Fortifikimi
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Fortifikimi

  

Fortifikimi
Muri i anës veriore

Kodra me formë elipsoidale siguron një mbrojtje natyrale mjaft të mirë. Por për shkak të shpateve të pjerrët, mbi 40°, ajo nuk paraqitet e volitshme për banim. Sipërfaqja e rrethuar nga muret mbrojtës është 7,5 ha, çka dhe e rendit qytetin në Çukën e Ajtoit në kategorinë e qyteteve të mesëm.

Në mesin e anës veriore, ku shkrepat e thiktë 20 metërsh këmbehen me pjerrësira shkëmbore 50 gradëshe, muret rrethues mungojnë, gjasisht të zëvendësuar prej ndonjë palisade druri. Muret nisin në skajin verilindor të rrëpirës, ku pasi zbresin për 60 m tërthor izoipseve, me një trakt të drejtë, kthehen për të ndjekur në lindje, jugë dhe perëndim të njëjtën izoips. Kurtinat nuk flankohen prej kullave por prej zikzakeve të murit dhe 7 dhëmbëzimeve dhëmbë-sharre (2,15-3 m) të shpërndarë pa rregullsi të veçantë.

Prej hyrjeve ruhen katër, një në brinjën perëndimore dhe 3 në brinjën e gjatë jugore. Hyrja 1, e tipit tangencial (3,1 x 4,7 m) krijohet nëpërmjet ndërprerjes dhe zhvendosjes së kurtinës. Hyrja 2, e tipit ballor (2 m) ndodhet në brinjën anësore të njerit nga dhëmbëzimet.

Hyrja 3 (1,5 m) përshkon zik-zak kurtinën si në fortifikimin protourban të po kësaj zone në Pepel. Hyrja 4, kryesorja, ndodhet në mes të anës jugore, në mesin e një gjiri 18,5 m të gjatë të krijuar prej dy dhëmbëzimeve të kurtinës. Hyrja, e tipit tangencial, ka planimetri të komplikuar: Korridori i saj, 10,5 m i gjatë ndahet prej një porte në mes në dy pjesë. Pjesa e parë, në rolin e një oborri të fortifikuar, fillimisht 5m e gjerë, ngushtohet më tej në 3 m. Këtë gjerësi vazhdon ta ruajë të pandryshuar edhe pjesa e brendshme e korridorit.

Muret 3,50 m të gjerë ngrihen mbi shkëmb ose mbi një themel 4 metërsh me blloqe të punuar përciptas. Muret përbëhen prej dy faqeve me blloqe të latuar, tërthor të cilave , çdo 3-4 metra, kalojnë mure me gurë të papunuar duke krijuar arkat për emplectonin.

Muri i anës lindore ka një strukturë të ndryshme. Muri 2,70 m i gjerë përbëhet nga faqja e jashtme dhe mbushja në mes të tij e shkëmbit 50° të pjerrët. Në 3 m lartësi mbushja sheshohet për të mbartur mbi vete shtratin e një rruge të mbuluar me kalldrëm të çrregullt. Në skajin e brendshëm të shtratit vijojnë 2-3 rreshta blloqesh që e mbrojnë atë nga depozitimet, ndërsa në anën e jashtme vijon gjoksmbroja. Si e tillë e tërë lartësia e murit të kësaj ane ka qenë rreth 5 metra.

Blloqet e mureve, me forma 4, 5 dhe 6 këndëshe, kanë faqe të mysëta. Disa prej tyre dhëmbëzohen për bashkim më të mirë me njeritjetrin dhe heraherës mes tyre ndërfuten pyka guri. Skajet e hyrjeve dhe dhëmbëzimeve janë pajisur me vija peshimi ndërsa në muret janë përdorur kanalet e peshimit.

Veçori e fortifikimit është ndërthurja e muraturës poligonale me atë trapezoidale të rreshtuar. Ndërsa dhëmbëzimet dhe hyrjet punohen me trapezoidal të rreshtuar, kurtina mes tyre, përjashtuar disa trakte të murit jugor me trapezoidal izodomik (0,52 m), vijon me muraturë poligonale. Si i tillë rrjeti i fugave vende-vende vijon i qetë ndërsa në vende të tjera kalon në një bashkim të komplikuar formash me ndërfutje pykash dhe dhëmbëzimesh.

Në një fazë të dytë, në anën perëndimore fortifikimit i bashkëngjitet një shtojcë (0,65 ha) e cila përfshinë një kompleks ndërtimesh, gjasisht rezidencën e polidinastit. Muri i saj që vijon me linja të përthyera dhe dhëmbëzuara, përforcohet nga 3 kulla kontradiktore në formë. Prej tyre njëra është kullë skaji, e projektuar vetëm ndaj njërës kurtinë, tjetra gjysmë rrethore dhe e fundit rudimentare (7 x 2 m). Stili i mureve ripërsërit atë të fortifikimit kryesor, me ndërthurje të trapezoidalit me poligonalin, por cilësisht ai mbetet inferior ndaj mureve të fortifikimit kryesor.

info@balkancultureheritage.com