Historiku i kërkimeve arkeologjike

Historiku i kërkimeve arkeologjike

I pari që identifikoi Bylisin në rrënojat e Gradishtës së Hekalit ishte udhëtari anglez H. Holland (1815), që përshkroi muret rrethuese të qytetit dhe gjurmë të ndërtimeve publike, si dhe transkriptoi një mbishkrim latin të skalilur në shkëmbinjtë e anës jugore, ku lexoi emrin e qytetit. Rrënojat dhe mbishkrimi shkëmbor i Bylisit kishin tërhequr edhe vëmendjen e konsullit francez pranë Ali Pashës në Janinë, F. Pukëvil (Pouqeville) (1820), i cili vuri re formën e teatrit antik të qytetit. Epigrafisti francez De Klobri(Claubry), që e vizitoi Bylisin më 1850, e përforcoi identifikimin e qytetit antik nëpërmjet një leximi të saktë të mbishkrimit të M. Lolianit.Një francez tjetër, E. Isambert (1881), botoi vrojtimet e tij mbi muret rrethuese, teatrin dhe mbishkrimin shkëmbor të Bylisit.

Më 1904, arkeologu austriak K.Paç (Patsch) botoi një serë mbishkrimesh e skulpturash, si dhe një katalog të monedhave byline. Gjatë luftës 1 Botërore zhvilloi gërmimet e para arkeologjike në Bylis austriaku K. Prashniker (C. Praschniker). që zbuloi pjesë të murit rrethues, një pjesë nga stoa e madhe si dhe një kënd të teatrit.Ai botoi edhe disa mbishkrime e skulptura të panjohura më parë. N.G. L. Hammond, L.M. Ugolini, C. Sestieri, botuan të dhëna nga kërkimet sipërfaqësore në Bylis.

Në vitet 1978- 1991, N. Ceka drejtoi gërmimet në Bylis me asistimin e një grupi restaurimi të Institutit të Monumenteve nën drejtimin e L. Papajanit, duke u përqendruar kryesisht në agoranë e qytetit. Ndërkohë u zbuluan gjashtë porta të murit antik ilir, dy banesa, rrugë të qytetit, si dhe u gërmuan pjesë të nekropolit antik. Një fushë të rëndësishme të kërkimeve në Bylis paraqili qyteti bizantin, kryesisht nëpërmjet gërmimit të bazilikave paleokristiane.

info@balkancultureheritage.com