Gjergj Frashëri - Kalaja e Ndroqit

Gjergj Frashëri - Kalaja e Ndroqit

Uitësira kodrinore bregdetare midis Tiranës dhe Durrësit çahet mespërmes prej dy koridoresh gjeografikë: grykës së Vlorës dhe luginës së Ndroqit, ku kalojnë dy rrugët natyrale që lidhin Durrësin me fushën pjellore të Tiranës dhe me malësitë e thella të Bendës, Martaneshit, Krujës, Matit dhe Dibrës. Dy koridoret e ndajnë trevën në tri pjesë. Në veri është krahina e Prezës e quajtur dikur Skura e Madhe, në qendër shtrihet krahina e Shijakut me emrin mesjetar Skura e Vogël, në jugë ndodhet krahina e Ndroqit, e cila, së bashku me krahinën e Kavajës e të Pezës, quhej disa shekuj më parë, Tumenisht.

Njoftimet e shkruara historike mbi këto tri krahina janë të varfëra, për gjurmët e kulturës antike e mesjetare që ndeshen atje s’janë të pakta. Midis tyre përmendim qëndrat mesjetare të tri krahinave të trevës: kalanë e Prezës, kalanë e Lalmit dhe kalanë e Ndroqit. Deri sa t'u vijë rradha gërmimeve dhe studimeve sistematike, po parashtrojmë rezultatet e vëzhgimsve të kryera në vënd në njerën prej tri qëndrave kryesore në kalanë e Ndroqit.

Fshati Ndroq ndodhet në luginën omonime, të cilën e përshkon lumi Erzen, në mes të rrugës automobilistike që lidh Tiranën me Durrësin. Ndroqi i vjetër ndodhet më në jugë. Lagjet e tij ngrihen mbi një grumbull kodrash me ullinj. Mbi kodrën dominuese, me lartësi 387 metra mbi nivelin e detit, ngrihet kalaja. Lagja më e madhe, sipas gjurmëve, ka qënë Varoshi, në juglindje të kalasë. Në kodrat rreth e rrotull shtrihen lagjet e tjera; lagjja e Tabakëve, lagjja Remhill, lagjja Treg, lagjja Rekie; lagjja e Jevgjve. Toponomi interesante përfaqësojnë vëndi Basmaxhi, kodra Nellban etj. Përmbajtjet e emrave të këtyre lagjeve tregojnë për një farë zejtarie e tregëtie, që i japin Ndroqit pamjen e një qëndre të populluar.

Me sa dimë ne, i vetmi studiues që e ka vizituar në të kaluarën Ndroqin, është albanologu austriak J.G. Han. Hani na njofton se 10 vjet para vizitës së tij, në kreshtën mbi fshat qenë hapur mjaft varre, në të cilat gjendeshin thika e sende të tjera metalike, madje edhe mure prej tullash. Vëmëndje të veçantë albanologu austriak i kushtoi Shkëmbit të Korabojës, të cilin e lidh me një pasazh që jep Anna Komnena gjatë përshkrimit që i bën luftës së zhvilluar në vitin 1081, në afërsi të Durrësit, midis normanëve dhe bizantëve. I mbështetur në përshkrimin e saj Hani thotë se normanët e ndjekin pas (perandorin) deri tek një vënd i quajtur «Shkëmb i Keq», pranë të cilit kalon Erzeni. Këtu mbrrinë armiqtë dhe për pak qenë duke e zënë, por perandori ngau kalin dhe u hodh matanë duke e kaluar në këtë mënyrë Shkëmbin, kështu Aleksi shpëton dhe mbas dy ditësh arrin në Ohër.

Hani ngul këmbë se Shkëmbi i Keq duhet identifikuar me Shkëmbin e Karabojës. Pasazhi i Anna Komnenës ka rëndësi në një drejtim tjetër. Ai na tregon se rruga e Ndroqit ishte e njohur për bizantët e shek. XI si një variant i dytë, një degëzim i Via Egnatias, që lidh Durrësin me Ohrin dhe më tej me Konstanlinopolin. Për kalanë Hani thotë vetëm se «porta e kalasë dhe shtëpia ngjitur me të, sipas pohimeve të vëndasve, ishin rindërtuar nga Ali Pashë Tepelena, kurse në qoshkun mbi portë ruheshin peisazhe të pikturuara. Sot gjurmët e tyre nuk i ndeshim gjëkundi. Sipas tij qyteti i vjetër duhet të ketë qenë në lagjen Varosh. Kur kohët u qetësuan, banorët zbritën poshtë, aty ku ndodhet sot fshati Ndroq, të cilin sipas vëndasve e quajtën «Ndërrënjë» d.m.th. ndën rrënjë apo ndën këmbë të malit.

Burimet e shkruara historike nuk na ndihmojnë të përcaktojmë diçka rreth moshës dlie funksionit të kalasë. Si emër Ndioqi përmendet për të parën herë, në trajtën fshat i Andronikëve «Karye-i Andronik’ler» me 23 shtëpi në defterin turk të Sanxhakut të Shqipërisë, të hartuar në vitet 1431-1432. Si emër kalaje del për të parën herë në shek. XVI, në një relacion anonim mbi Shqipërinë shkiuar italisht më 157C, me trajtën e deformuar Andronello. Si emër krahina shfaqet në shek XVII në formën Androniki (Andronichi) nga shkrimtari shqiptar Pjetër Budi, në relacionin e vet drejtuar më 1621 kardinalit Gozzadino. Për kalanë njoftimet janë më të cekta. Në relacionin e vitit 1570 thuhet se ishte një kala e dobët (quello che si dice Andronello e debole) në krahasim me kalanë e Petrelës, e cila për autorin ishte e fortë (quello che si dice Petrellia e forte). Nga trajta e shkruar Karye-i Andronik'ler në rregjistrin turk të vitit 1432 mund të supozojmë se fshati ka marrë emrin e familjes së Andronikëve që duhet të kenë qënë ose banorët ose zotëruesit e saj. Si rrjedhim, rrugë ndriçimi mbetet studimi në vënd i mbeturinave të objektit dhe ambientit që e rrethon.

Kodro mbi të cilën është ndërtuar kalaja e Ndroqit ka formë piramidale. Shpate të pjerrta, që alternohen me terraca të sheshta, janë të mbushura me ullinj të lashtë. Nëpërmjet tyre gjarpërojnë dy rrugë të shtruara me kalldrëm, njëra nga lindja dhe tjetra nga perëndimi, që të çojnë sipër në kala. Kalldrëmi arrin 1.50 deri 1.60 m. gjerësi dhe është punuar teknikisht mirë. Në fillim janë vendosur gurët anësorë, të cilët formojnë bordurën, pastaj ndërmjet tyre është bërë mbushja me gurë plloçakë ranorë (me dimensione 15 x 30 cm. deri 25 x 45 cm) të nxjerrë në vënd. Për të lehtësuar ngjitjen deri në portën e kalasë, pjerrësia e dy rrugëve është shkallëzuar po me këto lloj gurësh. Rruga lindore pasi kalon mesin e kodrës degëzohet, njëra degë ngjitet deri në hyrjen e kalasë, tjetra dredhon kodren e Varoshit dhe të çon për në Kavajë. Kalldrëmet i takojnë një kohe të vjetër, pasi fshatarët nuk dinë asgjë për to.

Pjesa e sipërme e kodres formon një farë pllaje afërsisht 300 m. gjatësi dhe 150 m. gjerësi. Kjo pllajë me pjerrësi të lehtë formon truallin e kalasë së Ndroqit. Gjurmët e sotme tregojnë se kalaja ka patur një sistem të dyfishtë mbrojtës: një mur rrethues të jashtëm dhe një mur rrethues të brëndshëm. Muri rrethues i jashtëm sot është krejtësisht i rrënuar dhe gjurmët e tij në pjesën më te madhe janë zhdukur plotësisht; dallohen vetëm disa fragmente themelesh të mbuluar me dhe. Sipas shënjave muri i jashtëm ka ndjekur konturin e pllajës me një perimetër prej 70C m. Pa bërë një pastrim të dheut nuk përcaktohet dot gjcrësia e murit. Prania e një çisterne midis murit rrethues të jashtëm dhe të brëndshëm e kurajon këtë supozim. Nga porta pamë akoma mbeturinat e dy piastrave me 1.70 m. lartësi, të cilët formojnë një hapësirë drite 2.10 m. (fig. 1). Pilastrat prej guri ranor kanë seksion tërthor 40 x 40 cm.

Muri rrethues i brëndshëm ndodhet në pjesën më të lartë të pllajës, 10 deri 15 m. nga niveli i konturit të saj. Muri qarkon një sipërfaqe eliptike afërsisht 100 x 60 m. Një pjesë e mirë e tij ndodhet e rrëzuar 2C - 30 metra larg, në blloqe të mëdhenj me 1.8 m trashësi. Në gjendje të mirë ruhet faqja verilindore, ku një trakt muri lartësohet deri 6-7 m. mbi një damar shkëmbor të terrenit (fig. 2). Në anën lin-dore gjendet një kullë 7.5 m. e lartë (fig. 3), e ndërtuar me gurë të madhësive të ndryshme dhe copa tullash e tjegullash. Kulla ka në plan formën e patkoit, baza e të cilit ka gjërësi 1.85 m, ndërsa brinjët 2 m. Faqet e kullës vijnë e zgjerohen drejt themeleve me një pjerrësi 10°. Niveli më i ulët i mureve të kullës ndahet prej një hapësire të ngushtë që do të ketë shërbyer për derë. Gurët e gdhëndur të pragut (36 x 65 cm.) bien në sy për rregullinë dhe uniformi-tetin e vendosjes. Kulla është e pajisur me frengji (40 x 60 cm), që vinë duke u ngushtuar nga jashtë, ndoshta për arbaleta. Faqe të shëmbura kulle duken edhe në anën perëndimore të kalasë (fig. 4).

Midis mureve të jashtme dhe të brendshme të kalasë ndodhet një godinë me përmasa 9 x 10 m, që të tërheq vëmëndjen për konstruksionin e ndërtimit (fig. 5). Deri kohët e fundit shërbente si xhami, por me sa duket ky nuk ka qenë funksioni i saj i parë. Ndërtesa ruhet në tërë lartësinë 6 m. Muret janë ndërtuar me gurë të madhësisë mesatare të lidhur me llaç gëlqereje të bardhë në të hirtë të një cilësie mjaft të mirë, me mbushës rëre lumi (fig. 6). Çdo faqe ka nga dy dritare. Pjesa e sipërme e dritares mbyllet me një qemer tulle me hark të mprehtë dhe ndahet prej pjesës së poshtme kuadratike me një brez druri (fig. 7). Konturi është punuar kujdesshëm me tulla (13.5 x 25 x 4 cm.), të cilat me një gdhendje anash formojnë paturën (5x5 cm.). Hapësira e dritës e dritareve arrin në 115 x 0.35 m. më vonë është bërë mbyllja e dritareve me mbushje guri.

Kjo ndërtesë duhet të ketë qenë në fillim një banesë civile. Në faqen jugore të ndërtesës ndodhet minareja e rrëzuar. Mbyllja e dritareve, suvatimi i mëvonshëm nga brënda, shtimi i minares, tregojnë për një datë të dytë ndërtimi. Përshtatja në xhami duhet të jetë bërë nga Turqit në një kohë më të vonë.

Ngjitur me këtë ndërtesë ndodhet çisterna e përmendur më sipër. Seksioni i saj është 5x5 metra, kurse thellësia nuk dihet saktësisht, mbasi fundi është mbushur me mbeturina. Rrafsh me nivelin e tokës çisterna mbulohet me kupolë kryq ku hapet një grykë (1.20 x 1.20 m.). Në brendësi, në qoshen juglindore, duket një tub 15 cm. nën nivelin e kapakut, që kalon diagonalisht. Me sa duket, funksioni i tubit ishte ta furnizonte çisternën me ujin e pullazit të godinës që përshkruam më lart. Suvatimi i depos është bërë me llaç shamot dhe ruhet shumë mirë. Tullat, me të cilat është ndërtuar, kanë përmasa si ato të godinës pranë.

Në pjesën qendrore të kalasë ndodhet një çisternë e dytë, e cila del gati 2 metra nga toka në formë paraboloide (fig. 8). Konstruksioni i saj ngjan me të parën, kurse nga madhësia duket se ka luajtur rolin kryesor. Thellësia 7-8 metra fillon me një elips (në boshtet kryesore 1 dhe 1.20 m.) dhe përfundon në një katërkëndësh këndrejtë, sipërfaqja e të cilit ja kalon çdo premjeje tërthore. Reduktimi i elipsit në katër-këndësh bëhet shpejt (deri 2 m.) dhe harmonishëm. Pjesa mbisipërfaqësore është realizuar me tulla (28 x 4.5 cm) ndërsa afër grykës me gurë. Suvatimi (2,3-5 cm.) nga brënda me llaç shamot me trashësi 2,5-3,5 cm. qëndron i paprishur. Mbi të ndodhet një shtresë tjetër e imtë llaçi. Përmasat horizontale të krejt grykës janë 2,10 x 2,75 m. Në pamjen ballore faqja jugore e çisternës karakterizohet nga një kornizë rrethore (rrezja 0,95 m.).             

Material për datimin e kështjeilës, sot për sot, na japin vetëm katër elernentë që ndodhen brënda saj: objektet e keramikës, muret rrethues, dy çisternat dhe godinat në hyrje.

Objektet e keramikës u gjetën një pllajën e kalasë, pa bërë asnjë gërmim. Pjesa e tyre dërmuese i takon keramikës së ndërtimit, lanë në rradhë të parë solenë romakë të shek. IV-VI Pastaj vinë, kalipterët dhe tullat, të cilat datohen gjithashtu në këta shekuj. Njëra është mbeturinë e një amfore afërsisht e shekullit I të erës sonë. Tjetra është fragment i një amfore punuar me argjil të përzier me shamot të pjekur mirë, karakteristike për shek. IV. Ka pastaj edhe fragmente të tjera keramike, por që i takojnë mesjetës së vonëshme.

Muri rrethues i jashtëm, me gjendjen e tij thellësisht të rrënuar dhe të mbuluar me dhe, nuk është në gjendje të flasë për kohën e ndërtimit. Përkundrazi muri rrethues i brëndshëm, i ruajtur pjesërisht mirë është në gjëndje të thotë fjalën e vet. Po të vëzhgohet me kujdes trakti verilindor, vihen re dy teknika ndërtimi të ndryshme njëra nga tjetra. Në pjesën e poshtme të murit (1 deri 1.20 m. lartësi) janë radhitur gurë të lëmuar me fortësi e madhësi mesatare (20 x 10 cm. deri 20 x 50 cm.), me një farë rregullsie (fig. 9).

Gurët janë prej formacioni ranor dhe duhet të jenë nxjcrrë në vënd. Lidhja kryhet me llaç gëlqereje të përzier me pluhur të imtë tullash, karakteristikë kjo e ndërtimeve të shek. IV-VI. Pjesa e sipërme e murit paraqet një teknikë tjetër. Kjo pjesë është ndërtuar me gurë të vegjël (15 x 25 cm) lidhur me llaç të dobet gëlqereje, ku si mbushës ka shërbyer rëra e lumit, Karakteristikë për këtë teknikë është përdorimi i copave të tjegullave pa kriter dhe mbulimi i sipërfaqes së murit me një kornizë të gjerë dhe të rrafshtë llaçi. Për forcimin dhe konsolidimin e muraturës janë përdorur brezat e drurit të përbërë prej dy trarësh horizontale (fig. 9). Trarët horizontalë kanë largësi vertikale 1 m. dhe horizontale 0,48 m. Trarët e kalbur nga koha kanë lënë dimensionet e tyre nëpërmjet vrimave 13 x 13 cm, 0, 25 m. larg paretit anësor. Mund të thuhet, pra, se të paktën muri rrethues i brendshëm duhet të jetë ndërtuar në shek. IV-VI. Pastaj ai ka pësuar dëmtime. Rindërtimi i tij mbi bazën e vjetër duhet të ketë ndodhur në fillim të pushtimit turk.

Të dy çisternat kanë tipare të ngjashme arkitektonike midis tyre. Por datimi i tyre i saktë është mjaft i vështirë pa u bërë pastrimi i plotë dhe pa kryer sondazhe të imta. Mund të thuhet vetëm se ato u ngjasin çisternave të mesjetës së vonëshme bizantine, teknika e të cilave u adoptua edhe nga turqit në shekujt e parë të përhapjes së tyre në Ballkan.

Godinat pranë hyrjes së kalasë i lakojnë pa dyshim periudhës turke. Por edhe këto nuk janë prodhime të të njejtit shekull. Po të besojmë njoftimin rreth mbishkrimit të teqes që na jep Hani, duhet të pranojmë se kjo faltore duhet të jetë ndërtuar menjëherë pas vdekjes së Skënderbeut. Ndërtimi i teqes tregon nga ana e vet se pas vdekjes së heroit tonë kombëtar, kalaja e Ndroqit është marrë në dorëzim nga një garnizon turk, më konkretisht nga një njësi jeniçerësh turq. Pranë hyrjes, sikurse edhe brënda në kala, ekzistojnë gjithashtu edhe godina të ndërtuara në shek. XVIII.

Çfarë konkluzionesh mund të nxjerrim nga këto të dhëna?

Objektet metalike të zbuluara në shekullin e kaluar në disa varre të kalasë, për të cilat na njofton Hani, dhe fragmentet e keramikës të gjetura prej nesh brënda mureve rrethues, tregojnë se kjo pllaja ka qënë e banuar qysh prej kohëve më të lashta. Shenjat tregojnë se ky vëndbanim u pajis me murin e vet rrethues, të paktën me murin e brendshëm, gjatë ndërtimeve dhe rindërtimeve të perandorit Justinian në shek. VI. Pastaj kalaja e Ndroqit, nga sa kuptohet prej dy teknikave të mureve, të largëta në kohë, pësoi një rrënim të lortë, ndoshta edhe një braktisje nga ana e banorëve të saj. Kjo filloi të forcohet si kala ndoshta gjatë shek. Xlll-XIV, kur ato u bënë seli e feudalëve shqiptarë në luftë kundër rivalëve vëndas dhe sundimtarëve të huaj. Kësaj kohe i takon emri i saj Andronik, prej nga ka rrjedhur trajta e sotme Ndroq. Nuk dimë asgjë mbi rolin që duhet të ketë lojtur kjo kala gjatë luftës së madhe të udhëhequr nga Skënderbeu kundër pushtuesve turq. Pas vdekjes së heroit tonë kombëtar, sundimtarët osmanë i dhanë rëndësi kalasë së Ndroqit, ndoshta si një pikëmbështetje për të vëzhguar Durrësin, i cili ndodhej nën sundimin e Venedikut. Pas rënies së Durrësit (1501) Ndroqi duket se e humbi rëndësinë e vet si seli garnizoni ushtarak turk dhe vetëm kështu mund të shpjegohet përse udhëtari anonim, që vizitoi Shqipërinë 70 vjet më vonë, e cilëson atë si një kala të dobët. Gjatë shek. XVIII, kur Shqipërinë e mbuloi anarkia feudale, kalaja e Ndroqit e rifitoi përsëri rëndësinë e dikurshme si seli e feudalëve lokalë. Gjatë këtij shekulli u zhvilluan disa herë me rradhë nën muret e saj luftime të armatosura. Pastaj, në pjesën e parë të shek. XIX, si shumica e fortifikatave të Shqipërisë edhe kalaja e Ndroqit, e humbi rëndësinë e vet, për shkak të masave ushtarake që mori qeveria turke. Gjëndja që paraqet sot, me mure të rrënuara në tërësi, flet për një rrënim jo gradual të shkaktuar nga koha, por nga ndonjë fuqi armike. Mendimi ynë është se kalaja e Ndroqit hyn në listën e atyre kalave të Shqipërisë, që u rrënuan në vitet 30 të shek. XIX nga ushtritë turke të komanduara prej Mehmet Reshit Pashës, si masë paraprake për të zbatuar Tanzimatin në Shqipëri. Qysh nga ajo kohë kalaja e Ndroqit u braktis jo vetëm nga feudalët e zonës, por edhe nga banorët e saj, të cilët kishin filluar edhe më parë të zbrisnin poshtë në luginë, aty ku sat ndodhet qëndra e lokaIitetit.

Përsa i përket funksionit që ka kryer kalaja e Ndroqit, mund të parashtrohen disa konsiderata të përgjithëshme. Funksionet e saj kanë qënë në vartësi jo vetëm me pozitën strategjike, por edhe me situatën politike. Ndoshta në fillim ajo u ndërtua vetëm si një strehë e sigurtë për banorët e saj. Për këtë flet fakti se kodra mbi të cilën ajo është ngritur, dominon mbi kodrat e tjera rreth e rrotull. Megjithatë funksioni i saj është ngushtësisht i lidhur me pozitën strategjike, që zë ajo në luginën e Erzenit, në këtë rrugë natyrale që lidh bregdetin me territoret e brendshme. Kalaja e Ndroqit ka qënë në gjëndje ta kontrollojë këtë rrugë sa herë ka lindur nevoja. Por ajo ka kryer në periudha të caktuara edhe një funksion tjetër, i cili ka lidhje me sistemin e fortifikatave të kësaj pjese të Shqipërisë. Nga kalaja e Ndroqit, vështrimi humbet në një horizont të largët, që këtej kontrollohet me imtësi tërë zona rreth e qark. Nga perëndimi duket deti Adriatik. Nga të katër anët e horizontit shihen një varg kalash, si ajo e Rodonit, Krujës, Prezës, Lalmit, Lujanit, Petrelës dhe Dorëzit. Shpërndarja e tyre nuk është e rastit. Të gjitha këto janë hailka të një sistemi unik mbrojtës. Çdo kala tjetër, që eventualisht do të zbulohet në këtë trevë, do ta zërë me lehtësi vendin e vet si një hallkë e këtij sistemi. Kjo ndërlidhje ushtarake na inkurajon të mendojmë, se kalaja e Ndroqit së bashku me shoqet e saj, kanë qënë ndërtuar ose rindërtuar në shek. VI si satelitë të kalasë së madhe të Durrësit, si pararojë për të mbrojtur kryeqendrën e provincës nga dyndjet e barbarëve, të cilët vërshonin jo nga deti, por nga territoret e brëndshme. Gjatë shekujve të mëvonshëm, roli i saj është rritur ose pakësuar, sipas rrjedhës së ngjarjeve politike. Herë ka shërbyer si strehë për mbrojtjen e banorëve të saj, herë si seli e fortifikuar e feudalëve vendës, herë si roje e rrugës natyrale të Erzenit dhe herë si satelit i kështjellës bregdetare të Durrësit.

info@balkancultureheritage.com