësaj periudhe i takon një mur 130m i gjatë me një kullë gjysmë rrethore dhe një ndarje e brendshme e fortifikimit. Këto ndërtime të ngutshme lidhen me ngjarjet e viteve 1335-36, kur kalaja u pushtua nga kryengritës arbëreshë të zonave rurale përreth. Fazës së fundit të ndërtimeve mbrojtëse të Këlcyrës i takon një kështjellë trekëndëshe e ngritur në pjesën më të lartë të kodrës.

Fortifikimet e shek. XIII -XIV

Në shekujt XIII-XIV fortifikimet mesjetare në Shqipëri arritën një nivel të lartë zhvillimi. Shumica e qyteteve mesjetare shqiptare dhe e kështjellave ruajnë edhe sot tiparet karakteristike të asaj epoke. Kjo periudhë përkon dhe me fuqizimin e feudalëve arbëreshë, të cilët arritën të përfshinin në zotërimet e tyre qytete të mëdha të bregdetit dhe në thellësi të vendit, duke u kthyer në sundimtarë të pavarur.

Në fillim të shek. XIII krijohet principata e Arbërisë, qendra e së cilës mendohet të ketë qenë Kruja. Në të njëjtën kohë, si rezultat i shëmbjes së pushtetit bizantin nga invazioni i Kryqëzatës IV (1204), dhe i copëtimit të Perandorisë në zotërime më të vogla, u krijua despotati i Epirit, ku përfshihej dhe Shqipëria e Jugut, ndërsa Durrësi dhe disa zona përreth ranë nën sundimin venecian dhe krijuan Dukatin e Durrësit, që ishte në kufi me principatën e Arbërisë. Në këtë fazë fillestare te periudhës në shqyrtim u aktivizuan në mënyrë të veçantë për rimëkëmbjen e fortifikimeve despotët e Epirit. Por, gjatë gjysmës së dytë të shekullt XIV, pas një pushtimi të shkurtër të Shqipërisë nga shteti serb i Rashës, feudalët shqiptarë arritën kulmin e fuqisë së tyre, duke u kthyer në sundimtarë të pavarur. Tani, përveç Topiasve dhe Muzakëve, dolën në skenë familje të tjera feudalësh si Balshajt, Matarangët, Aranitët, Zenevisët etj.

Në këtë periudhë feudalët shqiptarë mundën të fusnin nën sundimin e tyre edhe qytete të mëdha të fortifikuara si Durrësi, Berati etj. dhe patën një veprimtari të vrullshme në fushën e ndërtimit të fortesave. Kështu, Topiasve me qendër në Krujë e Petrelë u atribuohet nga Barleti ndërtimi i kështjellës së Petrelës, ndërsa Balshajve kalaja e Shkodrës. Rreth mesit të shek. XIV, Karl Topia rindërton kalanë e Krujës, dhe një pinjoll i fundit i kësaj familjeje, Nikolla Topia, në dekadën e fundit të shek. XIV fillon ndërtimin e një kalaje bregdetare në Kepin e Melieve në afërsi të Durrësit, ndërsa në vitin 1389, Muzakët ndërtuan një kështjellë të vogël në derdhje të Semanit (Kulla e Pirgut). Dukagjinasit ndërtuan kështjellën e poshtme të Lezhës, ndërsa Nikolla Zaharia në vitin 1400 ndërtoi kështjellën në Danjë. Me sa duket, Zenevisët kryen punime në kalanë e Gjirokastrës dhe ndërtuan Kardhiqin. Por edhe në fortifikimet që ndërtuan pushtuesit, u përdorën punëtorë dhe mjeshtra vendas. Kështu, mbreti i Siqelisë Karli I Anzhu, më 1280, porositi të merren specialistë të atyre anëve për punimet fortifikuese që do të kryheshin në Durrës. Mjaft kështjella dhe qytete të fortifikuara të vendit tonë ruajnë edhe sot tiparet arkitektonike të shek. XIII - XIV,kur ato u ndërtuan apo patën periudhën e lulëzimit më të madh gjatë mesjetës. Njëra prej tyre është padyshim Kalaja e Beratit.

Ajo ndodhet mbi një kodër shkëmbore që bie me pjerrësi të theksuar mbi luginën e Osumit, në vendin ku lumi krijon një grykë të ngushtë midis dy kodrave. Gjatë kësaj lugine kalonte një nga rrugët kryesore që lidhnin ultësirën bregdetare me zonën e brendshme malore. Kështu që qyteti i fortifikuar i Beratit, përveç rolit të një qendre administrative, zinte dhe një pozitë të rëndësishme strategjike. Muret rrethuese ndjekin konturin e terrenit që ka formën e një trekëndëshi të çrregullt me perimetër 1400m. Ato përforcohen nga 24 kulla me forma planimetrike dhe përmasa të ndryshme, të vendosura në largësi që i përgjigjen kushteve të terrenit.

Kalaja ka një hyrje kryesore nga veriu, e cila mbrohet nga një barbakan (oborr i fortifikuar) si dhe hyrje të tjera më pak të rëndësishme. Në pjesën më të mbrojtur të platformës së kodrës ndodhet kështjella e përforcuar me pesë kulla. Vetë kështjella përmban edhe një ndarje tjetër më të vogël, dy kulla të së cilës shikojnë nga oborri i kështjellës. Kjo ndarje shërbente për të veçuar selinë e fortifikuar të sundimtarit të qytetit nga garnizoni. Përveç ndërtimeve të mësipërme në shpatin jugor të kodrës zbrisnin dy mure, nga qyteti deri në lumë, duke përfshirë brenda tyre një sipërfaqe prej 6ha nga 16ha që zë krejt sistemi i fortifikimit të Beratit. Ekstremet e poshtme të këtyre mureve bashkoheshin nga një mur tërthor në të cilin janë ruajtur gjurmët e tri kullave.

Rrethimi me mure i shpatit jugor të kodrës kishte për qëllim kryesisht të krijonte një zonë të mbrojtur deri tek lumi, që ishte aq i nevojshëm për furnizimin me ujë në raste rrethimi. Të njëjtit qëllim i shërbente ndërtimi i mëvonshëm i një korridori të mbuluar me qemere, që përfundonte në një kullë të ndërtuar mbi një shkëmb fare pranë lumit. Kalaja e Beratit u ndërtua mbi substruksione ilire. Gjatë mesjetës pati një jetë intensive dhe duar të ndryshme punimesh. Në vitet 1204- 1214 despoti i Epirit Mihal I Komneni, rindërtoi muret e kalasë së Beratit duke i shtuar kulla të fuqishme drejtkëndëshe me breza dekorativë tullash prej 4-5 rreshtash, ngriti nga themelet kështjellën, e cila ka shërbyer si seli e despotëve dhe për vendosjen e garnizonit ushtarak, ndërtoi apo rindërtoi barbakanin, mbi portën e të cilit la monogramin e tij të ndërtuar me tulla (fig. 28). Muret e ruajtura të kësaj periudhe arrijnë lartësinë 10m, ndërsa kullat që duhet t’i kalonin ato në lartësi në mënyrë të konsiderueshme nuk ruhen më të larta nga 12m.

Muret kanë qenë pajisur me shtegun e kalimit të rojeve dhe me një parapet të dhëmbëzuar me bedena. Kullat kanë forma planimetrike drejtkëndëshe. Ato ndaheshin me dysheme druri, në tre kate. Katet e sipërme kanë qenë pajisur me frengji shigjetash, që shërbenin njëkohësisht edhe për ndriçim dhe komunikonin me një portë me shtegun e rojeve, ngjitja realizohej me shkallë të gurta të ndërtuara nga ana e brendshme e kurtinave, jashtë trashësisë së tyre.

Në dekadat e para të shek. XIV u bë ndarja e selisë brenda kështjellës dhe u ngritën muret e bashkimit të qytetit të sipërm me lumin, të cilat deri nga viti 1280, prej burimeve historike rezultojnë të kenë qenë me ledhe dheu. Kësaj periudhe i takon dhe një portë nga ana jugperëndimore e kalasë, që përshkon një kullë të brendshme katërkëndëshe, dhe lidhte drejtpërdrejt selinë e fortifikuar me ambientin e jashtëm. Porta 2.20m e gjerë dhe 2.60m e lartë mbulohet me një hark tullash, mbi të cilin ndodhet një hark shkarkues me majë, fusha e të cilit është zbukuruar me dekor “kluasonazhi”. Si një ndikim perëndimor futet për herë të parë në arkitekturën e Beratit harku me majë, të cilin e hasim jo vetëm në portën e sipërpërmendur, por dhe në harqet e një stere që ndodhet në qendër të selisë së fortifikuar, e cila mund të ishte kati i nëndheshëm i pallatit të guvernatorit bizantin, si dhe në fazën e dytë të ndërtimit të kishës së Shën Triadhës, e cila kishte mbetur e pa përfunduar në kohën kur po ndërtohej selia e fortifikuar e guvernatorit. Kjo e fundit u ndërtua vetëm pak vite para shpërthimit të kryengritjes së viteve 1335-36 të arbëreshëve, që jetonin në zonat që shtriheshin rreth Beratit dhe Kaninës, por që nuk e shpëtoi dot Beratin nga pushtimi. Kjo kryengritje u shtyp nga perandori Androniku III Paleologu vetëm me ndihmën e mercenarëve turq. Në vitin 1417 Berati u pushtua nga turqit dhe u bë qendra e vilajetit me të njëjtin emër. Në vitin 1455 Skënderbeu dështoi në sulmin e tij për çlirimin e Beratit nga turqit. Në shek. XVIII Berati u bë qendra e pashallikut nën sundimin e Kurt Pashës, ndërsa në vitin 1810 u pushtua nga Ali pashë Tepelena. Kurt pasha, më 1768 riparoi muret e kalasë për 5 muaj rresht, ku punuan 450 ustallarë. Midis të tjerave ai mbylli hapësirat midis bedenave, ngriti lartësinë e parapetit dhe e pajisi atë me mashikula guri. Ndërtuesi i fundit ishte Ali pashë Tepelena, i cili shtoi kulla të reja për artileri, të cilat dallohen nga ato të Kurt pashës nga vendosja e kornizave, që ndajnë parapetin nga pjesa tjetër e kullave.

Një nga fortifikimet që e ka marrë trajtën themelore gjatë periudhës së principatave feudale shqiptare është dhe kalaja e Shkodrës. Kalaja e Shkodrës ashtu si Berati është ngritur mbi ndërtime Ilire. Gjatë periudhës së pushtimit romak ajo ka shërbyer si një akropol për qytetin që shtrihej rrëzë shpatit jugor të kodrës. Gjatë mesjetës, Shkodra ishte me ndërprerje herë nën sundimin bizantin dhe herë nën atë sllav deri më 1355, kur u zotërua nga Ballshajt. Humanisti shkodran i shek. XV Barleti duke bërë fjalë për kalanë e sotme mbi kodër thotë se gjer në atë kohë Shkodra ka qenë e pa fortifikuar dhe me të vërtetë në kalanë e Shkodrës veç gjurmëve antike nuk janë konstatuar gjurmë të një vjetërsie më të madhe nga shek. XIV.

Përveç Balshajve që e mbajtën Shkodrën nën sundimin e tyre deri në vitin 1396, kur ja dorëzuan Venedikut, në kala kanë ndërmarrë punime plotësuese fortifikimi edhe Venecianët. 

Të ngritura mbi majën e një kodre shkëmbore, muret e kalasë ndjekin formën e terrenit, duke dhënë një planimetri të çrregullt. Sipërfaqja e brendshme ndahet nëpërmjet muresh në tri oborre, që komunikojnë me porta midis tyre. Oborri i tretë, që zë një sipërfaqe më të vogël nga të tjerët, ndodhet në pjesën më të lartë e të mbrojtur të kodrës, dhe luante rolin e një kështjelle. Në murin që e ndan atë nga pjesa tjetër e kalasë janë krijuar të dalura drejtkëndëshe që zëvëndësojnë kullat, ndërsa në murin e jashtëm kullat janë vendosur më dendur nga gjithë pjesët e tjera të kalasë, me përjashtim të zonës së hyrjes kryesore. Brenda territorit të kështjellës ndodhet një kompleks ambientesh për garnizonin, që lidhen me një kullë rrethore, një sterë, depo, si dhe një godinë trekatëshe e trajtuar në mënyrë monumentale, e cila njihet me emrin «Kapiteneria. Oborri i dytë zë pjesën qendrore të kalasë dhe një sipërfaqe më të madhe. Ai ndahet nga oborri i parë nga një mur tërthor pa kulla. Brenda tij ndodhen katër stera të mëdha katërkëndëshe të mbuluara me qemer, prej të cilave uji merrej nëpërmjet grykash pusi të rrumbullakta. Përveç sterave aty ruhen akoma disa ndërtime të vjetra që shërbenin si depo për strehimin e garnizonit, një burg si dhe një kishë trenefëshe (Shën Stefani) e kthyer më vonë në xhami.

Oborri i parë nuk ruan gjurmë ndërtimesh në brendësi dhe komunikon direkt me hyrjen kryesore të kalasë, para së cilës, midis viteve 1407-1416 u ndërtua një oborr i fortifikuar (Barbakan), një sistem paramuresh me kthesa të mprehta që zinin pjesën lindore të kalasë, si dhe vepra të tjera mbrojtëse që mbulonin rrugën nga kthesa e fundit e saj, deri tek porta e barbakanit. Po ta shohim në kompleks këtë hyrje me gjithë shtesat e fillimit të shek. XV, do të kemi pamjen e mëposhtme: barbakani përbëhet nga një kullë katërkëndëshe me gjerësi 10m dhe gjatësi 20m, kati i poshtëm i së cilës i mbuluar me një qemer cilindrik përshkohet nga hyrja. Në të dy anët e kësaj galerie ndodhen nga katër nike të mbuluara dhe këto me qemer cilindrik. Kati II i kullës përfundonte me një tarracë pjesërisht të mbuluar me çati, ndërsa pjesa tjetër ishte rrethuar me një parapet të pajisur me bedena dhe frengji. Porta kryesore është trajtuar në anën e jashtme, në mënyrë të ngjashme me portën e barbakanit. Për të hyrë brenda në kala tani duhet të kalosh një korridor në formë L-je, të mbuluar me qemer cilindrik , fundi i të cilit mbyllet nga një portë e dytë. Brenda korridorit ndodhen tre nike të mbuluara me harqe trefishe gurësh të punuar. Në kthesën e korridorit dallohen qartë gjurmët para veneciane të kompleksit të hyrjes. Një pjesë e qemerit këtu është ndërtuar krejtësisht me tulla dhe në kyçin e tij është hapur një vrimë drejtkëndëshe 40 x 55cm, që shërbente për të hedhur lëndë djegëse ose lëngje të nxehtë mbi kundërshtarin që kish arritur të shpërthejë portën e parë. Vrima komandohej nga një ambient i vogël i mbuluar me qemer cilindrik, që ndodhet në katin e dytë. Por edhe pasi të kaloje portën do të ndodheshe përballë një muri të gjerë, prapa parapetit të dhëmbëzuar të të cilit qëndronin mbrojtësit e oborrit të dytë.I gjithë sistemi i mbrojtjes së hyrjes komandohej nga një donzhon i lartë poligonal për ndërtimin e të cilit nga venecianët më 1468 bën fjalë edhe Barleti. Në shumë kulla nën veshjet veneciane me gurë të skuadruar, fshihen ndërtime më të vjetra që i përkasin periudhës së sundimtarëve Balshaj. Aty ku veshja e mureve nuk është realizuar spikat teknika e vjetër me përdorimin e copërave të tullave midis gurëve, ndërsa harqet e dritareve dhe frengjive janë punuar krejtësisht me tulla të vendosura në formë radiale, të rrethuar me bordurë.Kullat kanë forma rrethore dhe katërkëndëshe, ku mbizotërojnë këto të fundit. Ato ruhen në një lartësi 12-16m, ndërsa kurtinat kanë një lartësi rreth 12m. Duke shfrytëzuar pjerrësinë e terrenit, muret dhe kullat janë mjaft më të larta në anën e jashtme, kështu që këto të fundit janë zakonisht të mbushura deri në nivelin e brendshëm të terrenit. Zakonisht kullat përbëhen nga një kat i mbuluar me qemer dhe tarraca me parapet të dhëmbëzuar. Hyrja në ambientet e kullave realizohej nëpërmjet një porte të hapur në murin e tyre të mbrapëm, ndërsa lidhja me tarracën kryhej nëpërmjet shkallësh të brendshme druri që të ngjitnin në tarracë nëpër një baxho katrore të rrethuar anash me mur, ose me shkallë të jashtme guri. Këtë tip të fundit e hasim në një rast të vetëm në një kullë rrethore pranë kompleksit të hyrjes. Që qyteti para periudhës së Balshajve ka qenë i parrethuar me mure dhe që fortifikimet kufizoheshin vetëm me kështjellën në pjesën më të lartë të kodrës, e vërteton dhe një sondazh arkeologjik i kryer rrëzë murit rrethues të jashtëm, në pjesën verilindore të kalasë. Banesat shtriheshin përgjatë shpatit, përtej linjës së sotme të fortifikimeve, ndërsa muri mbrojtës qe ndërtuar mbi rrënoja të shek. XII-XIII.Kalaja e Krujës gjithashtu ruan deri në ditët tona fizionominë e një fortifikimi të shek. XIII-XIV. Ajo ëshë gjithashtu shëmbulli i një kalaje, e cila shquhet si për mbrojtjen e saj natyrore ashtu edhe për furnizimin me ujë, që ishin dy nga faktorët më të rëndësishëm në mesjetë për të siguruar një mbrojtje të fuqishme dhe të gjatë. Në burimet historike Kruja përmëndet për herë të parë në aktet kishtare të shek. IX si qëndër peshkopate, ndërsa si vendbanim i fortifikuar shfaqet vetëm nga mesi i shek. XIII. Nga fundi i shek. XIII kalasë iu bënë disa riparime nga Karli I Anzhu dhe më vonë, në gjysmën e dytë të shek.XIV, Karl Topia, që e bëri atë qendër të zotërimeve të tij, kreu punime të rëndësishme siç mund të nxirret nga dëshmia e Barletit.Kalaja e Krujës është ndërtuar mbi një kreshtë shkëmbore të shkëputur nga mali Sarisalltëkut dhe nga formacionet kodrinore përreth. Përveç zonës së hyrjes kryesore për në kala anët e tjera janë shkëmbinj të thepisur, praktikisht të pangjitshëm, ose vetë kodra bije me pjerrësi të theksuar. Një nga veçoritë e kësaj kalaje është mënyra e furnizimit të saj me ujë, gjë që e ka bërë të mos vuajë asnjëherë në këtë aspekt. Brenda territorit të kalasë, në shkëmb rrjedh një burim nëntokësor; i cili del në rrëzë të murit lindor të saj. Ky krua ka qenë sistemuar me kohë në një çesmë që përdoret edhe sot nga banorët për të pirë dhe për të larë. Por ujët e këtij burimi shfrytëzohej dhe që brenda fortesës nëpërmjet puseve, njëri prej të cilëve ruhet akoma në gjendje të mirë nga ana e brendshme e murit perëndimor. Muret e kalasë së Krujës, duke ndjekur konturet e terrenit mbi të cilin ngrihen rrethojnë një sipërfaqe eliptike me perimetër rreth 800m. Ato kanë një gjerësi prej rreth 1.50m dhe përforcohen nga 9 kulla të rrumbullakta ose katërkëndëshe. Kullat nuk kanë një largësi të barabartë prej njëra tjetrës, por sipas kushteve të terrenit dhe rëndësisë së sektorit që mbrojnë shihet një grupim i tyre në hyrjen kryesore, pranë burimit dhe në skajin jugperëndimor, ndërsa gjatë murit verilindor dhe juglindor, të ndërtuar mbi shkëmbin e thepisur, ndodhet vetëm një kullë. Në një nga kullat katërkëndëshe nga jugperëndimi dallohet hapja e një “mashikule-druri në murin ballor”. Interes të veçantë paraqet kompleksi i hyrjes kryesore, dhe sistemi i mbrojtjes së krojeve. Përveç tyre, në pjesën më të lartë të kodrës është ndërtuar në shek. XIII-XIV një ndarje e vogël katërkëndëshe që shërbente si kështjellë dhe seli e sundimtarit të qytetit. Nga ana e jashtme e kësaj ndarjeje, ku shkëmbinjtë bien thikë dhe janë të pangjitshëm, nuk ka asnjë kullë, por dikur këtu sipërfaqja e kështjellës ka qenë më e gjerë. Procesi i shkëputjes dhe i rënies së shkëmbinjve ka vazhduar edhe në periudhat historike, nga sa kuptohet nga gjurmët e mureve që ruhen ende mbi sipërfaqet e shkëmbinjve të rrëzuar, ndërsa në murin ndarës të brendshëm konstatohen 2 kulla katërkëndëshe. Njera prej kullave ka një lartësi prej 16m, gjë që tregon se lartësia e kullave katërkëndëshe të kësaj ndarje ka qenë mjaft e madhe, duke qenë nga ana tjetër mbi një terren dominues ato shërbenin njëkohësisht edhe për vrojtim. Kjo kullë u ruajt vetëm sepse u transformua në kullë sahati në mesjetën e vonë. Kalaja ka dy porta, njëra nga verilindja që është kryesorja dhe tjetra më e vogël e dorës së dytë në skajin jugperëndimor që të çonte në oborrin e fortifikuar të krojeve. Për të shkuar tek hyrja kryesore rruga kalon bri murit verior të kalasë. Në krahun e djathtë, pranë hyrjes ndodhen disa mure mbajtës që shërbenin njëkohësisht dhe për ta fshehur dhe mbrojtur atë prej goditjeve.Tek hyrja kryesore nga verilindja dallojmë dy periudha kryesore ndërtimi. E para përfshin një korridor me kthesë, në dy krahët e të cilit ndodhen dy nike të mbuluara me qemer tullash. Në hyrje të korridorit ndodhej një portë rrëshqitëse. Ajo ulej dhe ngrihej vertikalisht duke rrëshqitur në dy kanale të ndërtuara në muret anësore të hyrjes. Kjo portë duket se komandohej nga ambiente që ndodheshin në katin e dytë të hyrjes. Në mbarim të kthesës së korridorit ruhet dhe një portë e dytë. Si vetë portat ashtu dhe krejt korridori kanë qenë mbuluar me qemere tullash. Ky kompleks i takon një periudhe lulëzimi të kalasë së Krujës, kur u veçua dhe kështjella në pjesën më të lartë të saj, pra në shek.XIII-XIV.

Në një periudhë të dytë u ndërtua një kompleks i tërë për mbrojtjen e hyrjes kryesore. Në pjesën e brendshme u shtua një korridor i ri me gjatësi 22m i mbuluar me qemer cilindrik guri. Në të dy anët e korridorit, ndodhen nga dy nike të thella ndërtuar me qemer cilindrik. Porta e parë u vendos në vendin e portës së dytë të fazës parë, ndërsa një portë tjetër mbyllte fundin e korridorit. Të dy këto porta kanë qenë dy flegërshe dhe siguroheshin me katarah.

Në kompleksin e hyrjes, në periudhën e dytë përfshihen dhe një sërë ambientesh të lidhura me një kullë rrethore, në krahun e djathtë të korridorit të hyrjes. Nëpërmjet një porte të vogël të hapur në murin e brendshëm të këtij kompleksi hyet në një ambient me planimetri në formë kryqi, që i ngjan një kishe të tipit «Kryq i lirë», ambienti qendror i së cilës në formë katrori mbulohet me një kupolë sferike mbi tambur e cila mbështetet mbi katër pedentiva.

Në katin e dytë të kompleksit të hyrjes dhe në platformën e një kulle të rrumbullakët që lidhet në mënyrë organike me këto ndërtime të çojnë një palë shkallë të mbështetura në murin e tij lindor. Në katin e poshtëm të kullës së rrumbullakët është ndërtuar një sterë me trajtë cilindrike me diametër 3m, e cila mbulohej me një kupolë sferike të ndërtuar me muraturë guri. Për marrjen e ujit midis murit perimetral të kullës dhe të sterës është lënë një korridor i ngushtë i mbuluar me qemer cilindrik.Interes paraqet në kalanë e Krujës edhe sistemi i fortifikimit të krojeve, që ndodhet në skajin juglindor të kalasë. Vëndi i rrjedhjes së burimeve nëntokësore, që bien jashtë mureve rrethues të kalasë është mbrojtur me një mur të dytë në formë të harkuar, në të cilin ruhen ende gjurmët e tri kullave. Me kulla është pajisur edhe muri rrethues i kalasë para murit mbrojtës të krojeve, ku hetohen disa faza ndërtimi. Në këtë pjesë të fortifikimit, një kullë gjysmë rrethore përshkohet nga një tunel i ngushtë i mbuluar me qemer cilindrik me gjatësi prej rreth 15m. Nga porta në dalje të tunelit zbritet nëpërmjet të një palë shkallëve në sheshin e burimit, i cili ishte i mbrojtjur në anën e jashtme nga sistemi i mureve dhe kullave që përmendëm. Edhe në kullat që mbrojnë sheshin e burimit vërehen periudha të ndryshme ndërtimi, gjë që tregon se fortifikimi i krojeve është krijuar në një periudhë të hershme dhe ka shërbyer për një kohë të gjatë. Brenda territorit të krojeve, në të majtë të shkallëve që të zbresin në shesh është ndërtuar më vonë një kullë e rrumbullakët, e cila ngjason nga teknika e ndërtimit me kullën e rrumbullakët të hyrjes.Nga fortifikimet e tjera mesjetare ku mbizotërojnë ndërtime të shek. XIII-XIV janë dhe kalatë e Kaninës, Butrintit dhe Sopotit.Në shekullin XIII, Kanina kthehet në një qendër ushtarake të dorës së parë, duke shërbyer si placdarm për depërtimin e Anzhuinëve në thellësi të territoreve të Shqipërisë. Ashtu si në Shkodër, kalaja ndahej nga mure tërthore në tre pjesë. Prej tyre sot ruhet vetëm muri që ndan pjesën më të lartë të kodrës, i cili mbrohet nga tri kulla. Brenda rrethimit, sipas dëshmisë të udhëtarit turk Çelebiu kishte shtëpi banimi, ndërtesa për garnizonin, depo municioni si dhe stera për furnizimin me ujë. Kalaja përshkohej prej katër portash, prej të cilave njëra lidhte ndarjen e fundit në pjesën më të lartë (kështjellën) me pjesën tjetër të fortifikimit. Portat e tjera të nxirrnin në drejtime të ndryshme jashtë rrethimit kryesor. Portat e kalasë së Kaninës janë të thjeshta dhe mbrohen vetëm nga kulla anësore.Kullat që përforcojnë muret kanë forma rrethore, poligonale, trekëndëshe dhe katërkëndëndëshe. Më të hershmet janë kullat trekëndëshe, të cilat i kemi përshkruar më sipër. Nga 14 kulla që kishte dikur kalaja, siç kuptohet nga një skicë planimetrike e vitit 1658, sot kanë mbetur vetëm 7.

Butrinti në shek. XIII, në periudhën e Despotatit të Epirit, arriti të kishte sistemin e tij mbrojtës më të plotë e të ndërlikuar gjatë gjithë mesjetës. Në këtë periudhë u desh të ndërmireshin punime mbrojtëse massive. Muret e Akropolit me kullat trekëndëshe dhe kontrafortat qenë rrënuar prej kohësh. Në anën veriore ato qenë zëvendësuar me një mur me kulla masive drejtkëndëshe të ndërtuar me shumë gjasë në mesin e shek. XII nga perandori Manol Komneni, kur me flotën e tij mbante të rrethuar Korfuzin, që ishte atëhere në dorë të mbretit të Napolit, Rozherit. Në periudhën e Despotatit të Epirit punimet u përqëndruan në murin jugor të Akropolit, ku ndodhet dhe një kullë gjysmë rrethore. Gjithashtu u riparuan muret rrethuese përgjatë kanalit të Vivarit dhe u shtuan kulla të reja. Në këtë kohë u ndërtua për herë të parë muri që bllokonte ngushticën midis murit rrethues të qytetit dhe liqenit dhe u rindërtua dhe u pajis me një portë muri që zbriste nga Akropoli në portën Skea. Në këtë kohë u ndërtua dhe një kështjellë me një donzhon në këndin jugperëndimor të Akropolit. Një ndërtim të ngjashëm me këtë të fundit e hasim edhe në kalanë e Sopotit.Para periudhës së Despotatit të Epirit, aty ndodhej vetëm një kullë e veçuar mesjetare, që zinte një pozicion dominues në fortifikimin antik të Borshit, i cili rezulton të jetë riparuar në disa vende gjatë mesjetës. Në periudhën e Despotatit të Epirit, Sopoti merr pamjen e plotë të një kështjelle mesjetare.

Maja e kodrës u rrethua me mure, ndërsa kulla ekzistuese u përfshi në fortifikimin e ri si kullë murore e brendëshme. Kullat e tjera projektoheshin jashtë mureve rrethuese dhe ishin të hapura në pjesën e brendshme. Kjo fazë ndërtimore përkon me përmendjen e Sopotit si Arkonte në fillim të she. XIII. Nga analiza e burimeve historike del se kjo fazë duhet të jetë ndërtuar nga despoti i Epirit Mihali II në vitin 1235. Një periudhë tjetër e rëndësishme e kështjellës datohet rreth viteve 1690, gjatë luftës së fundit turko-veneciane në bregdetin shqiptar. Ndërhyrjet e fundit i përkasin shek. XVIII deri në fund të shek. XIX. Gjatë gjithë shek. XIII Sopoti kaloi në duar të ndryshme mbretërish perëndimorë dhe despotësh të Epirit. Në vitin 1336, gjatë kryengritjes së arbëreshëve kundër administratës byzantine, ai mbajti anën e perandorit Androniku III. Pas kësaj periudhe, për një shekull të tërë, Sopoti nuk përmendet më, deri në vitin 1431-32, kur në regjistrin osman të kësaj kohe del si qendër administrative e një krahine në fshatin e sotëm të Borshit. Përsëri merret nga mbreti i Napolit më 1456, nga venecianët më 1470 dhe nga i biri i Skënderbeut, Gjon Kastrioti më 1481. Vetëm në vitin 1492, Sulltan Bajaziti mundi ta nënshtrojë përsëri këtë krahinë. Një fortifikim që zë një vend ndërmjetës midis qytetit të fortifikuar dhe kështjellës është kalaja e Gjirokastrës, kështjellë nga përmasat dhe qytet i fortifikuar nga vendosja e shumë banesave brenda saj.Këto tipa fortifikimesh me zgjerimin e vazhdueshëm të qytetit të dalë jashtë mureve dhe spostimit të qendrës së pazarit, fillojnë të luajnë gradualisht rolin e një kështjelle për qëndrimin e sunduesit dhe garnizonit të qytetit. Nga kalaja mesjetare e Gjirokastrës, para pushtimit të saj nga Ali Pasha, ruhen vetëm pak gjurmë, pasi muret janë veshur deri në lartësi nga ndërtimet e reja, ndërsa kullat pjesërisht janë rrënuar dhe riadoptuar. Nga periudha paraturke, në bodrumet e kalasë ruhen rrënojat e një kulle të pajisur me frengji shigjete, katet e të cilës ndaheshin me dysheme dërrase. Periudhës mesjetare i takon edhe një kullë trekëndëshe gjurmët e të cilës ndodhen në anën e majtë të Portës Perëndimore. Nga ndërtimet para Ali Pashës, duhet të jetë edhe kulla e sahatit, me shumë gjasë e shek. XVIII. Sipas Çelebiut kalaja ishte ndërtuar në kohë të moçme, krejt prej guri të gdhendur. Në mes të kalasë ndodhej një rrugë e gjerë me drejtim lindje-perëndim, në të dy anët e së cilës ndodheshin 200 shtëpi. Ajo kishte dy porta hekuri me nga tre palë dyer dhe një hendek 100 hapa të gjatë dhe 20 hapa të gjerë midis namazgjahut dhe fortesës. Ndërsa të tri anët e tjera nuk kishin nevojë për hendek pasi ishin përroje natyrale. Prania e hendekut tregon se kalaja nuk zinte krejt platformën natyrale të kodrës, si në kohën e rindërtimit nga Ali Pasha. Gjirokastra përmendet për herë të parë si qytet dhe kështjellë vetëm në vitin 1336, periudhë pas së cilës ajo u bë qendër e feudalëve shqiptarë Zenevisë, dhe më vonë, gjatë sundimit të Gjin Bua Shpatës u përfshi në Depotatin e Epirit. Më 1417 kalaja e Gjirokastrës u pushtua prej turqve pas një rrethimi të gjatë.Përveç fortifikimeve të përshkruara dhe të përmendura më lart, në shekujt XI-XIV në Shqipëri ishin ndërtuar shumë kështjella të tjera të vogla përmbi maja kodrash me shpate të thepisura apo që dominonin rrugë e vendkalime të rëndësishme. Prej tyre vlejnë të përmenden Kështjella e Mborjes dhe e Podgories në rrethin e Korçës, kështjella e Delvinës që bllokonte një nga rrugët kryesore që lidhnin gjiun e Sarandës me hinterlandin, kështjella e Ndroqit që kontrollonte rrugën nga Durrësi për në Qafë Krrabë etj. Kështjella e Mborjes është ndërtuar mbi një kodër të lartë, me shpate mjaft të pjerrët në Juglindje të qytetit të Korçës. Ajo ka një perimetër prej 150m dhe rrethon një sipërfaqe poligonale të çrregullt dhe forcohet nga 4 kulla të rrumbullakta. Përmasat e vogla të kësaj kështjelle tregojnë se ajo ka qenë seli e fortifikuar e një feudali vendas. Toponimi qytet ruhet akoma për Mborjen. Ndërsa vetë emri Mborje (emporium-treg) tregon se aty ka patur një treg. Pra, këtu i kemi të gjithë elementet e evolucionit të një kështjelle tipike feudali. Kështjella në majë të një kodre të lartë të vështirë për tu ngjitur, ndërsa qyteti, faltorja dhe tregu në rrëzë të kodrës. Ndryshe nga disa qytete të tjerë të Shqipërisë që e kanë zanafillën nga kështjella, ku tregu dhe lagjet e qytetit shtrihen fillimisht sa më pranë mureve të Kështjellës, në Mborje terreni i aksidentuar i kodrës nuk e favorizonte një fenomen të tillë, prandaj mund të supozohet edhe prania e dy selive të feudalit njëra në qytet në kohë të qeta dhe tjetra në majë të malit për raste rreziku. Një tabllo të njëjtë na paraqet dhe kështjella e Podgories. Kodra shkëmbore në lindje të fshatit me të njëjtin emër, thirret nga banorët “Qytet”. Kështjella mbi majën e kësaj kodre ndjek një formë planimetrike të çrregullt me perimetër 60 m. Ashtu si në Mborje, katër kulla të vogla rrethore janë vendosur përgjatë murit perimetral. Në rrëzë të kodrës, në fushë shtrihet edhe këtu një vendbanim që vazhdon deri në mesjetën para turke.

Tiparet karakteristike të fortifikimeve mesjetare deri në shek. XV

Duke pasur parasysh mjetet dhe mënyrat e sulmit e të mbrojtjes deri në shek. XV do të shohim se cilat kanë qenë kërkesat për një vënd të fortifikuar në mesjetë, në çfarë mase janë realizuar ato dhe së fundi, evolucionin, tipet e fortifikimeve si dhe vendin që ato zënë në fortifikimet bashkëkohëse.Mbrojtja e një kalaje nuk varej vetëm nga fortësia e mureve dhe e kullave të saj, por në një masë të madhe edhe nga pozicioni i saj si dhe nga konfiguracioni i terrenit, që sipas rastit përcaktonin shumë nga mënyrat, armët dhe mjetet e tjera të mbrojtjes. Prandaj, si vend ideal për ndërtimin e një kështjellë përsa i përket mbrojtjes natyrore konsiderohej një kodër e lartë shkëmbore në shumë anë e pangjitëshme, ose ndërtimi i saj në një kodër të rrethuar në sa më shumë anë me sipërfaqe ujore, veç tyre bëheshim punime plotësuese që kishin të bënin me transformimin e terrenit për qëllimin e dëshiruar, si hapja e hendeqeve të gjerë e të thellë, të mbushur me ujë ose të thatë. Në zgjedhjen e terrenit duhej pasur parasysh që fortesa të kishte dhe ujë të bollshëm për t’i rezistuar rrethimeve të gjata dhe meqenëse ajo shpesh herë ishte edhe qendër administrative e një krahine, duhet të zinte një vend qendror në të.Fortifikimet mesjetare mund t’i ndajmë në qytete të fortifikuara, kështjella të ngritura si seli e feudalit, për qëllime thjesht ushtarake, si dhe pika vrojtimi e kontrolli të rrugëve, apo për vendosje garnizonesh. Ndër qytetet dallojmë dy kategori: ato të trashëguara nga antikiteti, dhe ato të lindura rishtas në mesjetë. Ndër qytetet e trashëguara nga antikiteti, ato që nuk plotësonin kushtet e mbrojtjes natyrore apo administrative nuk patën jetë të gjatë, ndërsa të tjerat u shfrytëzuan edhe në mesjetë, si p.sh. Berati, Shkodra etj, të cilat janë ndërtuar mbi kodra të larta shkëmbore, të vështira për t’u ngjitur dhe Durrësi e Butrinti që mbroheshin nga sipërfaqe ujore.Qytetet që lindën në mesjetë e kanë shpesh herë origjinën tek kështjella e feudalit, prandaj ato kanë një sipërfaqe më të vogël, të rrethuar me mure dhe mbrojtje natyrore më të fuqishme. Të tilla janë Petrela, Gjirokastra e deri diku Kruja.Faktor tjetër mbrojtës ishin muret dhe kullat. Deri në shfaqjen e artilerisë me barut, ato duhet të ishin sa më të larta, për të vështirësuar ngjitjen në to me shkallë dhe me mure sa më të trasha për t’i rezistuar goditjes së makinave gurëhedhëse dhe deshëve. Nga ana tjetër, sa më pak mundësi mbrojtëse ofronte terreni, aq më të fuqishëm duhej të ishin muret dhe pengesat e tjera artificiale, prandaj në sistemin feudal u hoq dorë nga fortifikimet e mëdha fushore, siç ndodhte në kohën e perandorisë romake apo bizantine të hershme, pasi fuqia ekonomike e një feudali s’mund të krahasohej kurrësesi me atë të një shteti të centralizuar. Vetëm ndonjë kështjellë e vogël garnizoni është ndërtuar në terren të sheshtë, por edhe këto rrethoheshin nga të gjitha anët me një hendek të mbushur me ujë.Duke kombinuar terrenin e aksidentuar me ndërtimin e mureve mbrojtës, ndodhte shpesh që vetëm një anë më pak e mbrojtur e një maje të thepisur shkëmbore nga ndodhej zakonisht edhe hyrja për në kështjellë, të mbyllej me një mur të thjeshtë, kështu ndodh p.sh. me “Qytezën e Dakajve” në Breglumë (Rrethi i Shkodrës) apo me Stelushin në Mat. “Vetë qafa e këtij mali, e rrethuar për bukuri me mure formon këtë qytezë” thotë Barleti për Stelushin, e cila sot njihet si kalaja e Varoshit. Në të vërtetë, vetëm një anë e këtij fortifikimi mbrohet nga një mur 120m i gjatë, ndërsa anët e tjera janë shkëmbinj të pa arritshëm nga armiku.Ka qenë një karakteristikë e shqiptarëve në mesjetë, që të shfrytëzonin me mjeshtëri cilësitë mbrojtëse të terrenit, duke kursyer në këtë mënyrë materIalin dhe fuqinë punëtore dhe duke i bërë njëkohësisht kështjellat e tyre të pazaptueshme. Këtë e dëshmojnë kronistë të kohëve të ndryshme si dhe gjurmët materiale të ruajtura në vend. Skutarioti, një kronist bizantin i shek. XIII, kur përshkruan dështimin e fushatës ndëshkimore bizantine kundër shqiptarëve më 1269 thotë se “ata banonin nëpër male të pashkelshme ku as kali nuk mund të hipte”. Ndërsa më vonë. Kritobuli nga Imbri, në përshkrimin e fushatës së Mehmetit II kundër shqiptarëve më 1459, thotë për këta të fundit se ... “banojnë në male të mëdha e shumë të larta që kalohen me vështirësi, ku kanë kështjella të shumta e të fuqishme dhe me poshtë shënon se shqiptarët “kishin për strehim dhe mburojë malet dhe natyrën e paafrushme të vendit” dhe se shtigjet që të çonin drejt tyre nëpërmjet maleve “i ruanin me roje të fuqishme”.

Kjo mjeshtëri u vazhdua dhe u përsos më tej nga Skënderbeu gjatë luftës 25 vjeçare shqiptaroturke. Edhe feudalët e tjerë shqiptarë, para se të bëheshin aq të fuqishëm sa të zotëronin qytete të mëdha, të fortifikuara dhe një numur të konsiderueshëm kështjellash, i kanë patur selitë e tyre të fortifikuara në vende të thella malore, e të pakalueshme. Shembull i një fortifikimi të tillë është kalaja e Gurit të Bardhë (Petralba) në Mat, ku një kurriz shkëmbor i thepisur, plotësohet në vendet më pak të mbrojtura me fragmente muresh dhe me një kullë të vetme për vrojtim. Krahas këtyre formave të thjeshta të fortifikimeve mesjetar,e që u përdorën kur e kërkonte nevoja, konstatojmë edhe forma më të ndërlikuara sidomos në qytetet mesjetare kryesore.Në disa qytete si Shkodra dhe Kanina dallojmë tre pjesë të fortifikuara që lidhen me porta midis tyre.Qyteti i poshtëm, i mesëm dhe kështjella. Kjo e fundit shërbente për qëndrimin e parisë së qytetit apo feudalit, për qëndrimin e garnizonit dhe si vend i rezistencës së fundit në rast se do të merreshin nga armiku dy pjesët e tjera. Kështjella ndodhej në vendin më të lartë dhe më të mbrojtur të kodrës. Disa qytete përbëhen vetëm nga kështjella dhe qyteti i fortifikuar, si Kruja, Drishti dhe Danja, ku kështjella në përmasa mjaft të vogla shërbente si seli e fortifikuar e feudalit apo e parisë së qytetit. Një skemë tjetër na paraqet Shurdhahu. Ai ndahet nga muret mbrojtës në dy pjesë, në qytetin e poshtëm dhe të sipërm, ku ky i fundit kryente edhe funksionin e kështjellës, por kryesisht shërbente për të ndarë zonën ushtarake të pushtuesit nga pjesa tjetër e qytetit. Në raste të tjera takojmë kështjellën të ndërtuar në majën e një kodre dhe qytetin e pa fortifikuar në shpatin e saj apo në rrëzë të kodrës, si në Lezhë, Mborje, Podgorije. Një skemë më të ndërlikuar na paraqesin Berati dhe Butrinti. Në të dy rastet akropoli apo kështjella që zë pjesën më të lartë dhe të mbrojtur të qytetit përmban brenda saj dhe një ndarje më të vogël e cila shërbente si seli e fortifikuar. Në këtë mënyrë ajo veçohej nga pjesa tjetër e kështjellës, ku qëndronte garnizoni. Ndryshe nga këto dy qendra, Durrësi, brenda mureve rrethues të qytetit, përmban dy kështjella të veçuara nga njëra tjetra. E para në pjesën më të lartë të kodrës, shërbente si seli e Dukës së Durrësit dhe më vonë e feudalëve shqiptarë Topias, ndërsa tjetra më poshtë e mbështetur tek muri jugperëndimor shërbente si vend qëndrimi i rojeve apo garnizonit të qytetit. Në një periudhë të vonë, sidomos gjatë gjysmës së dytë të shek. XIV fillojnë të fortifikohen edhe Varoshet (lagjet e jashme). Kështu, Shkodra kishte një Varosh të fortifikuar, muri i të cilit kalonte përgjatë bregut të lumit Drinasa, poshtë kodrës së kalasë, ndërsa rrethimi jashtëm i Beratit i shërbente më tepër furnizimit me ujë të qytetit të sipërm, pasi shpati i kodrës në këtë anë është shumë i aksidentuar. Rrethimi i shpatit jugor të kodrës së Beratit evoluon në tri faza. Deri në vitin 1280, ky rrethim ishte realizuar me ledhe dheu, në shek. e XIV u zëvendësua me mure guri, ndërsa në periudhën turke me një tunel të jashtëm të ndërtuar me mure që përfundonte në skaj me një kulle.Një pjesë e kështjellave, sidomos ato të destinuara për qëndrimin e garnizoneve kanë zakonisht forma të rregullta gjeometrike, kryesisht katërkëndëshe. Muret në fortifikmet mesjetare kanë një gjerësi prej 1-4m., por shumica prej tyre variojnë në diapazonin 1,50-2,50m. Pothuajse në të gjitha rastet, me përjashtim të mureve me trashësi rreth 1m ato përforcohen me breza druri, të futura brenda trashësisë së murit dhe të vendosura në intervale të barabarta lartësie. Brezat e drurit luanin rolin e një brezi antisizmik, e bënin murin më elastik kundrejt goditjeve dhe lokalizonin deri diku prishjet. Që një mur të ishte më rezistent kundrejt goditjeve preferohej që terreni brenda tij të ishte në një lartësi sa më të madhe, me një fjalë që ai t’i vishej sa më tepër të qe e mundur shpateve të kodrës (Kalaja e Shkodrës). Por një parim i tillë nuk është zbatuar kudo. Në mure janë përdorur edhe breza tullash, sidomos rreth fillimit të XIII. Por këto breza nuk përshkonin gjithë trashësinë e murit si në periudhën e vonë antike, por futeshin vetëm në faqen e jashtme të tij, duke shërbyer si mjet dekorativ. Në Berat, në ndërtimet e periudhës së Mihal Komnenit është zbatuar “Teknika e tullës së mbuluar”, ku njëri rresht tullash midis dy të tjerëve, qëndron i futur më brenda dhe mbulohet me një shtresë llaçi. Kjo teknikë ka qenë e përhapur gjerësisht në ndërtimet e Kostandinopolit, ku datohet në shek. XI-XII. Është përdorur gjithashtu, krahas mureve të ndërtuara vetëm me gurë edhe teknika bizantine “kluazonazh” sidomos në ndërtimet e shek. XIV. Në këtë rast, gurët të punuar në forma të rregullta katërkëndëshe rrethoheshim me tulla në formë kornize, ku tullat që kufizonin pjesët e sipërme dhe të poshtme të gurëve formonin breza paralele të pandërprerë. Fugat e llaçit midis gurëve dhe tullave ishin të trasha dhe arrinin nganjëherë trashësinë e tullës. Gjatë shekullit XV kjo teknikë fillon të degjenerojë, fugat e llaçit nuk ishin më të gjera, rreshtat horizontale të tullave nuk kishin lartësi të barabartë, dhe shpeshherë këto të fundit ndërpriteshin. Teknikën e mësipërme e takojmë si në ndërtimet mbrojtëse të Skënderbeut në Kepin e Rodonit, ashtu edhe në një kullë Veneciane në Durrës. Në rastin e fundit, mund të shihet ndikimi vendas, që ushtrohej nëpërmjet mjeshtrave të ndërtimit edhe në arkitekturën ushtarake veneciane. Shpesh, muret kombinoheshin në pjesën e brendshme me pilastra drejtkëndëshe të mbuluara me harqe, si në Bashtovë e Butrint, ose me ambiente tërthore të mbuluara me qemerë cilindrikë. Në këto raste muret ishin më të hollë, por kjo mënyrë ndërtimi, ndërsa i bënte ato më rezistente kundrejt goditjeve, kufizonte çarjet midis dy pilastrave dhe kursente materialin, nga ana tjetër krijonte mundësinë për të patur më shumë nivele luftimi në muret e kështjellës, pasi shpesh herë muret midis pilastrave përshkoheshin nga frengji. Me frengji shigjete përshkoheshin nganjëherë edhe mure të një trashësie të vogël, si në Shurdhah, ndërsa në një rast frengjitë i gjejmë në mure me trashësi rreth 2,50m (Kalaja e Vivarit). Në disa raste, kryesisht në ndërtimet e hershme mesjetare, muret përforcoheshin me pilastra drejtkëndëshe (0,80X0,80m), të projektuara në anën e jashtme të mureve, të cilat ndonjëherë alternoheshin dhe me pilastra trekëndëshe (Butrint, Mesopotam, Kaninë).Zakonisht muret kishin një lartësi nga 6-10m. Në pjesën e sipërme ndodhej shtegu i kalimit të rojeve dhe parapeti me bedena. Hapësirat midis bedenave shërbenin si vende luftimi. Më vonë, edhe vetë bedenat u përshkuan nga frengji shigjete, por rastet e njohura në vendin tonë nuk shkojnë më herët nga shek. XV.Parapeti i dhëmbëzuar me bedena pëson dhe një ndryshim tjetër, hapësirat midis këtyre të fundit mbyllen me mur duke krijuar një parapet të vazhduar, i cili përshkohet nga një brez i pandërprerë frengjish. Rastin më të hershëm, që i takon fillimit të shek. XVI e kemi në kalanë e Vivarit, ndërsa të tjerat i hasim në periudha mjaft më të vona.Për të kontrolluar rrëzën e murit dhe për të lëshuar objekte të rënda, apo ujë të vluar mbi armikun, sipër kreshtës së mureve ndërtoheshin erkerë prej druri që dilnin në formë konsoli, ato mund të ishin të vazhduar (gardhe) apo në trajtën e ballkoneve të shkëputur (mashikula). Rastin e parë, më të hershmin, e kemi hasur në kalanë e Durrësit qysh në shekullin XI, në periudhën e luftrave normano-bizantine, ndërsa të dytin e njohim nga një dokument i vitit 1280, i cili përmban një urdhër të Karlit I Anzhu për paisjen e murit të Akropolit të Durrësit me 24 mashikula të tilla. Por më shpesh ato ndërtoheshin përmbi portat apo nëpër kulla. Mashikula guri, që zëvendësuan të drunjtat, në vendin tonë nuk ruhen para shek XVI.

Shtegu i kalimit të rojeve ose rruga mbi mur krjohej nga vetë trashësia e murit, mbi një sistem harqesh mbi pilastra apo me platforma druri të dala konsol, kur muret ishin të hollë (Drisht, Shurdhah), në rastin e fundit edhe shkallët që të çojnë në shtegun e rojeve janë prej druri, por në të shumtën e rasteve ato janë prej murature guri, ato ndërtohen brenda trashësisë së mureve, ose i mbështeten këtyre të fundit.Me daljen e artilerisë, trashësia e mureve fillon të rritet ndërsa lartësija e tyre të pakësohet. Për t’u rritur qëndrueshmëria, ato fillojnë të ndërtohen në pjesën e poshtme në formë skarpati, ose te kenë një pjerrësi të lehtë në anën e jashtme, duke filluar që nga pjesa e sipërme. Bazamente të pjerrura tek muret dhe kullat hasen shpesh si modifikime në fortifikime më të hershme, por ka dhe mure e kulla kështjellash të projektuara që në fillim si të tilla. Këto të fundit nuk i gjejmë në ndërtime më të hershme se të shek. XV apo fundi i shek. XIV.Kullat në fortifikimet tona mesjetare i hasim në forma të ndryshme planimetrike, katërkëndëshe, trekëndëshe, në formë të shkonjës U, gjysmë rrethore, të rrumbullakta dhe poligonale. Kullat katërkëndëshe janë përdorur gjatë gjithë kohës, pasi ishin më të lehta për t’u ndërtuar. Në fortifikimet më të hershme në shekujt X-XII gjejnë përdorim të gjerë kullat trekëndëshe dhe më pak ato në formë U-je. Këto dy tipe kullash përsërisin forma të njohura dhe të përhapura gjerësisht në kohën e vonë antike. Kullat trekëndëshe vazhdojnë të përdoren edhe më vonë deri në shek. XIV, por ato më të hershmet (Butrint, Shurdhah) kanë mure të holla dhe një linjë të çrregullt, dhe në shumë pikpamje nuk arrijnë akoma nivelin e kullave pararendëse të shek. VI. Kjo tregon se gjatë shekujve të parë të mesjetës nuk pati ndonjë zhvillim të dukshëm të artit të fortfikimit. Por, nga fundi i shek. XII e sidomos gjatë shek. XIII preferohen më tepër kullat katërkëndëshe dhe rrethore. Që lartësia e tyre filloi të shtohet, këtë e dëshmojnë kullat e larta katërkëndëshe të ndërtuara në Berat në kohën e Mihal Komnenit, si dhe veprimtaria ndërtuese e Karlit I në Durrës. (1280), i cili lartësoi të gjitha kullat dhe muret e Akropolit, dhe për më tepër theksoi diferencën në lartësi që duhej të kishin kullat nga muret. Në shek. XV, lartësia e kullave filloi përsëri të pakësohej, por tani muret bëheshin më të trashë dhe të pjerrur ose me skarpat në pjesën e poshtme. Shumë kuptimplotë është një pasazh i Barletit për kullat që ndërtoi Skënderbeu në Krujë, rreth viteve 1451-52, ku thuhet se Skënderbeu i bëri ato më të bukura dhe më të forta se ishin më parë, por nuk i ngriti përmbi mure, për të mos iu ekspozuar artilerisë së armikut, ndërsa muret e tyre në anën e jashtme i pruri në formë skarpati. Me shfaqjen e artilerisë fillojnë të gjejnë gjithnjë e më tepër përdorim kullat rrethore, të cilat nuk i ekspozonin predhave të topave një faqe të gjerë të sheshtë, ndërsa disa kullave katërkëndëshe, si në Drisht, iu dha formë e rrumbullakët, duke iu veshur një mur në anën e jashtme. Më të rralla ishin kullat poligonale, por këto siç duket fillojnë të përdoren kryesisht në këtë periudhë. Kullat ndaheshin në disa kate, me dysheme druri apo me qemere. Por ka edhe raste kur njeri nga katet mbulohej me qemer, ndërsa të tjerët me dysheme druri, në këto raste mbulesa me qemer zakonisht i takonte katit të sipërm në të cilin ndodhej tarraca. Pjesa e sipërme e kullës përfundonte me një parapet të dhëmbëzuar me beden,a që rrethonin një tarracë ose mbulohej me çati druri. Çatia mund të mbështetej mbi një mur të plotë apo mbi një mur të dhëmbëzuar me bedena, si në Bashtovë. Në faqet e pakontrollueshme prej kullave fqinjë dalin shpesh herë në formë konsoli mashikula prej druri që kontrollonin rrëzën e murit të kullës (Bashtovë, Durrës) ose dilte në këtë mënyrë mbi murin perimetral krejt kati i sipërm i kullës i ndërtuar prej druri (Petrelë). Në disa raste, në katin e poshtëm të kullës ndërtohej një sterë e cila mbulohej me qemer apo me kupol ose kjo pjesë e kullës e pa ndriçuar nga frengji apo dritare shërbente si depo apo si burg. Kullat mund të ishin edhe krejt të hapura nga ana e brendshme (Bashtovë, Petrelë), por këto ishin më pak rezistente dhe nuk siguronin një mbrojtje të pavarur. Ato ndërtoheshin për të kursyer materialin ose për të mos shërbyer si qendra rezistente kundrejt pjesës së brendshme të fortifikimit, në rast se një pjesë e garnizonit do të ngrinte krye apo në qytete do të kishte revolta. Kullat pajiseshin me frengji për armë të ftohta dhe më vonë për topa. Në shkallën fillestare të zhvillimit të artilerisë, frengjitë për topa hapeshin në katet e poshtëm apo të mesëm të kullave. Frengjitë më të zhvilluara deri në shekullin e XV, kishin në planimetri formën e një trapezi me bazën e vogël të drejtuar nga jashtë dhe mbuloheshin me qemere prej tullash apo guri. Në një kullë të Durrësit, frengjitë për topa kanë edhe një zgjerim të lehtë në anën e jashtme. Tipat më të hershëm të frengjive të destinuar për topa të kalibrave të vegjël janë frengjitë në formë çelsi. Ato, në anën e brendshme kanë formën e një kamareje e cila përshkohet nga një vrimë e rrumbullakët për nxjerrjen e grykës së topit, mbi të cilën kishte një të çarë të ngushtë vertikale për vrojtim, e cila ishte e lidhur me vrimën e rrumbullakët apo e ndarë prej saj. Të dyja format i takojmë si të njëkohëshme në kalanë e Kepit të Rodonit. Për të siguruar bazën e mureve të kullave, kundër hapjes së tuneleve dhe minimit ndërtoheshin nga një herë bazamente të veçantë me mure guri, që rrisnin mjaft trashësinë e mureve të themelit (kështjella e poshtme, Durrës). Përveç kullave të zakonshme, në kala apo kështjella ndërtoheshin edhe kryekulla (donzhone), ato mund të ishin të shkëputura nga muret rrethuese dhe zinin një vend qendror në kështjellë, të lidhur me to apo krejt të veçuara. Kryekulla ishte pjesa e fortifikuar më me kujdes e një kështjelle dhe ishte e aftë t’i rezistonte një rrethimi. Prej saj drejtoheshin luftimet mbrojtëse në raste rrethimi, tërhiqej garnizoni apo një pjesë e tij në rast se binte kështjella. Shembull i një kryekulle në funksion të një kalaje është kulla e Teodor Komnenit në Durrës, e ndërtuar në vitn 1225, ajo ishte fortifikuar në anën e brendshme me një mur rrethues dhe ishte vendosur në linjën e jashtme të mbrojtjeve të qytetit, që ndërsa shihte dhe kontrollonte veprimet në kala, kontrollonte nga ana tjetër fushën e luftimit para saj, si dhe hyrjen në kështjellën e sipërme. Një shembull tjetër të ngjashëm e ndeshim në Butrint, ku kryekulla është pjesë e një kështjelle të vogël të ndërtuar nga despoti i Epirit Mihali II në vitin 1236. Ajo zë këndin jugperëndimor të akropolit dhe ashtu si në Durrës projektohet në anën e brendshme të murit të kështjellës. Me një kullë të brendshme, mbështetur në një mur të thjeshtë rrethues, pa kulla të tjera mbrojtëse, është kompozuar edhe kështjella anzhuine e Mashkjezës, në krahinën e Cakranit, e ndërtuar në gjysmën e dytë të shek.XIII.Një tip kulle i veçuar është kulla e Pirgut në Myzeqe, ajo ka formë pesëkëndëshe me dy brinjët më të gjata nga 17 m. ndërsa të tjerat 14 m. Të parat duke krijuar një kënd më të mprehtë drejtoheshin nga lumi, nga ishte dhe drejtimi kryesor i mbrojtjes. Në dokumentat mesjetare, kulla e Pirgut përmendet herë si kullë dhe herë si fortesë e vogël.Megjithëse sot ruhen fare pak gjurmë për të gjykuar, në faqet e brendshme të kullës ka patur natyrisht ambiente tërthore dhe një oborr të vogël të brendshëm. Ambientet anësore që shërbenin për banim, si depo dhe si ambiente luftimi e shtonin fortësinë e mureve të kullës dhe ekonomizonin hapësirën e brendshme.Një interes të veçantë paraqesin mbrojtjet e hyrjeve. Mbrojtjet më thjeshta që përsërisin skema të vjetra janë ato kur hyrja mbrohet nga një kullë anësore e jashtme (Kanina) apo e brendshme (Stelush) ose prej dy kullash anësore që projektohen plotësisht jashtë mureve (Shurdhahu). Në disa raste, hyrjet përshkojnë faqen anësore të një kulle katërkëndëshe (Drisht), ose faqen ballore të saj (Bashtovë). Në rastin e fundit kulla mund të gjendet edhe brenda fortifikimit, si në Berat. Hyrjet më të mbrojtura mesjetare ishin ato që përshkonin një korridor të gjatë të mbuluar me një ose disa kthesa këndrejtë. Hyrja për në kalanë e Petrelës formohet nga një korridor i mbuluar me qemer me dy kthesa kënddrejtë. Me një kthesë dhe me një korridor të mbuluar anash, në të cilin ka vende të thelluara për vendosjen e rojeve, është pajisur edhe hyrja kryesore e Krujës dhe e Shkodrës. E para ka një portë rrëshqitëse në ballë dhe dy porta të thjeshta gjatë korridorit. Një korridor të harkuar por të pa mbuluar me qemer përshkon dhe hyrja në Kepin e Rodonit. Hyrjet që përshkonin korridore të mbuluar kanë pasur dy ose më tepër porta. P.sh. njëra nga hyrjet e kalasë së Gjirokastrës kishte tri porta të forta hekuri, të vendosura njëra pas tjetrës. Mbi qemeret e korridoreve para portave hapeshin vrima për hedhje Iëngjesh të nxehtë mbi armikun, si në kalanë e Shkodrës. Vrima katërkëndëshe me prag të pjerrur nga jashtë hapeshin dhe mbi murin që ngrihej mbi portën e parë, të cilat, përveç qëllimit të përmendur më lart shërbenin dhe për të hedhur ujë mbi zjarrin që mund të vinte armiku për djegien e portës (Shkodër). Portat e mbrojtura nga një mashikull guri të ndërtuar mbi to, nuk na janë ruajtur para shek. XVI. Më të hershmet janë ato prej druri. Të tilla duhet të ketë patur Kalaja e Bashtovës dhe kështjella e poshtme e Durrësit, ndërsa mashikulat prej guri në mbrojtje të portave fillojnë vetëm në shek.XVI.Për një mbrojtje më të mirë të portave kryesore, në disa qytete të fortifikuara u ndërtuan oborre të fortifikuar (barbakane). Oborri ishte një ndërtim plotësues, para portës kryesore, që e bënte atë të dyfishtë. Prej tyre na janë ruajtur: Barbakani para hyrjes kryesore në kalanë e Beratit dhe ai i kalasë së Shkodrës, të cilat i kemi përshkruar bashkë me kalatë përkatëse.Portat ishin prej kanatash druri të trashë, nganjëherë të veshura dhe me pllaka hekuri. Kanatet rrotulloheshin në boshte metalike vertikale të fiksuar si në gurët e pragut të portës edhe në pjesën e sipërme. Kanatet siguroheshin nga brenda nga një tra i fortë (katarah) që fiksohej në dy vrima të thella të hapura në shpatullat e portës. Përveç portave dy kanatëshe janë përdorur dhe porta rrëshqitëse (Krujë), që lëshoheshin nga kati II i kompleksit të hyrjes, ato përdoreshin ose për të dubluar portën dy kanatëshe ose për të krijuar një kurth për armikun që sulmonte hyrjen.Në qoftë se do të përpiqemi të përcaktojmë se ç’vend zinin fortifikimet mesjetare në Shqipëri deri nga mesi i shek. XV duhet të hedhim një sy mbi zhvillimin e artit mesjetar të fortifikimit në vendet fqinjë dhe ato të Evropës perëndimore.Fiset sllave që u vendosën në Gadishullin.

Ballkanik njihnin vetëm fortifikimet në formë rrethi me ledhe dheu e drunj, por gjatë kontaktit që ata patën me Bizantin filluam të ndërtojnë fortesat e para me mure guri.Në tërë Europën feudale të shek. IX, X dhe deri në shek. XI, fortifikimet në pjesën më të madhe ishin prej druri. Kështjellat prej druri u rindërtuan me gurë në Francë gjatë viteve 1170-1220.Ndikim të madh në zhvillimin e fortifikimeve Europiane ka patur Lindja. Kryqtarët e parë që u kthyen prej andej sollën në Europë një përvojë të çmueshme dhe modele të vlefshme të fortesave. Ndryshe qëndron puna me Perandorinë Bizantine, në të cilën përfshihej prej kohësh dhe territori i Shqipërisë. Këtu ndërtimi i fortifikimeve me mure guri mbështetej mbi një traditë të vazhdueshme e të fuqishme. Po të përmendim disa elemente të fortifikimeve që u përhapën nga kryqtarët në Europë gjatë shek. XII-XIII siç janë mashikulat, apo erkerët e vazhduar në muret e kullat, hyrjet me kthesa etj. Këto elemente i hasim në fortifikimet bizantine në një periudhë më të hershme siç është rasti i erkereve prej druri mbi muret e Durrësit, apo porta me kthesa në citadelën e brendshme të Ankarasë, e ndërtuar nga Mihali III në vitin 859. Pra, duhet menduar që jo vetëm fortifikimet bizantine në përgjithësi, por edhe ato që ndodheshin në territoret e banuara nga shqiptarët, veçanërisht Durrësi, kanë ndikuar jo vetëm në arkitekturën ushtarake të popujve fqinjë por edhe në atë të Europës Perëndimore. Por, duke filluar që nga koha e shfaqjes së artilerisë e sidomos gjatë shek. XV qendra e gravitetit kalon në Itali, si dhe në bregdetin Dalmat, që ishte i kërcënuar drejtpërdrejt prej Perandorisë osmane, dhe ku lindin mjaft herët bastionet rrethore për artileri. Fortifikimet italiane janë të parat që mbajnë një vulë të re kur në shumë vende vazhdohej të ndërtohej me metodat e vjetra. Por, ne pamë sesi Skënderbeu, megjithëse me mjete të kufizuara financiare, që pas rrethimit të parë të Krujës më 1450, u udhëhoq nga të njëjtat parime të përparuara të kohës për të realizuar ndërtimet e tij mbrojtëse.Për shkak të rrethanave historike dhe përfshirjes që në zanafillë në perandorinë bizantine, e cila trashëgoi arritjet në artin e fortifikimit të antikitetit, të periudhës romake, por edhe të vendeve të lindjes me të cilat ajo ishte në kontakt të vazhdueshëm, në arkitekturën e fortifikimeve, në territoret e banuara nga shqiptarët, mund të ndiqen hap pas hapi përparimet e artit të fortifikimit gjatë gjithë mesjetës, si dhe hapat e para të transformimit të kështjellave mesjetare në fortesa për artileri, proces që u ndërpre për shkak të pushtimit turk.

info@balkancultureheritage.com