Kështjella e Himarës ndodhet 3 km në veri të qytetit Himarë, në një shkrep shkëmbor 140 m të lartë. Nga perëndimi shkrepi rrëzohet mbi një gji detar, ndërsa në verilindje dhe juglindje bie me shkëmbinj masivë mbi përrenjtë stinorë. Vetëm në lindje shkrepi bashkohet butë me terrenin përreth. Ky është i vetmi vend ku mund të kalojë rruga e Akrokerauneve e cila të nxirrte gjatë litoralit nga Buthroti në Orik dhe Aulonë.
“Himeri është liman”. Sipas Plini-t Maior (NH 4 1, v. 65- 79) “Në bregdet të Epirit, mbi malet e Akrokeraunit, ndodhet kështjella e Himerës. Nën të burimi i Ujit Mbretëror”. Ky burim, një lumë nëntokësor me ujë të ëmbël, del dhe derdhet në det 2 km në jugë të Himarës. Lumi mund t’i fumizonte mirë me ujë anijet dhe banorët ndërkohë që përreth ka toka të punueshme, rrallësi kjo për brezin e ashpër bregdetar. Krahas kësaj klima paraqitet mjaft e përshtatshme për zhvillimin e vreshtarisë dhe ullishta
Pjesa e sipërme e shkrepit me sipërfaqe 1 ha është e rrethuar me mure mbrojtës të cilët nisin në shek. 8 p.e.sonë. dhe vijojnë pa ndërprerje deri në mesjetën e vonë. Gjurmët e periudhës antike përkojnë plotësisht me trasenë e mureve të mëvonshme, çka tregon se kjo periudhë përcaktoi planimetrinë e rrethimit.
Muret u përshtaten gjinjve dhe të dalave të terrenit me dhëmbëzime dhe kthesa të lehta, por gjithnjë me vija rreptësisht të drejta. Gjurmët tre-gojnë se muret e qarkonin terrenin edhe në vendet e pakalueshme. Më qartë ata kapen në verilindje, prej ku, pas një kthese të lehtë dhe një dhëmbëzimi të vogël (2,5 m), vijojnë drejt për 140 m gjatësi.
Hyrja kryesore duhet kërkuar në fund të kësaj ane, po në atë vend ku gjendet dhe hyrja e fortifikimit mesjetar. Në skajin juglindor muri kthehet me kënd të fortë për të vazhduar deri tek një kullë (6,3 x 3,75 m, 4 m e lartë) e pajisur në skajet me vijë peshimi. Hyrja mesjetare bri saj tregon se kulla shërbente për mbrojtjen e njërës nga hyrjet antike.
Muret 3,2 m të gjerë në anët e mbrojtura nga natyra dhe 3,50 m në anët e rrafshëta, janë ndërtuar me blloqe guri gëlqeror (0,8- 1,8 m x 0,4 - 1,4 m) të latuar mirë në anët e bashkimit, dhe të mysët, të thyer me varre, në anën e ballit. Format e blloqeve janë nga më të ndryshmet: nga katërkëndëshja tek shtatëkëndëshja, pa parapëlqim të asnjërës formë. Herë herë mes tyre vihen re pykat, ndërsa skajet e dhëmbëzimeve dhe kullave janë të pajisura me vijë peshimi. Muret ngrihen mbi një xokol guri të mbështetur në shkëmb.
(Fshati Himarë, rrethi Vlorë). Në të dalë të Spilesë në faqen e kodrës të drejtuar nga deti në krahun e majtë të rrugës Himarë-Sarandë ndodhen tri shpella.
Në vitin 1939 në një nga këto shpella bëri gërmime profesor L. Cardini. Materialet e zbuluara prej tij nuk janë botuar. Një njoftim të shkurtër na jep D. Mustili, i cili vë në dukje se shtresa kulturale kishte një trashësi prej 2.25 m dhe formohej prej pesë nënshtresash me materiale të përziera. Në shtresën e pestë, sëbashku me keramikën helenistike, u gjetën edhe ashkesa prej guri stralli, gjë që e shtyn D. Mustilin të mendojë se shpella ka qenë banuar qysh prej kohësh të lashta.
(Fshati Himarë, rrethi Vlorë). Në krahun e djathtë të rrugës automobilistike Vlorë-Sarandë, 8 km. në jug të Himarës, ndodhet gjiu i Porto Palermos.
Në këtë gji të bukur, mbi një kodër të vogël, të rrethuar nga të tri anët me ujë, ndodhet një kala mesjetare, ndërtuar në kohën e Ali Pashë Tepelenës. Në sipërfaqen e kodrës tek-tuk takohen fragmente qeramike të kohës antike. Simbas burimeve të autorëve antikë vendi mbi të cilin ngrihet kalaja lokalizohet me limanin e lashtë Panormi (Straboni VII, 58, Ptolemeu, III, 13,2).