Mbishkrimi në greqishte dorike “Më zbukuroi një mik i atdheut tim ndërsa atdheu Patrai më dhuroi, por unë zotëroj fushën e Gylakut” i shkon për shtat binomit Patrai/ Antipatrai (Berat/Kështjella e Goricës).
Antipatrea, e lokalizuar tradicionalisht në Berat, përmendet nga Polybi në vitin 216 p.e.sonë., si qytet dasaret (Polyb. 5 108 2). Sipas Livit në vitin 200 p.e.sonë. Legati Luc Apusti arriti në Antipatrea, “qytet që ndodhet në një grykë të ngushtë i cili nuk iu dorëzua romakëve, por luftoi me ta pasi qytetarët kishin besim tek madhësia e qytetit, muret dhe pozita e tij” dhe që pas pushtimit u dogj dhe u shkatërrua nga romakët.
Përcaktimi kohor i qytetit antik në Berat nuk mund të mbështetet thjesht në materialin arkeologjik, për shkak të vazhdimit të jetës pa ndërprerje. Nisur nga tiparet e arkitekturës së fortifikimit (hyrja ballore, kati i parë i zbrazët i kullave) Berati i përgjigjet gjysmës 2 të shek. IV p.e.sonë, ndërsa tiparet e fortifikimit në Goricë (kulla me katin e I të mbushur, me lidhje tërthore, hyrja tangenciale e mbrojtur me kullë të jashtme) përkojnë me fundin e shek. 4 - fillimin e shek. 3 p.e.sonë. Datimi i Antipatreas në gjysmën e dytë të shek. IV p.e.sonë, përputhet me supozimin se këtë emër qyteti e mori për hir të Antipatrit, mëkëmbësit të Aleksandrit të Maqedonisë.