Sistemet fortifikuese të Bizantit nuk mundën të pengojnë vërshimin e fiseve avaro-sllave të shek. VI-VII. Shumë qytete dhe kështjella u shkatërruan dhe u plaçkitën, banorët e tyre u masakruan ose u detyruan të zhvendosen në zona të thella malore për t’i shpëtuar përndjekjes. Por, disa nga qytetet dhe kështjellat kryesore mundën t’i qëndrojnë valës së dyndjeve, ndërsa të tjera u përtërinë në fillimet e mesjetës së mesme dhe u kthyen më vonë në qendra të principatave të para feudale shqiptare si Shkodra, Berati, Kruja etj.Pikërisht në qytetet që i rezistuan vërshimit të fiseve “barbare” duhen kërkuar ndërtimet e para fortifikuese mesjetare. Një nga këto qytete ishte dhe Durrësi i cili nga fundi i shek. VIII, me krijimin e sistemit të ri administrativ të temave u bë qendra e një krahine të madhe në pjesën perëndimore të Perandorisë, që përfshinte tokat e bregut lindor të Adriatikut nga Tivari deri në Vjosë. Por nga kjo kala nuk ruhen gjurmë materiale nga ndërtimet mbrojtëse të mesjetës së hershme. Burimet na bëjnë të njohur vetëm mbi disa riparime apo adaptime që i janë bërë kalasë në një periudhë relativisht të vonë, ku me atë rast përmenden fortifikime më të vjetra ekzistuese të cilat iu nënshtruan këtyre ndërhyrjeve apo rindërtimeve. Një të dhënë tjetër përbëjnë përmendjet në burimet historike të elementeve të veçantë përbërës të këtyre fortifikimeve, të cilat sot nuk ruhen më. Në shek. XI, në prag të luftrave normanobizantine, me porosi të perandorit bizantin Aleks Komneni, kreshta e mureve rrethuese të qytetit të Durrësit, u pajis me disa konstruksione druri që dilnin mbi to në trajtën e një erkeri. Këto lloj ndërtimesh që shërbenin për të kontrolluar rrëzën e mureve, në këtë rast u ndërtuan për të përmbushur një dredhi lufte, sepse duke mos qenë të fiksuara në mur, bashkë me to do të binin edhe armiqtë që do të mbështetnin shkallët për tu ngjitur mbi mure. Këto konstruksione në pjesën më të madhe duket se u janë përshtatur mureve ekzistuese të antikitetit të vonë, të ndërtuara qysh në fillim të shek.VI nga perandori me origjinë nga Durrësi, Anastas I, sepse ato qenë aq të fuqishme sa përbënë bazën e fortifikimeve të Durrësit gjatë gjithë mesjetës, madje edhe gjatë periudhës së pushtimit turk. Por, ndërtimet më të rëndësishme të nisura fillimisht në mesjetë duket se kanë qenë përqëndruar në «Akropol».Pasi kalaja e Durrësit kishte rënë në duar të anzhuinëve, Karli I, urdhëron në vitin 1280 kryerjen e disa punimeve fortifikuese në akropol, që konsistonin kryesisht në ngritjen në lartësi të mureve dhe kullave. Me këtë rast, në dokumentet e kohës përmendet dhe se çfarë ruhej nga ndërtimet e vjetra mbrojtëse në këtë pjesë të kalasë së Durrësit. Aty përmenden kulla me sterë në katin e poshtëm dhe kapelë (kishë e vogël) në katet e sipërme, elemente që nuk janë karakteristikë për kullat që ruhen në gjendje të mirë edhe sot nga shek. VI. Këto tipa kullash janë karakteristike për arkitekturën ushtarake bizantine, së paku që nga shek. IX. Akropoli ose kështjella e sipërme, siç përmendet më dendur në mesjetë, si dhe pjesa veriore e kalasë, që nga shek. XIII, komandohej nga një kryekullë (Donzhon) e cila u ndërtua gjatë murit rrethues verior më 1225 nga despoti i Epirit Teodor Komneni dhe ishte e pajisur me një banesë dhe me një mur rrethues.Kryekulla ruhej në një lartësi prej 10m deri nga mezi i shek. XIX, kur u vizitua nga albanologu J.G.von Hahn. Akropoli në atë kohë kishte dy porta. Njëra që e lidhte me qytetin ishte me kanata druri të fortë me trashësi rreth 15 cm, ndërsa tjetra që të nxirrte në livadhet jashtë qytetit, dhe i ekspozohej më lehtë sulmit, ishte pajisur me kanata të veshura me pllaka hekuri. Përveç kështjellës së sipërme që ndodhej në vendin e Akropolit të dikurshëm të kalasë antike, Durrësi kishte edhe një kështjellë tjetër, e cila përmendet në dokumenta me emrin “Kështjella e Poshtme». Ajo ndodhet mbi majën e një kodre me lartësi 59m, më të ulët se e para dhe më pranë bregut detit dhe i mbështetet murit jugperëndimor të kalasë. Kështjella e poshtme ka kaluar nëpër dy periudha kryesore ndërtimi. Ajo ka thuajse formën e një katrori me gjatësi brinjësh rreth 50m. Në periudhën e parë që datohet rreth shek. X-XI, kështjella kishte kulla të rrumbullakta në qoshe dhe katërkëndëshe në mesin e kurtinave. Pasi qe rrënuar pothuajse krejtësisht, u rindërtua në gjysmën e parë të shek. XV, kur Durrësi ishte nën sundimin venecian. Kalaja e Durrësit në mesjetë konsiderohej si një nga fortesat më të fuqishme të bregut perëndimor të Adriatikut, aq sa pushtimi i saj nga Normanët më 1182 shkaktoi panik në krahinat përreth e deri në Selanik, ndërsa më vonë kur turqit u ndodhën para portave të qytetit, që në atë kohë ishte gjysmë i rrënuar, kronisti turk Idriz Bitlisi shkruan ndër të tjera se “Durrësi ishte një nga qytetet më të mëdhenj të të pafeve dhe kalaja e tij shihej në viset e Rumelisë si një Kostantinopojë e dytë”.Në fillim të shek. XI dhe gjatë shekullit XII, përveç Durrësit përmenden dhe mjaft qytete të fortifikuara dhe kështjella të tjera në territorin e vendit tonë, sidomos në kronikat që përshkruajnë fitoret e perandorit bizantin Vasilit II kundër bullgarëve dhe më vonë nga gjeografi arab AlIdrizi. Një shkak i fuqishëm për riparimin e kështjellave të vjetra dhe ndërtimin e të rejave ka qenë padyshim kërcënimi që u bëhej brigjeve të Adriatikut dhe të Jonit nga arabët në shekullin IX si dhe krijimi i shteteve të para sllave (shek. IX, X e më vonë) që kërcënonin seriozisht pushtetin bizantin. Të kësaj periudhe janë kështjella e Lezhës (Elission), Petrela, Devolli, Butrinti etj. Një nga tipat e thjeshtë të kështjellave mesjetare të kësaj periudhe paraqet faza fillestare e Petrelës. Kështjella e Petrelës është ndërtuar mbi majën shkëmbore të një kodre 400m të lartë në juglindje të qytetit të Tiranës, në bregun e majtë të lumit Erzen. Muret rethojnë një shesh të vogël në formë trekëndëshi, perimetri i të cilit nuk i kalon të 100 metrat. Në gjendjen e sotme, kështjella, përveç murit rrethues ruan dy kulla të rrumbullakta në anën më pak të mbrojtur të kodrës dhe një portë të vogël midis tyre. Në pjesën e brendshme ndodhen dy stera, gjurmët e dy ambienteve banimi si dhe të një kulle drejtkëndëshe në pjesën qendrore. Përveç kështjellës së ndërtuar në pjesën më të lartë të kodrës, një mur i harkuar rrethon pjesën më pak të mbrojtur të shpatit verilindor të saj. Ky i fundit është i pajisur dhe me një portë që ndodhet në skajin e tij.
Në fazën fillestare kështjella përbëhej nga një mur që mbyllte pjesën më pak të mbrojtur të platformës së vogël trekëndëshe mbi majën e shkëmbit, duke lënë të pa rrethuara anët e thikëta shkëmbore. Është për t’u vënë re se ndërtuesit e parë të Petrelës ishin aq pak të familjarizuar me kullat e lidhura me kurtinat sa që dhe një kullë që ekzistonte atje që më parë, është lënë e pa lidhur me murin e ri dhe bile krejt jashtë fortifikimit. Po të kemi parasysh se në shek. XI Petrela rifortifikohet, si dhe rolin që luajti ajo në luftën midis normanëve dhe bizantinëve, kjo fazë ndërtimi duhet t’i përkasi periudhës para shek. XI.
Fortifikimi i Petrelës mori formën e një kështjelle të vërtetë feudali në kohën e sundimit të Topiasve. Në këtë kohë u ndërtua një kullë gjysëm rrethore për artileri në këndin verilindor të fortifikimit të mëparshëm dhe u përfshi në sistemin mbrojtës kulla e qoshes veriperëndimore, nëpërmjet një muri të drejtë që i bashkonte këto kulla, ndërsa hyrja ekzistuese me të renë u lidhën në një sistem të vetëm. Ndoshta një periudhe më të hershme, që shkon deri në shekullin XIII, i përket muri rrethues i jashtëm, po të gjykojmë nga teknika e ndërtimit dhe nga fakti që Petrela në shekullin XII ishte kthyer në një qendër urbane.
Tani për të hyrë në kështjellë duhej të ngjisje një palë shkallë guri që i mbështeteshin nga jashtë murit të saj dhe mbaronin me një shesh pushimi para portës.Korridori i hyrjes formonte dy kthesa këndrejtë, dhe mbulohej me qemere. Pas çdo kthese vinin nga një palë shkallë me 4-5 këmbë që të ngjisnin në oborrin e kështjellës. Hyrja mbyllej nga dy porta dy flegërshe të vendosura në fillim dhe në fund të korridorit, që siguroheshin nga brenda me katarah. Për ndriçimin e korridorit shërbente një dritare e vogël katërkëndëshe e hapur në pjesën e sipërme të qemerit, pranë portës së parë.Në një periudhë të mëvonshme ndërtimi, kulla për artileri është veshur në më tepër se gjysmën e lartësisë së saj me një mur që vjen duke u zgjeruar në bazë dhe bije mbi terrenin në formë skarpati. E njëjta gjë është bërë dhe me murin që lidh të dy kullat. Një grup fortifikimesh relativisht të hershme të mesjetës, si Shurdhahu (Sarda), Drishti dhe Danja, ndodhen në zonën rreth Shkodrës. Në këtë rast kemi të bëjmë me qytete të fortifikuara, skemat kompozicionale të sistemit mbrojtës të të cilave kanë shumë anë të përbashkëta.Në përgjithësi, këto qytete mbrohen nga dy rradhë muresh. Pjesa më e lartë ose më e mbrojtur e kodrës me rrethimin e saj formon akropolin, ndërsa rrethimi i dytë, që zinte shpatin e kodrës ose platformën që krijohej mbi të, si në Danjë, përfshinte pjesën kryesore të qytetit apo krejt këtë të fundit.Kalaja e Shurdhahut ngrihet mbi një kodër shkëmbore, në bregun e djathtë të lumit Drin, rreth 8 km në jug të qytetit të Shkodrës.
Dikur kjo kodër lidhej nëpërmjet një qafe të ulët me vargun e kodrave që shtriheshin në bregun jugor të këtij lumi, por me krijimin e liqenit artificial të hidrocentralit të Vaut të Dejës, kodra e Shurdhahut u kthye në ishull.
Në gërmadhat e kësaj kalaje ndodhej dikur qyteti i Sardës, i cili përmendet shpesh në dokumentat mesjetare të kohës. Lulëzimin më të madh qyteti i Sardës (Shurdhahu) e pati në shek. XI. Rreth viteve 1184 ai u pushtua nga serbët, më vonë ka qenë nën juridiksionin e familjes feudale shqiptare të Dukagjinëve dhe më 1491 u pushtua nga turqit. Në këtë periudhë qyteti pëson një rënie të vazhdueshme deri sa pas shek. XVII, emri i tij nuk përmendet më.
Muret mbrojtës e ndajnë qytetin në dy pjesë. Në qytetin e sipërm, që zë majën e kodrës dhe në të poshtmin, që zë shpatin e saj nga veriu, lindja dhe jugu. Si muri rrethues i sipërm ashtu dhe ai i poshtëm janë pajisur me kulla që kanë formën e shkronjës U, trekëndëshe dhe katërkëndëshe, të cilat nuk janë vendosur në distanca të barabarta: Diku ka grumbullim kullash pranë njëra tjetrës dhe diku linja të gjata muresh pa asnjë kullë. Krejt kalaja rrethon një sipërfaqe prej 4.7 ha. Gjithsej ruhen dy hyrje, njëra që të fut në qytetin e poshtëm dhe tjera në të sipërmin. Që të dyja mbrohen nga dy kulla anësore në formën e shkronjës U, të vendosura fare pranë njëra tjetrës.
Kullat e Shurdhahut në përgjithësi janë të vogla dhe me mure të hollë 0,60-0,70 m gjithashtu dhe muri rrethues nuk e kalon gjerësinë 0,90m. Lartësia e plotë e mureve dhe e kullave nuk njihet por njëra nga kullat që ruhet më mirë arrin lartësinë 5m. Mungesa e gjurmëve të shkallëve në faqen e brendshme të mureve, të çon në përfundimin se këto kanë qenë prej druri; me platforma dërrasash të mbështetura mbi trarë ishte ndërtuar dhe shtegu i kalimit të rojeve, si në kalanë e Drishtit ku ruhen akoma zgavrat e vendosjes së trarëve. Muret, harqet dhe elementet e tjerë të fortifikimit janë ndërtuar me gurë, pa u forcuar me breza druri dhe pa përdorime tullash. Kullat kanë qenë pajisur me frengji për armë të bardha, por ndonjë prej tyre është hapur dhe në nivelin e poshtëm të kurtinave, Një veçori e kullave të Shurdhahut, sidomos e atyre në formë U-je, është se ato lidhen me murin rrethues vetëm në pjesën e sipërme. Muri mesjetar i qytetit të poshtëm, i cili i mbështetet në anën e jashtme murit të antikitetit të vonë, është ndërtuar rreth fundit të shek.X ose fillimit të shek.XI. Ndërsa muri i qytetit të sipërm u ndërtua nga Stefan Nemanja në fund të shek. XII ose në fillim të shek. XIII, për të krijuar një zonë ushtarake të ndarë nga pjesa tjetër e qytetit. Ai kalon mbi rrënojat e qytetit të dikurshëm. Nga ana arkitektonike ai ka imituar format e murit të vjetër, i cili rrethonte qytetin e poshtëm.
Midis këtyre dy periudhave kryesore të ndërtimit, ka edhe faza të ndërmjetme, të cilat pasqyrohen qartë në murin rrethues të jashtëm, ku disa kulla trekëndëshe të rrënuara janë rindërtuar në forma drejtkëndore. Kalaja e Drishtit, një ndërtim tjetër i kësaj periudhe ndodhet në verilindje të Shkodrës, mbi një kodër shkëmbore me një mbrojtje të fuqishme natyrore, e cila përveç faqeve me pjerrësi të madhe, ka si mbrojtje edhe lumin e Kirit që e rrethon nga veriu dhe perëndimi. Nga jugu rrëzë kodrës rrjedh një përrua malor, i cili derdhet në Kir. Me një mbrojtje të tillë natyrore, kalaja e Drishtit plotëson një nga kërkesat kryesore të një fortifikimi mesjetar.
Muri rrethues i qytetit në Drisht zë një sipërfaqe mjaft më të madhe nga ai i Shurdhahut, ndërsa përkundrazi, rrethimi i sipërm është mjaft më i vogël dhe nuk krijon një ndarje të sipërme të qytetit, por vetëm një kështjellë. Kalaja e Drishtit përshkohet nga dy hyrje, njëra nga lindja dhe tjetra nga perëndimi, ndërsa kështjella, nga një hyrje e vetme që përshkon faqen anësore të një kulle drejtkëndëshe. Ashtu si në Shurdhah edhe në Drisht shohim po atë tip kullash të vogla gjysëm rrethore, po atë teknikë ndërtimi dhe po ato mure të hollë pa breza. Në kështjellë, që ka thuajse formën e një katërkëndëshi të çrregullt dallohen disa faza ndërtimi. Të katër kullat shohin nga ana e brendshme e kalasë, pasi muret periferike janë ngritur mbi një humnerë të pangjitshme.
Në fillim kështjella ka patur 3 kulla katërkëndëshe, ndërsa në një periudhë të dytë i është shtuar një kullë gjysëm rrethore, një nga kullat katërkëndëshe është veshur me një këmishë rrethore dhe në përgjithësi kullat në pjesën e poshtme janë veshur me mure që bien me pjerrësi mbi terrenin. Njëra nga kullat katërkëndëshe që ka qenë e rrënuar është rindërtuar në formën ekzistuese, po kësaj rradhe me gurë të latuar me kujdes. Nga teknika e ndërtimit, kjo fazë duket se i përket periudhës veneciane (1396-1478). Kjo kullë si dhe ajo e hyrjes janë pajisur me frengji të vogla për topa.
Pas pushtimit të Drishtit nga turqit në 1478, bie rëndësia e tij si qytet dhe si fortesë, ndërsa popullsia u largua në masë prej andej. Kalaja e Danjës na shfaq të njëjtat tipare arkitektonike me dy kalatë e mësipërme, për sa i përket periudhës më të hershme të ndërtimit të saj dhe për më tepër kjo periudhë datohet nga gjetjet arkeologjike në kohën e sundimit të perandorit bizantin Johan Cimiskes, 969-976. Ashtu si në Drisht, fortifikimet e Danjës përbëhen nga muri rrethues i qytetit, në të cilin përveç periudhës fillestare të ndërtimit, hetohet edhe një fazë e mëvonshme, si dhe kështjella në pjesën më të lartë të kodrës, e ndërtuar nga Nikolla Zaharia në vitin 1400.
Në kështjellën e Zaharisë mbizotëronte kryekulla, e cila ishte e mbrojtur me kujdes nga ndërtime të shumta përreth.Në vitin 1426 Danja u pushtua nga turqit dhe pak më vonë nga Nikolla Dukagjini. Menjëherë pas vdekjes së Nikolla Zaharisë,venecianët e pushtuan Danjën në vitin 1445. Kjo ngjarje u bë shkak për shpërthimin e luftës midis venecianëve dhe Skënderbeut në vitin 1447. Në vitin 1448 sipas traktatit të paqes Danja u mbeti venecianëve, të cilën atë e mbajtën deri në vitin 1474, kur gjatë rrethimit të parë të Krujës turqit e shkatërruan dhe që pas kësaj kohe ajo nuk përmendet më.Gjatë shek.IX-X ndërtimet mbrojtëse të Butrintit zinin jo vetëm zonën rreth akropolit, por shtriheshin edhe në rrethimin e jashtëm, terrenin e sheshtë në jugperëndim të tij, ku disa kulla të antikitetit të vonë qenë rindërtuar dhe përshtatur në gjysmën e dytë të shek.VIII deri nga fillimi i shek.IX.Faza më e hershme e ndërtimeve mesjetare të akropolit, që datohet në shek.IX-X, përbëhet nga një sërë kullash të vogla trekëndëshe të kombinuara me pilastra drejtkëndëshe dhe trekëndëshe, që shihen kudo nën muret e mëvonshme mesjetare. Ato zbresin deri në rrëzë të kodrës nga ana jugperëndimore e qytetit ku duhej të bashkoheshin me murin rrethues të jashtëm. Një fazë të hershme mesjetare,të ngjashme me atë të Butrintit, e hasim edhe në murin rrethues të manastirit të Mesopotamit, i cili mund t’i përkishte fillimisht rrethimit të një kështjelle (në shek.X ose në fillim të shek.XI, para luftrave normano-bizantine), para se të ishte fortifikim i një manastiri. Atje hetohet një kotrafortë drejtkëndëshe, identike në formë dhe përmasa me ato të Butrintit, e ndërtuar me blloqe gurësh antikë të ripërdorur.Muret më të hershme të Kaninës janë gjithashtu ato, të cilat janë pajisur me kontraforta trekëndëshe si të Butrintit, përmasat gjithashtu përkojnë, çka tregon se i përkasin të njëjtës periudhë apo të njëjtit ndërtues. Nga materiali arkeologjik i shoqëruar me monedha, i zbuluar nga gërmimi i një hyrjeje aty pranë, mund të konkludojmë se këto ndërtime i përkasin periudhës rreth gjysmës së dytë të shek.X. Materiale arkeologjike të së njëjtës periudhë janë zbuluar edhe në murin ndarës të kështjellës, gjë që tregon se jo vetëm muri rrethues i qytetit, por edhe kështjella brenda tij kanë ekzistuar në të njëjtën kohë.Kanina, para se të përmendet në vitin 1020 si qytet në përbërje të dioqezës së Glavinicës, ka qenë me siguri qendër ushtarake e temës së Jerikos, e cila na del për herë të parë në burimet historike në vitin 975. Ndërtime mbrojtëse të hershme mesjetare konstatohen edhe në kalanë e Lezhës, të Himarës , Beratit, Këlcyrës etj.Muret mesjetare të Lezhës ndjekin përgjithësisht linjat e mureve antike me përjashtim të murit të periudhës së Cezarit, i cili e ndante qytetin në dy pjesë. Nuk kemi të dhëna për periudhën e antikitetit të vonë në pjesën qëndrore të qytetit, por kemi fare pak gjurmë për akropolin dhe diçka më tepër për fortifikimet që shtrihen në terrenin e sheshtë nga rrëza e kodrës deri në breg të lumit. Për të kuptuar më mirë shtrirjen e fortifikimeve mesjetare duhet të përshkruajmë më parë formën e terrenit dhe shtrirjen e linjave të mureve antike. Këta të fundit janë të vendosura në dy kodra, në Akrolis mbi një kodër 400m të lartë nga niveli i detit, në lindje të qytetit të Lisit dhe në vetë Lisin, që shtrihej në shpatin perëndimor të një kodre më të ulët, e cila zbret drejt bregut të djathtë të lumit Drin. Muret 2500m të gjatë të Lisit antik rrethojnë një sipërfaqe prej 22ha, një pjesë të së cilës e zë akropoli në majë të kodrës. Prej tij zbresin dy mure deri në bregun e lumit Drin. Një mur tërthor ndante zonën e portit nga pjesa tjetër e qytetit. Në periudhën romake një mur tërthor e ndau qytetin që shtrihej në shpatin e kodrës në dy pjesë thuajse të barabarta, në qytetin e sipërm dhe të poshtëm.
Muret mesjetare ndjekin me besnikëri linjën e mureve antike të akropolit, por në afërsi të tij, hetohen në trajtë gjurmësh të shkëputura edhe përgjatë murit verior të qytetit. Një mur tjetër mesjetar i pajisur me kontraforta drejtëkëndëshe përshkonte rrëzën e kodrës, ndërsa kështjella antike që mbronte portin e dikurshëm u rindërtua tërësisht në mesjetë. Muret antike të Akropolit, të restauruara në periudhën e Cezarit, duhet të kenë qenë në gjendje të mirë deri në kohën kur ato u restauruan nga Justiniani në shek.VI. Por, dyndja e sllavëve e vitit 592 duhet t’i ketë shkatërruar ato deri në themel, gjë që kuptohet nga ripërdorimi masiv i blloqeve antike në fazën pasardhëse të ndërtimit, si dhe nga fakti që muret e rinj mbështeten vetëm në pak rradhë blloqesh të antikitetit. Muret e kësaj periudhe përbëhen nga blloqe antike të ripërdorur të lidhur me llaç gëlqereje, fugat vertikale të të cilave plotësohen nga copëra guri ose tulle të vendosura horizontalisht njëra mbi tjetrën. Në këtë periudhë bëjnë pjesë dhe fragmente muresh të rrëzuara të periudhës së Justinianit, të pa shkërmoqura tërësisht, të cilat janë rivendosur në muret e rindërtuara si spolie. Madje një fragment i tillë, që i përket tërësisht një brezi tullash është vendosur në mënyrë të pazakontë, vertikalisht mbi mur. Kësaj periudhe të hershme mesjetare i përket porta jugore si dhe një kullë gjysmë rrethore në këtë anë, e cila më vonë është rindërtuar si kullë drejtkëndëshe. Gjurmë ndërtimesh të periudhës së hershme mesjetare takohen edhe pranë dy portave të tjera të Akropolit si dhe në murin që zbret prej tij në shpatin e kodrës. Ndoshta dhe muri tërthor me pilastra në rrëzë të kodrës i takon së njëjtës periudhë, ndërsa në kështjellën fushore që shtrihet në breg të lumit nuk kemi gjetur gjurmë të tilla. Për këtë të fundit dimë vetëm se në shek. XIV ishte nën sundimin e Dukagjinasve dhe se ruhej në gjendje të mirë. Një periudhë e vonë bizantine konstatohet edhe në Akropol, por pas kësaj periudhe kështjella e sipërme përmendet në burimet historike si e lënë pas dore dhe e rrënuar. Pas pushtimit turk, në vitin 1522, Sulltan Sulejmani rindërtoi muret e kështjellës dhe përmirësoi sistemin mbrojtës të hyrjeve. Ai ndërtoi edhe një xhami e cila ruhet në gjendje relativisht të mirë edhe sot. Periudha e fundit e ndërtimit i takon një saraji të fortifikuar të shek. XVIII, i cili zë një të tretën e sipërfaqes së Akropolit. Brenda mureve të sarajit, që përforcohen nga kulla drejtkëndëshe, ndodhen edhe dy stera të mbuluara me qemere cilindrike.Një teknikë të ngjashme për periudhën më të hershme mesjetare e hasim edhe në kalanë e Himarës (fig. 20). Periudha më e hershme këtu mbështetet gjithashtu drejtpërdrejtë mbi muret antike dhe përbëhet nga blloqe gurësh antikë të ripërdorur, të lidhura me llaç, në fugat e të cilëve janë përdorur rrallë fragmente tjegullash helenistike. Ndërtimet mesjetare në muret rrethuese të qytetit ndiqen edhe nga dy faza të tjera ndërtimore, që dallohen midis tyre nga sasia e copërave të tjegullave të futura në mënyrë të çrregullt nëpër mure. Ndërsa një faze më të vonë i përket një kullë e veçuar, mbetjet e të cilës ruhen në pjesën më të lartë të kodrës. Ajo ka formë rrethore me diametër 7,60m dhe trashësi muresh prej 2,90m si dhe ka patur një cisternë në katin përdhes, ndërsa hyrjen e kishte në katin e dytë. Ajo duhet t’i përkasë shek. XIV ose XV.Himara në mesjetë përmendet për herë të parë në shek. IX si qendër peshkopale e varur nga Naupakti.
Ajo luajti një rol të rëndësishëm në luftën midis normanëve dhe bizantinëve, duke qenë një bazë ushtarake e këtyre të fundit dhe me shumë gjasë edhe bazë detare. Gjatë sulmit të dytë norman të vitit 1107 oficerë bizantinë nga Vlora gjetën strehim në Himarë. Vetëm në vitin 1492, nën sulltan Bajazitin, turqit arritën ta pushtojnë Himarën dhe të shkatërrojnë muret e saj. Por, edhe pas kësaj kohe, për shkak të kryengritjeve të herëpashershme ajo mundi të ruajë një autonomi të kufizuar gjatë gjithë periudhës së pushtimit turk.
Në Berat muret dhe kullat mesjetare shfaqin teknika të ndryshme ndërtimi, por edhe imitime të periudhave më të hershme, duke e bërë të vështirë datimin e pjesëve të veçanta të kalasë. Megjithatë, mund të vendoset deri në një farë mase një kronologji relative e përafërt. Si të periudhës më të hershme mesjetare, mund të konsiderohen bazamentet e një kulle të vogël gjysmë rrethore në murin rrethues lindor të kalasë, si dhe në kurtinat pranë saj. Midis blloqeve antike të ripërdorura e të lidhura me llaç, janë futur midis fugave vertikale dhe ndonjëherë dhe atyre horizontale copëra të thyera gurësh. Të njëjtën teknikë, por ku në vend të copërave të gurit janë përdorur fragmente tjegullash dhe tullash, e gjejmë në pjesët e poshtme të murit të barbakanit, të ndërtuar para hyrjes kryesore të kalasë.Në qoftë se në këtë rastin e fundit nuk kemi të bëjmë me imitimin e një teknike më të vjetër, të dy rastet do të gjenin paralelen e tyre më të mirë në kishën e Perhondisë, 20km larg Beratit, ku kjo teknikë i përket periudhës më të hershme të ndërtimit të saj dhe datohet në shek.X. Koha më e mundshme e ndërtimit të kësaj faze do të ishte periudha midis viteve 975-998, kur Berati ishte nën pushtetin bizantin.
Këlcyra luajti një rol të rëndësishëm në luftërat normano-bizantine të shek.XI. Perandori bizantin Aleks Komneni, nga vendqëndrimi i tij në Deabolis (Devoll) urdhëroi që të mbylleshin Kleisurat (ngushticat) për të penguar ushtrinë e Boemundit të depërtonte në thellësi të vendit. Rruga më e shkurtër nga bregdeti i Jonit, ku zbarkuan normanët për në Deabolis kalonte nëpër grykën e Këlcyrës, ku ndodhej një fortifikim antik, i cili mund të ishte rindërtuar në atë kohë. Rreth mesit të shek.XII, arabi Al-Idrisi e shënon Këlcyrën në hartën e tij si një vendbanim, pozita strategjike e së cilës ishte vlerësuar shumë kohë më parë, gjë që presupozon një vend të fortifikuar.
Mbi shpatin e pjerrët të malit të Trebeshinës ruhen edhe sot gjurmët e një fortifikimi antik, i cili në pjesën më të lartë të malit kishte dhe një ndarje, e cila shërbente si akropol. Në mesjetë, fortifikimi u zgjerua disi në drejtim të juglindjes, duke ruajtur si hyrje portën antike. Një pjesë e konsiderueshme e fortifikimit, si në periudhën antike ashtu edhe në mesjetë nuk kanë patur nevojë për mbrojtje artificiale, pasi nga veriperëndimi shpatet shkëmbore të malit bien pingul mbi luginën e Vjosës, e cila prej këtej deri në Tepelenë formon një grykë të ngushtë, që në antikitet njihej si ngushtica e Antigonesë. Fortififikimi mesjetar duhet të ketë ekzistuar në kohën e luftrave normano-bizantine të shek. XI ose të paktën para përmendjes së Këlcyrës nga Al-Idrisi në mesin e shek.XII. Në vitin 1319, Mentul Muzaka, një nip i Andeas I, përmendet si kont I Këlcyrës. Kalaja mesjetare pati dhe një fazë të ngutshme rindërtimi, ku janë përdorur për ndërtimin e mureve gurë të palidhur me llaç. Kësaj periudhe i takon një mur 130m i gjatë me një kullë gjysmë rrethore dhe një ndarje e brendshme e fortifikimit. Këto ndërtime të ngutshme lidhen me ngjarjet e viteve 1335-36, kur kalaja u pushtua nga kryengritës arbëreshë të zonave rurale përreth. Fazës së fundit të ndërtimeve mbrojtëse të Këlcyrës i takon një kështjellë trekëndëshe e ngritur në pjesën më të lartë të kodrës.