Gjurmët e Romulit qenë ngulitur gjithandej në panoramën e Romës. Në kohën e Ciceros, ti mund të bëje më shume sesa thjesht të vizitoje Tempullin e Jupiterit Stator të Romulit: ti mund të hyje në shpellën ku ujku supozohej se ishte kujdesur për binjakët foshnja dhe mund të shihje një pemë, të rimbjellë në Forum, në të cilën djemtë thuhej se u nxorën nga lumi. Madje mund të admiroje edhe vetë shtëpinë e Romulit, një kasolle të vogël të mbuluar me kashtë, ku themeluesi supozohej se kishte jetuar, në kodrën Palatine: një pjesë e dukshme e Romës primitive në atë që ishte bërë një metropol i gjerë. Kjo ishte, natyrisht, një falsifikim, siç sugjeroi një vizitor në fund të shekullit të parë p.e.s.: Ata nuk bëjnë asnjë punim në të që ta bëjnë më të adhurueshme’, shpjegoi ai, ‘por nëse ndonjë pjesë prej saj dëmtohet, nga moti i keq apo koha, ata bëjnë çfarë munden për ta rikthyer siç ishte para se të dëmtohej’. Nga kjo kasolle nuk janë gjetur gjurmë të sigurta arkeologjike, gjë që nuk është aspak surprizuese, nëse marrim parasysh konstruksionin e saj të dobët. Por ajo mbijetoi në ndonjë formë, si memorial për origjinën e qytetit, deri së paku në shekullin e katërt të e.s., kur u përmend në një listë të pikave të referimit të famshme në Romë.
Këto ‘mbetje’ fizike - tempulli, një pemë fiku dhe një kasolle e sajuar me kujdes - qenë pjesë dhe ngastër e statusit të Romulit si një personazh historik. Siç e kemi parë, shkrimtarët romakë nuk ishin humbameno dhe ata vunë në pikëpyetje shumë detaje të historive tradicionale edhe pse i ritregonin ato (rolin e ujkut, prejardhjen hyjnore e me radhë). Por ata nuk shprehën asnjë dyshim nëse Romuli pati ekzistuar ndonjëherë dhe nëse ai i kishte bërë vendimet kyçe që qeverisën zhvillimin e mëvonë të Romës, të tillë si vendi ku do të ndërtohej, si dhe atë që ai pak a shumë ‘me duart e veta’ pati shpikur disa nga institucionet përcaktuese. Vetë senati, sipas disa tregimeve, ishte krijesë e Romulit, njësoj siç ishte ceremonia e ‘triumfit’, parada romake e fitores që rregullisht pasonte sukseset më të mëdha (dhe më të përgjakshme) të qytetit në luftë. Kur, në fond të shekullit të parë p.e.s., një listë monumentale e të gjithë gjeneralëve romakë që patën celebruar ndonjëherë një triumf, u gdhend në një seri panelesh mermeri në Forum, Romuli ishte i pari në listë. ‘Romuli, mbret, biri i Marsit’, shkruhej në rreshtin e parë, ‘viti një, më 1 mars, për një fitore kundër popullit të Kaeninës’, në përkujtim të disfatës së shpejtë të njërës prej qytezave latine aty pranë nga ku qenë rrëmbyer gratë - dhe pa pranuar asnjë lloj skepticizmi publik mbi prindin e tij hyjnor. Shkollarët romakë punuan fort për të përkufizuar arritjet e Romulit dhe për të arritur një kronologji të saktë të fazave më të hershme të Romës. Një nga debatet më të gjalla të kohës së Ciceros ishte pyetja se kur qyteti u themelua. Saktësisht sa e vjetër ishte Roma? Mendje të ditura me gjenialitet numëruan pas në kohë nga datat romake që ata dinin deri te datat më të hershme që nuk i dinin dhe u përpoqën të sinkronizonin ngjarjet në Romë me kronologjinë e historisë greke. Në veçanti ata u përpoqën të përputhin historinë e tyre me ciklet e rregullta katërvjeçare të Lojërave Olimpike, të cilat në dukje ofronin një kuadër kohor të fiksuar dhe autentik - megjithëse, siç pranohet tani, kjo ishte pjesërisht në vetvete produkt i spekulimeve të holla të mëhershme. Ky ishte një debat plot kleçka dhe shumë i specializuar. Por gradualisht këndvështrimet e ndryshme u pajtuan rreth asaj që ne sot e quajmë mesi i shekullit të tetë p.e.s., ndërsa opinioni i shkollarëve mbërriti në përfundimin se historia greke dhe romake ‘filloi’ afërsisht në të njëjtën kohë. Ajo që u bë një datë kanonike e tillë që vijon të citohet në shumë libra shkollorë modernë, pjesërisht i referohet një traktati shkollarësh, të njohur si Libri i Kronologjisë, hartuar nga askush tjetër veç mikut dhe korrespondentit të Ciceros, Atikusi. Ky libër nuk mbijeton, por supozohet se ka fiksuar themelimin e qytetit nga Romuli në vitin e tretë të ciklit të gjashtë të Lojërave Olimpike; kjo do të thotë, viti 753 p.e.s. Kalkulime të tjera e saktësuan më tutje më 21 prill, datën në të cilën romanët modernë edhe sot e kësaj dite festojnë ditëlindjen e qytetit të tyre, me disa parada disi pa shije dhe shfaqje false me gladiatorë.
Shpesh ka një kufi të mjegullt mes mitit dhe historisë (mendo për Mbretin Artur apo Pokaliontasin), dhe, siç do ta shohim, Roma është një nga ato kultura ku ky kufi është veçanërisht i mjegullt. Por pavarësisht të gjithë mendjemprehtësisë historike që romakët vunë mbi këtë rrëfenjë, ekzistojnë të gjitha arsyet që ne ta shohim atë, në termat tonë, pak a shumë si mit i pastër. Sa për fillim, është pothuajse e sigurt se nuk ka pasur diçka të tillë si një moment themelues për qytetin e Romës. Shumë pak qyteza e qytete themelohen me një vendim, nga një individ i vetëm. Ato janë zakonisht produkt i ndryshimeve graduale në popullsi, në tiparet e vendbanimit, në organizimin shoqëror dhe në ndjesinë e identitetit. Shumica e ‘themelimeve’ janë konstruksione retrospektive, të cilat projektojnë pas larg në kohë një mikrokozmos, një version imagjinar primitiv të qytetit të më vonë. Emri ‘Romul’ është në vetvete një tregues përgënjeshtrues. Megjithëse romakët zakonisht supozonin se ai ia pati dhënë emrin e tij qytetit që sapo kishte themeluar, ne tashmë kemi goxha besim se e kundërta ishte e vërtetë: ‘Romuli’ ishte një konstruksion imagjinar i nxjerrë nga ‘Roma’. ‘Romuli’ ishte thjesht një arketip i ‘Z. Romë’.
Përveç kësaj, shkrimtarët dhe shkollarët e shekullit të parë p.e.s., të cilët na kanë lënë ne trashëgimi versionin e tyre të origjinës së Romës, nuk kanë pasur shumë prova të drejtpërdrejta mbi fazat më të hershme të historisë së Romës nga sa kanë shkrimtarët modernë, dhe në disa mënyra ka gjasa që kishin edhe më pak prova se sa kemi ne. Nuk kishte dokumente të mbijetuara apo arkiva. Pak mbishkrime në gur, të çmuara siç janë, nuk janë siç ashtu imagjinonin se ishin shkollarët e hershëm të Romës, dhe, siç do ta zbulojmë në fund të këtij kapitulli, në disa raste ato e keqkuptuan shumë rëndë latinishten e hershme. E vërtetë, ata kishin akses në pak shkrime të mëparshme historike që sot nuk kanë mbijetuar. Por më të hershmet e këtyre qenë hartuar rreth viteve 200 p.e.s., dhe sërish ka një hendek të stërmadh mes kësaj date dhe origjinës së qytetit, hendek që mund të mbushet vetëm me ndihmën e një thesi shumë të përzier me rrëfime, këngë, shfaqje dramatike popullore dhe një amalgamë e ndryshueshme e shpesh kontradiktore që përbën traditën orale - vazhdimisht e ndryshuar në të treguar e ritreguar për t’iu përshtatur rrethanave dhe audiencës. Ka disa grimca të dobëta të historisë së Romulit që nga shekulli i katërt p.e.s, por pastaj, nëse ne nuk sjellim skulpturën prej bronzi të ujkut ushqyes, gjurmët humbasin.
10. Zbuluar në territorin etrusk, kjo pasqyrë e gdhendur (ana reflektuese ishte nga ana tjetër) duket se tregon një version të Romulit dhe Remit duke u ushqyer me gji nga ujku. Nëse është kështu, e datuar në shekullin e katërt p.e.s., ajo mund të jetë një nga provat më të hershme për këtë rrëfenjë. Por disa, ndoshta shkollarë tepër skeptikë modernë, kanë parapëlqyer të shohin këtu një skenë nga miti etrusk ose një çift zotash romakë, përfundimisht më të errët dhe më misteriozë, ‘Lares Praestites’.
Natyrisht, që ta themi në një mënyrë tjetër, pikërisht për shkak se rrëfenja e Romulit është mitike më shumë sesa historike, në kuptimin e ngushtë, kjo figurë përmban disa nga pyetjet më të forta kulturore të Romës së lashtë dhe për këtë arsye është kaq e rëndësishme për të kuptuar historinë e Romës në kuptimin e saj më të gjerë. Romakët nuk kishin trashëguar, siç supozonin, thjesht prioritetet dhe shqetësimet e themeluesit të tyre. Krejt e kundërta: përgjatë shekujve të ritregimit dhe rishkrimit të rrëfenjës, ata vetë ndërtuan dhe rindërtuan figurën themeluese të Romulit si një simbol i fuqishëm për pëlqimet, debatet, ideologjitë dhe ankthet e tyre. Pra, me fjalë të tjera, që t’i rikthehemi Horacit, nuk ishte që lufta civile qe mallkimi i paracaktuar i Romës që nga lindja; Roma pati projektuar makthet e cikleve në dukje pa mbarim të luftës civile pas te themeluesi i vet.
Gjithmonë ka pasur mundësi për të përshtatur apo rikonfiguruar këtë narrativë, edhe pasi ajo mbërriti në një formë relativisht të fiksuar letrare. Ne sakaq kemi vërejtur, për shembull, se si Cicero zgjodhi të vendosë një perde mbi vrasjen e Remusit, ndërsa Egnatiusi e mohoi vrasjen tërësisht. Por raporti i Livit mbi vdekjen e Romulit jep një grimcë të gjallë se si historia e origjinës së Romës mund të bëhet për të rezonuar drejtpërsëdrejti te ngjarjet e kohës kur u shkrua. Mbreti, shpjegon ai, pati sunduar për tridhjetë vjet kur papritur nga një stuhi e dhunshme ai u mbulua prej një reje dhe u zhduk. Romakët në zi shpejt dolën në konkluzionin se ai ishte rrëmbyer nga gjiri i tyre për t’u bërë zot - duke kapërcyer kufirin mes njerëzores dhe hyjnores, në një mënyrë në të cilën sistemi fetar politeist i Romës në disa raste e lejonte (edhe pse ne na duket paksa e trashë). Por disa njerëz në atë kohë, pranon Livi, treguan një histori të ndryshme: që mbreti ishte vrarë, i therur për vdekje nga senatorët. Livi nuk është se i shpiku tërësisht vetë këto pjesë të rrëfenjës së tij: për shembull, Cicero pati raportuar më herët apoteozën e Romulit, megjithëse me një dozë skepticizmi; dhe një politikan me ambicie të tepërt në vitet 60 p.e.s., në një rast ishte kërcënuar me ‘fatin e Romulit’, dhe kjo, supozohet, nuknënkuptonte të bërit zot. Livi ofron një raport veçanërisht të ngarkuar dhe me nënkuptime pasi shkroi vetëm pak dekada pas vrasjes së Jul Cezarit, të cilit menjëherë pasi u ther për vdekje nga senatorët iu dha statusi i zotit (duke përfunduar me një tempull të vetin në Forum). Nëse nuk vëren fantazmën e Cezarit këtu, atëherë nuk kupton gjë.