Murad Beu erdhi në Bursa pas vdekjes së babait të tij dhe mori drejtimin e Devletit Osman, me vendim të Ahinjve (fitjan). Në fakt, Murad Gaziu ishte kreu i Ahinjve; ky fakt pati një ndikim të rëndësishëm për caktimin e tij si sovran. Por, Perandoria Romake përfitoi nga rasti me vdekjen e Orhan Beut, duke pushtuar disa nga territoret e reja të përvetësuara nga muslimanët në Evropë. Llalla Shahin Pasha, Haxhi Ilbeji dhe Evrenos Beu u vendosën në bregun e Detit Marmara, në pritje të ardhjes së Hanit të ri, pas zgjidhjes së çështjeve të Devletit në Anadoll. Ata ishin të vendosur për të mbrojtur tyrben e Sylejman Pashait në Bollajër. Vëllai i Murad Hanit, Sylejman Pasha, kishte përvetësuar Ankaranë në vitin 755/1354, por, pas vdekjes së Orhan Gaziut, Beu i Karamanit kishte nxitur Ahinjtë për të marrë pushtetin atje. Udhëtari me famë, Ibn Battuta, na jep informacion të gjerë për Ahinjtë:
"Një vëlla i ri ose një ahi në gjuhën e tyre, është i përzgjedhuri nga të gjithë anëtarët e zanatit (esnafit) të tij, ose nga djem të rinj, të pamartuar, ose nga ata që bëjnë një jetesë asketike, për të qenë prijësi i tyre. Kjo organizatë njihet, gjithashtu, si Futuvveh ose Urdhri i Rinisë. Prijësi ndërton një strehë dhe e pajis atë me qilima, llamba dhe sende të tjera të nevojshme. Anëtarët e komunitetit të tij punojnë gjatë ditës për të fituar jetesën dhe i sjellin në fund të ditës prijësit ato që kanë fituar. Me ato që kanë fituar, ata blejnë ushqime, fruta dhe gjëra të tjera, që i nevojiten strehës ku jetojnë. Nëse një udhëtar vjen në qytet, ata e strehojnë atë ditën që vjen; këto furnizime në strehë i shërbehen atij për gostitje si mysafir i tyre dhe ai qëndron me ta derisa largohet nga qyteti. Nëse nuk ka të ardhur në qytet, ata mblidhen për të konsumuar ushqimin dhe më pas këndojnë, dhe kërcejnë. Të nesërmen ata iu kthehen punëve që bëjnë dhe sjellin te prijësi fitimin e ditës së punës. Anëtarët e kësaj organi-zate qahenfitjan (të rinj) dhe prijësi i tyre, siç përmendëm dhe më lart, quhet ahi."
Me sa duket ahinjtë mendonin se Devleti Osman ishte në procesin e bashkimit të muslimanëve në Anadoll. Kështu, kur Murad Hani marshoi drejt Ankarasë, në vitin 763/1362, ata ia dorëzuan atij qytetin me dëshirën e tyre. Edhe Murad Hani ishte një Shejh Ahi; edhe ky ishte një fakt që mund të ketë luajtur një rol të rëndësishëm për marrjen e këtij vendimi.
Me marrjen e Ankarasë, u arrit zgjerimi i territoreve osmane drejt lindjes dhe u krijua mundësia që ata të mblidhnin luftëtarë për hapjen e territoreve të reja ndaj Islamit në Evropë.
Murad Hani u rikthye në Bursa, atje ku kishte ardhur dhe Llalla Shahin Pasha. Sulltani e caktoi atë si Bejlerbeun e parë dhe ata kaluan së bashku Detin Marmara drejt pjesës evropiane.