Ilirët dhe Iliria te autorët antik
Qyteti antik
~Foustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Roma Mbretërore
~Shaban Dervishi
Republika e hershme
~Shaban Dervishi
Zgjerimet e para të Romës (753 – 350 para Jezu Krishtit)
~Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Arkeologjisë
V
XV
XX
Shqipëria Arkeologjike
~Muzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit

Homeri

Me emrin e Homerit, poetit epik legjendar të Greqisë, për qenien dhe veprimtarinë letrare të të cilit kritika moderne ka mendime të ndryshme, janë lidhur dy poemat e mrekullueshme të letërsisë greke që shkëlqejnë dhe në letërsinë botërore: "Iliada" dhe "Odisea".

"Iliada" e cila përshkruan luftën e grekëve kundër Trojës, u formua aty nga shek. VIII para e. sonë, kurse "Odisea" në të cilën janë paraqitur peripecitë e udhëtimit të Odisesë gjatë kthimit të tij për në atdhe, u formua në shek. VII. Është vërtetuar arkeologjikisht se poemat e Homerit, megjithëse të mveshura shumë me fantazi poetike, pasqyrojnë ngjarje të vërteta historike, të një kohe shumë më përpara formimit të tyre, pikërisht në shek. XIII-XII si dhe ndryshimet e ndodhura në dy shekujt e parë të mijëvjeçarit të fundit para e. sonë. Ato krahas me të dhënat arkeologjike janë një burim i rëndësishëm për njohjen e jetës së Greqisë të asaj kohe.

Në poemat e Homerit ne ndeshemi dhe me disa të dhëna për historinë e Ilirisë si p.sh. për pjesëmarrjen e paionëve në luftën e Trojës, për lokalizimin e vendbanimeve të tyre, për pjellorinë e tokës së tyre, dhe asaj të thesprotëve (Epir), etj. Këto grimca njoftimesh kanë rëndësi mbasi janë lajmet e shkruara më të vjetra që kemi për historinë e Ilirisë.

Hesiodi

Hesiodi, poet grek, jetoi në shek. VIII-VII para e. sonë. Lindi në Beoti, në një familje fshatare dhe vetë ai u muar me bujqësi. Shkroi dy poema në heksametër. Njëra e quajtur "Theogonia" (Krijimi i perëndive) ka përmbajtje krejtësisht mithologjike. Në të flitet mbi prejardhjen e perëndive dhe krijimin e botës. Në veprën e dytë "Erga kai hemerai" (Punë dhe ditë), e cila paraqitet më e përsosur se e para, jepen kryesisht udhëzime për bujqësinë, për mënyrat e punimit të tokës si edhe një kalendar për bujkun. Ai thekson në këtë vepër rëndësinë e madhe që ka punimi i tokës në kohë të përshtatshme. Me një realizëm të theksuar Hesiodi përshkruan këtu edhe marrëdhëniet shoqërore të kohës së tij dhe luftën kundër fuqizimit të aristokracisë fisnore. Poema e tij është një burim i rëndësishëm për teknikën e ekonomisë fshatare të Greqisë së vjetër; në të përshkohet mendimi se puna nuk është turp, se turp është vetëm dembelia dhe se puna i sjell njeriut pasuri dhe pavarësi.

Në këtë vepër të Hesiodit ne ndeshemi në disa vargje, të cilat bëjnë fjalë edhe për fushat e gjera pjellore, kullotat e pasura dhe për kopet e mëdha të bagëtive në Epir.

Herodoti

Herodoti, i quajtur babai i historisë, lindi në Hilakarnas rreth vitit 484 dhe vdiq nga viti 425. Nga viti 455-452 fillon një udhëtim të gjatë nëpër vendet e Evropës, Azisë dhe Afrikës. Midis të tjerave viziton krahina të ndryshme të Gadishullit Ballkanik si Ilirinë, Thrakinë e Maqedoninë.

Për një kohë Herodoti qëndroi në Athinë ku u afrua me rrethin e Perikliut. Këtu ai, me sa duket, vendosi të shkruajë dhe veprën e tij të madhe të quajtur "Historia" në 9 libra, ku përshkruan luftën greko-persiane në të gjitha fazat e saja deri në vitin 479 para e. sonë.

Herodoti në këtë vepër, e cila dallohet për një diapason të gjerë mendimi, për mjeshtëri e deri diku edhe për objektivizëm në paraqitjen e ngjarjeve, jep përveç historisë së grekëve dhe persëve edhe ngjarje nga historia e atyre popujve, me të cilët ata kishin marrëdhënie. Vepra e tij përmban edhe të dhëna me rëndësi gjeografike e etnografike. Duke folur për historinë e popujve të ndryshëm ai përshkruan kushtet natyrore të vendeve të tyre, besimet, zakonet, banesat, veshjen, armatimin e tyre, monumentet e artit, legjendat, mitet etj.

Herodoti për të parën herë dha një vepër të përgjithshme historike të mbështetur mbi një kritikë historike, megjithëse të sipërfaqshme. Historia e Herodotit është një burim shumë i rëndësishëm historik dhe disa nga faktet e përshkruara prej tij kanë gjetur vërtetimin e tyre edhe nga të dhënat arkeologjike.

Në veprën e Herodotit ne gjejmë të dhëna shumë të rëndësishme për pellazgët. Përveç kësaj ky është i pari autor që zë në gojë emrin e ilirëve. Janë interesante në veprën e tij edhe njoftimet për pushtimin e paionëve nga Megabazi, mbi mënyrën e jetesës dhe disa zakone të tyre, si edhe për tokat e kullotat e ApoIIonisë.

Thukididi

Historian grek i lindur në Athinë rreth vitit 460 para e. sonë; vdiq mbas vitit 400. Në vitin 424 ishte komandant i një njësie detare të Athinës, pranë ishullit Thasos. Meqenëse nuk qe në gjendje të ndalonte rënien e Amfipolit, athinasit e dënuan në mungesë me vdekje. Deri në vitin 404 jetoi në mërgim, pastaj për pak vjet në Athinë.

Thukididi ka shkruar Historinë e luftës së Peloponezit, së cilës i kushtoi gjithë jetën. Por vepra e tij nuk është çuar deri në fund; ngjarjet pas vitit 411 nuk përfshihen në të. Vepra është ndarë në tetë libra. Në librin e parë, pas hyrjes, në të cilën Thukididi flet për qëllimin e veprës së tij, ndjek e ashtuquajtura "Arkeologji" ku tregon për madhështinë dhe rëndësinë e luftës së Peloponezit, dhe e krahason atë me ngjarjet më të vjetra të historisë së Greqisë, duke përfshirë këtu edhe luftën me persët. Pastaj spjegon shkaqet e luftës. Në librin e dytë fillon tregimin mbi vet luftën e Peloponezit. Ky tregim bëhet në mënyrë analistike, duke e ndarë çdo vit në verë e dimër. Kulmi i përshkrimit arrihet në librat 6 e 7 ku trajtohet ekspedita e Siqelisë. Me një forcë të madhe janë dhënë edhe fjalimet e veçanta të vëna në gojën e personave veprues me anën e të cilave Thukididi ilustron anë të ndryshme të kësaj lufte të madhe. Thukididi nuk u beson perëndive dhe mrekullive dhe nuk i spjegon ngjarjet historike me to, siç bëjnë paraardhësit e tij, duke përfshirë këtu edhe Herodotin. Kjo e bën atë të thellohet më tepër në njohjen e së vërtetës politiko-historike. Në krahasim me historiografët e mëparshëm, Thukididi është i pari historian i vërtetë, prandaj nëqoftëse Herodoti është quajtur babai i historisë, ky është themeluesi i saj. Ai është themeluesi i metodës kritiko-shkencore, të cilën e vuri në zbatim me mjeshtëri.

E gjithë koha antike e ka çmuar Thukididin. Shumë historianë e morën atë si shembull.

Në veprën e tij përmbahen të dhëna mbi luftën civile të Epidamnit, në vitin 436 para e. sonë dhe ndërhytjen e fisit ilir të taulantëve në këtë luftë, mbi pjesëmanjen e disa fiseve të Ilirisë së Jugut nga ana e Spartës ose Athinës gjatë luftës së Peloponezit etj.