Fortifikimi antik dhe mesjetar shtrihet në pjesën e sipërme të kodrës shkëmbore të Rozafës, 133 m të lartë, shpatet e së cilës bien me pjerrësi të madhe. Fortifikimi i përket kryesisht periudhës mesjetare. Muret e tij i përshtaten rrafshit të kodrës me kthesa dhe dalje duke fituar në plan trajtën e një trekëndëshi 3,7 hektarësh të përforcuar nga 8 kulla. Sipas gjurmëve trajtën planimetrike kështjella e ka fituar që në antikitet. Fragmenti i Livit sipas të cilit “ilirët nën udhëheqjen e Gentit... dolën nga portat në kulla (portamque turres)” tregon se muret rrethues përforcoheshin me kulla të pajisura me porta. Në skajin jugperëndimor të kështjellës dhe në lindje, midis dy portave të hyrjes kryesore, ruhen trakte muresh me blloqe poligonale, pesë deri shtatëkëndëshe.
Fugatura është mjaft e mirë ndërsa balli i mysët, i punuar vrazhdët. Në afërsi të portës së dytë blloqet janë drejtkëndëshe. Tipologjikisht muret datojnë rreth gjysmës së dytë të shek. 4 p.e.sonë. Ndryshimi në teknikën e punimit ka gjasë të dëshmojë praninë e dy duarve ndërtimore. Buzë Drinit, në një mur pendë 300 metërsh të periudhës romake, nën pasqyrën e ujit janë gjetur blloqe të ripërdorura si ato të fortifikimit.