Shëtitorja gjendet në Veri-Perëndim të qytetit, në skajin Jur-Perëndimor të kodrës së akropolit. Mes saj dhe një serie prej 16 dyqanesh të vargëzuar, gjendet një shesh i vogël publik (100 x 30 m) Shëtitorja me përmasa 76 x 13 m është e tipit të preferuar për zonën, me ante. Mes anteve 6 metërshe vijon stilobati që mbante rreshtin e jashtëm të kolonave, me 26 kolona dorike. Rreshti i brendshëm, i përbërë nga 14 kolona jonike, e ndante shëtitoren në dy rrugë kalimi 5.5 m të gjera. Muratura është poligonale, e prerë në 1.2 m lartësi, çka tregon se muri mbi të ishte prej qerpiçi. Gjurmë jo dhe aq të qarta të lënë të dyshosh se muri i pasmë ka qenë i kontrafontuar. Si e tillë shëtitorja e Gitanas është mjaft e ngjashme me shëtitoren e Kassopeas. Ashtu si në Kassopea, edhe këtu balli është zënë më tej nga bazamente votive, gjasisht shtatoresh.