Në pjesën e sipërme të shkëmbit ndodhet një fortifikim mesjetar (0,4 ha) në muret e të cilit janë përdorur si spolje një shumicë blloqesh antikë. Në anën veriore dhe lindore ruhen trakte “ in situ” të fortifikimit antik, të cilat tregojnë se fortifikimi kishte planimetri trekëndëshe me sipërfaqe rreth 0,8 ha. Muret e fortifikimit antik e qarkonin shkëmbin nga veriu dhe lindja ku shpatet bien me pjerrësi, ndërsa në anën nga humnera perëndimore mbrojtja i është besuar natyrës.
Në anën veriore (180 m) kurtinat vazhdojnë të dhëmbëzuara (18, 32, 18 m). Pas një kthese kënd gjerë muri vijon në anën lindore ku pas 40 m ruhet fillimi i një kthese a kulle. Hyrja ballore, në trajtë korridori (2,3 x 6 m) ndodhet në anën veriore, e flakuar prej dhëmbëzimit.
Muratura është izodomike, prej blloqesh gëlqerori (rreth 1 x 0,45 m) në formë katërkëndëshe. Blloqet me faqe bashkimi të latuara mirë dhe ballë të mysët janë identikë me ata të Gurit të Qytetit në Përmet.