Në literaturën historike arkoologjike ekzistojnë pikëpamje të ndryshme për themelimin e qytetit të lashtë të Lezhës, i njohur nga burimet e shkruara antike me emrin Lis (Lissus), prej të cilit rrjedh, në pajtim me ligjet fonetike të shqipes, emri i sotëm i qytetit: Lesh, Lezhë.
Disa studjues si Ljubiç, Bauer, Han. Hekard, Degrand, Majer, Ipen, Flus, Prashniker, Shober, Bomo etj., duke u mbështetur në tekstin e Diodorit të Siqelisë, ku thuhet se Lisin e themeloi Dionisi plak, tirani i Sirakuzës (XV, 13, 14), e quajnë këtë qytet të lashtë si koloni helene, kurse të tjerë si Lucius, Fortis, Kataliniç, Myler, Beloh, Novak etj., duke e vlerësuar në mënyrë kritike dëshminë e sipërpërmendur, kanë shprehur mendimin se fjala Aiotrov ose Amxtt, te Diodori duhet lexuar ’Tcrcrav, ’Ttrtr'r), ose, të paktën, duhet kuptuar qyteti antik Issa në ishullin dalmatin të Visit, të cilin edhe Pseudo Skymni, i mbështetur në autorë shumë më të hershëm dhe të mirëbesuar si Timeu dhe Eratosteni, e përmend si koloni sirakuziane.
Historiografia shqiptare, duke mos u thelluar në këto pikëpamje të kundërta për çështjen e sipërme, ka qëndruar deri tani, pa të drejtë për mendimin tonë, në pozitat e atyre që e quanin Lisin si koloni helene, kurse muret rrethuese të tij si vepër kryekëput dioniziane.
Ne nuk do të merremi këtu me shtjellimin e argumentave të shumtë historikë që provojnë të kundërtën, pasi këtë e ka bërë 30 vjet më parë G. Novaku, në studimin e tij mbi veprimtarinë kolonizuese të Dionisit të Sirakuzës në Adriatik, por do të përpiqemi që nëpërmjet të dhënave të reja arkeologjike, të përfituara nga punimet me karakter zbulimi dhe restaurimi që ndërmori Instituti i monumenteve të kulturës në pika të ndryshme të mureve rrethuese të Lisit, të sjellim prova të tjera, edhe më bindëse, në favor të gjenezës autoktone ilire të këtij qyteti, si edhe të përcaktojmë me saktësi më të madhe, veçoritë konstruktive dhe arkitektonike të sistemit mbrojtës të tij.
Gjatë gërmimeve arkeologjike dyvjeçare (1968--1969), këto janë të para gërmime sistematike që ndërmerren në këtë truall të lashtë me histori shumëshekullore, u bë edhe një përcaktim i hollësishëm topografik i zonës së qytetit antik, duke përfshirë këtu edhe kështjellën e tij mbi majën e Shelbuemit, e cila në burimet e shkruara historlke njihet me emrin Akrolis.
Si rrjedhim i kësaj pune u arrit të fiksohen qartë disa mbeturina muresh rrethuese, të panjohura më parë, të cilat, nga pikëpamja teknike dhe stilistike, ndryshojnë shumë, jo vetëm midis tyre, por edhe nga vetë muret rrethuese, tashmë të njohura të Lisit.
Gjurmët e mureve më primitive, të cilat padyshim, kanë qenë pjesë përbërëse e sistemit fortifikues të një vendbanimi prehistorik ilir, u vunë re në majën e malit të Shelbuemit, ku, siç dihet, Prashniker e Shober fiksuan të parët mbeturinat e Akrolisit antik, ndërsa gjurmët e mureve teknikisht më të përparuara, u diktuan pak më poshtë kështjellës së sotme mesjetare, në anën perëndimore të saj.
Muret e vendbanimit të fortifikuar ilir mbi majën e Shelbuemit, janë ruajtur pjesërisht dhe në një lartësi maksimale deri në 1.50 m. Dy faqet e dukshme të murit janë ndërtuar me gurë të mëdhenj e mesatarë të papunuar dhe të vendosur njëri mbi tjetrin në të thatë (fig. 1), duke krijuar shpesh zbrazëti të mëdha midis tyre. Hapësira në mes të faqeve të murit ka qenë e mbushur me gurë mesatarë e të vegjël. Trashësia e tij arrin në 3.20 m. Në anën juglindore të këtij sistemi mbrojtës, u dalluan edhe gjurmët e një hyrjeje (fig. 2).
Në përshkrimin mjaft të hollësishëm që Prashniker dhe Shober, i bëjnë Akrolisit, nuk i përmendin fare këto lloj muresh, megjithëse në skicë-planimetrinë e tyre, për çudi shënohen madje me të njëjtën ngjyrë, sikurse edhe muret antike të Akrolisit. Kjo na shtyn të mendojmë se arkeologët austriakë, duhet t'i kenë vërejtur këto konstruksione mbrojtëse, por s’kanë mundur t’i dallojnë teknikisht dhe, si rrjedhim, kronologjikisht nga muret e Akrolisit antik. Për ne, këto ndërtime fortifikuese ndryshojnë në çdo pikëpamje, prandaj dhe duhen dalluar në kohë. Tipologjikisht ata kanë ngjashmëri të madhe me ato të qytezave ilire të Marshejt e Gajtanit të rrethit të Shkodrës, të cilët, në mbështetje të të dhënave stratigrafike të përfituara nga gërmimet sistematike në.Gajtan, datohen si të fillimit të epokës së hekurit. Kësaj periudhe afërsisht duhet t’i përkasin edhe muret rrethuese të vendbanimit ilir të Shelbuemit.
Një interes të veçantë paraqesin sidomos mbeturinat e mureve mbrojtëse të një vendbanimi të dytë mbi majën e kodrës së kalasë, të ruajtura në një lartësi maksimale deri në 1.20 m.
Nga sa mund të dallohet, këto mure kanë qenë ndërtuar me gurë të mëdhenj dhe mesatarë të përpunuar përciptas ose fare të papunuar dhe të vendosur njëri mbi tjetrin në të thatë. Bloqet e përpunuara krijojnë vende-vende mundësi për një puthitje normale, sidomos në fugaturat horizontale, ndërsa ato të papunuara, lënë zbrazëti midis tyre nganjëherë të mëdha, të cilat janë mbushur me gurë të vegjël (fig. 3).
Në krahasim me muret rrethuese të vendbanimit të parë mbi majën e Shelbuemit, muret e vendbanimit të dytë, të cilat stilistikisht anojnë nga poligonali i parregullt, shprehin qartë një shkallë më të përparuar përsa i përket teknikës së punimit të gurëve dhe të vendosjes së tyre në muraturë dhe, si rrjedhim, i përkasin një periudhe historike pak a shumë më të vonë. Po t’i krahasojmë këto mure me konstruksionet e fuqishme dhe të ruajtura mjaft mirë të sistemit mbrojtës të Lisit, (TAB. II, 3) do vërejmë se këto qëndrojnë në lidhje të ngushta gjenetike midis tyre, lidhje të cilat shfaqen jo vetëm në ngjashmërinë e madhe teknike, në nxjerrjen dhe coptimin e shkëmbinjëve në blaqe, por edhe në mënyrën pjesërisht të përafërt të punimit të gurëve. Në këto rrethana muret e këtij vendbanimi të dytë ilir, që, si duket, zëvendësoi të parin për arësye të kushteve jo të favorshme topogrofike dhe ekonomike të tij, duhen quajtur si një fazë pararendëse e sistemit fortifikues të qytetit të lashtë të Lisit.
Për datimin e këtyre mureve rrethuese ilire jemi të detyruar hë për hë, në mungesë të të dhënave stratigrafike, t’u drejtohemi veçantive konstruktive dhe stilistike të tyre, të cilat në krahasim me muret e mëvonshme të qytetit, janë më të hershme se të shek. IV para e. sonë. Kësaj periudhe i përkasin edhe ato pak fragmente keramike lokale të gjetura rastësisht pranë këtyre mureve ose gjatë gërmimeve të rregullta si ele-mente sporadike në shtresat e përzjera të periudhës helenistiko-romake, fragmente të cilat, nga pikëpamja teknike dhe tipologjike, riprodhojnë të giitha veçoritë e poçerisë prehistorike ilire.
Në qoftë se për dy qendrat e sipërme të fortifikuara ilire kumtohet për të parën herë në këtë punim, ndryshe qëndron çështja me muret e sistemit mbrojtës të Lisit antik, të përmendura që në shek. XV nga Qiriaku i Ankonës. Siç dihet muret rrethuese të këtij qyteti, për një kohë të gjatë ja tërhoqën vëmendjen studjuesve të huaj dhe në mënyrë të veçantë Prashnikerit e Shoberit, të cilët të parët u morën edhe me përshkrimin e hollësishëm dhe studimin e gjithanshëm të tyre. Por gjatë vlerësimit arkeologjik të pjesshëm apo të përgjithshëm të këtij monumenti, studjues të ndryshëm shfaqën edhe mendime të ndryshme sidomos për çështje të karakterit konstruktivo-stilistik dhe kronologjik të mureve, të cilët, duke i shikuar sot në dritën e vëzhgimeve të reja arkeologjike dhe të përfundimeve të gërmimeve sistematike, diktojnë nevojën jo aq për korrigjime të rastit, se sa për një rishikim dhe vlerësim të gjithmbarshëm të tyre.
Planimetria e Lisit, e hartuar nga Prashnikeri e Shoberi, mendojmë se në vija të përgjithshme dhe sidomos përsa i përket drejtimit të mureve perimetrale dhe murit të brendshëm, që ndan pjesën e sipërme të qytetit nga ajo e poshtmja, i afrohet mjaft gjendjes së vërtetë. Nëpërmjet plotësimeve deri diku të pranueshme, arkeologët austriakë kanë arritur ta mbyllin rrethin e mureve mbrojtëse duke i zbritur ato që nga maja e kodrës, e deri në breg të lumit Drin. Ajo që na duket pak e shpejtuar në plotësimin e kësaj planimetrie, është vendosja e kullave në të shumicën e rasteve me hamendje, veçanërisht në dy krahët anësorë të mureve, shumë pak të ruajtur, që zbresin tatë-pjetë kodrës në drejtim të lumit. Këtë e kanë arritur duke u mbështetur, siç e pohojnë edhe vetë hartuesit e saj, në disa kritere (sipas mendimit tonë jo gjithmonë të drejta) siç janë, grumbujt e gurëve të rrëzuar apo thyerja e drejtimit të murit. Ka edhe pasaktësi të tilla në fiksimin e këtyre komponenteve arkitektonike të sistemit mbrojtës të qytetit, të cilat kanë ardhur si rrjedhim i vrojtimeve nganjëherë të sipërfaqshme dhe të shpejta, pasi nuk ka se si shpjegohet fakti që kthesa e shkallëzuar e murit verior si edhe hyrja në afërsi të saj të merren për kulla. aq më tepër kur kemi parasysh se kjo planimetri u hartua gjysmë shekulli më parë, kur muret ishin në një gjendje më të mirë konservimi se sa sot.
Muret rrethues të qytetit kanë qenë ndërtuar me gurë gëlqerorë të nxjerrë nga shtresat shkëmbore të vetë kodrës. Ata janë shkëputur nga shkëmbinjtë masivë dhe janë coptuar në bloqe me anën e pykave metalike, siç e tregojnë vetë gjurmët e këtij instrumenti te lëna mbi gurë (fig. 5). Muret qëndrojnë mbi themele të sajuar, zakonisht prej një radhë blloqesh jo shumë të trasha, por me faqen mbështetëse të tyre pak a shumë të gjerë për t’i krijuar një bazament sa më të përshtatshëm murit qe ngrihet mbi të. Në vende jo të sheshta, gurët e themelit shpesh herë janë të shkallëzuar dhe largësitë e këtij shkallëzimi i shohim të ndryshojnë në funksion të pjesërishëm ku më shumë e ku më pak të theksuar të terrenit. Në disa raste si themel është shfrytëzuar edhe shkëmbi i gjallë, faqja mbështetëse e të cilit thellohej si fale drejtkëndëshe qëllimisht për të ndaluar rrëshqitjen e mundëshme të muraturës. Dy faqet e murit, e brendshmja dhe e jashtmja, janë ndërtuar me blloqe të mëdha, të daltuar anash në një sipërfaqe të kufizuar sa për të lejuar një mbështetje dhe puthitje të mirë midis tyre në fugaturat horizontale dhe vertikale. Balli i dukshëm i bloqeve, përkundrazi, me anë të një punimi me çekiç është lënë i gufmuar (konveks) (Fig. 9).
Zbrazëtia brenda dy faqeve të murit ka qenë e mbushur me gurë të përmasave të ndryshme dhe veçanërisht me çakëll të trashë, të përfituar nga thyerja e gurit gjatë procesit të gdhendjes së tij (fig. 6). Këto mure, në gjerësinë e tyre dhe në largësi të ndryshme, përforcoheshin me anë muraturash të tërthorta prej gurësh, herë të punuar, herë të papunuar, që lidheshin konstruktivisht me faqet anësore (fig. 7).
Një nga veçoritë tekniko-stilistike që bie më shumë në sy në këtë sistem muresh fortifikimi, është, padyshim edhe gdhendja e thellë në formë kornize (fig. 8) e gurëve të qosheve, në këndet e kullave, të hyrjeve dhe të vetë kthesave të shkallëzuara të murit, tipar ky karakteristik edhe për shumë fortifikime të tjera të krahinave iliro-epirote, të cilin tani vonë, shkencëtari anglez N.G.L. Hamond, shpejtoi ta caktojë edhe në kohë, duke e lidhur me periudhën e fundit të sundimit të Pirros.
Muret perimetrale të qytetit me një gjatësi lineare prej më se 2.000 m. kanë një trashësi që lëvizë nga 3.20 në 3.50 m.
Stili i mureve rrethuese është trapezoidal i parregullt pseudoizodomik (fig. 9) dhe poligonal (fig. 10). por shpeshherë ndodh që të dy këto stile t’i gjejmë të mbërthyer në të njejtën pjesë muri ose të gërshetuar midis tyre në një mënyrë të tillë, sa që është vështirë të dallohet se ku fillon njeri e ku mbaron tjetri.
Prashniker dhe Shober me të drejtë i patën quajtur këto konstruksione, pavarësisht nga karakteri i tyre i ndryshëm stilistik, si të një faze të vetme ndërtimi, por nuk na duken bindës, atëherë, kur ata përpiqen ta shpjegojnë këtë fenomen me natyrën, herë të pjerrët, herë të sheshtë të terrenit, mbi të cilin këto mure ngriheshin. Bashkekzistenca e këtyre dy stileve në sistemin fortifikues të Lisit, mendojmë se duhet shpjeguar, jo aq me relievin e terrenit, se sa me formacionin shkëmbor-masiv të vendit, prej të cilit janë nxjerrë gurët dhe me nevojën e një shfrytëzimi maksimal të bloqeve me vëllimet dhe format e nxjerra prej gurores.
Ndryshe nga arkeologët austriakë, Bomo, i cili kohët e fundit u muar me shqyrtimin e kronologjisë së disa fortifikimeve iliro-epirote, dalloi në sistemin mbrojtës të Lisit jo një, por dy faza ndërtimi. Fazën e parë të përfaqësuar sipas mendimit të tij, nga stili poligonal, pa rreshta, ai e lidh me qënjen e një vendbanimi të fortifikuar para shek. IV para erës sonë, kurse fazën e dytë të përfaqësuar nga stili poligonal këndrejtë me rreshta i përafërt me trapezoidalin e parregullt si vepër dioniziane. Provat që ai sjell në favor të këtij periodizimi të mureve rrethues të Lisit, për mendimin tonë, nuk kanë asnjë mbështetje dhe as që nuk e vlen për t'ja nënshtruar ndonjë diskutimi të veçantë. U tha edhe më lart dhe kjo në bazë të vëzhgimeve tona të vazhdueshme dhe të zbulimeve të reja arkeologjike, se këto dy stile janë aq mjeshtërisht të ndërthurura midis tyre, sa që nuk lënë as më të voglin dyshim për karakterin bashkëkohës të përdorimit të tyre.
Ndryshe nga muret e njëkohshme perimetrale të qytetit, muri i brendshëm ndarës paraqet një teknikë tjetër ndërtimi, me veçori dalluese konstruksioni dhe punimi guri. Ky mur, trashësia e të cilit arrin në 1.70 m., në mbushje të brendshme përmban gurë të vegjël dhe nga njëherë fragmento keramike të shek. ll-l p.e. sonë. Bloqet e gurëve në përgjithësi janë punuar në forma afërsisht trapezoidale, sikurse edhe ato të mureve rrethuese, por me një ndryshim, se faqet e dukshme të tyre nuk janë më të gufmuara, por të gdhendura rrafsh. Shpesh ato janë pajisur me vija të thelluara paralele në drejtime të ndryshme, të cilat i kanë shërbyer për lehtësimin e procesit të datimit të gurit, por që më vonë janë lënë, siç duket, edhe për efekte dekorative. Këto veçori teknike o dallojnë mirë këtë mur të brendshëm, të ngritur nga themelet, si një fazë të dytë ndërtimi në kuadrin e sistemit mbrojtës të qytetit. Kjo bëhet edhe më e qartë kur kemi parasysh, se copa të vogla muri me një teknikë të ngjashme punim guri, janë gjetur edhe mbi mbeturinat e mureve perimetrale (fig. 12), si dëshmitarë të një ripërtëritjeje të tyre në një periudhë më të vonë, kur ato ishin dëmtuar rëndë nga koha.
Në sistemin e fortifikimit të Lisit antik, në mënyrë të veçantë të tërheqin vëmendjen hyrjet e shumta, me anë të të cilave qyteti komunikonte me territorin e jashtëm ose midis rajoneve të brendshme të tij. Në vetëvete, ato përfaqësojnë elementet më të rëndësishme dhe njëkohësisht më interesante nga pikëpamja arkitektonike. Deri më sot ne kemi arritur të fiksojmë 10 hyrje dhe të gjitha këto në rrethimin e rajonit të lartë të qytetit. Nga këto 8 janë të jashtme dhe dy të brendshme. Janë zbuluar vetëm 6, prej të cilave 5 janë restauruar deri në masën e lejuar nga materiali i gjetur në vend (fig. 13).
Hyrjet e zbuluara nga pikëpamja tipologjike dhe e konstruksionit, në vija të përgjithshme, kanë ngjashmëri të madhe midis tyre. Kryesisht ato paroqesin tipet më të thjeshta të hyrjeve të njohura nga fortifikimet iliro-epirote. Një korridor apo udhëkalimi e gjatë, e formuar nga ndërprerja e murit rrethues ose nga thyerja e drejtimit të tij prej nga kanë rrjedhur edhe ato pak ndryshime të vogla që mund të vërehen në konfiguracionin planimetrik të tyre (fig, 13). Përmasat e portave janë të ndryshme: më e vogla 1.60 m. e gjerë te hyrja, me udhëkalimi 3.20 m. të gjatë; ndërsa më e madhja ka një gjerësi prej 4.10 te hyrja dhe një gjatësi korridori prej 9.60 m. Për lehtësi orientimi hyrjet i kemi emërtuar si më poshtë: 1) Porta e Gaviarit (FAB. I, 1) në qoshen juglindore të sistemit mbrojtës të qytetit; 2) Porta e vogël (TAB. I, 3) në murin perëndimor; 3) Porta jugperëndimore (TAB, I, 2); 4) Porta e burimit (TAB. II, 1) në anën veriore; 5) Porta e madhe (TAB. III, 2) në murin verilindor dhe 6) Porta e brendshme (TAB. III, 1) në murin ndarës të qytetit. Me përjashtim të portës jugperëndimore, në të gjitha hyrjet e tjera të zbuluara, dyert kanë qenë të vendosura brënda korridorit. Pragjet e tyre janë të sajuara nga tre bloqe gurësh të vendosur nga të dy anët ngjitur me faqet anësore të korridorit, mbi të cilët fiksoheshin kasat dhe kanatat e drunjta të dyerve, dhe i treti, më i vogli është vendosur në mes, i ngulur vertikalisht për të formuar mbështetsen e kanatave gjatë mbylljes së tyre (TAB. II, 2). Zakonisht hapësira midis këtyre bloqeve fiksuese dhe mbështetëse, është e mbyllur me një ose dy rreshta të shkallëzuar gurësh.
Në qoftë se ne sot njohim shumë mirë pragjet e këtyre portave dhe përafërsisht mënyrën e ndërtimit të dyerve të drunjëta, deri në mekanizmat lëvizëse metalike të tyre (fig. 14), nuk dimë ende se çfarë zgjidhje konstruktive dhe formë arkitektonike mund t’i kenë dhënë ndërtuesit mbulesës së këtyre hyrjeve, pasi gjatë gërmimeve nuk u gjet asnjë element që të na ndihmonte në këtë drejtim.
Portat kanë qenë të mbrojtura me nga një kullë anësore, e cila, me sa duket, për arësye taktike vendosej në të djathtë të hyrjes; bën përjashtim vetëm kulla e portës së brendshme. Porta e madhe, si më e rëndësishmja që mund të ketë qenë, ishte e mbrojtur me dy kulla anësore. Shtojmë se kullat, në këtë sistem fortifikimi, përforconin jo vetëm hyrjet, por edhe muret rrethuese, në pjesët e tyre më të ekspozuara suimeve të armikut. Këto u jepnin mundësi mbrojtësvc nga një-ra anë, për të kontrolluar një zonë sa më të madhe shikimi dhe, nga ana tjetër për t’i drejtuar shtizat e tyre në pjesët e pambrojtura të trupit të kundërshtarit që përpiqej të çante rrugën përmes portave të qytetit.
Me përjashtim të njerës kullë që është gjysmërrethore, që të gjitha të tjerat janë katërkëndëshe. Ndryshojnë vetëm në përmasa dhe në daljen e tyre jo të barabartë nga faqet e mureve. Ngjitja në këto kulla të larta bëhej me anë të shkallëve të gurta të ndërtuara në anën e brendshme të tyre (fig. 15).
Paraqitja e këtyre veçorive konstruktive arkitektonike dhe stilistike të sistemit rrethues të Lisit, që posa i analizuam shkurtimisht në këtë punim, nuk do të ishte e plotë, po të mos shtrohej edhe çështja e kohës së ndërtimit të këtij rrethimi, aq më tepër kur dihet se për datimin e tij janë shprehur mendime të ndryshme. Kështu p.sh. disa studjues të cilët e quajtën Lisin krijesë të veprimtarisë kolonizuese të Dionisit të Sirakuzës në Adriatik, caktuan si kohë të ngritjes së mureve rrethuese të tij fillimin e shek. IV para e. sonë). Prashniker e Shaber madje i morën këto mure si një burim të sigurtë datimi edhe për konstruksionet e tjera fortifikuese të ngjashme tipologjikisht me ato të Lisit, kurse Bomo në këtë drejtim shkoi edhe më larg, duke i vlerësuar këto si një bazë kryesore për vendosjen e një kronologjie absolute të mureve iliro-epirote.
Përkundrazi Novaku dhe tani së fundi Garashanin, të cilët në kundërshtim me të parët e çmuan Lisin si një qytet thjesht ilir, duke u nisur nga burime të tërthorta historike dhe krahasime tipologjike, i datuan këto mure, i pari në fundin e shek IV ose në fillimin e shek. III para e. sonë, ndërsa i dyti si të kohës së sundimit të Agronit.
Duke lënë më një anë burimet historike të dyshimta për çështjen që na intereson, si edhe ngja-shmëritë tipologjike për të cilat jemi të bindur se jo gjithmo.në të shpien në përfundime lë sakta kronolo-gjike, ne jemi mbështetur për datimin e themclimit të qytetit, rrjedhimisht dhe të murevc rrelhuese të tij, kryesisht në përfundimet e gërmimeve të këtyre dy vjetëve të fundit.
Duhet thënë që në fillim se, gjatë zbulimit të portave ku ne përqëndruam gërmimet tona, nuk hasëm në asnjë vend depozitime të rregullta kulturale dhe ky fenomen ka shpjegimin e vet. Portat, siç e treguan edhe gërmimet, funksionuan për një periudhë shumë të gjatë deri në kohën e vonë antike apo mesjetare, kohë në të cilën ato qenë mbyllur. Në këto rrethana mbushja e tyre u bë vonë dhe pak a shumë e shpejtë me dyndjen e dherave nga lart, të përziera edhe me hedhurina të ndryshme. Rëndësi ka të shënohet fakti se në këto depozitime të parregullta kulturale, të përfaqësuaro nga fragmente të shumta keramike dhe melalike me karakter, destinacion dhe moshë të ndryshme, si edhe nga mjaft monedha helenistike, romake dhe bizantine etj., materialet më të hershme nuk shtyhen kurrë përtej fundit të shek. IV dhe fillimit të shek. III para e. sonë. Kësaj kohe i përkasin edhe fragmentet e keramikës, të datuara mirë, të tipit apul.
Datimit të këtyre mureve rrethuese të qytetit, i shërbyen edhe dy gërmime të vogla kontrolli që u bënë, njëri në majën e kodrës së kalasë dhe tjetri, në afërsi të bregut të Drinit. Edhe në këto dy pika sondazhi (kësaj rradhe me stratifikim deri diku të rregullt kulturash: mesjetare dhe romake me përzierje objektesh helenistike në kala, dhe romako-helenistike buzë Drinit), elementet më të hershme i përkasin gjithashtu fillimit të shek. III ose fundit të shek. IV para e. sonë. Janë pikërisht këto të dhëna arkeologjike stratigrafike të përfituara nga gërmimet e deritanishme që na shtyjnë të mendojmë se, fundi i shek. IV para e. sonë duhet lë shënojë kohën e themelimit të qytetit dhe të ngritjes së mureve mbrojtëse të tij.
Kjo është gjithashtu edhe periudha e formimit të një numri qytetesh të tjera të fortifikuara ilire, jo shumë larg Lisit, si e kanë treguar gërmimet arkeologjike që u zhvilluan në këto vjetët e fundit, në Zgërdhesh të Krujës dhe në Xibër të Matit. Megjithë se ende në fillim, ato na kanë dhënë materiale të shumta që e lidhin qartë këtë trekëndësh qëndrash ilire jo vetëm nga pikëpamja kronologjike, por edhe ekonomiko-kulturore. Ajo që na çudit në këtë mes, është vetëm ndryshimi stilistik midis mureve rrethuese të tyre. Sidoqoftë ky është një problem që nuk përfshihet në sferën e temës sonë dhe që kërkon një studim të veçantë.
Në dritën e këtyre të dhënave të reja kronologjike, natyrisht nuk mund të qëndrojë më datimi tradicional i themelimit të Lisit në vitin 390 ose 385 para e. sonë dhe aq më pak teza që e lidh themelimin e tij me veprimtarinë kolonizuese të Dionisit plak të Sirakuzës.
Në përforcim të këtij mendimi, do të ishte me interes, të përmendet edhe fakti se, të paktën deri tani, në asnjë vend të zonës së qytetit antik nuk është gjetur, qoftë edhe rastësisht, ndonjë mbishkrim greqisht apo monedhë para helenistike, që të tregojë tërthorazi për qenjen e Lisit koloni helene; asnjë fragment arkitekture dhe keramike të prodhimit klasik të shek IV para e. sonë që të flasë për zhvillimin e veprimtarisë qytetare në këtë kohë. Të gjitha këto, për mendimin tonë, dëshmojnë për fillimin e jetës qytetare në Lis jo përpara fundit të shek. IV para e. sonë. Natyrisht ky qytet nuk u ngrit në një vend të zbrazët, por, si e pamë edhe më lart, të banuar që më përpara nga popullsia ilire, e cila mbrohej nga qendra e saj e fortifikuar mbi majën e kodrës së kalasë. Ishte si duket, ky vendbanim i fortifikuar ilir, i cili, në procesin e zhvillimit të pandërprerë ekonomiko-shoqëror, u transformua në një qendër të madhe me ekonomi e kulturë qytetare ilire, të mbrojtur nga një sistem tjetër i ri fortifikimi, më i ndërlikuor dhe më i fuqishëm se ai i banimit pararendës, me një konstruksion të përsosur për atë kohë dhe me një stil ndërtimi karakteristik për shumë qendra të fortifikuara të arealit iliro-epirot të epokës helenistike ndoshta dhe protohelenistike. Këto mure të sistemit mbrojtës të qytetit, sa të bukura aq edhe ma-dhështore, janë padyshim, vepër e mjeshtërve vendas ilirë, të cilët i ndërtuan sipas stilit të kohës, por duke pasë si bazë përvojën e tyre shumëshekullore dhe nuk janë vepër e konstruktorëve helenë, siç e quajtën pa të drejtë Prashnikeri e Shoberi.
Për datimin e mureve të periudhës së dytë të ndërtimit, në sistemin e fortifikimit të Lisit, ne jemi mbështetur në fragmentet e qeramikës së shek. ll-I p.e. sonë të zbuluara në mbushjen e murit të brëndëshëm, si edhe në dy mbishkrime latine të zbuluara në vitin 1968 ku bëhet fjalë për ripërtëritjen e mureve, të një kulle dhe të një porte, me vendim të këshillit të qytetit dhe nën përkujdesjen e magistratëve ekzekutivë të tij, Gaviarit dhe Meges. Mbishkrimet i përkasin mesit të shek. I para e. sonë. Për një riforcim të tillë të sistemit mbrojtës të qytetit, flet edhe vetë tradita e shkruar historike. Jul Cezari nën vartësinë e të cilit gjendej në atë kohë Lisi, në veprën e tij «Mbi luftat civile», shkruante se: «këshilli i qytetarëve romakë që kishte në dorë Lisin, qytet të cilin ua kishte besuar më parë Cezari, . . . ishte përkujdesë ta fortifikonte. ..» (B. Civ. III, 29, 1). Pra si shihet, këtu kemi të bëjmë me një përputhje të përsosur të burimeve historike me ato epigrafike, për çështjen e kohës së përforcimit të mureve rrethuese të qytetit, që do të ishte mesi i shek. I para e. sonë
Meqë ra rasti duhet thënë se mbishkrimet e sipër-përmendura, të murosura, dikur në pika të ndryshme të sistemit fortifikues të Lisit, për të përkujtuar magistratët që u përkujdesën për riforcimin e tij dhe bashkësinë qytetare, me shpenzimet e së cilës u kryen punimet, nuk janë të parat që zbulohen në truallin e këtij qyteti të lashtë. Që në vitin 1436, Qiriaku i Ankonës pat parë dhe lexuar mbi mur një epigram të tillë të ngjashëm për nga përmbajtja që u datua si i periudhës së hershme perandorake dhe që u shërbeu studjuesve si dokument për të provuar një rindërtim të dytë të mureve rrethuese pas atij të shek. I p.e. sonë.
Mirëpo në dritën e mbishkrimeve të reja, ne kemi bindjen se ky epigram, sot i zhdukur i Qiriakut, i cili mund të ketë qenë i murosur te porta e burimit, ku ne diktuam gjurmët e një «tabula ansata» me tekst fare të fshirë, është lexuar gabim në rreshtin e parë dhe datuar gjithashtu gabim. Kështu fjala ARNN që vjen fillë mbas emrit gjentilik GAVI dhe të cilin Momzen e quajti, si një patronim apo emër tribuje të plotësuar më vonë me pikëpyetje ARNNENSIS, sipas mendimit tonë duhet lexuar ARIUS, duke e quajtur këtë si mbaresë të emrit gjentilik të GAVI-ARIUS. Kështu në rreshtin e parë, në vend të LUCI GAVI/ARNN AUGUR, do të kemi LUCIUS GAVIARIUS AUGUR. .. që do të ishte në rastin tonë po ai Gaviarius augur, për të cilin bëjnë fjalë mbishkrimet tona të shek. I p.e. sonë. Me këtë korrigjim leximi dhe datimi, privohet nga baza dokumentare mendimi i Prashnikerit e i Shoberit për një rindërtim të dytë të Lisit në periudhën e hershme perandorake. Natyrisht riforcime në sistemin e fortifikimit të qytetit ka pasur edhe më vonë, por jo në periudhën e hershme perandorake. Shumë-shumë, ato mund të lidhen me periudhën e vonë antike. Janë riforcime të pjesshme që dallojnë nga ato të parat, për karakterin e tyre të shpejtë dhe shkel e shko duke vendosur në një mënyrë të parregullt njeri mbi tjetrin bloqet e rrëzuara dhe duke reduktuar trashësinë e murit fillestar perimetral nga 3.20 m. që ishte në 2 m.
Si përfundim, përsa u tha më sipër, dalin këto:
1). Lisi nuk ka qenë asnjëherë koloni sirakuziane, por, përkundrazi, një qytet i madh dhe i fuqishëm ilir buzë Adriatikut. Fjala Lis në tekstin e Diodorit të Siqelisë, duhet lexuar ose, të paktën duhet nënkuptuar Issa. Këtë mendim e kanë shprehur shumë studjonjës duke u nisur që nga gjysma e dytë e shek. XVII. Kështu jo Lisi, por Issa ka qenë themeluar në fillim të shek. IV para e. sonë nga Dionisi i parë i Sirakuzës.
2). Si qendër urbane Lisi u formua nga fundi i shek. IV para e. sonë. Pasi shpërtheu kufitë e ngushtë të vendbanimit pararendës me një ekonomi e kulturë paraqytetare, qyteti zgjerohet tatëpjetë shpatit të kodrës së kalasë, deri në breg të lumit Drin dhe rrethohet me një sistem të fuqishëm fortifikimi, ku bashkekzistojnë në një thurje mjeshtërore dhe harmonike, të dy stilet e njohur të kohës: trapezoidali i parregullt dhe poligonali.
3). Në periudhën e hershme të pushtimit romak, muret e rrethimit të qytetit kishin pësuar dëmtime të rënda, fuqia mbrojtëse e tyre ishte dobësuar. Ndërkaq Lisi rrezikohej me sa duket nga lëvizja kryengritëse e pirustëve. Ishin ndoshta këto rrethana pasigurie që e detyruan këshillin e dekurionëve të qytetit për të marrë masa urgjente për riforcimin e sistemit mbrojtës të tij.
4). Dy venabanimet e fortifikuara ilire mbi malin e Shelbuemit dhe mbi kodrën e kalasë, paraqesin dy faza suksesive pararendëse, në procesin e ngadalshëm, por të pandërprerë të formimit të qytetit antik. Kjo ecuri shkallëzore në rrugën e formimit të kësaj qendre të rëndësishme ekonomike dhe politike ilire, ndiqet jo vetëm në zgjerimin progresiv të sipërfaqes së banimeve të përshkruara, por edhe në përmirësimin gjithmonë e më të madh të teknikës së ndërtimit të mureve rrethuese të tyre, i arritur si rrjedhim i zhvillimit në vijë rritese të forcave prodhuese të ilirëve të kësaj krahine bregdetare.
Zhvillimi progresiv tekniko-stilistik i mureve të ndryshme në zonën e qytetit antik të Lisit, gjatë mijëvjeçarit të fundit para erës sonë, mund të paraqitet në mënyrë të përmbledhur në këtë stratifikim kronologjik relativ:
LIS I - Muret rrethuese mbi majën e Shelbuemit (fig. 1).
LIS II - Muret rrethuese mbi kodrën e kalasë (fig. 3).
LIS llla - Muret rrethuese të qytetit të Lisit (Tab. II, 3)
LIS lllb - Muret e periudhës së rindërtimit të Lisit (fig. 11, 12).
Së fundi, shprehim bindjen se gërmimet dhe punimet restauruese në vitet e ardhshme, do të hedhin më shumë dritë si mbi problemet e trajtuara, shkurlimisht në këtë punim. ashtu edhe mbi çështjet e tjera shumë të rëndësishme por që nuk u trajtuan këtu të karakterit ekonomik e kulturor të Lisit, të kësaj qendre të madhe prodhimi zejtaro-agrar me një tregëti e kulturë të zhvilluar qytetare, të kësaj qendre politiko-administrative, e cila, për shkak të pozicionit të saj gjeografik, luajti një rol të rëndësishëm në ngjarjet historike të shekujve të fundit të mbretërisë ilire.