Gadishulli Apenin në lashtësi
Qyteti antik
~Foustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Roma Mbretërore
~Shaban Dervishi
Republika e hershme
~Shaban Dervishi
Zgjerimet e para të Romës (753 – 350 para Jezu Krishtit)
~Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Arkeologjisë
V
XV
XX
Shqipëria Arkeologjike
~Muzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit

Gadishulli Apenin në lashtësi

~Shaban Dervishi
Kultura e epokave parahistorike Popujt dhe fiset e Italisë Etruskët Ekonomia Shteti dhe administrimi Kultura shpirtërore

Gjatë kohërave dijetarët antikë kanë nxjerrë qartë në pah veçoritë e mjedisit gjeografik të Gadishullit Apenin, i cili, nga shek. III p.e.s. njihet në histori me emrin Itali.

Kështu, Straboni, në veprën e tij të njohur “Gjeografia”, ndër të tjera, thekson: “Italia i shëmbëllen një ishulli të rrethuar nga dete, me përjashtim të një pjese të vogël, e cila, nga ana e vet, rrethohet me male gati të pakalueshme” dhe e ka fjalën për harkun e Alpeve të Europës, i cili e ndan Italinë nga pjesa tjetër e kontinentit.

Të katër detet: Adriatik, Jon, Tirren e Ligur, që lagin brigjet e Italisë, e rrethojnë atë nga të tri anët.

Kufijtë tokësorë të gadishullit, jo më shumë se 650 km, përbëjnë më pak se 1/10 e kufijve detarë prej 6700 kilometrash. Sikurse në Greqi, mbizotërimi i padiskutueshëm i kufijve detarë ndaj tokës përbën ende veçorinë kryesore të mjedisit gjeografik të Italisë. Kjo veçori ndikoi për mirë në rrjedhat e jetës së banorëve të gadishullit, si në epokat parahistorike, po ashtu dhe në epokat historike.

Që në lashtësinë e thellë të gadishullit, deti, si një nga elementet- bazë e më të rëndësishme të mjedisit, kishte përparësi. Ai nuk përbënte vetëm një pengesë natyrore për pushtimet e huaja, por edhe një rezervat të pashtershëm për ushqimin e banorëve të lashtë me peshq, molusqe etj.

Mbi të gjitha, shërbente si një “urë universale” komunikimi: mundësonte qarkullimin e njerëzve, të mallrave dhe të kulturave në shkallë rajonale e ndërkombëtare. Konkretisht, nëpërmjet detit, banorët parahistorikë, si dhe ata historikë të Gadishullit Apenin, jepnin e mermin me fqinjët e tyre helenë, ilirë, me popujt e tjerë detarë të Mesdheut dhe më gjerë.

Mbi të gjitha, shërbente si një “urë universale” komunikimi: mundësonte qarkullimin e njerëzve, të mallrave dhe të kulturave në shkallë rajonale e ndërkombëtare. Konkretisht, nëpërmjet detit, banorët parahistorikë, si dhe ata historikë të Gadishullit Apenin, jepnin e mermin me fqinjët e tyre helenë, ilirë, me popujt e tjerë detarë të Mesdheut dhe më gjerë.

Kjo shpjegon dhe faktin pse latinët e vjetër ishin të parët në Europë, pas grekëve, të cilët u shkëputën qysh herët nga shoqëria primitive dhe u ngritën në majat më të larta të qytetërimit botëror.

Gadishulli Apenin, në lashtësi, nuk dallohej vetëm për hapësirën e gjerë detare dhe rolin e saj përcaktues në zhvillimin e tij, por shquhej edhe për klimën mjaft të përshtatshme që kishte. Nga veriu në jug, Gadishulli Italik shtrihej midis dy ekstremeve klimaterike: klimës së ftohtë dhe asaj të ngrohtë. Straboni, në veprën e tij të lartpërmendur, duke folur për klimën, e vlerëson Gadishullin Apenin si një prej pjesëve më të privilegjuara të Europës.

Me fjalë të tjera, parametrat e klimës dhe roli i saj në jetën social-ekonomike të popujve që banonin aty, qenë të tilla që e nxisnin më tej procesin dialektik të zhvillimit historik të Italisë. Kjo përbën edhe veçorinë e dytë thelbësore të mjedisit gjeografik të Italisë.

Me klimën dhe komponentët përbërës të mjedisit ishin të lidhura ngushtë bota shumë e pasur bimore e shtazore e Italisë. Mbitoka e saj përmbante të gjitha llojet e specieve të florës e faunës së zonës mesdhetare në jug dhe ato të Europës kontinentale në veri. Këto pasuri të mëdha favorizonin zhvillimin e fuqishëm të blegtorisë.

Popullsia e lashtë, qysh herët ushqehej me mishin dhe qumështin e dhenve, dhive, gjedhëve e derrave dhe dinte të përdorte si mjete transporti demat, mushkat etj. Në Italinë e asaj kohe kishte edhe kuaj, të cilësisë së mirë, por duke qenë të pakët, ata përdoreshin kryesisht (si në Greqinë e Vjetër) për qëllime ushtarake. “Banorë” të përjetshëm të pyjeve të dendura të Italisë ishin kafshët e egra (arinjtë, ujqit, çakejtë, dhelprat, shpendët grabitqarë dhe zogjtë shtegtarë), që u jepnin jetë pyjeve dhe ruanin ekuilibrin ekologjik të natyrës.

Klima e ngrohtë në pjesën jugore të vendit ndikonte më shumë në mënyrën e jetesës së banorëve të lashtë si: në veshje, ushqime, ndërtime etj. Format e shumëllojshme të jetës private dhe publike, të cilat ngjasonin me ato të grekëve, buronin nga kushte klimaterike, pothuajse të njëjta.

Pjesë përbërëse e mjedisit gjeografik të Italisë qenë dhe malet. Në veri shtrihet harku i Alpeve të Europës, me lartësi rreth 5000 m. Ato njihen si malet më të larta të kontinentit. Kalimi i tyre në lashtësi qe tepër i vështirë dhe i rrezikshëm. Në vazhdim të Alpeve, vargmalet Apenine e përshkojnë tërë gadishullin në drejtimin veri-jug, në një gjatësi prej 1600 km, lartësia e tyre mesatare nuk i kalon 1200 m.

Me përjashtim të krahinës malore të Samnit, kalimi i tyre nuk paraqiste probleme. Vargmalet Apenine dhe degëzimet e tyre nuk e ndanin Italinë në kantone natyrore të izoluara, siç e copëtonin Greqinë, Pindi, Pamasi dhe malet e saj të tjera.

Arteriet ujore të Italisë ishin më të shumta në numër, më të gjata dhe me ndikim më pozitiv, në krahasim me ato të Greqisë. Për shembull, Eridani në veri, Tiben në qendër dhe Aufidi në jug ishin lumenj të lundrueshëm, ndërkohë që në Greqi nuk kishte asnjë të tillë.

Lumenjtë e Gadishullit Apenin nuk kishin vetëm anë pozitive, por edhe negative. Shpesh ujërat e tyre dilnin nga shtrati dhe shkaktonin dëme. Disa madje formonin këneta, ku malaria bënte kërdinë, siç ishin moçalet e lumit Amo, ato në afërsi të bregdetit të Lacios që ishin shndërruar në burim sëmundjesh dhe vatra epidemish të rrezikshme. Lumenjtë ndikonin në formimin e relievit fushbr të Italisë, duke i dhënë vendit një karakter të theksuar bujqësor.

Edhe sot kjo përbën një nga veçoritë më të spikatura të mjedisit gjeografik të Gadishullit Apenin. Autorët antikë grekë e latinë, kryesisht agronomët romakë, në veprat e tyre kanë nxjerrë në pah kontrastin midis terrenit guror të Greqisë dhe atij fushor të Italisë, duke dëshmuar për pjellorinë e tokës dhe karakterin e saj agrar.

Në librin e parë të veprës së tij “Arkeologjia romake”, Dionis Halikamasi bën një pohim interesant dhe paksa të çuditshëm. Ai e vlerëson Italinë më pjellore se Egjypti e Babilonia, ndonëse, siç shprehet edhe vetë, “shumë fjalë të mia duken të pabesueshme”.

Një gjë është e vërtetë: Italia e Vjetër kishte më shumë toka pjellore se Greqia e Lashtë. Toka të tilla ndodheshin në luginën e lumit Pad ose Po, në Etruri, në Kampania, Lacio, Kalabri, Sicili e gjetkë.

Qysh në kohët e hershme, banorët e Gadishullit Apenin njihnin, veç drithërave të bukës, edhe kajsitë, gështenjat, bajamet, manat. Më vonë mësuan të kultivonin ullinjtë, hardhitë, lirin, palmat fenikase, shegët etj.

Afërisht po në atë kohë doli në dritë traktati i njërit prej agronomëve më të zot të Perandorisë Romake, Kulumelës “Mbi Ekonominë Bujqësore”, në të cilin shtjellohet teoria dhe praktika e marrëdhënieve agrare të Romës në shek. I e.s.

Karakteri agrar i Italisë la vulën e vet në zhvillimet e mëpasme social-politike gjatë gjithë historisë së saj në antikitet.

Kultura e epokave parahistorike

Toka pjellore, hapësira e gjerë detare, klima e shëndetshme, kullotat e shumta, pyjet e dendura, ujërat e bollshme, fauna e pasur e Gadishullit Apenin ofronin kushte ideale për jetesë normale. Për këto arsye Italia ka qenë e banuar qysh nga epoka e paleolitit dhe neolitit.

Të dhënat e zbulimeve arkeologjike tregojnë se në periudhën e paleolitit të vonë të vdekurit i varrosnin në gropa të cekëta. Në varr, bashkë me trupin, fusnin edhe armët dhe veglat e punës, që ai i kishte përdorur kur ishte gjallë.

Në fund të epokës së paleolitit në Gadishullin Apenin ndodhën ndryshime gjeologjike dhe klimatike të rëndësishme. Megjithëse bënte pjesë në një zonë tektoniko-vullkanike aktive, qysh atëherë u krijuan ato kushte natyrore, që e karakterizuan Italinë historikisht.

Me epokën e neolitit lidhen banesat, kasollet e rrumbullakëta dhe në formë ovale. të cilat ishin të grupuara, gjë që tregon se njerëzit e neolitit, kishin kaluar nga banimi nëpër shpella në një shkallë më të lartë jetese, duke formuar në këtë mënyrë vendbanime pak a shumë të qëndrueshme dhe bashkësi social-ekonomike më solide.

Shprehje dhe dëshmi për këtë ishin shfaqja e bujqësisë, si dhe e qeramikës primitive, zbutja e kafshëve etj. Njerëzit e asaj epoke ishin të lidhur kryesisht me qendrat e kulturës së Egjeut. Kjo mund të thuhet veçanërisht për rajonet e Sicilisë dhe Italisë Jugore, ndërsa krahinat e tjera duke përfshirë dhe Korsikën kishin marrëdhënie me qendrat e kulturës të Spanjës së Vjetër, si dhe ato të përtej Alpeve.

Me mijëvjeçarin III p.e.s. filloi kalimi nga neoliti, në eneolit ose halkolit. Dëshmitë materiale të kulturës eneolitike, si: sende, objekte e stoli prej bakri janë gjetur kryesisht në Italinë e Mesme.

Më vonë, në pjesë të ndryshme të Italisë u kalua në një stad më të lartë zhvillimi dhe pikërisht në epokën e bronzit. Në Apulia ky proces u krye nën ndikimin e Sicilisë, e cila ishte integruar me qendrat e kulturës kreto-mikenase.

Në krahinat veriore të Italisë rëndësi të veçantë në këtë drejtim pati ardhja e banorëve të rinj, rreth vitit 1800 p.e.s. Ata i ndërtonin banesat e tyre mbi trarë. Këto banesa, që quheshin palafite, fillimisht ndërtoheshin mbi ujërat e lumenjve, liqeneve, më vonë edhe në tokë. Tokat përreth vendbanimeve të tipit të palafiteve italianët e sotëm i quajnë terra mara, që do të thotë toka të yndyrshme.

Prej këtej gjithë trashëgimia e epokës së bronzit mori emrin Kultura terra mara.

Në qendrat e kësaj kulture janë gjetur artikuj të ndryshëm prej bronzi, si: armë, vegla pune, sende dhe objekte shtëpiake etj. Banorët e kulturës terra mara arritën një nivel relativisht të lartë prodhimi. Ata merreshin para së gjithash me blegtori. Në atë kohë për herë të parë filloi të përdorej karroca e tërhequr nga dy kuaj.

Krahas blegtorisë rol të rëndësishëm luante bujqësia. Nga bimët bujqësore mbilleshin drithërat dhe bathët. Gjithashtu, qysh nga ajo kohë, për herë të parë filloi kultivimi i hardhive dhe pemëve të tjera frutore.

Njerëzit e epokës së bronzit ose të kulturës terra mara e kishin zakon t’i digjnin të vdekurit. Hirin e trupave të tyre e fusnin në enë të posaçme dhe pastaj i varrosnin. Kultura terra mara u zhvillua kryesisht në Italinë Veriore, por ajo ushtroi ndikim edhe në krahinat e tjera, veçanërisht në Lacio.

Krahas kulturës terra mara në Italinë Qendrore dhe atë Jugore u zhvillua edhe kultura tjetër e epokës së bronzit, Kultura apeninistike, e cila ishte e lidhur ngushtë me kulturën e pellgut të Egjeut. Ndikimi i botës së kulturës egjeane qe më i madh në Lacio.

Këtë e dëshmojnë konstruksionet e ndërtimeve të tipit ciklopik, të njëjta me ato të Mikenës. Po kështu, në këto pjesë të Gadishullit Italik janë zbuluar grumbuj të qeramikës së pikturuar, e ngjashme me qeramikën greke të epokës mikenase. Te njerëzit e Kulturës apeninistike mbizotëronte riti i varrosjes së të vdekurve.

Në fund të mijëvjeçarit të dytë dhe në fillim të mijëvjeçarit të parë para erës sonë, një valë e re emigrantësh, që u dynd në Itali, solli një kulturë të re. Meqenëse gjurmët e kësaj kulture u zbuluan nga arkeologët në lokalitetin Vilanova, pranë Bolonjës në Italinë Veriore, ajo u quajt Kultura e Vilanovës.

E reja e kulturës së Vilanovës qëndron në përdorimin e hekurit. Ky fakt shënoi një kthese, pasi prej asaj kohe Italia hyri në një epokë të re zhvillimi, në epokën e hekurit.

Siç del nga objektet arkeologjike të zbuluara në Vilanovë dhe në pjesë të tjera të Italisë, zhvillimi i epokës së hekurit kaloi nëpër dy etapa. Etapa e hershme rrok harkun kohor 1000-700 p.e.s., kurse etapa e vonë përfshin periudhën e viteve 700-500 p.e.s. Pavarësisht se në fillim të mijëvjeçarit I p.e.s. hekuri kishte “pushtuar” të gjithë Gadishullin Apenin, kjo nuk do të thotë aspak se shkalla e përhapjes së tij qe kudo e njëjtë. Veglat e punës dhe armët prej hekuri kishin përparësi mbi ato të bronzit në krahinat që ndodheshin më pranë vendburimeve të këtij metali, siç qenë: Etruria, Bruti etj.

Shkencëtarët e shek. XIX e.s. mendonin se njohja e hekurit në Itali u bë e mundur në saje të fiseve italike, që u vendosën aty me banim të përhershëm, qysh nga fundi i mijëvjeçarit II p.e.s. Krejt ndryshe mendojnë arkeologët e sotëm, që priren nga mendimi se hekurin në Itali e bënë të njohur tregtarët fenikas, më pas ata grekë dhe më vonë etruskët.

Përhapja e veglave të punës prej hekuri pati rëndësi të madhe tekniko-ekonomike. Përdorimi gjithnjë e më masiv i tyre, veçanërisht i plugut me plor hekuri, lejoi një punim më të mirë të tokës dhe shtimin e sipërfaqes së mbjellë. Kjo bëri të mundur jo vetëm zhvillimin cilësor të bujqësisë, por edhe të blegtorisë.

Krahas këtyre, zejtaria njohu arritje të mëdha, sidomos metalurgjia e përpunimit të metaleve. Rritja e prodhimit zejtar, bujqësor e blegtoral e zgjeroi më tej gamën e shkëmbimit të produkteve të prodhuara edhe me vendet jashtë Gadishullit Apenin, si me Greqinë, Ilirinë, Egjiptin, Azinë e Vogël dhe me vendet e tjera mesdhetare.

Në rrjedhat kohore të epokës së hekurit u shfaqën hera-herës vendbanimet e rrethuara me mure mbrojtëse ose “qytetet” në kuptimin e vjetër të kësaj fjale. Popullsia e këtyre të ashtuquajturave qytete ndahej sipas pasurisë që zotëronin njerëzit. Për këtë dëshmojnë varret e zbuluara, që i përkasin kësaj etape zhvillimi.

Inventari i sendeve të gjetura në këto varre nuk është i njëjtë, por i diferencuar në mënyrë të dukshme. Në disa varre ai është i bollshëm, kurse në shumicën e tyre, tejet i varfër. Madje në nekropolet e Bolonjës, në Veit, Ceres, Tarent dhe gjetiu janë vërtetuar varrime rituale të skllevërve, domethënë. varrosja e skllevërve së bashku me kufomat e zotëruesve të tyre nga radhët e aristokracisë së pasur fisnore, e cila qe distancuar shumë nga masa e popullsisë.

Popujt dhe fiset e Italisë

- Cilët popuj e fise ishin bartësit e kulturave parahistorike të epokës së gurit dhe asaj të metalit?

Përgjigje të saktë për këtë çështje, shkenca ende nuk ka mundur të na japë. Por si banorët më të hershëm të Gadishullit Apenin konsiderohen ligurët ose ligët, të cilët, para se të vinin aty, jetonin në pjesë të ndryshme të Gadishullit Iberik dhe në territoret e sotme të Francës Jugore. Ka shumë mundësi që të kenë qenë ata krijuesit e kulturës së neolitit në Itali.

Dëshmitë e gjuhës së ligurëve të hershëm janë shumë të pakta dhe mjaft fragmentare. Me to nuk mund të arrihet në përfundime të drejta. Megjithatë disa gjuhëtarë të kohëve modeme kanë arritur të evidentojnë ngjashmërinë e gjuhës ligure me gjuhët indoeuropiane.

Kjo është arsyeja që ligurët, sikurse elimët, sikulët, sikanët, të cilët banonin në Sicili, sardët në Sardenjë dhe korsikanët në Korsikë, i fusin në familjen e popujve indoeuropianë. Në epokën e hekurit, të detyruar nga fiset e tjera, ligurët u zhvendosën në veriperëndim të Italisë, ku deri në shek. I p.e.s. ruajtën identitetin e tyre dhe format primitive të jetesës.

Në gjysmën e parë të mijëvjeçarit I p.e.s. harta demografike e Gadishullit Apenin ishte mjaft e larmishme nga pikëpamja etnike. Shumicën dërrmuese të territorit e banonin fiset indoeuropiane të italikëve. Më të rëndësishmit prej tyre ishin latinët në Latium, umbrët në Umbria, picenët në Picenë.

Përreth Lacios banonin sabinët, ekuët, hemikët, volskët. Më tutje shtriheshin samnitët në Samni, grupi i fiseve sabele të afërta me ta, marucinët, marsianët në brigjet e Tiberit. Popullsia e Kapuas, një nga krahinat më të populluara të gadishullit, ishte formuar nga përzieija e oskëve me fiset latine të auzonëve.

Për sa i përket origjinës së huaj ose vendase të italikëve ekzistojnë pikëpamje të ndryshme.

Dijetarët italianë të viteve '20-'30 të shek. XX, të nisur nga interesa të caktuara politike, teorizonin autoktoninë e italikëve, gjë që nuk është aspak e vërtetë. Vlen të theksohet se, shumica e historianëve seriozë, të periudhës para dhe pas këtyre pseudoshkencëtarëve në shërbim të nacionalizmit ekstrem, kanë vërtetuar se italikët nuk ishin indigjenë, por të huaj.

Kështu, në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX, ata hodhëm themelet e qëndrueshme të teorisë, sipas së cilës, italikët u dyndën në Itali nga Veriu. Më vonë kjo teori u përpunua dhe u pasurua me ide dhe teza të reja, në bazë të të cilave popujt italikë dhe fiset e tyre përkatëse vërshuan në Gadishullin Apenin në dy valë.

Në fillim të mijëvjeçarit II p.e.s. hynë fiset protolatine, që cilat sollën kulturën “Terra mara”, kurse afro dhjetë shekuj më vonë erdhën fiset osko-umbrët, që ishin bartësit e kulturës së Vilanovës.

Edhe për problemin e vendit dhe të rrugëve të depërtimit të italikëve në gadishull Ka pasur diskutime të shumta, që janë zhvilluar rreth dy tezave kryesore diametralisht të kundërta.

Disa autorë i përmbahen tezës se italikët erdhën nga rajonet e Danubit, duke kapërcyer grykat malore të Alpeve të Europës. Kundërshtarët e kësaj teze mbrojnë pikëpamjen se, italikët zbarkuan në Itali përmes detit nga Azia e Vogël. Ky problem vazhdon të diskutohet edhe në ditët tona.

Përveç italikëve, në fillim dhe në mes të mijëvjeçarit I p.e.s. në Itali u vendosën edhe popuj të tjerë, siç ishin grekët, ilirët, fenikasit, galët dhe etruskët.

Prej këtyre etnive të përcaktuara qartë; helenët, galët dhe etrusket luajtën një rol dhe ndikim të madh në Italinë e epokës historike.

Helenët u vendosën në zonën bregdetare të Italisë Jugore, pjesërisht në Italinë e Mesme dhe në pjesën lindore të Sicilisë. Aty formuan një varg kolonish dhe themeluan një sërë qytetesh. Ndër më të rëndësishmit ishin: Kuma, Sibarisi, Tarenti, Krotoni, Neapoli, Sirakuza, Mesana, Akraganti.

Qysh nga shek. IX p.e.s. fenikasit kartagjenas ishin vendosur në Sardenjë. Më pas, ata nënshtruan Sicilinë Perëndimore dhe Korsikën.

Rreth vitit 500 p.e.s. në ultësirën e Padanës, d. m. th. në zonën fushore 

përreth luginës së lumit Pad u dyndën keltët ose, siç i quanin romakët, galët. Fiset, etnitë dhe kombësitë e ardhura u përzien me popullsinë vendase, autoktone.

Në Gadishullin Apenin të epokës historike, veçanërisht pas pushtimit të Italisë nga Roma dhe pas romanizimit të përshkallëzuar të etnive të saj përbërëse, në shek. I p.e.s. u formua kombësia italiane si bashkësi kompakte.

Gjuhë sunduese u bë latinishtja; gjuhët e tjera, nga ligurishtja deri tek etruskishtja ose erdhën duke u harruar, ose mbetën si relike gjuhësh të vdekura.

Etruskët

Në shek. IX p.e.s, ndoshta që nga kapërcyelli i mijëvjeçarëve II - I, në Gadishullin Italik jetonte një popull, i cili e quante veten rasen; egjiptianët e lashtë e quanin këtë popull trusha, grekët e vjetër e njihnin me emrin tirren apo tirsen, kurse romakët e quanin tusk ose etrusk.

Përfundimisht, rasenët hynë në histori me emrin romak etursk. Me të ardhur në Gadishullin Apenin, etruskët u vendosën kryesisht në Etruri, e cila shtrihet në veriperëndim të Italisë së Mesme. Ky ishte dhe mbeti territori kryesor, ku ata banuan dhe u morën me ekonomi gjatë tërë ekzistencës së tyre.

Terreni pjellor, lumenjtë e shumtë, më i madhi prej të cilëve ishte lumi Amo, minierat e bakrit dhe ato të hekurit, dalja e gjerë në det, ujërat e bollshme, bimësia e pasur, të gjitha këto, e bënin Etrurinë një prej krahinave më të përshtatshme për jetesë dhe zhvillim të njerëzve, që nga epoka e bronzit të vonë ose të hekurit të hershëm.

Prej etruskëve janë ruajtur shumë monumente historike, si: mbetje qytetesh me ndërtesa të gurta, me rrugë që kryqëzohen në kënde të drejta dhe të drejtuara në pikat poligonale, varre, vegla pune, armë, orendi shtëpiake, vepra arti, rreth 10 mijë mbishkrime, gjurmë të ndikimit të tyre në kulturën materiale e shpirtërore të Romës, referenca mbi etruskët në veprat e autorëve antikë greko-latinë etj.

Të gjitha këto janë fakte konkrete, tashmë të dokumentuara dhe të bëra publike botërisht. Askush nuk dyshon në vërtetësinë e tyre.

Ndryshe qëndron problemi për origjinën e etruskëve dhe për gjuhën e tyre, që, prej shekujsh kanë qenë problemet më të rrahura në historiografinë europiane dhe atë botërore të antikitetit.

Rreth tyre janë bërë diskutime, debate deri dhe polemika të ashpra në nivel specialistësh të fushës dhe me autoritet ndërkombëtar të padiskutueshëm në shkencë. Nuk mund të thuhet se divergjencat ndërmjet tyre kanë qenë pa vlerë dhe fare shterpë.

Megjithatë është fakt se kundërshtitë, pra, argumentet pro e kundër (të kampeve rivale), janë larg njësimit drejt një mendimi teorik të vetëm.

Shkenca ende nuk ka munduar të hedhë dritë të plotë mbi këto çështje të koklavitura (origjina e gjuha etruske), të cilat përbëjnë dhe problemin etrusk.

Ekonomia

Që në fillimet e shek. VIII p.e.s. etruskët, përveç Etrurisë, ishin përhapur edhe në pjesë të tjera të Gadishullit Apenin, dhe popullonin territore të gjera në Italinë Qendrore dhe Veriore.

Të dhënat e gërmimeve arkeologjike, si dhe dëshmitë e kulturës materiale e shpirtërore na lejojnë të krijojmë një imazh për jetën e etruskëve dhe nivelin e zhvillimit të tyre social-ekonomik. Ato nxjerrin qartë në pah se etruskët, për nga shkalla e progresit tekniko- ekonomik dhe politiko-kulturor, qëndronin më lart në raport me popujt e tjerë të Italisë.

Gjatë shekujve VIII - VI popullsia etruske merrej kryesisht me bujqësi, e cila luante rol të dorës së parë në jetën ekonomike.

Mendohet se etruskët ishin të parët në Gadishullin Italik, që filluan të zbatonin ujitjen artificiale. Për shembull, dihet mirë se në Romë dhe në ato rajone ku ndikimi etrusk ishte i madh u kryen punime të rëndësishme për shfrytëzimin racional të burimeve ujore.

Kështu, në kohën e qeverisjes së mbretërve faktikë të etruskëve u ndërtua një njet i tërë kanalesh ujitëse e kulluese. Me ndihmën e tyre u vunë nën kontroll lumenjtë, u disiplinua deri në njëfarë mase dalja e tyre nga shtrati, u kufizuan ndjeshëm përmbytjet dhe dëmet e pallogaritshme që shkaktonin ata.

Po kështu, nëpërmjet përdorimit me sukses të sistemit të drenazhimit nëntokësor, mbroheshin tokat bujqësore nga zgjerimi i moçaleve dhe kënetave. Këto punime dhe masa të efektshme mundësuan zhvillimin e bujqësisë në Etruri.

Etruskët e ushtronin veprimtarinë e tyre ekonomiko-bujqësor duke kultivuar grurë, elb, tërshërë, thekër, hardhi etj. dhe u shquan për rritjen e kulturës së lirit. Pëlhurat prej liri përdoreshin për veshmbathje, vela për anijet detare dhe varkat lumore, për çadra etj.

Gjithashtu liri pë