Himara
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Himara

Himara shfaqet në një dimension të trefishtë territorial. Në Defterin 1431/1432, Himara emërohet si qytet (nefs-i Himara) dhe kishte 117 shtëpi, gjë që e vinte atë në të njëjtin nivel me Gjirokastrën (121 shtëpi) e Krujën (125 shtëpi). Në kuadrin e Sanxhakut shqiptar, Himara ishte edhe qendër e një nahije të veçantë, nahijes së Himarës, e cila deri në fillim të shek. XVI varej nga Kanina. Kjo nahije përfshinte veç Himarës, edhe Palasën, Vunoin dhe disa fshatra të tjerë të vegjël të paidentifikuar me nga 2-10 shtëpi:

Belovodë, Stefanat, Kavalarilediç, Rufan, Selcë, Shalës, Kirderyan. Nahija tjetër fqinje, ajo e Sopotit, që deri në fillim të shek. XVI varej nga Delvina, përfshinte fshatrat e tjerë të Himarës etnografike, si dhe ndonjë fshat tjetër të Lumit të Vlorës: Lukova, Buneci, Piqerasi,Piluri, Qeparoi, Borshi, Kudhësi dhe Fterra. Këto fshatra quheshin edhe Himarë dhe banorët e tyre, në një farë kuptimi, quheshin edhe Himarjotë. Kështu, në vitin 1620 Nivicën, d.m.th. Nivicë-Bubarin, e shohim të quhet edhe "Nivicë e Himarës" (Nivica luoco di Cimara), kurse më 1602 cilësohet si "Himarjot" edhe një personazh i njohur nga Dhërmiu, Kristofor Bixhili (Cristofforo Bicili dalla Cimara).

 

Me krijimin e Sanxhakut të ri të Delvinës krahina e Himarës, siç tregon Defteri i vitit 1551 por edhe ai i vitit 1583, u bë pjesë e nahijes së Kurveleshit. Kjo e fundit përbëhej nga fshatrat Zhulat, Lopës, Leshna (?), Lleshtan, Hundecovë, Piqeras, Shën Vasil, Lukovë, Buzniq (?), Pilur, Kuç, Çemogon (i quajtur ndryshe Asanicë), Himarë, Borsh, Damat (?), Fterrë, Çernogorica (Çorraj), Kudhës, Qeparo, Dhërmi, Bangalat (Pangallë, fshat afër Dhërmiut, sot i zhdukur-P. Xh.), Vuno, Palasë, Progonat, Ilias, Nivicë, Dukat, Kallarat, Peshtan, Zelinë (?), Martallos, Karvaulluk (?) e Selitë.

Por, pavarësisht ndarjeve administrative osmane, burimet e identifikojnë shpeshherë Himarën me krejt krahinën e Labërisë (Arbërit). Ne pamë më parë, se dallime e kontraste ekzistonin gjithsesi midis "Arbërit të bregut" (appresso la marina) dhe "Arbërit të maleve" (sopra le montagne). Pamë, gjithashtu, se qysh në vitet 1530 Turqit përpiqeshin të joshnin banorët e malësisë së Arbërit që të bashkoheshin me ta e të godisnin Himarën. Kjo ndarje brenda Arbërit të jugut u përvijua sidomos kur midis fshatrave të Bregut dhe fshatrave të Labërisë së sotme u krijua një ndarje kulturore për shkak të islamizimit të këtyre të fundit. Diferencimi fetar krijoi një limes psikologjik e kulturor pikë së pari tek të huajt. Për këta, myslimanët e Arbërit ishin thjesht "turq". Kështu, për komandantin venecian Domenico Mocenigo, më 1691, Himara ishte vargmali që zgjatej bregut të detit i shënjuar nga fshatra të ndryshme, ku nuk kishte "turq" (myslimanë). Më 1732 në Himarë kishin mbetur vetëm 15 fshatra të krishtera, që do ishin kthyer edhe ato, po të mos ishte vepra e misioneve baziliane që i vuri fre procesit të islamizimit në fshatrat e Bregut.

U tha më sipër, se në Defterin 1431/1432, Himara emërohet si qytet (nefs-i Himara) dhe kishte 117 shtëpi, pak a shumë sa kishin edhe Gjirokastra (121 shtëpi) e Kruja (125 shtëpi). Ndërsa, në Defteret e Delvinës të viteve 1551 e 1583, Himara figuron si fshat (karye-i Himara). Megjithatë, më 1566, një raport i Juan Saetta, i dërguar i Mëkëmbësit të Napolit, e cilëson Himarën përsëri si "qytet". Po si qytet e përmend Himarën edhe mitropoliti i Durrësit, Simon Laskari, më 1661. Nëse ndryshimi i emërtimit lidhet me arsye të qenësishme, ne do t'i lidhnim fluktuacionet në emërtimin e Himarës me fatet e kështjellës, polis-it, të saj, ku ndodhej edhe kisha peshkopale. Himara dëshmohet si peshkopatë që në vitin 1020, fillimisht nën varësinë e selisë metropolitane të Ohrit e më tej të Naupaktit e duke filluar nga gjysma e dytë e shek. XV si sufragane e Janinës. Vetë kështjella e Himarës identifikohej ndonjëherë me kishën peshkopale të Shën Sergjit e Bakut. Më 1668, një klerik nga urdhri i murgj ve të Shën Bazilit e quan Himarën pikërisht Sergiopoli, qytet i Sergjit. Në fakt, sa kohë kështjella e Himarës (castello de la Cimarrd) ishte në këmbë, Himara mbetej vendi i papushtueshëm që burimet historike përmendin vazhdimisht. Por, në kryengritjet e përsëritura që ndoqën ato të viteve 1480, muret e kështjellës së Himarës ishin dëmtuar rëndë, dhe po ashtu edhe kisha peshkopale e Shën Sergjit e Bakut. Në letrat e tyre për Mëkëmbësin e perandorit Karli V në Napoli, më 1530, dhe për papën Gregori XIII më 1577, Himarjotët kërkuan ndihma në të holla e në specialistë muratorë pikërisht për meremetimin e mureve të rrëzuara të Himarës dhe të kishës peshkopale të djegur nga Turqit. Për një nga ato paradokset jo të rralla të historisë, sot qyteti i Himarës identifikohet me ndërtimet e reja të bëra buzë detit në kohët moderne, ndërsa qyteti historik i Himarës që vazhdon ta dominojë gjithë territorin përreth nga një lartësi sovrane, quhet edhe nga vetë banorët e vendit "Himara-fshat".

Himara konsiderohej një faktor tepër i rëndësishëm nga Venediku, sidomos në funksion të Korfuzit venecian. Nga Himara vinin në Korfuz drithëra e produkte të tjera (dalla Cimera si trazeno formenti et altre biave per l'insula di Corfu). Si treg drithi Himara duket se u hap fillimisht në vitin 1624 për meritë të Bajliut të Korfuzit, Piero Marcello, i cili e pohon një gjë të tillë në një raport për Senatin. Duhet të mendojmë se në rastin e Himarës, kemi të bëjmë me një treg tranzit, i hapur në një vend të përshtatshëm të bregdetit, gjasisht tek "Rrugët e Bardha", ku drithi e produktet e tjera ushqimore vinin nga vise të dëgjuara për produkte të tilla, siç ishte fusha e Beratit dhe ajo e derdhjes së poshtme të Vjosës. Proveditori venecian i Korfuzit, Marco Michiel, vinte në dukje në vitin 1559, se anijet veneciane mund të ndaleshin në Himarë për t'u fumizuar me ushqime e ujë. Nëpërmjet Himarës mund të dërgoheshin letra e mesazhe në brendësi të Shqipërisë, në Dalmaci e kudoqoftë. Dhe në fund, përfundonte raportin e tij proveditori Michiel, miqësia me Himarjotët duhej mbajtur me çdo kusht, pavarësissht se me bëmat e tyre ata i dëmtonin shpeshherë interesat veneciane. Në fund të fundit, qeveritarët venecianë të Korfuzit, nëpërmjet Himarës mund të informoheshin për lëvizjet e Turqve të Vlorës e të bregdetit të Shqipërisë. Rreth vitit 1470, Himara kaloi nën autoritetin e Portës. Siç shkruan kronisti Stefano Magno, atë vit, Bajliu i Korfuzit Lorenzo da Lecce ia dorëzoi Himarën të dërguarve të Sulltan Mehmetit II.

Në fakt, kryengritjet e njëpasnjëshme e kishin kthyer Himarën dhe krejt atë trevë në një zonë të lirë, ku Turqit nuk mund të afroheshin. Megjithatë, në vitin 1500 dëgjojmë të flitet për herë të parë për një "vojvodë dhe një Shqiptar tjetër nga Himara", të cilët kishin shkuar në Korfuz të takonin Proveditorin venecian të ishullit (sono venuti a me el vayvoda et un altro Albanise dala Cymara". Mund të besojmë se bëhet fjalë për të njëjtin funksionar turk, i cili në vitin 1555 dëshmohet me seli në fshatin Sasaj. Pikërisht atë vit, gjatë një përleshjeje në Himarë mbeti i vrarë një grabitës nga Nivica dhe u zu i gjallë një shok i tij. "Për të shpëtuar fshatin" (per salvar la villa), Himarjotët ia dorëzuan kufomën dhe robin pikërisht vojvodës së Sasajt dhe ky gjest padyshim flet për një farë njohjeje të autoritetit të Portës edhe në Himarë, të paktën në momentin e dhënë.

Por, ai që do vendoste vërtet një farë autoriteti të Portës mbi Himarën e gjithë trevën e Arbërit do të ishte pikërisht një Himarjot i konvertuar, Ajaz Pasha, një ndër gjeneralët kryesorë të Sulltan Sulejmanit të Madhërishëm. Sipas përshkrimit që i bën këtij në vitin 1526 Bajliu i Venedikut në Konstandinopojë, Pietro Bragadin, Ajaz Pasha, me kombësi shqiptare (di natione Albanese), lindur afër Himarës, ishte atë kohë 44 vjeç. Luftëtar i madh, Ajazi ishte pa më të voglin formim kulturor. Nuk dinte as të lexonte, as të shkruante dhe madje as të fliste. E ëma e tij vazhdonte të ishte e krishterë, e thuhej se ishte murgeshë në një manastir pranë Vlorës, ndoshta në manastirin e Shën Mërisë pranë Zvërnecit. Me të mbërritur me ushtri në Himarë, i ndihmuar edhe nga Sanxhakbeu Sinan Pasha e flota e tij, Ajaz Pasha mundi t'i shtrojë Himarjotët vetëm pasi u premtoi atyre t'i lironte nga taksa kryesore, haraçi, dhe t'u njihte një sërë privilegjesh kundrejt pranimit të sovranitetit të Sulltanit. Sipas Saetta-s, më 1566 Himarjotët i paguanin Sanxhakbeut të Delvinës taksën për kokë plus të dhjetën e bagëtisë.

Turqit kishin mundur të depërtonin, me sa duket, duke shfrytëzuar e duke nxitur ndarjet e konfliktet mes banorëve të Himarës dhe atyre të Labërisë. Në nëntor 1532 Himarjotët informonin markezin e Atripaldës se Turqit kishin dërguar korrierë dhe letra në Arbër, d.m.th. në Labëri, për t'u premtuar krerëve të fshatrave të asaj treve dhurata dhe të holla në rast se ata pranonin të shkatërronin Himarën. Himarjotët raportonin se tashmë ata ishin nën sulmet e Turqve dhe të Venecianëve, sa në tokë edhe në det. Dhe nëse Turqve do t'i bashkoheshin edhe fshatrat e Arbërit, atëherë Himarjotët rrezikoheshin të shpartalloheshin. Sigurisht, shumëçka në këtë letër mund të vihet në dyshim. Në fund të fundit, qëllimi i vërtetë i saj ishte të siguronte një ndihmë të posaçme të Napoletanëve për Himarën.

Megjithatë, nuk ka dyshim që midis vetë fshatrave të Himarës, dhe aq më shumë midis Himarës dhe alter ego-s së saj, Labërisë, ekzistonin që atë kohë fërkime të brendshme. Në tetor 1555, Himarjotët ju përgjigjën thirrjes së Sanxhakbeut të Delvinës dhe u bashkuan me të për të goditur disa fshatra kryengritëse, rivale të tyre (et mandd a chiamar li primarii di la Cimera di fation contraria agli solevati). Ndërkohë, Himarjotët duket se e kishin humbur lirinë e dikurshme. Tregues i kësaj situate të ndryshuar ishte vizita e sanxhakbeut të Delvinës në Himarë në vitin 1558. Me atë rast, në shenjë nënshtrimi, burrat e fshatrave përreth shkuan ta përshëndesnin dhe t'i jepnin dhurata.

Një tjetër moment i vështirë për Himarjotët në marrëdhëniet me pushtetin osman duhet të ketë qenë ai i fillimit të shek. XVII. Në vitin 1602 përfaqësuesit e fshatit Himarë dhe ata të Vunoit fqinj shkuan në Delvinë të takojnë Sanxhakbeun Kedir Pasha. I kërkuan atij ndihmë për të fortifikuar këto dy fshatra, duke premtuar që të dërgojnë përkatësisht 40 e 30 djem si peng besnikërie. Sanxhakbeu e pranoi menjëherë propozimin dhe premtoi të dërgojë njerëz e materiale për të filluar menjëherë punën. Himarjotët lëvizën të parët duke dërguar 40 djemtë e tyre, të cilët kaluan sakaq në fenë myslimane. Interesante është, se ajo çka Sanxhakbeu vendosi të bëjë për këtë "rikthim" të Himarjotëve nën autoritetin e Portës, pasi ky ishte kuptimi i këtij zhvillimi të ri, nuk ishte rindërtimi i kështjellës mbi kodër, por ndërtimi nga e para e një fortese në Porto Palermo që do të ndihmonte e do kontrollonte ankorimin e anijeve. Pra, kjo do të ishte një fortesë jo për Himarën, por për kundër Himarës, që do të mundësonte pikërisht kontrollin e territorit dhe zbarkimin e trupave osmane në rast turbullirash në atë trevë. Me sa duket, Turqit kërkuan ta shfrytëzojnë kërkesën e Himarjotëve për të ndërtuar një bazë detare aty ku marrëveshjet me Venedikun e ndalonin një gjë të tillë. Në fakt, pak kohë më vonë Sanxhakbeu i Delvinës i njoftoi Himarjotët se leja nga Konstandinopoja për ndërtimin e saj nuk erdhi për shkak të ndërhyrjes së Bajliut të Venedikut në Konstandinopojë. Siç duket, Venecianët e kishin kuptuar që Turqit donin të shfrytëzonin kërkesën e Himarjotëve për të ndërtuar një kështjellë për mbrojtjen e vendit, duke vendosur të ndërtojnë, sigurisht për veten e tyre, bazën dhe fortesën e Porto Palermos.

Fitorja e Turqve në Luftën e Kandias, më 1669, u dha dorë atyre të forconin kontrollin mbi krahinat rebele të Himarës dhe Labërisë. Atë kohë edhe Republika e Venedikut ishte kthyer kundër Himarjotëve, dhe më 1668, për herë të parë, në gjuhën e qeveritarëve venecianë Himara quhet "vend armik" (paese nemico).

Nga ana tjetër, konfliktet e brendshme që përgjaknin popullsinë e lehtësuan punën e Portës. Misionari Stanila rrëfen se, ndërkohë që Turqit përgatisnin një ekspeditë të jashtëzakonshme kundër banorëve të asaj treve, një vrasje e ndodhur në fshatin Himarë shpërtheu mekanizmin e gjakmarrjes dhe sa hap e mbyll sytë i gjithë fshati u ndodh i përfshirë në një luftë vëllavrasëse, që i mbushi rrugët me kufoma. Kjo gjendje e dëshpëruar i shtyu Himarjotët t'i nënshtrohen Turqve duke u paguar atyre haraçin e përvitshëm. Ndërkohë, shumë Himarjotë kishin zgjedhur të shpërnguleshin me familje në Korfuz. Misionari bazilian nuk lë pa vënë re se atë kohë Himarjotët kishin hyrë në një konflikt të armatosur edhe me fqinjët e tyre myslimanë të Labërisë. Për të krijuar një ide më të qartë mbi virulencën e konflikteve të tilla mes fqinjëve e aleatëve të dikurshëm, na ndihmon një raport i vitit 1699 i një misionari tjetër me qëndrim në Himarë, i cili përshkruan një konflikt të armatosur mes Himarës dhe Kuçit që, sipas tij, kishte shkaktuar shumë të vrarë si nga njëra palë, ashtu edhe nga tjetra. Megjithatë, kjo nuk do të thoshte se fshatrat e Labërisë të kaluara në islam kishin bërë kauzë të përbashkët me Turqit. Në mars të vitit 1693, kreu i misionit bazilian në Himarë, Nilo Catalano, raportonte se Turqit kishin shkatërruar pak më parë tre fshatra kryengritëse, të krishtera e myslimane, pranë Himarës, dhe kishin masakruar banorët e tyre. Fshatrat në fjalë ishin Nivicë-Bubar, Shën Vasili dhe Zhulati, prej të cilëve ky i fundit ishte tashmë një fshat mysliman. Burime të shumta, që do t'i citojmë në kapitullin përkatës mbi kryengritjet antiosmane, dëshmojnë se fshatrat, tashmë myslimane, të Labërisë vazhduan të jenë edhe gjatë shek. XVII-XVIII e deri në prag të Rilindjes, vatrat kryesore të kryengritjeve antiosmane.

Kur edhe prapashpina e Arbërit kaloi në islam, pozita e Himarës dhe e fshatrave të tjera të Bregut u vështirësua edhe më tej dhe Himarjotët u detyruan të njohin një lloj sovraniteti të Sulltanit. Procesi i islamizimit të Arbërit-Labërisë u intensifikua qartazi pas përfundimit të Luftës së Kandias (1669). Siç e pamë më lart, atë kohë ishte islamizuar një pjesë e mirë e fshatit Dukat. Më 1685, misionari Arcadio Stanila raportonte se banorët e fshatit Nivicë të Kurveleshit kishin qenë dikur të gjithë të krishterë, por pasi fshati u mor përfundimisht nga Turqit, u kthyen myslimanë dhe në kohën kur ai shkruante, në fshat kishte mbetur e krishterë vetëm një grua plakë. Kishte kaluar më se një shekull nga 6 tetori i vitit 1566, kur Juan Saetta raportonte se pikërisht ndonjë ditë më parë, Niviciotët ishin çliruar duke dëbuar garnizonin osman, që mbronte kështjellën në kodrën mbi atë fshat të madh me 400 shtëpi.

Në fund të shek. XVII pjesa më e madhe e fshatrave të Labërisë kishte kaluar tashmë në islam. Në dhjetor 1690, një banor i Radhimës u komunikoi Venecianëve në Vlorën e pushtuar prej tyre, se Kaplan Pasha me ushtri ishte dislokuar në Armenohor dhe prej andej i kishte bërë thirrje "të gjithë Turqve të Arbërit" (ha chiamato tutti i Turchi d'Aruana) të vinin të bashkoheshin me të për t'u rënë Venecianëve të përforcuar në kështjellat e Vlorës e të Kaninës.

Gjithsesi, në këtë koniunkturë të brendshme e të jashtme të pafavorshme për ta, në fund të shek. XVII, Himarjotët ishin detyruar të njihnin autoritetin e Portës së Lartë, duke i paguar asaj një haraç modest, që llogaritej gjysëm reali për çdo shtëpi. Pak më vonë, më 1710, Camillo Contarini do të shkruante për Himarjotët, se ata "detyroheshin t'i japin Portës ndonjë detyrim modest si shenjë e njohjes së pushtetit të saj, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të hyjnë e të dalin në vendet turke, ku furnizohen me ushqime dhe produkte të tjera të nevojshme, që mungojnë në vendin e tyre të varfër"

Banorët e Himarës përcaktohen nga të huajt si Shqiptarë dhe vetëpërcaktohen ata vetë si të tillë në letërkëmbimet e tyre me sovranët e Evropës dhe me papët e Romës. Për të komunikuar me Himarjotët, murgjve bazilianë të ardhur aty nga Italia në shek. XVI-XVIII u kërkohej të mësonin gjuhën shqipe, ndërkohë që në veprimtarinë e tyre bënte pjesë edhe hapja e shkollave shqipe dhe botimi në shqip i librave të liturgjisë. Më 1642, misionari Neofit Rodind kërkoi të lirohej nga detyra e tij në Himarë dhe të zëvendësohej nga një i ri, Diegua që ishte nxënës i Kolegjit të Shën Athanasit. Rodind e mbështeste kërkesën e tij në faktin se ai vetë "nuk e njihte gjuhën shqipe" (io non so la lingua Albanese) ndërsa Diegua në fjalë, përveç aftësive të tjera, zotëronte edhe gjuhën (perche possede anco la lingua).

Raste të shumtë, që do i citojmë në kapitujt përkatës gjatë shtjellimit të këtij punimi, çimentojnë identitetin shqiptar të banorëve të Himarës proprie dicta. Në këtë drejtim dëshmon edhe antroponimia e kësaj zone, e cila do të evidentohet gjatë shtjellimit të këtij punimi. Këtu, sa për ilustrim, po riprodhojmë një listë të pleqve të fshatrave të ndryshme të Himarës, të cilët nënshkruajnë një letër të vitit 1616 për Mbretin e Spanjës, letër që dorëzohet nga prifti Joan Klosi nga Lukova (Gioan Clossi dal casal Lucovi) dhe nga Dhimitër Basta nga Nivica (Dimitri Basta de Niviza). Letra, e cila dëshmon dëshirën e atyre banorëve për t'u ndarë një herë e mirë nga Turqit, që "u kishin ngrënë mishin e tani po u hanin edhe kockat" (quali ne hanno mangiato la came et al presente insino all'osa), si dhe vendimin e tyre për t'u vënë nën mbrojtjen e Mbretit të Spanjës (voleno suggettarse al detto Re di Spagna). Nënshkruesit e letrës janë: nga Shën Vasili: Duca Menguli, Nicold di Paulo Conto de Nicold. Nga Lukova: Duca de Nicolo, Stamati Recchi, Nicolo de Dima, Gioca Bitri Gini. Nga Buneci: Suba Gini, Gioca Menculi Cesari. Nga Sasaj: Suba Gica, Giorgio de Gica. Nga Piqerasi: Nica Groneca, Supan Nicoli, Duca Siri, Subba Bitri, Nguma Chiurchi, Thoma Clossi. Emrave të mëposhtëm nuk u tregohet fshati, por disa nga mbiemrat i përgjigjen më së shumti fshatit Vuno: Chiur Ggini, Becci Ggini, Mea Lazari, Ggica Martiri, Prete Casnedi, Prat Ggini, Suba Conti, Nica Ggin Sguri, Cola Menguli, Prete Nica, Paulo Pristi, Gioan Despot.

Edhe antroponimia e fshatrave të asaj treve, ashtu si na përcillet nga regjistrat osmanë të viteve 1551 dhe 1583, na zbulon emra e mbiemra të banorëve të atyre fshatrave, që janë tipikë shqiptarë dhe që i uniformon ata me banorët e gjithë viseve përreth të Sanxhakut të Delvinës. Kështu, në  antroponiminë e fshatit Himarë mbizotërojnë emra si: Gjon, Dedë, Progon (Progër), Lekë, Meksh, Dhimo, Kolë, Gjin, Zhupe, Todër, Vlash, Lalë, Belush, Nikë, Marin, Laskë, Muzhak, Palush, Mëhill, Kond, Belsh, Mingul, Gjinpjetri, Martin etj. Pak a shumë këto emra gjenden edhe në fshatin tjetër të madh të Himarës, Dhërmi, ku në regjistrin e vitit 1583 bie në sy edhe përmendja e familjes së njohur të Bixhilëve. Të tillë emra tipikë shqiptarë mbizotërojnë ndjeshëm edhe në fshatrat e tjera të Bregut: Vuno, Piqeras, Shën Vasil, Nivicë, Lukovë, Pilur, Borsh, Qeparo, Hundecovë. Iliasi nuk përmendet në këta defterë, edhe pse emri i tij shfaqet në relacionet e të dërguarve spanjollë të së njëjtës periudhë, si dhe në letrat e vetë Himarjotëve për Papën e Romës e për monarkët spanjollë. Eventualisht, konsiderohej një lagje e Vunoit. Ajo çka vlen një koment të veçantë është rasti i Palasës. Ky fshat, në të dy defterët e sipërpërmendur paraqitet si një fshat i madh, më i madh se vetë Dhërmiu, përkatësisht me 128 familje në 1551 dhe 95 familje më 1583, kundrejt 44 e 50 familjeve që kishte Dhërmiu në ato dy regjistrime. Bën përshtypje gjithashtu edhe antroponimia e këtij fshati, e cila nuk është plotësisht e ngjashme me atë të Dhërmiut, Himarës, Vunoit dhe fshatrave të tjera të Himarës. Krahas emrave të tipologjisë shqiptare, si Gjon, Reçi, Todër, Nikë, Menksha, Lekë, Dedë, Gjin, Zhupë, Gjikë, Gjokë, gjejmë edhe shumë emra, të cilët janë të papërcaktueshëm nga pikëpamja e kombësisë, si Jani, Jorgji, Paskal, Stamul, Nikolla, Stamat, Agrafa, Dhimitër etj.

Por atë kohë edhe Himara e Dhërmiu paraqiten me një popullsi të shtuar ndjeshëm. Nëse Defteri i Sanxhakut Arvanit i vitit 1432 regjistron 117 shtëpi në Himarë, Defterët e Sanxhakut të Delvinës të viteve 1551 dhe 1583, i japin Himarës përkatësisht 202 dhe 130 shtëpi. Vetë Himarjotët, në letrën e tyre për Markezin e Atripaldës, 14 gusht 1532, pohonin se Himara kishte 300 shtëpi. Numri duhet të jetë i saktë, pasi përkon me atë që jep edhe Saetta më 1566. Ndërkohë, duket tërësisht i pasaktë numri prej 3000 banorësh që i atribuon Himarës misionari Simon Laskari në vitin 1661, apo edhe ai i 860 banorëve për fshatin tjetër Dhërmi. Në vitin 1583, Himara kishte 130 shtëpi dhe Dhërmiu 50 të tilla. Më 1614, Aleksandër Musella dëshmonte se në Himarë kishte 400 banorë, dhe nëse marrim një mesatare prej 4 banorësh për çdo shtëpi, përfundojmë përafërsisht tek i njëjti numër prej 100 shtëpish ku rrahin pak a shumë të gjitha burimet. Asgjë, pra, nuk e justifikon rritjen eksponenciale, që nënkuptojnë të dhënat e Laskarit, aq më shumë në një periudhë trazirash, siç ishte edhe për Shqipërinë e veçanërisht për Himarën ajo e Luftës së Kretës (1645-1669).

Ndërkohë, i duhet kushtuar vëmendja e duhur një problemi tjetër, përndryshe të shumëdebatuar në literaturën historike, atij të përkatësisë etnike të banorëve të krahinës së Himarës, të cilin sapo e cekëm. Në faqet e këtij punimi do ndeshen citime dokumentash të pafund, ku Himarjotët, si individë apo si komunitet, përcaktohen nga bashkëkohësit e huaj të shek. XV-XVIII si "Shqiptarë". Dhe si të tillë, si "Shqiptarë", vetëpërcaktohen edhe vetë individë apo komunitete Himarjote sa herë që prezantoheshin tek të huajt. Nuk është pa domethënie gjithashtu fakti, që si kartvizitë e Himarjotëve për t'u prezantuar tek Papa katolik i Romës, tek Perandori protestant i Gjermanisë apo tek Caresha ortodokse e Rusisë, ishte pikërisht Gjergj Kastrioti Skënderbeu, heroi i mirënjohur i gjithë shqiptarëve, të cilit ata i referoheshin si "mbret i tyre" (noster Rex).

Megjithatë, nuk mund të anashkalohet pohimi i bërë më 1614 nga Aleksandër Musela, vikar i Patrikut Athanas të Ohrit, sipas të cilit "kështjella e Himarës banohej nga grekë e shqiptarë të krishterë, rreth 400 banorë". Këtu i hapet vend debatit të përhershëm mbi karakterin etnik të tre fshatrave, Himarës Palasës e Dhërmiut, ku krahas shqipes flitet edhe greqishtja. Edhe pse përgjithësisht thuhej, siç bën një udhëtar në shek. XVI, se Himarjotët flisnin gjuhën shqipe (z Chimeriotti parlano Albanesë), duket se greqishtja është folur në grupe të caktuara Himarjote, dhe kjo jo vetëm në epokën moderne, kur regjistrohet një veprim intensiv i faktorëve eksogjenë, si kisha e shkolla greke dhe, pas vitit 1821, edhe një veprim i programuar i shtetit grek. Në fakt, është folur për një emigracion nga Mani në drejtim të Himarës: fakti që greqishtja e saj dhe e fshatrave fqinje të Palasës e Dhërmiut nuk ka lidhje me idiomat e tjera veriore të greqishtes, mund ta mbështesë tezën mbi ardhjen e elementëve greqishtfolës nga Mani. Në fakt, lidhjet e Himarjotëve me Peloponezin e në veçanti me qendrat bregdetare të Koronit e Modonit dëshmohen qysh nga fundi i shek. XIV.

Vendosja e kolonive ushtarake shqiptare krijoi një tjetër nyje lidhjeje të Himarës, nga vinin shumë prej stratiotëve të rekrutuar nga Venediku, me këto zotërime veneciane të Peloponezit. Pas pushtimit të tyre nga Turqit, mjaft prej tyre kërkuan të kthehen në vendin e origjinës. Në fakt, një kronikë nga ishulli i Qefalonisë e vitit 1637 bën fjalë për disa krerë stratiotë me origjinë nga Himara, që kishin shërbyer në zotërimet veneciane të Peloponezit, të cilët u rikthyen në Himarë pas pushtimit të Koronit nga Turqit, më 1532. Në faqet e këtij studimi kemi sjellë edhe në raste të ndryshme rikthimesh të tilla nga Peloponezi apo nga zotërime të tjera veneciane, si Korfuzi. Këta elementë të rikthyer, që i kishin shërbyer Republikës në zotërimet e saj greke, nga Eubea, Qipro, Kreta, në Peloponez, Qefaloni, Zaçint e Korfuz, përfaqësonin një kolant për lidhjet e Himarjotëve me Venedikun, të cilat dëshmohen gjithnjë të forta. Pas paqes që Venediku nënshkroi me Osmanët më 1479, mjaft krerë shqiptarë të Peloponezit, që nuk e pranuan paqen në fjalë, u vunë në shërbim të Spanjollëve të Napolit. Pati edhe prej tyre, si p.sh. kapiteni i shquar Krokodil Klada, që u rikthyen në Himarë dhe vazhduan të kultivojnë lidhjet me Mbretërinë e Napolit. Dokumentacioni i shek. XVI-XVII provon se, shumë nga stratiotët shqiptarë që kishin shërbyer për Republikën e Venedikut në zotërimet e tij të shumta në Greqi e në ishuj, ishin përfshirë atë kohë në një proces të pakthyeshëm helenizimi. Nuk duket e pamundur, që këta dhe të tjerë të rikthyer pas dhjetëvjeçarësh të tërë shërbimi në vendet greqishtfolëse, përfshirë edhe Korfuzin e afërt, e pra, pak a shumë të helenizuar, mund të kenë ndihmuar në përhapjen e gjuhës greke në Himarë e në fshatrat e tjera, Palasë e Dhërmi, ku greqishtja dëshmohet që në atë kohë si gjuhë e folur, krahas shqipes. Megjithatë, nëse ndonjë burim i huaj, shumë i rrallë për hir të së vërtetës, i quan përciptazi si "Grekë" banorët e atyre tre fshatrave të Himarës, më e pakta që mund të thuhet duke pasur parasysh historitë e përziera "shqiptaro-greke" të elementëve të tillë, është që këta "Grekë" të Himarës, Dhërmiut e Palasës, nuk mund të klasifikohen aspak si "Graeci proprie dicti". Ndërkaq duhet precizuar se ata ishin biling, flisnin shqip po aq sa flisnin greqisht. Edhe misionari i fundit bazilian në Himarë, Giuseppe Schird, shkruante aty nga viti 1730 se nga 15 fshatrat e bregdetit Himarjot, vetëm tre ishin grekë nga përbërja etnike, 12 të tjerët ishin shqiptarë. Këto të fundit, thotë ai, nuk e njohin fare gjuhën greke, kurse tre të parët bashkë me gjuhën greke përdorin normalisht edhe gjuhën shqipe. Udhëtarët e huaj konstatonin se shqipja ishte gjuha e cila flitej nga të gjithë në krejt provincën e Himarës {per la lingua Albanese, con la quale comunemente si parla in tutta la provincia). Këtë e konfirmojnë edhe vetë Himarjotët në letrën që i dërgonin më 1759 careshës ruse Elizabeta Petrovna, ku deklaronin se gjuha e tyre ishte shqipja, pavarësisht se kishte ndër ta që flisnin edhe greqishten e madje edhe italishten, si gjuhë tregtie e gjuhë kulture.

Që shqipja ishte gjuha me të cilën mund të komunikoje me të gjithë banorët e asaj treve, këtë e tregonte fakti që Filoteo Zassi, një arbëresh që zëvendësoi Nilo Catalanon në krye të misionit, meshonte në shqip edhe në fshatrat e Himarës, Dhërmiut e Palasës.

Burimet e shumta të cituara në këtë studim konfirmojnë, në nivel individual apo kolektiv, se banorët e Himarës ishin shqiptarë për nga gjuha e origjina. Mes dëshmive të shumta që do të shpalosen dora-dorës në faqet e këtij studimi, po veçojmë këtu shembullin e ofruar nga raporti i muajit qershor 1644 i një marinari Dalmatin, pra i familjarizuar me gjuhën shqipe, në të cilin ai flet për takimin që kishte pasur me dy banorë të atyre anëve. Njëri prej tyre ishte Drago Minxhili nga Dhërmiu, të cilin Dalmatini e përcakton në mënyrë strikte si "Shqiptar për nga gjuha" (un Albanese per la lingua). Shokun e Minxhilit marinari nuk e jep me emër, por e prezanton thjesht si "një tjetër Shqiptar nga Himara" (un'altro Albanese dalla Cimara).

Ndonjë pohim, gjithashtu i rrallë, që flet për "Grekët" e Himarës, ashtu siç flet për "Turqit" e Arbërit, duhet kuptuar në konotacionin e tij fetar, e jo etnik, siç e kemi shpjeguar në kapitullin përkatës të këtij libri.

Gjithsesi, raportin e këtyre fshatrave me gjuhën greke përpara se të fillonte rivendikimi i organizuar i Himarës nga shteti grek, e shpjegojnë vetë Himarjotët në letrën e tyre të vitit 1759 për careshën e Rusisë, Elizabeta Petrovna: "Besimi ynë është ortodoks; ne na drejton njëpeshkop dhe kishtarisht jemi nën Patrikun e Konstandinopojës. Flasim gjuhën shqipe, ashtu si në Arbërinfqinj e në Bosnjë. Por në vende të ndryshme, njerëzit e mësuar flasin greqisht e familjet më të shquara përdorin edhe italishten për shkak të oficerëve të shumtë që shërbejnë në shtetet e huaja dhe të djemve të rinj që dërgohen në seminaret e Padovës e të Napolit". Kur Proveditor-Kapiteni i Korfuzit, Vincenzo Grimani, deshi të rekrutonte tre kompani me 300 ushtarë Himarjotë, më 1616, ai dërgoi aty për këtë punë kapitenin Giovanni Battista Gonema, një stratiot shqiptar i helenizuar nga Korfuzi, sepse ky "zotëronte gjuhën greke që kuptohej mirë nga Shqiptarët e atyshëm dhe sepse i njihte mirë zakonet e tyre" Pra, Himarjotët që do takonte Gonema, dhe që padyshim ishin krerët dhe klerikët e vendit, cilësohen shprehimisht si Shqiptarë, por që e kuptonin mirë edhe gjuhën greke. Madje në një vend të hapur ndaj detit dhe Perëndimit, greqishtja nuk ishte e vetmja gjuhë e huaj që më të shquarit e Himarjotëve njihnin. Ishte edhe italishtja, siç e pohojnë ata vetë në letrën për careshën Elizabeta Petrovna, më 1759. Tek ta ekzistonte një kult i vërtetë i gjuhëve të huaja dhe jo më kot, në letrën e mësipërme për Careshën, Himarjotët e konsiderojnë të rëndësishme të nënvizojnë se kishin vendosur të dërgojnë tek ajo si përfaqësues të tyre prurësin e letrës, kapitenin Pano Spiro Bixhili, "pasi ai ishte prej një dere të madhe e të pasur dhe dinte të fliste gjuhë të huaja".

Ndërkohë duhet shtuar, se shumë nga letrat që bashkësitë e fshatrave të Himarës, Çamërisë e Labërisë i kanë dërguar mes shek. XVI-XVIII sovranëve të Spanjës, Napolit, Venedikut etj., janë shkruar në gjuhën greke. Ishte gjuha që njihnin klerikët e vendit, të cilët, siç dihet, bënin dhe rolin e shkruesit e të ambasadorit duke përfaqësuar komunitetet e tyre në marrëdhëniet me botën e jashtme. Kështu, më mars 1501 mësohet se "qeveritarët e Korfuzit kishin marrë letra në greqisht nga Himara". Kuptohet që shkruesit e letrave në fjalë nuk ishin "pleqtë e Himarës", që shfaqen vazhdimisht si institucioni drejtues i vendit, por klerikët  e Himarës, që qëllonte të ishin edhe grekë dhe që, gjithsesi, ishin në gjendje të shkruanin vetëm ose kryesisht greqisht. Për territoret e ish-perandorisë bizantine, gjuha greke ishte një lloj lingua franca. Vetë Sulltanët osmanë, pasi hynë në Konstandinopojë e deri në shek. XVI komunikonin në greqisht me Venedikun e me fuqitë e tjera të krishtera dhe për këtë shfrytëzonin shkruesit e krishterë që gjetën në atë qytet, dhe që i përkisnin komunitetit greqishtfolës të organizuar përreth Patrikanës. Kështu, letra e 25 janarit 1479 e Mehmedit II për Dogjën e Venedikut, që konfirmon paqen e arritur pas marrjes së Shkodrës atë vit, është e shkruar në greqisht. Por klerikët e Himarës, që siç thamë bënin edhe punën e sekretarëve dhe atë të të dërguarve diplomatikë, qëllonte të ishin edhe banorë të Himarës. Në këto raste, greqishtja e tyre ishte shumë larg së qëni një greqishte korrekte. Kështu, më 20 prill 1692, sekretari Giuseppe lannucci njoftonte Mëkëmbësin e Napolit se një prift ortodoks shqiptar, papa Kora (papas Coras, greco-albanese) i kishte dorëzuar atij një letër në greqisht të Himarjotëve, të cilën ai kishte vuajtur shumë ta përkthente në italisht, pasi "ishte shkruar si nga një jo-grek". Në fakt, shprehja origjinale e lannuccit është “barbaramente scritta", që ne e përkthejmë "e shkruar nga jo-grek", pasi në kuptimin klasik fjala "barbar" tregonte të huajin, d.m.th. jo-grekun. Duhet thënë, se mendimi i sekretarit lannucci ishte shprehur thuajse fjalë për fjalë gati dy shekuj më parë, në vitin 1500, nga një autor i kohës, i cili shkruante se "banorët e Himarës janë Ilirë, që sot quhen Arbërorë, megjithëse përdorin diçka edhe gjuhën greke, por e përdorin atë si jo-grekë" (Accole eius Illyrii, quos nunc Albanenses noncupant, quamvis greca quoque lingua, perbarbare tamen, utantur).

Kështu, bashkëkohësit e konstatonin faktin se Himarjotët e njihnin, krahas shqipes, edhe gjuhën greke. Ata vinin gjithashtu në dukje, se greqishtja e tyre linte shumë për të dëshiruar, ashtu siç ndodh përgjithësisht tek njerëzit e pashkolluar, kur ata flasin ose shkruajnë një gjuhë që nuk është gjuha e nënës.

Por, nga ana e tyre, kanceleritë e Venedikut e të Napolit nënvizonin vazhdimisht se në kontaktet me Himarjotët e me banorët e Bregut në përgjithësi, ishte e domosdoshme gjuha shqipe. Më 1583, Nicold Suriano, Proveditor i Flotës veneciane me bazë në Korfuz, rekomandonte që në luftë kundër piratëve të Himarës që sulmonin e plaçkisnin brigjet e ishullit, të angazhohej kapiteni Gjergj Deda, i cili ishte trim dhe i vendosur dhe, mbi të gjitha, kishte edhe avantazhin që zotëronte gjuhën shqipe. Gjithashtu, kur më 10 dhjetor 1690, shqiptari me emrin Osman Strio nga Radhima (Osmen Strio Albanese della villa Aradima) u thirr të dëshmonte përpara komandantëve venecianë, që atë kohë kishin pushtuar Vlorën, rolin e përkthyesit të gjuhës shqipe e bëri kaporali Himarjot Gjergj Dhima i kompanisë së drejtuar nga Kapiten Spirua. Po ashtu vlen të sillet edhe rasti i misionarit bazilian Rodind, i cili duke pranuar se nuk e njihte gjuhën shqipe (io non so la lingua Albanese), kërkon të zëvendësohet në Himarë nga një i ri, Diego që ishte nxënës i Kolegjit grek dhe që zotëronte edhe gjuhën e vendit (perche possede anco la lingua).

Shembuj të tjerë mbi gjuhën dhe kombësinë e Himarjotëve do të citohen gjerësisht gjatë shtjellimit të këtij studimi. Por këtu, duke iu kthyer edhe njëherë çështjes së përdorimit të gjuhëve të tjera në komunikimin me të huajt, mbetet të shtojmë se jo vetëm klerikët ortodoksë që e kishin greqishten gjuhën e punës e të kulturës, por edhe persona laikë shqiptarë përdornin greqishten si gjuhë komunikimi. Madje edhe dinjitarë myslimanë shqiptarë në Shqipërinë e Poshtme, shumë kohë përpara Ali Pashë Tepelenës, përdornin pikërisht greqishten në letërkëmbimin e tyre.

Megjithatë, dokumente veneciane të shek. XVI-XVIII provojnë se ishin të shumtë Himarjotët që në letërkëmbimin e tyre përdornin jo gjuhën greke, por atë italiane: "Himarjotët" shkruante më 11 qershor 1628 qeveritari venedikas i Korfuzit, "e zotërojnë shumë mirë italishten vulgare" (la lingua franca). Nga ana e vet, një burim i fundit të shek. XVI, ndërsa bën një krahasim midis popujve luftarakë të Uskokëve dhe të Himarjotëve, e gjen me vend të nënvizojë diferencat e tyre në dy elementë themelorë, sipas tij, në atë të gjuhës e të besimit: "Uskokët flasin gjuhën sllave, Himarjotët flasin gjuhën shqipe, të parët jetojnë si katolikë, të dytët si ortodoksë".

info@balkancultureheritage.com