Laguna, për ku kalohej lehtë nëpërmjet kanalit, u siguronte anijeve mbrojtjen e plotë si nga tallazet e detit, ashtu dhe nga sulmet. Kjo pozitë, pishat e larta të Akrokerauneve dhe sera e Selenicës kanë përkrahur industrinë e ndërtimit të anijeve, që krahas shftytëzimit të kavove të gurit përbënin burimin ekonomik për këtë qytet pa hinterland bujqësor.
Oriku përmendet prej Hekateut (IX 93) në shek. e IV p.e.sonë, sipas të cilit këtë qytet në shek. V p.e.sonë, e përshkruante Herodoti. (Step .s.v.Orikos, Eustath Dion .Per.321).
Sipas Kalimahu-t (Steph. s.v. Abantis) dhe Pseudoskylaksi-t, të bazuar në autorë më të vjetër, Oriku banohej nga Amantët (Scyl 26). Në të kundërt me Apoloninë e Dyrrahun, autorët e vjetër nuk e përmendin Orikun si ngulim helen. Nga autorët e mëvonshëm Orikum e përmend si koloni Apoloni i Rodit (shek.III p.e.sonë F.H.G.IV 1216) dhe si koloni eubease historianët romakë (Lukan III187, Pseudo Skymn 441). Rrjedhimisht mendimi tradicional se Oriku ka qenë qytet koloni do parë me mjaft rezervë.
Vendosja e Orikut në jug të gjirit të Vlorës, në një zonë në shikim të parë të papërshtatshme nuk është e rastit. Orikasve të lidhur me tregtinë e hinterlandit, u duhej të largoheshin nga rivaliteti i rrezikshëm apoloniat që do të vinte si pasojë e vendosjes në veri të gjirit, në një zonë më të përshtatshme ekonomike, duke rrezikuar fatin e Thronionit. Rrjedhimisht ata u ngulitën në jug larg Apolonisë në një zonë të mbrojtur nga male të kalueshme me vështirësi, ndonëse të papërshtatshme për bujqësi. Tregtia me hinterlandin amantin u sigurohej atyre nga rruga nëpërmjet qafës së Shëngjergjit, e cila të nxirrte në Shushicë.
Pushtimi i Ilirisë nga Roma nuk solli si pasojë shkatërrimin e Orikut: Në shek. I p.e.sonë. Oriku luan një rol të dorës së parë si kryeurë për zbarkimin e ushtrive të Cezant dhe si bazë kryesore për operacionet drejt veriut (Bell Civ. III 7, 11- 13, 16, 40, 74; App Bell Civ II 54,56). Përmendja në Gjirin e Vlorës vetëm e Orikut nga Mela dhe Plini (Mela II, 3,5,6 Plin NH III, 22) tregon se në shek. I Oriku luante rolin kryesor në gjirin e Vlorës edhe në drejtimin ekonomik. Forcën e tij jetësore e dëshmon veprimtaria rindërtuese pas tërmetit të rëndë të shek. II (Phylost. Vit. Soph. II 1,5,12). Në shek. IV dhe VI qyteti duket rifortifikohet.