Helena, fajtore apo e pafajshme
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Helena, fajtore apo e pafajshme

Akti i tretë luhet përreth Helenës. Kush është Helena? Ajo është vetë fryt i një futjeje të perëndive në botën e njerëzve. E ëma, Leda, një vdekatare, është e bija e mbretit të Kalidonit, Testit. Në moshë fare të re, ajo takon një laqedemonas, Tindarin, që të papriturat e jetës politike e kanë përzënë nga atdheu dhe që ka gjetur strehë pranë Testit. Para se të kthehej në Spartë për të rimarrë mbretërimin që ia kishin zhvatur, Tindari bie në dashuri me Ledën dhe e kërkon për grua. Bëhet dasmë e madhe. Mirëpo, bukuria e pashoqe e vajzës së re nuk joshi vetëm të shoqin. Nga lartësitë e Olimpit e pikasi Zeusi. Pa marrë parasysh as Herën, as ndonjë tjetër nga bashkëshortet e tij hyjnore, ai ka vetëm një mendim në kokë: të bëjë dashuri me këtë grua të re. Ditën e martesës, po atë natë kur Tindari dhe Leda flenë në të njëjtin shtrat, Zeusi i shkon dhe bashkohet me të në trajtën e një mjellme. Leda mban njëherësh në gjirin e saj femijët e Tindarit dhe femijët e Zeusit. Katër femijë: dy vajza, dy djem. Herë-herë, thuhet se, në të vërtetë, Zeusi zuri me zor një perëndeshë, Nemesidën. Për t’i shpëtuar, ajo kishte marrë trajtën e një pate dhe Zeusi u bë mjellmë për ta mbarsur. Skena u zhvillua në lartësitë e malit Tajget, pranë Spartës dhe, pikërisht në majë të malit e vendosi Nemesida-patë vezën (apo të dyja vezët) që një bari rendi t’ia çojë Ledës. Në pallatin e mbretëreshës, vogëlushët dalin nga lëvozhga e tyre dhe Leda i bën femijët e vet.

Nemesida është një hyjni për t’ia pasur frikën, bijë e Natës, e të njëjtit soj me vëllezërit e motrat e lindura si ajo nga fuqia e Territ: Vdekja, Parkat, Lufta (Erida) me shpurën e tij: Vrasjet, Kërditë, Përleshjet. Mirëpo, Nemesida mbart edhe pamjen tjetër të femërisë natore: Gënjeshtrat ëmbëlake (Pseudea), Ëmbëlsinë dashurore (Filotes'), që bashkon kënaqësi dhe mashtrime. Nemesida është një hakmarrëse që kujdeset për shlyerjen e gabimeve. Ajo nuk gjen prehje për aq kohë sa nuk e ka kapur fajtorin për ta ndëshkuar, për aq sa nuk e ka ulur të pacipin që është ngritur shumë lart, duke ngjallur me teprinë e ngadhënjimit zilinë e perëndive. Nemesida - Leda: në njëfarë mënyre, është Nemesida, perëndesha, ajo që merr pamjen e Ledës, një gruaje të thjeshtë, për t’i bërë vdekatarët të paguajnë fatkeqësinë e të mosqenit perëndi.

Katër femijë pra, dy djem, Dioskurët (“bijtë e Zeusit” që janë njëkohësisht Tindaridët, bij të Tindarit) Kastori dhe Poluksi; dy vajza, Helena dhe Klitemnestra. Në ta janë bashkuar, për të mirë e për të keq, hyjnorja dhe njerëzorja, fara e Tindarit, bashkëshortit njeri dhe e Zeusit, dashnorit perëndi, duke u përzier në pëqinë e Nemesida - Ledës për t’u bashkuar, duke mbetur të dallueshme dhe të kundërta. Nga dy binjakët meshkuj, njëri, Poluksi, rrjedh drejtpërdrejt nga Zeusi, është i pavdekshëm; tjetri, Kastori ngjan më shumë nga Tindari. Në përleshjen që zhvillojnë ndaj dy kushërinjve të vet, Idit dhe Linkeut, Kastori gjen vdekjen dhe zbret në Ferr, kurse Poluksin fitimtar, por të plagosur, Zeusi e ngjiti në Olimp të mbuluar me lavdi. Gjithsesi, me gjithë prejardhjen dhe natyrën e tyre në kontraste, të dy vëllezërit mbeten binjakë, po aq të lidhur njëri me tjetrin, po aq të pandashëm sa dhe dy skajet e trarit horizontal, që i paraqet në Spartë. Poluksi e bind Zeusin që pavdekësia të ndahet në mënyrë të barabartë midis atij dhe të vëllait, duke përfituar secili përgjysmë një qëndrim në qiell te perënditë e një mërgim nën dhë, në Ferr, në mbretërinë e hijeve, me vdekatarët. Edhe Klitemnestra dhe Helena, nga ana e tyre, shfaqen si një hata e dyfishtë. Por Klitemnestra, për të cilën thuhet se është plotësisht e bija vdekatare e Tindarit, është sterrë e zezë: ajo mishëron mallkimin që rëndon mbi fisin e Atridëve, është shpirti hakmarrës që i sjell një vdekje me turp ngadhënjimtarit të Trojës, Agamemnonit.

Helena, pjellë e Zeusit, ruan nga ana e vet, gjer në mynxyrat që shkakton, një hije hyjnore. Shkëlqimi i bukurisë që e bën atë, për nga pushteti joshës, një qenie llahtarisëse, nuk rresht megjithatë së rrezatuari vetvetiu duke e mbështjellë me një dritë ku shndrin vezullimi i hyjnores. Kur largohet nga bashkëshorti, nga pallati, nga femijët, për t’u çapitur pas hapave të djaloshit të huaj që i shtie ndër mend një dashuri kurorëshkelëse, a është vallë fajtore, apo e pafajshme? Ndonjëherë thuhet se ajo u dha edhe më lehtë përpara thirrjes së dëshirës, kënaqësisë së shqisave, kur u magjeps nga luksi, pasuria, kamja, shkëlqimi oriental që shpaloste princi i huaj. Herë-herë, përkundrazi, pohohet se ajo është rrëmbyer me forcë, pa pëlqimin e saj dhe me gjithë qëndresën që ka bërë.

Megjithatë, një fakt është i sigurt. Ikja e Helenës me Paridin shpërtheu luftën e Trojës. Gjithsesi, kjo luftë nuk do të kishte qenë ajo që qe, nëse do të bëhej fjalë vetëm për xhelozitë e një bashkëshorti të vendosur për të shtënë sërish në dorë të shoqen. Çështja është shumë më e rëndë. Paqja, mikpritja, lidhjet e fqinjësisë, zotimet, ndërhyjnë përballë dhunës, urrejtjes, përçarjes. Kur Helena është në moshë për t’u martuar, i ati, Tindari, përballë një bukurie të këtillë, karshi një stolie kaq të çmuar, thotë me vete që kjo gjë nuk është punë e lehtë. Pra, ai thërret gjithë sa Greqia kishte në lule të moshës, princër, mbretër ende beqarë, që të shkojnë tek ai e që zgjedhja midis tyre të bëhet duke e ditur se si qëndron çështja. Ata qëndrojnë njëfarë kohe në oborrin e mbretit. Çfarë vendimi të merret? Tindari është në hall. Ai ka një nip shumë dinak, Odiseun, që duhet përmendur, sepse edhe ai luan rol në këtë histori. Odiseu i thotë babait të Helenës pak a shumë këto fjalë: “Ti ke vetëm një mjet për të hedhur lumin. Para se të përcaktosh zgjedhjen, çka do të shkaktojë me siguri irëmujë, kërkoju të gjithë mëtonjësve të bëjnë njëzëri një betim se, cilido qoftë yendimi i Helenës, ata do ta miratojnë këtë zgjedhje dhe se për më tepër të gjithë do të jenë të angazhuar me këtë martesë. Nëse atij që ajo do të zgjedhë, i qëllon që në marrëdhëniet martesore t’i ndodhë diçka që nuk shkon, ata do të ndihen të gjithë solidarë me burrin”. Të gjithë bëjnë betimin dhe i kërkojnë Helenës të shprehë haptas parapëlqimin e saj. Ajo zgjedh Menelaun, mbretin e Spartës.

Menelau e njihte me kohë Paridin. Gjatë një udhëtimi në Trojadë, kishte bujtur në shtëpinë e tij. Kur Paridi vjen vetë në Greqi, i shoqëruar nga Eneu, e presin së pari, me bujë të madhe vëllezërit e Helenës, Dioskurët, para se Menelau ta çojë në Spartë, ku ndodhet Helena. Gjatë njëfarë kohe Menelau e mbyt me dhurata e përkujdesi bujtësin Parid. Pastaj atij i duhet të shkojë në varrimin e një të afermi. Atëherë, ia beson Helenës kujdesin për ta zëvendësuar në detyrat e tij të mikpritjes. Pikërisht me rastin e kësaj zie dhe largimit të Menelaut, mysafiri pritet në mënyrë më vetjake nga Helena. Mund të hamendësohet që, për aq kohë sa Menelau ndodhej aty, gratë e pallatit mbretëror të Spartës nuk jetonin në afri të madhe me një të huaj. Kjo ishte çështje e mbretit. Tani ishte e Helenës.

Paridi dhe Eneu i kthehen sërish detit dhe, pa pritur më, ia mbathën për në Trojë me të bukurën Helenë, me hir a me pahir, brenda në anije. Me t’u kthyer përsëri në Spartë, Menelau sulet tek i vëllai, Agamemnoni, që ta vërë në dijeni për tradhtinë e Helenës, e sidomos për pabesinë e Paridit. Agamemnoni ngarkon një mori personazhesh, midis tyre Odiseun, për të vënë në dijeni të gjithë mëtonjësit e dikurshëm e për të bërë thirrje për solidaritet. Fyerja qe e atillë sa, përveç vetë Menelaut dhe Agamemnonit, lypsej që gjithë Helada të mblidhej për ta detyruar Paridin që ta paguante paq rrëmbimin e një gruaje, e cila nuk është vetëm më e bukura, por edhe greke, bashkëshorte, mbretëreshë. Megjithatë, në çështje nderi, bisedimet kanë mundësi t’i paraprijnë dhe, herë-herë, ta zëvëndësojnë përdorimin e armëve. Fillimisht, Menelau dhe Odiseu, nisen pra si delegacion në Trojë, për t’u përpjekur t’i ndreqin gjërat urtë e butë, me qëllim që harmonia, marrëveshja, mikpritja të mbretërojnë përsëri, duke paguar ndonjë gjobë a shpagimin e fajit që qe bërë. Ata priten në Trojë. Midis parisë së Trojës, disa janë idhtarë të kësaj zgjidhjeje paqësore, në veçanti Deifobi. Vendimin duhet ta marrë pikërisht kuvendi i pleqve të Trojës. Kjo çështje i kapërcen edhe kompetencat e pushtetit mbretëror. Pra, të dy grekët priten në kuvend ku disa pasardhës të Priamit, jo vetëm që bëjnë intriga për të hedhur poshtë çdo kompromis, por janë, madje, të mendimit që Odiseu dhe Menelau nuk duhen lënë të kthehen të gjallë. Mirëpo Deifobi, që i priti si mysafirë, i merr ata në mbrojtje. Ata kthehen nga misioni duarthatë për të njoftuar në Greqi dështimin e orvatjes për pajtim. Tanimë, gjithçka është gati që konflikti të shpërthejë.

info@balkancultureheritage.com