Qyteti në Triport (Aulona), ndodhet në skajin verior të gjirit të Vlorës, ku një varg i ulët kodrinor që vazhdon prej veriut në jug shtyhet deri në buzë të detit. Në veri të tij gjendet laguna e Nartës, në perëndim dhe jug deti, ndërsa në lindje, ndërmjet tij dhe një vargu kodrinor paralel me të gjendet një truall i sheshtë (rreth 1 x 0, 6 km).
Kodra më jugore e vargut, 85 m e lartë, në perëndim dhe jug rrëzohet thikë në det. Në lindje, ku gjenden burime uji të pijshëm, ajo bie me një shpat 30-35°, të përshtatshëm për ndërtimin e banesave, ndërsa në veri një qafë e bashkon me vargun në vazhdim.