Qyteti antik shtrihet mbi dy tarraca natyrale të kodrës me sipërfaqe rreth 6 ha, të cilat përbëjnë akropolin, dhe në rreth 10 ha të tjera në shpatin që zbret në lindje të saj. Në pjesën më të madhe qyteti i sipërm mbrohej nga shkëmbenjtë e thepisur, por janë gjetur edhe gjurmë të një muri me blloqe katërkëndësh në anën lindore, që korrespondon me shtresën e shek.IV p.e.sonë. Një fortifikim i dytë, që kufizon vetëm majën e kodrës, në një linjë të thjeshtë, pa kulla, në një sipërfaqe 2 ha, është datuar në çerekun e fundit të shek. IV p.e.sonë.