Lindi në Athinë në vitin 436 para e. sonë dhe vdiq po këtu në një moshë shumë të thyer, rreth 100 vjeç (viti 338). Ishte orator i njohur dhe mësues i retorikës. Në Kio e më vonë në Athinë hapi një shkollë oratorije dhe e shpuri përpara zhvillimin e artit të fjalës. Në shkollën e tij mësuan historianë, poetë e burra shteti të mëvonshëm. Kishte miqësi e marrëdhënie me shumë mbretër të kohës së tij.
Isokrati ëndërronte për një mbret, i cili ta bashkonte Greqinë për të luftuar kundër persëve dhe e gjeti këtë më në fund, shumë më largpamës se Demosteni, tek Filip i II i Maqedonisë.
Prej tij na janë ruajtur, pjesërisht jo në origjinal, 21 ligjërata dhe 9 letra. Ligjëratat e Isokratit janë përpunuar artistikisht, por fjalitë tepër të gjata shpesh herë të lodhin. Për historinë e Ilirisë është interesante ligjërata për Filipin e II të Maqedonisë, ku bëhet fjalë për pushtimet e tij në Ilirinë e Jugut.
Pastaj më thanë se rreth tij janë maqedonët më të shquar, të cilët për gjëra të tjera mund të mos jenë aq të zotë, por sa për interesin e Filipit janë në gjendje ta dinë e ta kuptojnë më mirë se ti . Përveç kësaj aty gjenden edhe shumë helenë, njerëz me vlerë e mend, me këshillat e të cilëve ai e ngriti shumë lart mbretërinë e tij. Me të vërtetë çfarë s'ka bërë ky njeri? Thesalët, të cilët më parë sundonin në Maqedoni, a nuk i bëri me vete, sa që çdo thesal ka besim më tepër te Filipi, se sa te bashkëqytetarët e tij? Nga qytetet e atjeshme disa me anë të mirëbërjes i bëri aleatë, ndërsa ata që i kishin rënë më qafë a nuk i prishi dhe i shkatërroi? Nuk i nënshtroi magnetasit, perrebejt, paionët dhe a nuk i vuri këta nën pushtetin e tij? Nuk u bë zot i pjesës më të madhe të tokave të ilirëve, përveç atyre që banojnë buzë Adriatikut?...