Qyteti në Zgërdhesh paraqet rastin e pastër të qytetit të Shpatit me akropol të trashëguar nga periudha protourbane. Qyteti i mirëfilltë lindi në fund të shek. IV - fillim të shek III p.e.sonë. Në këtë periudhë i tërë shpati 8,20 hektarësh rrethohet me një mur 2.70 m të gjerë. Me lindjen e qytetit fortifikimi protourban nuk braktiset por kthehet në akropolin e qytetit. Muri i fortifikimit protourban nga ana e qafës përforcohet me dy kulla, njëra prej të cilave rrethore.
Në anën e përkundrejtë muri përforcohet nga 3 kulla, dy kuadratike dhe një rrethore. Hyrja krijohet nga kthimi i kurtinës me kënd të drejtë nga njëra anë dhe kthimi me kënd të ngushtë nga ana tjetër. Në këtë mënyrë krijohej një paraoborr trekëndësh i flankuar prej kullës rrethore.
Qyteti i poshtëm i kundërvihet fushës me kurtina 29,5 m të gjata të përforcuara me kulla drejtkëndëshe. Muret vijojnë buzë rënieve shkëmbore deri në qafën lindore. Dy kulla nga jugu dhe një në veri tregojnë se edhe brinjët e thepisura anësore, në vendet e dobëta, përforcoheshin me kulla.
Kullat drejtkëndëshe të akropolit kanë përmasa më të vogla se ato të qytetit të poshtëm (8,5-9,3 x 6,5-7 m ndaj 9,7 x 8,5 - 10,6 m) dhe janë vendosur më shpesh (20 ndaj 29,5 m). Muratura pseudoizodomike me blloqe kuadratike prej guri gëlqeror (0.45- 2.20 x 0.55- 0.65) përbëhet prej dy pareteve me blloqe të latuara të lidhura tërthor me njëra-tjetrën dhe emplectoni paretet mbështeten mbi shkëmbin e rrafshuar, ndërsa në tokë të butë mbi një themel prej blloqesh të punuar përciptas. Për largimin e ujërave të reshjeve muret përshkohen prej kanalesh të tërthorta. Për nga punimi i blloqeve dallohen dy faza: E para me faqe të rrafshëta, tjetra me ballë të mysët, e qarkuar nga një shirit i sheshtë.