Nga viti 15 pas J. K. deri më 44, Myzia, Maqedonia dhe Akaia ishin bashkuar nën një komandë të vetme ballkanike. Rajoni i Ilirikut ishte i qetë gjatë mbretërimeve të Tiberit, të Klaudit e të Neronit. Trazirat ishin të ndjeshme vetëm tek popujt që banonin brigjeve të Danubit: tek kuadët, në veri të Panonisë, shpërtheu lufta civile dhe mbreti i tyre, Vani, u strehua në jug të lumit. Në vitin 44 pas J. K., ndërkohë që Maqedonisë dhe Akaisë iu kthye statusi u provincave senatoriale, Klaudi i riorganizoi provincat në gadishullin ballkanik: Panonia, Myzia e Dalmacia iu besuan secila një legati konsullor me gjithësej shtatë legjione dhe po aq forca ndihmëse. Noriku iu besua një prokuratori dhe roli i tij ishte i rëndësishëm për rrugët që përshkonin Alpet drejt veriut, në drejtim të Vindobonës e të Danubit. Dalmacia shtrihej nga Istria lindore deri në krahinën e Lisit, në grykëderdhjen e Drinit.
Legjionet ishin vendosur në kampe, kryesisht pranë bregdetit, në Burnum e Tilurium. Bashkësi qytetarësh romakë (të cilësuara nga Plini, N. H., III, 144, si oppida civium Romanorum) kishte në Rizon, Akruvium (Kotorr) Butua, Olcinium, Skodra, Lis, krahas kolonive të Salonës, Naronës, Epidaurit, laderit, Polës, Parentit dhe të Tergestës. Disa rrugë u ndërtuan përmes Alpeve Verilindore në drejtim të Recisë, si edhe ndërmjet Akuilesë dhe Emonës, pastaj me nisje nga Salona dhe Narona, përveç rrugës bregdetare që lidhte të gjitha kolonitë nga Akuilea në Dyrrahium.
Diku rreth vitit 9 pas J. K., Dalmacia u nda në tri rajone për administrimin gjyqësor të popullsive vendase, rreth Skardonës, Salonës dhe Naronës. Skardona ishte qendra për civitates-et e japodëve dhe për liburnët. Conventus-i i Salonës përkonte me rajonin e Dalmacisë qendrore, më të madhin, ndërsa ai i Naronës përmblidhte trembëdhjetë civitates-e, si vardejtë (ardianët), dokleatët pranë Skodrës dhe pirustët. Prania ushtarake mbetej e konsiderueshme, nën autoritetin e prefektëve ushtarakë që ishin centurionë apo krerë të trupave ndihmëse.