Studimet me karakter arkeologjik të pjesës perëndimore të rrugës Egnatia, janë mjaft më të vona se ato të pjesës lindore të saj. Përpjekja e parë u bë nga C. Praschniker dhe A. Schober që përshkruan urën antike të Topçiasit. Më pas C. Praschniker ndoqi trasenë e degës jugore të rrugës Egnatia që ishte ruajtur relativisht mirë në fushën e Roskovecit, si dhe trakte të rrugës midis Durrësit dhe Kavajës, së bashku me urën e Darçit. Gjurmime në terren për drejtimet dhe stacionet e rrugës Egnatia bëri edhe G. Veith në studimin e tij mbi luftën midis Cezarit dhe Pompeut në Iliri. Pas Luftës II Botërore ishte J. Adam që drejtoi vemendjen mbi rrugët antike në Shqipëri. Një vëzhgim i shkurtër arkeologjik-epigrafik mbi traktin e rrugës Egnatia nga Elbasani në Përrenjës i detyrohet L. Vidman. Mbi bazën e të dhënave epigrafike dhe gjurmimeve arkeologjike, H. Ceka përcaktoi edhe një degëzim të rrugës Egnatia, i cili, njëkohësisht, lidhte Apoloninë me Dyrrahun. N. Ceka dhe L. Papajani vëzhguan në terren traktin më të ruajtur të rrugës Egnatia nga Elbasani në Qafëthanë dhe botuan për herë të parë të dhëna mbi traktet, urat dhe stacionet e kësaj rruge. Gjithashtu ata gërmuan edhe termet dhe nymfeun e stacionit Ad Quintum në perëndim të Elbasanit. Vëzhgime të mëtejshme mbi teknikat e ndërtimit në rrugën Egnatia përgjatë luginës së Shkumbinit janë bërë nga V. Shtylla dhe L. Papajani. Një pjesë e këtyre të dhënave u shfrytëzuan edhe në Tabula Imperii Romani, K-34. Një punim i plotë historik-arkeologjik mbi rrugën Egnatia është realizuar nga M. Fasolo. Në dhjetëvjeçarin e fundit po bëhen kërkime sistematike përgjatë të dy drejtimeve të pjesës perëndimore të rrugës Egnatia.