14 teserat e votimit Antigoneon lejojnë identifikimin e sigurt të qytetit me emrin e Antigonës, thjeshtrës së Ptolemeut I, me të cilën Pirro i Epirit martohet në vitin 297 p.e.sonë. (Plut, Pyrrh. 4.). Martesa e tij dy vjet më vonë me Lanasën, bijën e Agathoklesit të Sirakuzës, e ngushton diapazonin e ndërtimit të qytetit në vitet 297- 295 p.e.sonë.
Gjetja në Antigone e mbishkrimit Strataguntos Arg, përmendja nga Stefan Bizantini në këtë trevë e fisit të Argjirinëve (steph. s.v. Argyrinoi) dhe emri i Gjirokastrës në mesjetë Argyrokastron e lokalizon qartë këtë fis në luginën e Drinos. Si e tillë Antigonea rezulton kryeqendër e fisit të Argjirinëve të trungut kaon.
Qyteti i ndërtuar në vitet 297-295 p.e.sonë. zëvendësoi qendrën e vjetër në Melan (Omfalion?) për shkak të pozitës qendrore në luginë. Materiali arkeologjik dëshmon se Antigoneia është braktisur pas një shkatërrimi, por që nuk mund të thuhet me siguri se ka qenë vepër e Pal Emilit më 167, sepse Antigoneia ashtu si dhe Kaonia është në këtë kohë aleate e Romës.