Antigonea është qyteti i dytë i rëndësishëm i Kaonisë, pas Foinikes. Ajo ndodhet në Jermë pranë fshatit Saraqinisht, pesë kilometra në vijë ajrore në lindje të Gjirokastrës, mbi bregun e djathtë të lumit Drino. Lokalizimi i saj është fiksuar që me gërmimet e drejtuara nga Dh. Budina. Stefan Bizantini, 5. v. Antigoneia e quan atë me të drejtë “qytet i Kaonisë në Epir”. Qyteti e ka marrë emrin nga gruaja e parë e mbretit Pirro, Antigonea, që ishte vajzë me një martesë të parë me mbretëreshën Berenike, që u martua pastaj me Ptolemeun e I. Ajo vdes shumë shpejt pas lindjes së të birit Ptolemeut; që nga viti 295 Pimia martohet përsëri me Lanasën, e bija e Agathokliut të Sirakuzës. Domethënë Pirrua i dha emrin e gruas së vet këtij qyteti të Kaonisë, në periudhën e viteve 297-295, gjë që lë të kuptohet që kaonët që nga kjo datë janë futur në mbretërinë e Ajakidëve. Nuk mund të thuhet se është fjala për një krijim ex nihilo ; Pirrua i ka dhënë emrin e gruas së vet një qyteti që duhet të ketë patur ekzistuar më parë dhe që mori kështu një emër të ri. Ky qytet zotëron pellgun e Drinos, sikurse zotëron Foinikja pellgun e Bistricës ; organizimi i hapësirës, në këtë pellg të Dropullit, paraqet më së miri karakteristikat e polisit grek : vendbanim qytetar, territor bujqësor, fortifikime në periferinë e horës, për të kontrolluar luginat që lejojnë të hyet në territorin e vet: në veri, mbi fauces antigonenses, domethënë grykat e Drinos përpara bashkimit të tij me Aoosin, është kalaja e Leklit ; në lindje, në luginën që të çon në livadhet e Zagorisë, ajo e Labovës; në jug, së fundi, kalaja e Selos. Por Antigonea, sikurse Foinikja, nuk është shkëputur asnjëherë nga koinoni i kaonëve për t’u bërë një qytet-shtet sipas modelit të Greqisë qendrore.
Në përshkrimin e luftrave të ndryshme të viteve 230-167, Antigonea është përmendur shpesh nga autorët e lashtë. Është rasti, së pari, në momentin e marrjes së Foinikes nga ilirët me ndihmën e keltëve në gamizonin e qytetit : përforcimet ilire, të drejtuara nga Skerdilaidi kalojnë nga ngushtica e Antigonesë, domethënë nga grykat e Drinos, pikërisht në shpat të vetë qytetit, dhe ndjekin luginën e Kardhiqit nëpërmjet qafes së Skarficës për të mbërritur në pellgun e Bistricës dhe në qytetin e Foinikes (Polibi II, 5, 6). Trupat epirote dërgojnë atëherë një detashment për të mbrojtur Antigonenë, ndërsa pjesa më e madhe e ushtrisë mbrrin në pellgun e Bistricës për t’u përpjekur t’i përzëjë ilirët që kanë mundur të marrin Foiniken. Kur ilirët vendosin ta lënë qytetin, një pjesë u nisën nëpërmjet detit duke marrë me vete një plaçkë të madhe, ndërsa të tjerët të udhëhequr nga Skerdilaidi rimarrin të njëjtën rrugë nga erdhën: ata kalojnë përsëri nëpërmjet grykave të Drinos, shumë më në veri të qytetit të Antigonesë, që i shpëtoi kështu plaçkitjes.
Antigonea u përball përsëri me luftë, më 169, gjatë luftës së tretë të Maqedonisë. Në këtë datë, koinoni i epirotëve ndahet në dy pjesë: Karopsi i Ri dhe Kaonia morën anën e romakëve, ndërsa molosët mbeten në aleancën maqedone. Lufta zhvillohet pjesërisht në truallin epirot : Apius Klaudi provoi të merrte Fanoten, në luginën e Thiamit, e mbrojtur mirë nga një gamizon maqedon i udhëhequr nga Kleuas dhe e përforcuar nga epirotë pro-maqedonas. Romaku ka me vete 6 000 forca ndihmëse kaone dhe tesprote, të dërguara nga ana e Karopsit të Ri (Tit-Livi, XLIII, 21). Pasi i shkaktuan humbje të rënda Apius Klaudit që e hoqi rrethimin e Fanotes, Kleuas dhe disa epirotë të udhëhequr nga Filostrati, një nga shefat e anës molose, kalojnë në territorin e Antigonesë, pra në pellgun e Drinos (Tit-Livi, XLIII, 23): maqedonët nisin plaçkitjet, sepse ky territor kaon mbështet romakët, ndërsa Filostrati u ngre prita ushtarëve që dalin nga Antigonea për të kapur plaçkitësit maqedonë. Filostrati arrin të vrasë njëmijë vete të garnizonit të Antigonesë që dilnin në mënyrë të shkujdesur nga fortifikimet e tyre dhe kapi njëqind robër. Ky përshkrim dëshmon qartë për luftën civile që zhvillohej midis dy fraksioneve epirote. Antigonea është qartësisht në anën e kaonëve, aleatë të Romës, që janë nën tiraninë e Karopsit të Ri. Natyrisht, Antigonea i shpëton plaçkitjes të urdhëmar nga Paul Emili në vitin 167: ky ndëshkim rëndon mbi pjesën e Epirit që ka mbështetur çështjen maqedone dhe aspak mbi Kaoninë e Karopsit të Ri që zgjodhi aleancën me Romën. Rrethimi i gjerë i Antigonesë, që arrin në rreth katër kilometra, nuk u godit, sikurse e shohim, përshembull, në Amotopos, mbi fushën e Artës.
Nën Perandorinë romake, Antigonea vazhdoi të luajë rolin e saj si qendër ekonomike dhe administrative e luginës së Drinos, edhe pse burimet antike nuk flasin për të. Kjo mbrothësi u ruajt deri në sulmet e gotëve në fund të shekullit të IV. Por, me shumë gjasë, zhvillimi i Hadrianopolit, në fushë, mbi Gjirokastrën e sotme, shkonte në dëm të Antigonesë, pozicioni i së cilës mbi një kodër të lartë në kufi me fushën ishte sigurisht më pak i favorshëm në kohë paqeje.