Mbishkrimi në greqishte dorike “Më zbukuroi një mik i atdheut tim ndërsa atdheu Patrai më dhuroi, por unë zotëroj fushën e Gylakut” i shkon për shtat binomit Patrai/ Antipatrai (Berat/Kështjella e Goricës).
Antipatrea, e lokalizuar tradicionalisht në Berat, përmendet nga Polybi në vitin 216 p.e.sonë., si qytet dasaret (Polyb. 5 108 2). Sipas Livit në vitin 200 p.e.sonë. Legati Luc Apusti arriti në Antipatrea, “qytet që ndodhet në një grykë të ngushtë i cili nuk iu dorëzua romakëve, por luftoi me ta pasi qytetarët kishin besim tek madhësia e qytetit, muret dhe pozita e tij” dhe që pas pushtimit u dogj dhe u shkatërrua nga romakët.
Përcaktimi kohor i qytetit antik në Berat nuk mund të mbështetet thjesht në materialin arkeologjik, për shkak të vazhdimit të jetës pa ndërprerje. Nisur nga tiparet e arkitekturës së fortifikimit (hyrja ballore, kati i parë i zbrazët i kullave) Berati i përgjigjet gjysmës 2 të shek. IV p.e.sonë, ndërsa tiparet e fortifikimit në Goricë (kulla me katin e I të mbushur, me lidhje tërthore, hyrja tangenciale e mbrojtur me kullë të jashtme) përkojnë me fundin e shek. 4 - fillimin e shek. 3 p.e.sonë. Datimi i Antipatreas në gjysmën e dytë të shek. IV p.e.sonë, përputhet me supozimin se këtë emër qyteti e mori për hir të Antipatrit, mëkëmbësit të Aleksandrit të Maqedonisë.
Kodra në formë trungpiramide trekëndëshe, paraqet një altemim brinjësh të pjerrëta me tarraca të sheshta të cilat në pjesën e sipërme rrafshohen në një pllajëz të sheshtë. Pak më poshtë se buza e pllajës vijonin muret mbrojtëse që ripërsërisnin format e terrenit duke krijuar një fortifikim trekëndësh 2,2 hektarësh.
Muret e periudhës antike ruhen për 15 m gjatësi në skajin verilindor dhe dy trakte fragmentare në veri dhe jugë. Teknika është izodomike (0,57 m). Muret, 2,2 m të gjera, janë të plota, me blloqe drejtkëndëshe të gdhendura në tërë faqet (0,8-1,4 x 0, 57 x 0,5-0,8 m), të prera diagonalisht brinjëve për të shmangur thyerjen. Blloqet janë prej formacioni ranor në traktin verilindor dhe konglomerati në të tjerët. Për lidhjen më të mirë të muraturës blloqet e vendosura nga ana gjatësore këmbehen me ato të vendosura nga ana tërthore. Teknikisht muret e mësipërme janë të njëjta me ato të një vargu fortifikimesh në zonën përreth. Në perimetrin e ruajtur nuk vërehen gjurmë kullash ose hyrjesh.
Fortifikimi rindërtohet në shek. IV-VI.
Hedhjet e shumta të qeramikës së përdorimit të përditshëm të shek II-I p.e.sonë. në anën jugore të kodrës lidhen me skarcitete të një punishteje qeramike.