Justini

Justini

Në vitin 9 para e. sonë, gjatë sundimit të Augustit, në Romë doli një histori prej 44 librash me titull "Historiae Philippicae” (Historitë e Filipit). Autori i saj ishte Pompe Trogu, bashkëkohës i Tit Livit, me prejardhje nga Narbona e Galisë. Në këtë vepër jepet historia e Maqedonisë, duke filluar nga koha para Filipit II deri në rënien e shtetit maqedonas. Në kundërshtim me qëndrimin e autorëve të tjerë latinë, përkrahës të politikës tradicionale agresive romake, Pompe Trogu mban një qëndrim të kundërt antiromak, duke lëvduar në veprën e tij Filipin, themelues të fuqisë së Maqedonisë.

Vepra e Pompe Trogut u zhduk; ne njohim vetëm një përmbledhje të përgjithshme, epitomet e saja të shkruara në shekullin e II të e. sonë nga M. Junian Justini. Për Justinin dihet shumë pak. Ai si epitomator, duke përmbledhur veprën e gjerë e me përmbajtje të pasur të Trogut, ka lënë jashtë shënime të çmueshme me karakter etnografik e gjeografik. Ai u kufizua, duke mos patur cilësitë e një shkrimtari të vërtetë, të japë vetëm disa momente nga përmbajtja e çdo libri, por ruajti numrin dhe radhën e tyre. Megjithë boshllëqet e mëdha, Justini ka lënë mundësinë të njihemi me kompozicionin e veprës së Trogut dhe konceptin historik të tij. Vepra e Justinit ka rëndësi të posaçme për historinë e Ilirisë, veçanërisht për marrëdhëniet dhe luftërat e ilirëve të jugut me maqedonasit.

info@balkancultureheritage.com